Inceneratorët përplasin PD-PS! Basha: Rama s’i lan dot duart! Spiropali: Do përgjigjesh para drejtësisë! Berisha: Kjo aferë zgjidhet me protesta! Miratohen anëtarët e rinj të AMA-s

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha paralajmëroi nga foltorja e Kuvendit Kurbanin e radhës për skemën e korrupsionit të inceneratorëve.

“Komisioni po zbardh përditë se pse kryeministri nuk mund të lajë duart nga përgjegjësia duke ua hedhur fajin vetëm ministrave, të cilët shumë shpejt do përballen me drejtësinë. Po a mund të ndodhin këto pa dijeninë e Edi Ramës”, tha Basha.

Por sipas socialistëve, kryedemokrati nuk është në pozitat për të denoncuar korrupsionin.

“Lulzim Basha është shembulli i gjallë për fakte dhe vjedhje të provuara ka shpëtuar vetë pikërisht nga ajo drejtësi. Flet këtu për gishta dhe për duar ky që vetëm 2 gishtat ka lart dhe është i gjithi i zhytur brenda”, u shpreh Spiropali.

Pjesë e debatit u bënë edhe Sali Berisha e Monika Kryemadhi që akuzuan PD e PS se po bashkëpunojnë për të varrosur këtë çështje. Akuzave të tyre, iu përgjigj vetë Basha.

“Janë dy hetime një hetim parlamentar dhe një hetim i skrapit, të dyja përpiqen të varrosin çështjen, ju sjellin ju konfuzion me Zoto e Mërtiri dhe këtu gjithçka bëhet për të mbuluar hajdutët e vërtetë. Kjo afër do zgjidhet vetëm nga reagimi qytetar ku u bëj thirrje për protesta masive”, tha Berisha.

“Përdor gjuhën e PS. Është në betejë për halli e tij personal. Do të mbrojë kriminelët, është patericë e regjimit”, iu përgjigj Basha.

Basha deklaroi se shumë shpejt PD do të dërgojë emrat për komisionin e posaçëm zgjedhor dhe territoriale, që sipas tij do të jenë shansi për t’u ofruar shqiptarëve mundësinë të zgjedhin të lirë.

Ndërkohë në seancën e sotme u votuan edhe 6 anëtarët e rinj të Autoritetit të Mediave Audiovizive. Kështu, pjesë e AMA-s do të jenë Gjergj Hamiti, Desata Metaj, Joana Allushi, Aurela Bicja Jetmir Halilaj dhe Besian Zotaj. Nga ana tjetër, Kuvendi ka rrëzuar sërish sot katër kandidatët e përzgjedhur nga trupat e pedagogëve. Emrat e përzgjedhur për të plotësuar 4 vakancat në këto dy institucione nuk morën numrin e domosdoshëm të votave, duke e rikthyer procedurat e përzgjedhjes së tyre në nënkomisionin e posaçëm të ligjeve. Bëhet fjalë për 2 kandidatët e KLGJ-së, Oriona Muçollari dhe Ilir Rusi dhe për KLP, Mirela Bogdani Yllka Rupa.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:50
Votohen në Kuvend, kush janë 6 anëtarët e rinj të AMA-s

Votohen në Kuvend 6 anëtarët e rinj të AMA-s. Seanca e sotme miratoi projektvendimin “Për zgjedhjen e gjashtë anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive”, sipas votimit të mëposhtëm: znj.Joana Allushi u zgjodh me 108 vota pro, asnjë kundër dhe 3 abstenim; znj. Aurela Bicja u zgjodh me 99 vota pro, 1 kundër dhe 6 abstenim; z. Jetmir Halilaj u zgjodh me 101 vota pro, 2 kundër dhe 5 abstenim; z. Gjergji Hamiti u zgjodh me 96 vota pro, 2 kundër dhe 7 abstenim; znj. Desada Metaj u zgjodh me 99 vota pro, 9 kundër dhe 1 abstenim dhe z. Besian Zogaj u zgjodh me 101 vota pro, 2 kundër dhe 5 abstenim.

 

 

Ora 16:47
Nuk morën numrin e domosdoshëm të votave, rrëzohen sërish në Kuvend kandidatët nga radhët e pedagogëve për KLP e KLGJ

Kuvendi ka rrëzuar sërish sot katër kandidatët e përzgjedhur nga trupat e pedagogëve. Emrat e përzgjedhur për të plotësuar 4 vakancat në këto dy institucione nuk morën numrin e domosdoshëm të votave, duke e rikthyer procedurat e përzgjedhjes së tyre në nënkomisionin e posaçëm të ligjeve.

Kandidatët për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Oriona Muçollari dhe Ilir Rusi, kanë marrë 80 vota pro, zero kundër, 2 abstenim, e ndërsa kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë Mirela Bogdani dhe Yllka Rupa morën 75 vota pro, 1 kundër dhe 5 abstenim. Pas këtij votimi kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se çështja rikthehet në nënkomision për të miratuar një listë të re sipas procedurës së parashikuar në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

“Vendim për listën e dytë në bllok të kandidatëve të zgjedhur të KLGJ nga trupa e pedagogëve të Fakulteteve të Drejtësisë dhe shkollës së magjistraturës, sipas ligjin numër 115/ 2016, për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Oriona Muçollari dhe Ilir Rusi, pro 80 vota, kundër zero, abstenim 2, shumica nuk është arritur dhe çështja rikthehet në nënkomision për të miratuar një listë të re.

Për kandidatët për KLP, Mirela Bogdani Yllka Rupa, pro 75, kundër 1, abstenim 5 shumica nuk është arritur dhe çështja rikthehet në nënkomision për të miratuar një listë të re”, tha kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarëve, 5 anëtarë jo-gjyqtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe 6 anëtarë gjyqtarë të zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve. Kuvendi zgjedh 2 anëtarë nga Avokatia, 2 nga institucionet e arsimit të lartë dhe 1 nga shoqëria civile. E njëjta gjë është edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i cili ka 5 anëtarë jo prokurorë dhe 6 anëtarë prokurorë.

Sipas procedurave ligjore për përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të drejtësisë, kandidatët nga trupa e pedagogëve përzgjidhen në 2 faza: së pari nga institucionet përkatëse të arsimit të lartë (fakultetet e drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës) dhe së dyti nga një mbledhje e posaçme e rektorëve dhe dekanëve. Kuvendi zgjedh pastaj 2 anëtarë për secilin institucion midis kandidatëve me votat e 2/3 të të gjithë anëtarëve.

Ora 14:36
Kryemadhi si Berisha: Komisioni për inceneratorët është për të mbuluar çështjen

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ashtu si Sali Berisha, mendon se komisioni hetimor për inceneratorët, është bërë për të mbuluar çështjen.

‘Ne kemi kërkuar për të qenë pjesë e komisionit hetimor, kemi kërkuar të shkojë Vasilit, por është vendosur veto nga PD. Unë kam kërkuar që të jem. Çështja e inceneratorëve është një skemë piramidale. Këtu përgjegjësitë janë të kryeministrit dhe të qeverisë shqiptare. Çështja e komisionit hetimor, është nëse do të mbulosh një çështje, ngri një komision hetimor. Për të mos çeduar punën e SPAK, duke krijuar raporte të dyfishta.’- tha Kryemadhi.

Ora 14:04
Balla-Berishës: Ramës ti s'i shkon as tek fundbarku i kalit të Skëndërbeut! E merr në mbrojtje Xhaferraj: Ai bëri një grup çupëlinash ministre, e ty të la aty ku je! Nikolla i mbyll fjalën

Një sërë përplasjesh kanë ndodhur në seancën plenare mes Taulant Ballës, Ferdinand Xhaferrajt dhe Sali Berishës. Gjithçka nisi nga krahasimi që Balla bëri për Berishën, të cilit i tha se Ramës ai nuk i shkon as deri tek 'fundbarku i kalit të Skëndërbeut'! Ky krahasim ju duk i padenjë deputetit të PD-së, Ferdinand Xhaferraj, por nuk zgjati shumë dhe përdori edhe vetë një gjuhë të papërshtatshme për gratë ministre, duke i cilësuar 'çupëlina'. Fjalën ja mbylli kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e cila i tha të kërkojnë ndjesë për gjuhën seksiste.

Taulant Balla: Sa për kryeministrin Rama, atij ti nuk i shkon as tek fundbarku i kalit të Skëndërbeut. Kryeministri Rama është i vetmi politikan që nuk ka marrë askënd në mbrojtje, ndaj të cilit ka filluar një hetim penal. Ky është standardi që ka vendosur Edi Rama. Bëhuni burra dhe respektojeni këtë standard

Ferdinand Xhaferraj: Nuk është dinjitoze të përdoret në Kuvend ajo fjalë. Se çfarë përfaqëson Edi Rama e dimë... mori një grup çupëlinash dhe i bëri ministre, ndërsa ty të la aty ky ju.

Lindita Nikolla: I hiqet fjala, kërkoni falje zoti Xhaferraj. Po përdorni gjuhë seksiste

Sali Berisha: A mund të vendosësh paqe më këto ministre të eksituara?! Ti përgjigjesh një njeriu të dënuar nga gjykata për shpifje, nuk ja vlen të shpenzosh asnjë sekond me ty!

Ora 13:17
Kumbaro: S’do lejohen abuzimet me çmimet e çadrave përtej fantazisë! Nuk lidhen kontrata me subjektet që nuk kanë vrojtues plazhi dhe janë debitor te Tatimet

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ka paraqitur në Kuvend projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën kuadër për Etikën në Turizëm dhe protokollin opsional të saj”. Teksa tha se kjo do të ndihmojë në një vend më të pastër, Kumbaro foli edhe për menaxhimin dhe ndarjen e vijës bregdetare gjatë sezonit veror mes subjekteve private. Ministrja bëri të qartë se nuk do të lidhen kontrata me subjekte që nuk kanë vrojtues plazhi dhe janë debitor tek tatimet. Ajo foli edhe për çmimet e larta te çadrave ku tha se nuk do te lejohen abuzimet.

“Nuk mund të pranohet në parim që abuzimi me çmimet e çadrave e të shezlongeve private të jetë fantazmagorik në plazhet që edhe nëse administrohen përkohësisht nga subjekte private, janë dhe mbeten pronë publike”, u shpreh ministrja Kumbaro gjatë fjalës së saj për projektiligjin mbi aderimin e Republikës së Shqipërisë në “Konventën Kuadër për Etikën në turizëm dhe protokollin opsional të saj”. 

Kumbaro gjithashtu dha edhe disa porosi të rëndësishme, në një kohë kur po vazhdojnë përgatitjet e sezonit turistik veror dhe aktualisht janë hapur aplikimet për menaxhimin e parcelave të plazheve nga subjektet private. 

“Ndërsa ju ftoj të votoni këtë Konventë të etikës në turizëm, nuk mund të mos theksoj se këtë vit nuk do të lejohen ndërtimi i bareve të plazheve pa leje. Gjithashtu nuk do të lidhen kontrata nëse nuk do të sigurohet prania e vrojtuesve të plazhit që shpëtojnë jetë, e po ashtu nuk do të lidhet kontrata nëse subjekti është debitor në tatimet qendrore apo vendore. Do të jemi në monitorim të plotë për të parandaluar abuzimet në territor, në shërbime, dhe në çmime”, u shpreh Kumbaro. 

Ora 13:03
FOTO/ Çfarë nuk u pa në Kuvend, Basha ‘kokë më kokë’ me Alibeajn, Berisha i qeshur krah Vokshit

Ashtu si në çdo seancë parlamentare janë foto ata që tregojnë disa nga momentet më pikante mes deputetëve që nuk kapen nga kamerat. Ajo që vihet re sot është se Basha ka kaluar shumë kohë në telefon dhe i duke biseduam me Enkelejd Alibeajn, ndërsa Sali Berisha është shfaqur vetëm duke qeshur me Albana Vokshin.

Ora 11:54
Salianji bën deklaratën e papritur: Kriminelë që kërkohen nga Spanja po përdoren nga PS për zgjedhjet pjesshme të 6 Marsit

Deputeti i Partisë Demokratke Rvin Salianji ka bërë një deklaratë të papritur në Kuvend, ku ka thënë se përsona të kërkuar nga Spanja të akuzuar apo të dënuar për krime, punojnë në fushatat zgjedhore për PS-në. Sipas Salianjit, personat për të cilët ka një kërkesë për ekstradim, u bëhet presion që të punojnë për PS-në.

‘Ne ekspertojmë krim në Evropë dhe e mbrojmë. Ka pas 25 kërkesa tha ministri i Drejtësisë nga Spanja për ekstradim, pra njerëz që rrinë e jetojnë këtu një pjesë i përdorni për fushatë, duke ua çuar kërkesat e ekstradimit, por i thoni nuk iu ekstradojmë vetëm punoni për PS, është taktikë e përdorur kudo e përdorët njësoj në këto zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.’- tha Salianji.

Ora 11:37
Përplasjet/ Tabaku-Spiropalit: Kur denoncoja aferën e inceneratorëve ti ishte te trau i Doganës! Ministrja si Rama dikur me Berishën: Pyete Bashën a e kalon dot traun përtej detit?

Çështje e inceneratorëve ka shkaktuar debate të forta mes PD dhe PS në Kuvend, ku nuk kanë munguar as ironitë dhe sulmet me njëri-tjetrin. Lidhur me këtë çështjeje Spiropali tha se pastrimi i vendi nga mbetjet ishte domosdoshmëri, por kjo ka sjellë reagimin e Jorida Tabakut e cila tha se ministrja nuk ka si i kupton dot këto afera pasi kur PD i denonconte ajo ishte te Doganat.

Kur unë bëra interpelancë për këtë çështje ti ishe te trau i Doganës. Për korrupsion jeni vërtetuar që jeni kapur. Sot akuzoheni për pastrim parash. A e dinë qytetarët shqiptarë se çfarë ka ndodhur me 430 mln euro.A e dinë se çfarë ka ndodhur me kompanitë e Klodian Zotos. Qeveria shqiptare ka dhënë paradhënie për Inceneratorin e Fierit pa u kryer ende puna. Korrupsionin e ka vërtetuar SPAK.Kushdo i përfshirë me letër dhe shkresë është i përfshirë zyrtarisht. Jam ndjerë keq kur kam parë persona në moshën e tim eti në Komisionin e Vlerësimit të ofertave. I keni përdorur si lecka zyrtarët e këtij shteti. Mua nuk më trondit asgjë derisa t’i shkojmë në fund kësaj afere”, tha Tabaku.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Elisa Spiropalit, e cila tha se Tabakut duhet t'i vij turp që po bën prokuroren si në kohën e komunizmit, ndërsa me përmendjen e traut të Doganës , ministrja i tha se fillimisht duhet të pyes Bashës a e kalon dot traun përtej detit.

Nuk kuptoj si Zonja Tabaku nuk i vjen zor kur bën rolin e prokurores së komunizmit dhe nuk skuqet kur përmend miliona euro si të ishin 5 mijë delegatët në dy vendet e pallatit të kongreseve për zgjedhjet e tyre. Nuk e kuptoj fare se si nuk e kupton se do të humb edhe gjyqe të tjera në radhë, meqë bën rolin e prokurores le të pyesë atë që ka në krah kur ulet meqë përmendi traun e kalon dot traun përtej detit?, tha Spiropali

Kjo deklaratë e Spiropalit është e njëjtë me atë që kishte bërë më herët Edi Rama nga foltorja e Kuvendit ndaj Sali Berishës nëse “e kalonte dot oqeanin dhe hynte në SHBA” duke paralajmëruar shpalljen non grata të tij nga SHBA dhe që sot është fakt. Duke i drejtuar të njëjtën pyetje edhe Bashës, deklarata e Spiropalit lë në të kuptosh të njëjtën situatë edhe për Lulzim Bashën.

Ora 11:22
 Berisha-Ballës: Nuk uroj pavarësinë e Kosovës në Kuvend se nuk votuat ligjin për gjenocidin serb

Sali Berisha i është përgjigjur Taulant Ballës lidhur me kritikat e tij për mos urimin e opozitës për pavarësinë e Kosovës. Berisha tha se ai i ka bërë urimet e tij dhe nuk e bënë në Kuvend që nuk votoi ligjin për gjenocidin serb

“Sa për hyrje ministrja e Kulturës u jep 492 mln lekë firmës belge ku punon vajza e zonjës Linda Rama. I them parafolësit se si çdo fjalë që nxjerr nga goja edhe ato që tha, gjykata e ka dënuar për shpifje. Për çdo gjë që thua këtu do dënohesh për shpifje. Kam uruar Kosovën pa ardhur këtu për pavarësinë. Nuk e uroj këtu me ju sepse ju nuk e votuat ligjin për gjenocidin serb. Nuk mund të uroj me ju sepse kreu juaj është vasal i Vuçiç që lobon për atë në SHBA dhe sulmon Berishën. Asgjë nuk të shpëton nga lidhjet që ke me krimin. Kam një lajm të veçantë sot. Sipas raportimeve të mediave, agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit  rezulton se janë identifikuar lidhje të shumta të krimit shqiptar me zyrtarë të shtetit shqiptar, Këto të dhëna janë pranë këtyre agjencive. Një ndihmë të veçantë ka dhënë një aplikacion i përdorur nga narkotrafikantët shqiptarë. Një nga personat”, tha Berisha.

Ora 11:20
Berisha i cilësoi ministrat si hajna, Spiropali: Flet ti i shpallur hajn i SHBA-së! Shko shijo perëndimin se nuk ka më agim për ty

Ministrja Elisa Spiropali i është përgjigjur Berishës i cili i quajti ministrat si hajna, e cila tha se Berisha është i damkosur botërisht nga SHBA dhe i shpallur si hajn i Amerikës.

“Kujt i thua hajn ti që je shpallur botërisht hajn i SHBA, ti që nga SHBA ke marrë damkën botërisht, ik në shtëpi shijo perëndimin e diellit se nuk ka më agim për ty. Shqipëria të dha gjithçka dhe ti i le turpin’, tha Berisha.

Ora 11:08
Balla i kthehet Berishës: Ti dhe familja jote vodhët mjediset e klubit sportiv Partizani! SPAK të përgjigjet në ç'pikë janë hetimet

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i ka kthyer përgjigje Berishës i cili hodhi dyshime mbi drejtësinë në vend se kontrollohet nga maxhoranca. Balla i kujtoi Berishës privatizimin e mjediseve të klubit sportiv Partizani, ku i bëri thirrje SPAK të tregojë se në ç'pikë janë hetimet dhe nëse ish-kryeministri është thirrur për t'u marrë në pyetje.

"U shprehe Sali për SPAK, the Skrap, po ketë drejtë se SPAK ndaj teje ende nuk po vepron. Kuvendi në mars të 2017 ka miratuar një raport përfundimtar të një komisioni hetimor ku edhe me votën e Metës ti je kallëzuar penalisht për shpërdorim të rëndë detyre, ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe korrupsion nga Kuvendi. Unë i bëj thirrje SPAK t'i kthejë përgjigje Kuvendit se ku gjenden hetimet për këtë dhe për hetimet për vjedhjen të mjediseve të klubit sportiv Partizani. SPAK ka deklaruar e një prokurore e ka marrë këtë çështje por sot është në nderin e SPAK të thotë në ça niveli janë hetimet dhe a është thirr Berisha për vjedhjen e një prej pronave më të mëdha në Tiranë, ku aty ti dhe dhëndri yt keni ndërtuar plot 20 mln euro pasuri me 100 mijë dollarë privatizim dhe çohesh ti tani e na bën ne moral", tha Balla.

Ora 11:07
Balla kujton në Kuvend Pavarësinë e Kosovës dhe kritikon Berishën e Bashës: Nuk thatë asnjë fjalë për këtë ditë të shënuar, dihet qëndrimi juaj

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kujtuar sot në Kuvend 14-vjetorin e Pavarësisë s Kosovës, duke i kërkuar një duartrokitje deputetëve. Balla kritikoi edhe Kryedemokratin Lulzim Basha dhe Sali Berishën që nuk thanë asnjë fjalë për këtë ditë të shënuar. Për Bashën, Balla tha se ka hallet e veta, ndërsa për Berishën u shpreh se qëndrimi i tij ka qenë gjithnjë me shumë hije dyshimi.

"Do kishte qenë në dinjitetin e dy kryetarëve të një pas njëshëm të opozitës që në këtë ditë të shënuar, dy fjalë të kishin thënë për Kosovën. Luli ka probleme të tjera, por qëndrimi i Berishës për Kosovën ka qenë gjithnjë me shumë hije dyshimi dhe asgjë nuk e lan qëndrimin tënd refrektar për Kosovën. Edhe Basha ka një njollë të zezë për këtë", tha ai.

Ora 10:55
Spiropali i përgjigjet Bashës për inceneratorët: Drejtësia e re po funksionon! Edhe t'i do përgjigjesh për ato që ke bërë

Ministrja Elisa Spiropali i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha në lidhje me akuzat për inceneratorët. Spiropali tha se pastrimi i vendi nga mbetjet ishte domosdoshmëri, duke shtuar se me ata që kanë bërë shkelje, do të merret drejtësia. Ajo nuk i la as akuzat ndaj Bashës, teksa tha se edhe ai do të përgjigjet para drejtësisë 'për ato që ke bërë'.

"Kjo që sapo tha është absurde. Mungesa absolute e kohorencës është ulëritëse. Është i njëjti njeri që del ccdo ditë dhe thotë që reforma në drejtësi është e kapur dhe i shërben kësaj shumice. Është po i njëjti njeri që flet sot për të njëjtat institucione që janë krijuar nga vullneti i kësaj qeverie dhe i Kryeministrit Rama. Kush e mendonte më parë që kryebashkiakë, ministra, udhëheqës politikë do të merreshin të pandehur. Lulzim Basha është shembulli i gjallë për fakte dhe vjedhje të provuara ka shpëtuar vetë pikërisht nga ajo drejtësi. Flet këtu për gishta dhe për duar ky që vetëm 2 gishtat ka lart dhe është i gjithi i zhytur brenda. Ne e lejuam ngritjen e Komisionit Hetimor për Mbetjet edhe pse ishte në hetim nga SPAK. E bëmë këtë për të qenë transparent deri në fund. Nëse ka pasur abuzime këtë e përcakton prokuroria. Sot ju bashkë me Tabakun dilni dhe shpallni njerëz fajtorë duke kërkuar burgim. Ne jemi ndarë nga ai sistem ku njerëz më pushtet qëndronin të pandëshkuar dhe bëhej kërdia të njerëz të pambrojtur. Ne me sistemin pandëshkueshmërisë dhe me kapjen e shtetit nuk na lidh asgjë më, sicc ju lidhte juve më parë. Ky pushtet kushtetues, ai gjyqësor, i është kthyer qytetarëve shqiptarë. Ju me këtë gjuhë nuk i bindni dot qytetarët e Shqipërisë. Ju bëni garë këtu se kush është më radikali, kush do të fusë më shumë njerëz në burg, çoni letra nëpër ambasada. Shkoni përgjigjuni për ato që ju keni bërë. Kushto që ka shkelur ligjin, që ka abuzuar me pozicionin që i është dhënë, do të përgjigjet tek ai institucion që nuk i pagabueshëm dhe perfekt por po ndryshon. Në fund pastaj është gjykata e pagabueshme, vota e njerëzve. Do të vijë koha e përgjegjësi për të gjithë. Po ndahet shapi nga sheqeri", tha ajo.

Ora 10:52
Inceneratorët/Berisha: Basha dhe Rama po kërkojnë të varrosin çështjen me komisionin hetimor! Kjo aferë zgjidhet vetëm me protesta popullore

Sali Berisha  ka hedhur akuza ndaj komisionit hetimor ku thotë se nuk dëshiron të hetojë çështjen dhe merren me Klodjan Zoton e Stella Gugallja që sipas tij janë ushtarë në këtë aferë kriminale. Ai tha se kjo çështje zgjidhet vetëm me reagim popullor duke bërë thirrje për protesta.

“Këtu ky parlament degradon çdo ditë edhe më shumë, këtu krijohen komisione për transparencë përdoren për luftë të brendshëm brenda mazhorancës.  Afera e inceneratorëve është afera më korruptive që ka një zinxhirë hajnash dhe ka një krye hanj dhe kjo jo se unë  konsideroj atë njeriun më të rrezikshme për vendin, por sepse ai dhe don Agaçio janë dy arkitektët e kësaj afere ndër më të turpshmet dhe kriminalet në historinë e këtij vendi. Fondet mund të jepeshin vetëm nga një person dhe ky ishte kryeministri, natyrisht me pëlqimin e Arben Ahmetaj, që nuk pranoi ta bënte Shkëlqim Cani. U fituan at të paktën 13 mln euro. Këtu për përmendi Zoton e  Gugalljan, ata janë vetë ushtarë për kreun e meduzës. Ahmetaj pasi mbushi valixhet me inceneratotët e Elbasanit dhe Fier, u tërhoq nga ai i Tiranës. Janë dy hetime një hetim parlamentar dhe një hetim i skrapit, të dyja përpiqen të varrosin çështjen, ju sjellin ju konfuzion me Zoto e Mërtiri dhe këtu gjithçka bëhet për të mbuluar hajdutët e vërtetë, asnjë qindarkë nuk lëviz dot pa miratimin e Ramës. Kjo afër do zgjidhet vetëm nga reagimi qytetar ku u bëj thirrje për protesta masive. Të protestojmë edhe për aferën e portit të Durrësit, ku Rama dhe Basha po i grabisin Durrësit 810 mijë metër katrorë tokë në Port”, tha Berisha.

Ora 10:41
Basha: Rama nuk lan dot duart duke bërë kurban ministrat për aferën e inceneratorëve! Lefter Koka është bishti i kësaj historie

Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se të 4 ministrat e përfshirë në aferën e inceneraorëve dhe sekretarit i përgjithshëm i Kryeministrisë nuk janë përfshirë në aferën e inceneratorëve pa dijeninë dhe lejen e Ramës. Basha tha se Rama nuk i lan dot më duart me drejtësinë duke bërë kurban ministra.

“E rënduar siç është Spanja me rekorde kriminale problemi kryesor i vendit mbetet korrupsioni qeveritar. Ftesat për të braktisur denoncimet e vjedhjes së shekullit mbajini për vete. Çdo ditë po dëgjojmë në komisionin hetimor fakte dhe dëshmi se si ka ndodhur kjo vjedhje, se si është ndërtuar skema dhe si është mirë-llogaritur vjedhja e 430 mln euro nga taksat e shqiptarëve. Komisioni po zbardh se pse Rama nuk mund të laj dot duart nga drejtësia duke bërë kurban vetëm ministrat që shumë shpejt do të fillojnë  të përballen me drejtësinë, pasi ai i në burg ka mbiemrin Koka por është vetëm bishti i kësaj afere. Kjo është edhe arsyeja pse Rama e mbylli komisionin dhe u rihap vetëm pas presionit të opozitës dhe ndërkombëtarëve. E vërteta sa ka nisur të shpaloset, është vetëm çështje kohe. Babai i Alqi Bllokos, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja kanë krijuar një skemë të mirëfilltë kriminale”, tha Basha.

Ora 10:29
Gjekmarkaj ironizon në Kuvend: 430 mln euro janë djegur për 3 inceneratorë që nuk ekzistojnë, 2 janë në letër dhe një me ‘leje lindje’

Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka folur për inceneratorët ku nga foltorja e Kuvendit përmes disa një fjalimi ironik  ka hedhur akuza se kanë marrë 430 mln euro nga xhepi i shqiptarëve ndërkohë që nuk ekzistojnë. Majde ai ka pasur edhe nga një koment ironik për një pjesë të personave që kanë dëshmuar në komisionin hetimor për Inceneratorët.

“3 inceneratorë që nuk ekzistojnë, 2 në letër si Tirana e Fieri dhe një me ‘pushim lindje’ ai i Elbasanit, por 430 mln euro janë marrë nga xhepi i shqiptarëve. Një ministër është në burg dy të tjerë dridhen këtu jashtë. Falë insistimit të opozitës komisioni për inceneratorët nuk iu mbyll goja dhe shqiptarët çfarë nuk po dëgjojnë. Ka persona që ngrenë supet dhe thonë se nuk e di, dikush qan me dënim, dikujt iu tha gjuha më jep ujë. Një tjetër thotë se Agaçi i di këto punë se unë isha në gjumë. Me këto para mund të bëheshin të gjitha spitalet e Shqipërisë, rritje rroga e pensionesh, apo krijimin e kushteve në shkolla që u mbyllen kur ishte ftohtë”, tha Gjekmarkaj.

Ora 10:25
Marrëveshja e ekstradimit me Spanjën, Ministri i Drejtësisë: Ai që kryen një krim në Spanjë s’mund të gjejë strehë në Shqipëri

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja nga foltorja e Kuvendit ka folur në lidhje me marrëveshjen e ekstradimit ndërmjet Shqipërisë dhe Spanjës.

Manja tha se kushdo që kryen krime nuk do të mund t’i fshihet drejtësisë as në Spanjë dhe as në Shqipëri, teksa shtoi se marrëveshja nuk parashikon kosto buxhetore shtesë.

“Çdo shqiptar që kryen një krim në Spanjë s’mund të gjejë strehë në Shqipëri dhe anasjelltas. Në Spanjë jetojnë me mijëra shqiptarë, mes tyre ka dhe nga ata që kanë probleme me ligjin. 92 letër porosi hyrëse dhe dalëse me Spanjës, si dhe 25 kërkesa për ekstradim nga Spanja drejtuar Shqipërisë si dhe 3 kërkesa për ekstradim nga autoritetet shqiptare drejtuar Spanjës. Marrëveshja nuk parashikon kosto buxhetore shtesë”, tha Manja.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • BENI: 17/02/2022 18:37

    JU TE GJITHE ATY NE PARLAMENT JENI LLUMI I KOMBIT ,,,TE 140 DEPUTETE ATY,,,POPULLI DUHET TJU LARGOJE ME DHUNE SEPSE E KENI VJEDHUR DHE VRARE PER 30 VJET.....

    Përgjigju
    • XHA JAHO: 20/04/2022 14:59

      Trimi xha Jahos.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?