TIRANË- Disa bojkotojnë dhe të tjerë kthehen pas javëve të tëra mungesë. Partia Demokratike dhe aleatët e tyre të vjetër të Partisë së Lirisë i lanë sërish bosh në këtë seancë plenare karriget e tyre. Por, kjo e enjte riktheu në parlament deputeten e Adriatik Lapajt, Ana Dajkon.
Përveç saj, të vetmit deputetë të opozitës në sallë, ishin Erald Kapri nga Mundësia dhe Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë. Me gjysmë-fushën e tyre bosh, dy deputetët kërkuan një qëndrim nga qeveria shqiptare ndaj zyrtares serbe Snezhana Paunoviq e cila deklaroi se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.
“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës. Kosova e ka shpallur non grata. Ky që merret me armiqtë e popullit si ka mundësi që nuk mban qëndrim për një deklaratë të ministres serbe?”, tha Redi Muçi.
“Ashtu si Rama, edhe Enver Hoxha heshte për Kosovën. Kryeministri i Kosovës, Haradinaj ka thënë publikisht se Rama më ka kërkuar të pranojmë ndarjen e Kosovës. Ballkani i hapur ishte projekti i Enver Hoxhës. Ku e gjen guximin ish-ministrja serbe që edhe pas 25 vitesh të fyejë rëndë shqiptarët Kosovës, sepse e di që ka një aleat në Tiranë që hesht”, tha Erald Kapri.
“Reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme. Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, të një kadeti të ri në Kuvend. Nuk tallemi me çështjet kombëtare, s’jemi karagjozë si puna jote! Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë nga ministri i Jashtëm, në nivel politik, kam reaguar përpara teje, ti ishe në gjumë”, tha Taulant Balla.
Socialistët i quajtën lëvizje antikombëtare deputetët e opozitës së re, ndërsa Erald Kapri i akuzoi se bashkojnë votat për të miratuar rezolutat e euro-deputetit Fredi Beleri.
"Dëgjuam përfaqësuesit e një lëvizje që për mua është në kufijtë e antikombëtares, të na fliste për Kosovën. Por kur vjen momenti për ta kthyer në fakt ata mungojnë. Spastrimi etnik është i papranueshëm në çdo rast, kur vjen fjala për spastrimin etnik në Çamëri që ky shtet e njeh si ditë gjenocidi. Partizat e vogla munguan, ku ishin përfaqësues me shumicë të PS dhe opozitës zyrtare. Ato zgjodhën që në ditën që dënohej gjenocidi dhe spastrimi etnik, të fshihen si struci e të zhduken", tha Ardit Bido.
"Deklarimet janë në kufijtë e pabesueshmes. Deputeti ka fyer protestën duke thënë që rinia po udhëhiqet nga njerëz të Belerit. Nuk e pashë të reagojë kur doli me deputetët e PS në Strasburg, i nxjerrë me krenari edhe nga kryeministri. Madje socialistët votonin edhe amendamente te propozuara nga Beleri. Dhe na quajnë këta ne antikombëtar. Votojnë me Belerin në Strasburg dhe akuzojnë shqiptarët se sillen vërdallë nga Beleri", tha Kapri.
"Të shtatë anëtarët e këtij komiteti, përfaqësues të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kanë votuar kundër të gjitha amendamenteve të propozuara nga zoti Beleri. Të gjitha kundër, gënjeshtar me pagesë nga paratë e Gones", iu përgjigj Balla.
Në nisje të seancës, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla njoftoi edhe një nismë të re ligjore për të pezulluar të gjitha ndërtimet në bregdet gjatë sezonit të verës.
Lajm në përditësim...

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, thotë se projektligji i ri për librin që u miratua sot në Kuvend është një ‘reformë që e vendos leximin në qendër të politikave kulturore dhe e përshtat këtë sektor me zhvillimet e kohës”.
“Ky ligj forcon mbështetjen për autorët, botuesit dhe bibliotekat publike, njeh librin digjital dhe zgjeron aksesin në dije për të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara.
Sepse një vend që lexon është një vend që mendon më lirshëm, krijon më shumë dhe ndërton një të ardhme më të fortë. Investimi te libri është investim te kultura, te arsimi dhe te brezat që do të ndërtojnë Shqipërinë e së nesërmes”,- shkruan Goxhja.
Pas 5 orësh seancë plenare, Partia Socialiste po votoi e vetme rendin e ditës, pasi PD dhe PL e bojkotuan seancën plenare. Me votat e mazhorancës u miratuan një sërë projektligjesh, kryesisht në sektorin e bujqësisë, si edhe zhvillimi i Censit që nis në tetor. Siç e paralajmëroi në seancë, deputeti socialist Erion Braçe bashkë me Erald Kaprin votoi kundër ligjit “për mbrojtjen e tokës bujqësore”, si edhe abstenoi disa ndryshime në ligjin për librin.
Po ashtu, u miratuan edhe rezolutat për vlerësimin e punës së 10 institucioneve, nga KQZ, Banka e Shqipërisë, ILDKPI, AMF, INSTAT, AKEP, RTSH, AMA.
Deputeti Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë tha gjatë fjalës së tij në Kuvend vuri në pikëpyetje shfuqizimin e amendamenteve të ligjit 21/2024.
Ai i bëri thirrje mazhorancës që të shqyrtohet, në seancën plenare në shtator, pas pushimeve të verës.
Sipas Muçit në 'Albanian Files' Rama ka parashikuar 19 projekte në zonat e mbrojtura.
“Djalli fshihet në detaje thotë shprehja e famshme, megjithatë në PS nuk fshihet vetëm djalli por edhe dreqi me të birin bashkë. Por me detajet e deklaratave përkatëse të Edi Ramës dhe Marta Kos fshihet pikërisht plani djallëzor që Rama ka për të ardhmen e Shqipërisë. Në takimin para dy ditësh me Kos tha 'para se të nisin protestat, kishim rënë dakord me qeverinë shqiptare që të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe për investimet strategjike. Por Rama tha se nuk kemi se çfarë ligji të anulojmë se është ndër ligjet që kemi për zonat e mbrojtura dhe do të përshtatet me Europën.
Pse Rama po bën rolin e budallait dhe tha se nuk e dinte se për çfarë ligji po flitet, pse nuk i anulon amendamentet e ligjit 21/2024. Nëse s' keni kohë në korrik pse nuk e lini shtator, pasi të keni bërë pushimet në Karaibe, Maldive dhe në shtator të mbroni bregdetin shqiptar. Një pyetje shumë e thjeshtë që ia drejtoj të gjithëve deputetëve të mazhorancës, besnikëve të Ramës, edhe Ballës që qenka pishtar i vlerave të së majtës, njohës i thekur i politikave nga marksizmi edhe Erionit që po zgërdhihet edhe Elisës që nuk është edhe Zegjisnesë. Këtë përgjigje e pretendojnë edhe protestuesit edhe Kos. A thua vallë që treni për ne BE nuk gjeti dot një vend për ligjin 21/2024.
Sot 47 ditë protestash të vazhdueshme, detyruan edhe Kos që ta përmendte në fytyrë Ramës anulimin e ligjit 21/2024. Përgjigjes pse Rama bën rolin e budallait e gjeni te 'Albanian Files', ku Rama parashikon 19 projekte që do të bëhen në zonat e mbrojtura. Pa dalë 2026 Rama duhet të japë dorëheqjen, pë t’i hapur rrugë vendit drejt BE-së", tha ai.
Erald Kapri akuzoi qeverinë se e ka bërë gati projektligjin për shitjen e tokës bujqësore, e cila sipas tij, shënon “vjedhjen” e radhës. Deputeti i partisë Mundësia paralajmëroi mazhorancën mos ta sjellë projektligjin në parlament ose pronarët s’do të falin as Ramën dhe as Taulant Ballën.
“Në sirtar ndodhet pr.lgji për shitjen e tokës bujqësore. Shqipëria ka rreth 120 mijë tokë bujqësore në pronësi të shtetit dhe qeveria ka nisur zbatimin për miratimin e këtij pr.ligji në parlamentin shqiptar. Mos guxoni ta sillni atë projektligj në parlament ose do të rrethohet nga mijëra pronarë që nuk do e falin Edi Ramën! Edhe ty Taulant! Shantazhet e tua nuk do të pinë ujë! Ke përgjigje? Apo do të nxjerrësh letrat e bixhozit? Nuk do të ketë më Osman e Kanye West! Ndonjë koment për Dua Lipën keni apo është bërë edhe ajo e urryer?”, tha Kapri.
Ndërsa mori fjalën, Balla tha se ligji është pjesë e acqui-ve të BE. Më pas, i tha Kaprit se Agron Shehaj është njeriu që ka grabitur pronat në Vlorë. Teksa më herët u shpreh se dosjen e kryetarit të partisë Mundësia e ka gati, Balla shtoi këtë herë se “do të qeshë gjithë Shqipëria.”
Taulant Balla: Gënjeshtar me pagesë! I vetmi njeri që do të mbahesh mend në Kuvendin e Shqipërisë që erdhi si mbajtës çante, je ti! Më thonë kolegët që të nxjerr mesazhet e tua dhe familjarëve të tu... e di mirë ti...
Erald Kapri: Më përmendi familjarët!
Taulant Balla: Nxehja është provë e së vërtetës. Kur nxehesh tregon që e ke mizën dhe të shkakton çrregullim. Je gënjeshtar me pagesë. Erdhe këtu dhe u kape me presh në dorë. Erdhe dhe the ligji është me porosi dhe po e bën Taulanti, i bie që Taulanti ka korruptuar BE. Agron Shehaj, së bashku me familljarët e tjerë, përfshirë njërin që e ka pasur drejtor të Kadastrës së Vlorës, janë ndër personat më të përfshirë. Arsyeja pse padronin tënd politik nuk e votojnë në Vlorë është se ka grabitur pronën. Ligji për tokën bujqësore nuk ka lidhje fare, është pjesë e procesit të negociatave. Po e shihja në Google Earth tokën e Gones, eh mirë mirë, do të qeshë gjithë Shqipëria! Kur çova babain e Gones, Gonen nuk e kam asgjë. Unë me tipa si ti do të ta thoja, po s'ma lejon rregullorja e Kuvendit, do ta tregoja unë për çfarë më vyen ti në jetë në pjesë të caktuara të ditës pasi ke konsumuar një ushqim të shijshëm, por s’e them dot se s’ma lejon rregullorja.
Kapri e akuzoi Ballën se “po e shantazhin bashkë me familjarët e tij”, por nuk do të sprapsen.
Erald Kapri: Vjen këtu dhe më shantazhon mua me familjen time. Ky është një model që përdorin gjithçka për të shantazhuar këdo që guxon të thotë mendimin e tij. Nuk pate guxim të flasësh për Osmanin, u more me familjarët e mi. 1 mln m2 mori ky në Vlorë. Sa për shantazhet e tjera, nuk pinë ujë! Ke provuar gjithçka me ne, përballë na ke dhe do të na kesh! Do ta shikosh kush do të dalë më herët nga politika.
Sali Berisha ka firmosur masterplanin për zhvillimin e Zvërnecit, tha Taulant Balla teksa i përgjigjej Erald Kaprit lidhur me ligjin e tokave bujqësore. Kreu i grupit të PS është në pritje të rikthimit të kryetarit të PD në parlament për të publikuar dokumentin që “do ta qeshë e gjithë Shqipëria.”
“Jam duke pritur Saliun, mezi pres të vijë se kam një dokument që këtë Saliun do ta qeshë gjithë Shqipëria jo për 30, por për gjithë vitet e ardhshme. Kam një dokument që Saliu ka firmosur me dorën e vet zhvillimin e gjithë zonës së Zvërnecit, masterplanin”, tha Balla.
Ndërsa prezantoi në Kuvend projektligjin për dëftesat tregtare për bujqësinë, ministri Andis Salla tha se ky mekanizëm financiar i shërben zhvillimit të bujqësisë dhe sjell përfitime për të gjitha palët. Si pikë kyçe, theksoi marrëdhëniet më të sigurta mes fermerëve dhe furnizuesve pasi mbulohet i gjithë cikli ekonomik i prodhimit bujqësor.
“I pari është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm. Ndërsa, instrumenti i dytë është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar. Në këtë rast, produkti që është prodhuar dhe depozituar në magazinë mund të përdoret si kolateral për financim. Në këtë mënyrë, ligji mbulon të gjithë ciklin ekonomik të prodhimit bujqësor, nga mbjellja deri te shitja e produktit. Një risi tjetër e rëndësishme është se i gjithë ky mekanizëm do të funksionojë në mënyrë elektronike, nëpërmjet portalit e-Albania. Dëftesat do të regjistrohen në një regjistër elektronik të posaçëm dhe do të lidhen me regjistrin e barrëve siguruese. Përfituesi i parë është fermeri shqiptar gjithashtu furnizuesit e inputeve, grumbulluesit, përpunuesit dhe eksportuesit, të cilët do të zhvillojnë marrëdhënie kontraktore më të sigurta dhe më të strukturuara me fermerët, duke ulur pasiguritë dhe duke rritur bashkëpunimin përgjatë gjithë zinxhirit agro-ushqimor. Përfitojnë institucionet financiare, pasi krijohet një instrument i qartë dhe i mbështetur në ligj, që u jep më shumë garanci në financimin e sektorit bujqësor. Përfiton e gjithë ekonomia shqiptare”, tha Salla.
Erion Braçe pati disa rezerva lidhur me projektligjin. Ai renditi si problem imponimin e çmimeve të grumbulluesit kundrejt fermerit dhe nevojën për ndarjen e qartë të hallkave. Për deputetin, projektligji duhet të ketë synim të qartë mbrojtjen e fermerëve, rregullimin e sistemit fiskal dhe rregullimin e tregut.
“Duhet ta nisim nga sistemi fiskal që kemi për prodhimin dhe produktet bujqësore, nëse s’e bëjmë, ka dështuar që tani. E dyta gjë që duhet bërë, është ndarja e zotëruesit të inputeve bujqësore nga grumbulluesi, eksportuesi e financuesi. Në rastin kur janë bashkë dhe në krahun tjetër janë edhe prodhues, çmimi që do i imponojnë bujkut është gjithnjë e më i ulët se nuk është çmendur të blejë me çmim të lartë. Shprehja që përdoret sot nga këta është: Do ta lësh shalqirin me kaq lekë? Jo. Epo ik p*rdhu se nuk ta marr, më falni për shprehjen! Kjo është marrëdhënia tregtare sot atje në fusha! Bëjmë mirë ta ligjërojmë dhe legjitimojmë, mbrojmë bujkun dhe prodhimin e tij. Asnjë dëftesë tregtare nuk do ta mbrojë bujkun nëse nuk rregullojmë tregun, nuk rregullojmë sistemin fiskal dhe mbrojmë bujqit! Raste suksesi ka, por raste që ka nevojë të trajtohen për t’u zhbërë sepse janë pjesë e abuzimit me bujkun, janë aty dhe duhen zhbërë sa më parë që bujqit të marrin frymë”, tha Braçe.
Deputetët socialistë votuan kundër rezolutës së gjenocidit serb në Kosovë, ia ktheu Redi Muçi Ardit Bidos që i tha se “partizat e vogla” munguan kur flitej për gjenocidin grek në Çamëri. Deputeti kërkoi sërish qëndrim të qeverisë lidhur me deklaratën e ministres serbe Paunoviq, teksa më pas ironizoi Bidon duke i thënë se “i kishte munguar.”
“Është fakt që në tetor të vitit të shkuar ngritët kartonin e kuq kur u votua rezoluta e gjenocidit serb në Kosovë. Për një deklaratë shoviniste për spastrim etnik ju mjaftoheni me përgjigjen e mefshtë të ministrit tonë të Jashtëm dhe nuk mbani qëndrim. Kosova e ka shpallur non grata. Shoku Bido, na ke munguar! Shumë gabim që e le vetëm Taulant Ballën se s’kishte kush ta mbronte! Unë s’merrem me salcat e sufllaqeve të Bidos. Braçe, po ke gjë për të thënë thuaje në mikrofon”, tha Muçi.
Deputeti socialist Ardit Bido u përfshi në një përplasje në Kuvend me dy deputetët opozitarë Erald Kapri dhe Redi Muçi. Këta dy të fundit e akuzuan mazhorancën se po heshtin ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës, madje kryeministrin Rama e krahasuan me diktatorin Enver Hoxha. Por Bido, iu kujtoi opozitarëve se Rama i ka kërkuar presidentit Aleksandër Vuçiç në mes të Beogradit që Republika e pavarur e Kosovës të njihet si realitet. Bido e quajti partinë e Muçit, lëvizje antikombëtare, duke iu kujtuar dy partive të vogla se kur PS e PD dënonin gjenocidin serb në Çamëri, partizat e vogla zgjodhën të mungojnë.
Ardit Bido: Më vjen keq që në këtë sallë të nderuar të kuvendit ne dëgjojmë popullzimin që në fakt na vjen nga thirrjet revolucionare që kanë prodhuar vetëm gjak në histori. Popullzimi ekstrem që tenton të zhbëjë edhe historinë. Enver Hoxha kur shkoi në Beograd nuk foli për Kosovën. Diskutoi atë që ishte plani i kohës për Jugosllavinë e madhe që do përfshinte Bullgarinë dhe Shqipërinë. Sot Shqipëria, një republikë e pavarur ka kërkuar përmes Ramës në Beograd që Kosova një republikë e pavarur të njihet si realitet. Populizmi përkundrejt fateve. Dëgjuam përfaqësuesit e një lëvizje që për mua është në kufijtë e antikombëtares, të na fliste për Kosovën duke reaguar me orë të tëra vonesë, pasi kishin reaguar jo vetëm ministria e jashtme por edhe shumica e grupit parlamentar. Por kur vjen momenti për ta kthyer në fakt ata mungojnë. Spastrimi etnik është i papranueshëm në çdo rast, kur vjen fjala për spastrimin etnik në Çamëri që ky shtet e njeh si ditë gjenocidi. Partizat e vogla munguan, ku ishin përfaqësues me shumicë të PS dhe opozitës zyrtare. Ato zgjodhën që në ditën që dënohej gjenocidi dhe spastrimi etnik, të fshihen si struci e të zhduken. Partizat e popullzimit kanë zgjedhur vetëm fjalën kur iu intereson dhe me veprime për kanë treguar se janë thjeshtë antishqiptarë.
Erald Kapri: Deklarimet janë në kufijtë e pabesueshmes. Deputeti ka fyer protestën duke thënë që rinia po udhëhiqet nga njerëz të Belerit. Nuk e pashë të reagojë kur doli me deputetët e PS në Strasburg, i nxjerrë me krenari edhe nga kryeministri. Madje socialistët votonin edhe amendamente te propozuara nga Beleri. Dhe na quajnë këta ne antikombëtar. Votojnë me Belerin në Strasburg dhe akuzojnë shqiptarët se sillen vërdallë nga Beleri. Kurrë s’kam parë nga Ruçi apo nga Balla, që të dalë të thotë që PS do të dalë dhe të shtypë. Nuk e di se si një deputet që pretendon të jetë në radhët e të rinjve të flasë me gjuhë dhune. Mbani gjuhën se e dimë se çfarë trashëgimie të dhunshme keni.
Taulant Balla iu përgjigj deklaratave të Erald Kaprit se PS ka votuar në Strasburg amendamentet e propozuara nga Fredi Beleri. Balla e quajti deputetin “gënjeshtar profesionist” pasi të gjitha amendamentet e propozuar prej tij janë votuar kundër nga përfaqësuesit socialistë.
Më tej, i tha Kaprit se ka marrë “modelin më të keq” të politikës, Agron Shehajn, të cilit tashmë po i zbardhet e gjithë skema e parave, duke iu referuar pronës 251 m2 që u shit për 15 milionë euro.
“Deputeti parafolës, një gënjeshtar profesionist, sapo keqinformoi me dashje opinionin publik lidhur me procesin e votimit për rekomandimet e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit. 7 anëtarët e këtij komiteti, përfaqësues të PS kanë votuar për të gjitha amendamentet e propozuara nga Beleri kundër. Të gjitha kundër! Gënjeshtar! Grupi parlamentar i PD ka votuar për një pjesë të amendamenteve pro. Sa i përket votimit në fund të dokumentit integral, unë isha dakordësuar me bashkëkryetarin. Unë s’mund ta ndaloja dot një anëtar të PE të votonte pro. Ti ke marrë për model modelin më të keq. Nuk ka model më të keq në politikë sesa të vish këtu dhe të bësh suflerin e Gones. Ti, bashkë me atë personin tjetër që nuk është këtu sepse e nise karrierën politike me pagesë nga paratë e Gones, tani paguhesh me paratë e shqiptarëve si asistent i Gones, ky është ndryshimi. Edhe ti, ndërsa po zbardhet gjithë skema e parave të Agron Shehajt, rast unik në botë që brenda 4 vitesh pesëfishon vlerën e një prone. Do të vijë Gonia këtu, ia kam bërë gati dosjen. Nga paratë e vilës së Gones je paguar ti deri në shtator 2025”, tha Balla.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi ngriti në Kuvend çështjen e deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës. Muçi pyeti cila është arsyeja që ministrja nuk është shpallur non grata nga Shqipëria, ashtu siç veproi Kosova.
“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës dhe mbështetjes që i dha zv/kryeministri serb? Kosova e ka shpallur non grata ministren. Ky që merret me armiqtë e popullit si ka mundësi që nuk mban qëndirm për një deklaratë të ministres serbe? Ndoshta sepse bashkë me mikun e tij, Vuçiç, i ka zënë i njëjti hall: fakti që rinia i përçmon”, tha Muçi.
Përgjigjja i erdhi nga Taulant Balla që i tha se reagimi ka qenë i menjëhershëm në të gjitha nivelet e nevojshme. Shefi i grupit parlamentar të PS nënvizoi se qeveria “nuk tallet me çështjet kombëtare.”
“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por indinjuese dhe të rëndë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme. Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, të një kadeti të ri në Kuvend. Nuk tallemi me çështjet kombëtare, s’jemi karagjozë si puna jote! Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë nga ministri i Jashtëm, në nivel politik, kam reaguar përpara teje, ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë bashkë me ata që ke në kafazin tënd politik. Ky akt është dënuar nga autoritetet politike përfaqësuese. Sa i përket Edi Ramës, ti dhe shokët e tu duhet të lani gojën mirë se është i vetmi kryeministër që nga 1912 që ka ngritur çështjen e Kosovës”, ia ktheu Balla.
Deputeti Erald Kapri ka ngritur në Kuvend çështjen e deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës. Pasi Taulant Balla ta se reagimi i maxhorancës ka qenë i menjëhershëm ndja këtyre deklaratave, deputeti Kapri e krahasoi Edi Ramën me diktatorin Enver Hoxha, duke thënë se ka heshtur për Kosovëm.
“Rama s’ka qenë kryeministri i vetëm në Beograd. Ka qenë edhe Enver hoxha. Ashtu si Rama, edhe Enver Hoxha, hapi kufijtë me ish-Jugosllavinë, bënë Ballkan të hapur, bënë edhe njësi monedhe. Ashtu si Rama, edhe Hoxha heshte për Kosovën pavarësisht se çfarë ndodhte atje. Kryeministri i Kosovës Haradinaj ka thënë publikisht se Rama më ka kërkuar të pranojmë ndarjen e Kosovës. Sa për përrallat e çështjes kombëtarë ka fakte. Ballkani i hapur ishte projekti i Enver Hoxhës. Ku e gjen guximin ish-ministrja serbe që edhe pas 25 citesh të fyejë rëndë shqiptarët Kosovës, sepse e di që ka një aleat në Tiranë që hesht. Doni të na mbushni mendjen edhe më përralla kombëtare. Ky kuvend po mblidhet në kushte rrethimi, a thua se jemi në gjendje lufte. U ka ngelur të nxirrni vetëm ushtrinë, si ka mundësi të mohoni atë që po ndodh në bulevard. Atje është legjitimiteti. Ky kuvend e ka humbur tërësisht. Rama deklaroi në kos që është ligji më i mirë që kemi pasur dhe s’kemi ndërmend ta heqim, nuk kemi një krye antikombëtare, që flirton me Vuçiç, por ka dalë edhe kundër integrimit të Shqipërisë”, tha Kapri.
Partia Socialiste ka propozuar që të kalojë një projekt ligj me procedurë të përshpejtuar, ku në thelb qëndron pezullimi i të gjitha punimeve në bregdet gjatë sezonit të verës. Kreu i grupit të PS, Taulant Balla tha se nisma vjen si përgjigje ndaj një shqetësimi të vazhdueshëm të deputetëve që përfaqësojnë zonat turistike.
"Besoj që ky projektligj sjell në Kuvend adresimin e një shqetësimi që çdo deputet, kryesisht përfaqësues i zonave bregdetare turistike dhe atyre liqenore, lidhur me nevojën për të pezulluar përgjatë kulmit të sezonit turistik", u shpreh ai.
Sipas Ballës, nuk janë të pakta rastet kur punimet vijojnë pranë strukturave akomoduese, duke krijuar shqetësime për pushuesit. Ai theksoi se pezullimi i punimeve do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ofertës turistike.
“Kemi propozuar që në pr.ligjin për turizmin, të pezullohen punimet e ndërtimit gjatë kohës së sezonit turistik, duke garantuar cilësi më të lartë të ofertës turistike në vendin tonë. Pjesa tjetër ka të bëjë me regjistrin elektronik të turistëve. Të ketë një sistem të regjistrimit të personave që akomodohen në atë strukturë hoteliere. Përfshirë këtu edhe një rast që e kam bërë publik bashkë me deputetë të Kavajës, lidhur me pamundësinë por edhe paaftësinë, rasti i bashkisë së Kavajës është më uniku, ku një bashki pjesën e administrimit të mbetjeve e ka lënë jashtë kontrolli, ndërkohë që strukturat akomoduese duhet të kenë një vend të caktuar të tyre për administrimin e mbetjeve. Nuk mund të shkojë hoteli ti hedhë mbetjet në koshin e plehrave të lagjes”, tha Taulant Balla.
Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime të tjera që lidhen me standardizimin e kategorizimit të hoteleve, regjistrimin elektronik të klientëve dhe përmirësimin e administrimit të mbetjeve nga strukturat akomoduese.

Konferenca e Kryetarëve, foto arkiv
Konferenca e Kryetarëve ka kaluar në seancë vetëm votat e Partisë Socialiste për shtyrjen e reformës zgjedhore deri në nëntor, pasi PD e PL vijojnë bojkotin.
Kërkesa, e nënshkruar nga të dy bashkëkryetarët e Komisionit, socialisti Damian Gjiknuri dhe demokrati Oerd Bylykbashi, argumenton se shtyrja e afatit të punës së Komisionit ka për qëllim që t’u japë palëve politike më shumë mundësi për të dakordësuar zgjidhje politike, që t’i paraprijnë procesit të hartimit teknik të dispozitave të Kodit Zgjedhor.
Ndërsa pritet që pas pak të zhvillohet seanca plenare e ditës, Kuvendi është rrethuar nga një kordon sigurie.
Rreth tij janë vendosur barriera metalike dhe forca policie. Këto masa kanë vijuar që prej 2 korrikut kur para Kuvendit u mblodhën protestuesit duke qëlluar deputetët me vezë dhe duke penguar daljen e tyre.
Komente

muci per ceshtjen kombetare!!!!. E pyet dot ndojne koleg mucin se c`fare mendon per camerine? Ky kapri distancohet apo e mbeshtet mucin, llom si keto po dalin ne shesh, ore njerezit ne shesh e pyesin mucin per camerine? Sa Shqipetare eshte protesta?
Përgjigju