Deputeti demokrat, Ervin Salianji kishte kërkuar interpelancë me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe u fokusua tek Operacioni Forca e Ligjit e vettingu në polici duke thënë se ishin nisma të qeverisë për t'i vënë gjoba subjekteve kriminale dhe për të përfshirë efektivët në fushatën e 25 prillit. Kështu bëri akuza në parlament se niveli i krimit në vend është rritur për shkak të mbrojtjes që merr nga shteti.

Në vend të përgjigjes, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i kërkoi Salianjit të mos bëjë politikë me krimin. Ndër të tjera i bëri thirrje opozitës që të lërë pas politikat dhe ndasitë dhe të bashkohen në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Çuçi u shpreh se ligji i OFL dhe ai i Vettingut në Policinë e Shtetit janë dy nisma atipike dhe unikale, ndërsa shtoi se do të vazhdojë lufta për të larguar nga Policia e Shtetit ata që nuk e meritojnë uniformën. Çuçi tha se në parlament do të dërgohet shumë shpejt drafti i ri për Vettingun në polici, aktualisht i pezulluar, që do ta reduktojë në rreth 300 numrin e zyrtarëve të policisë që do të futen në vetting.

Edhe ngjarjet kriminale të regjistruara në vend përgjatë ditëve të fundit sollën përplasje mes deputetit të PD Ervin Salianji dhe Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi në parlament. Për deputetin demokrat, krimi ka marrë dhenë, për shkak se mbrohet nga qeveria. Në vend të përgjigjes, Çuçi i kërkoi të mos bëjë politikë me krimin.

Ndërkohë Kuvendi do të zhvillojë një seancë të posaçme në datën 7 korrik, ku do dënojë me rezolutë gjenocidin serb në Srebrenicë, në Bosnje-Hercegovinë. Balla u shpreh se do të hartohet një dokument serioz dhe në seancë do të mbahen edhe fjalët e rastit nga përfaqësues të qeverisë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare. Balla tha se do të jenë të ftuar edhe përfaqësues të qeverisë së Bosnje Hercegovinës dhe familjarë të viktimave nga ky gjenocid. Ky propozim mori edhe dakordësinë e opozitës.

Gjenocidi i Srebrenicës
Gjenocidi i Srebrenicës ose Tragjedia e Bosnjës është një krim lufte i zbatuar në korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u vranë më shumë se 8,000 boshnjakë myslimanë, kryesisht burra dhe djem të moshës 12 deri 77 vjet!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:45
Korreshi: Filxhani del 'skëterrë' për të ardhmen e bujqësisë! Realiteti janë vetëm duart e nxira nga kallot të fermerëve

 

Deputeti demokrat Saimir Korreshi foli në Kuvend për bujqësinë duke thënë se fermerët janë braktisur dhe nuk mungoi ironia e tij ndaj ministres Frida Krifca.

“Disa muaj më parë kur u ndanë me fermerët para parlamentit kur bënin thirrje që të mbështeteshin, të kishte më shumë subvencion për të. Mbaj mend se nga ajo ditë ka pasur vetëm pirje kafesh në hollet e këtij parlamenti. Nuk e di a e patë filxhanin për të ardhmen e bujqësisë sepse është shumë e zymtë, besoj se duhet të ketë dalë skëterrë se e tillë është gjendja e bujqësisë shqiptare. Realiteti është me çizme llastiku të grisura, me duart e nxira nga kallot e fermerëve shqiptar sepse nuk keni bërë asgjë veçse trefishuar çdo lloj çmimi. Nuk keni bërë asgjë për t’i ardhur në ndihmë”, tha Korreshi.

Ora 14:19
FOTO/ Gratë deputete zgjedhin të vishen me të zeza! Braçe nuk heq syzet as brenda Kuvendit

Kuvendi është mbledhur sërish ditën e sotme këtë të enjte, ndërsa ka pasur edhe debate. Sakaq zonjat deputete kanë zgjedhur që në pjesën më të madhe të vishen me të zeza. Sakaq nga ana tjetër deputeti socialist Erion Braçe, nuk i heq syzet as brenda Kuvendit.

 

Ora 14:00
Deputeti i PD: Në Kuvend vjen era puro e hashash! Nikolla: Është fyerje e madhe, kërko falje

 

Deputeti demokrat, Dashnor Sula bëri një deklaratë të fortë nga foltorja e Kuvendit, teksa tha se në Parlamentin shqiptar vjen era puro, madje edhe hashash.

“Në këtë Kuvend vjen era puro, për të mos thënë se vjen dhe era hashash. Ky është realiteti zonja kryetare. Po kadillaku i kryeministrit e di sa benzinë e naftë harxhon? Apo i ministrave të tjerë? Po e dini se çmimi i naftës është jashtëzakonisht i lartë. Unë nuk e kam për turp dhe jam krenar që jam fshatar, dhe që përfaqësoj gjithë ata fshatarët e bujqit.

Dilni e shikoni njëherë nëpër fshatra, është gjendja katastrofike. Babai im 78 vjeç punon vetë, se nuk gjen punëtorë. Sikur 10% e parave të pista që investohen në Shqipëri të përdoreshin për punë të mira, do mbanim Ballkanin me bukë. Neve të opozitës domatet na kanë ngelur, por qeverisë i ka ngelur kokaina. Mos mi bëj duart ashtu Pando, se u kap me 20 kg Kajmaku. Ngrini zërin, vini fre qeverisë”, tha deputeti Sula.

Nikolla: Është fyerje e madhe që i bëhet institucionit, kolegëve DHE deputetëve. Ju kërkoj të kërkoni falje.

Sula: Nuk akuzova askënd. Unë nuk pi as duhan, dhe mund ta ngatërroj, por aty vjen era puro e të mbyt.

Ndërkohë deputeti socialist, Pandeli Majko i kërkoi që të tërheqë deklaratën duke e cilësuar atë një fyerje për institucionin.

‘Ne kemi shumë dëshirë t’i biem edhe vetes. Harrojmë që brenda politikës jemi edhe ne. Këtu u tha që para duhanit pihet edhe hashash. Ta trajtosh këtë sikur po ju hapet zemra dhe stomaku për fshatarët kjo është gjë e gabuar. Duke dashur të bëhemi të ndjeshëm nxirrni anën e kundërt. Ju jeni përfaqësues të opozitës dhe opozita në thelb tenton të përfaqësojë moralin e shoqërisë. Para se të kërkoni nga maxhoranca duhet të ktheni pak kokën edhe nga vetja.’- tha Majko.

Ora 11:40
'Ku është vajza me syze e OFL?' Çuçi i përgjigjet Salianjit: Është këshilltare në kabinetin e ministrit të Brendshëm

1655374509_64001655372271x0400eljesaa241.png

Në interpelancën me ministrin Bledi Çuçi, deputeti Ervin Salinanji ngriti pyetjen se ku ndodhet se ku ndodhet zëdhënësja e OFL-së që u etiketua si “vajza me syze”. Çuçi tregoi se aktualisht është këshilltare në kabinetin e ministrit të Brendshëm.

“Tani për respektin ndaj njerëzve dhe veçanërisht ndaj ruajtjes së balancave gjinore besoj se këtu jemi vite larg. Ajo që quan vajza me syze sot është këshilltare në kabinetin e ministrit të Brendshëm.

Në lidhje se ku e kemi çuar ne sigurinë, mund të bëni rolin e spikerit të kronikës së zezë, por se ku e kemi çuar ne Shqipërinë e dinë shqiptarët. Shqipëria është në pikën më të lartë të sigurisë. Shqipëria është një vend  ku organizohen evente evropiane, ku numri i turistëve rritet me herë nga viti në vit, investimet rriten. Këto ndodhin për shkak të sigurisë”, tha Çuçi.

Ora 11:19
Salianji: Tregoni nëse ka pasur hetim për ish ministrin Lleshi apo merreni vetëm me të mbaruarit që nuk dihet ku janë?

 

Pasi ministri i Brendshëm Bledi Çuçi renditi rezultatet e OFL gjatë interpelancës, deputeti Ervin Salianji pretendon se një pjesë e madhe e rasteve janë arkivuar sepse ishin patronazhistë të PS. Ndër të tjera e pyet nëse ka pasur hetim për ish ministrin Sandër Lleshi dhe kërkon që të bëhet çdo gjë zyrtare.

“Unë do pres kur t’i thoni me emra për të kuptuar si keni ligjëruar një pjesë të madhe të kontingjentit kriminal që ka qenë me ju dhe një pjesë tjetër që i keni gënjyer në zgjedhje e jemi sot në këtë situatë. Pse nuk del më kjo goca me syze pas 25 prillit? Ku janë sot? A ka pasur mbrojtje politike? Minimalisht 350 i ka kapur dekriminalizimi të cilët kanë qenë njerëz me dënime të rënda. Përgjigjeni dot drejtpërdrejtë? Ka fuqi ligji përballë njerëzve që janë me mbrojtje politike të PS? Ju dini të bëni më mirë mashtrimin. Jam më i prirur të besoj policinë e shtetit sesa ju ministër. Shkresa e policisë është ndryshe nga ministri politik. A janë njerëz që janë favorizuar, që janë përdorur? SPAK ka kthyer 51 raste, pra nga 2100 ka shkuar 200, i bie që 1900 të tjerë janë arkivuar se kanë qenë patronazhistë të PS dhe pastrojnë para dhe arsye pse Shqipëria futet në listën gri të pastrimit të parave. Kur ha qeveria, ministra e deputetë me ta, kriminaliteti është kjo që është.

Po paraardhësi juaj në detyrë, i cili është subjekt klasik i këtij ligji, a i ka shkuar kjo shkresa dhe nëse po, a mund ta publikoni shkresën se nuk ka gjë për tu mbajtur sekret këtu. Na i bëni publik nëse ka pasur hetim për këtë njeri apo ka vetëm për disa të mbaruar që nuk dihet se ku janë. Ju i keni përdorur me lekë dhe makina luksoze këta për të kërcënuar, intimiduar dhe për të përdorur për fushatë për PS”, tha Salianji.

Ora 11:05
Ministri i Brendshëm thirrje opozitës: Lini ndasitë e sherret dhe të bashkohemi për t’iu hequr pasuritë kriminelëve

 

 

Në interpelancën me deputetin e PD-së Ervin Salianji, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i bëri thirrje opozitës që të lërë pas politikat dhe ndasitë dhe të bashkohen në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Çuçi u shpreh se ligji i OFL dhe ai i Vettingut në Policinë e Shtetit janë dy nisma atipike dhe unikale, ndërsa shtoi se do të vazhdojë lufta për të larguar nga Policia e Shtetit ata që nuk e meritojnë uniformën.

‘Çdo debat që vjen nga opozita është i shëndetshëm dhe i mirëpritur. Është e vërtetë se në qoftë ligji i OFL, apo ligji i Vettingut në Policinë e Shtetit, janë dy nisma atipike dhe unikale dhe si të tilla asnjëherë debati rreth tyre nuk është shterues. Ne do largojmë nga Policia e Shtetit ata që nuk e meritojnë uniformën. Do iu heqim nga duart pasuritë, për t’ia kthyer shoqërisë si formë shpagimi, por në këtë betejë ne duhet të jemi bashkë. Politika e ndasive dhe sherrit i duhen lënë një kohe tjetër, sepse nuk na çon azgjëkundi”, tha ministri.

Ora 10:44
Interpelancë me ministrin e Brendshëm, Salianji: OFL vendosi gjoba ndaj kriminelëve! Vettingu në polici synonte të përfshinte efektivët në fushatën e PS

 

Deputeti i PD, Ervin Salianji ka kërkuar interpelancë me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi për OFL duke renditur një sërë pyetjesh për të. Salianji pretendon se OFL dhe vettingu në polici ishin dy nismat e qeverisë për t'i vënë gjoba subjekteve kriminale dhe për të përfshirë efektivët në fushatën e 25 prillit për Partinë Socialiste.

Në renditjen e pyetjeve për Çuçin, Salianji pyet nëse subjekt i OFL ka pasur dhe deputetë apo ministra që janë favorizuar duke mos shkuar në strukturën antikorrupsion.

“Qeveria ka propaganduar 2 nisma që i kemi debatuar që bëheshin për një arsye të caktuar, e para për të vendosur gjoba ndaj subjekteve kriminale dhe për t’i përfshirë në fushatën e 25 prillit dhe e njëjta gjë për propozimin për vettingun në polici ku kërkohej një kontingjent për t’i kërcënuar për tu përfshirë në fushatën e PS.

Kryeministri u shpreh se do të vijnë specialistë të FBI dhe më pas tha se do të bëhej vetting i policisë. E nëse ndjekim logjikën e Ramës, nëse ka dështuar procesi i vettingut në polici, prandaj ka marrë dhenë kriminaliteti në mbarë vendin. Për operacionin Forca  e Ligjit, Rama trumbetonte, duhet t'ua bëjmë të parehatshëm atdheun atyre. Sipas tij, FBI do të bënte vettingun e policisë dhe do të bëhej testi i sinqeritetit. Ku jemi sot? Për ta kuptuar qytetarët, a ka qenë një nismë me letra? Cilat para pastrohen në Shqipëri? A janë realizuar qëllimet e OFL? Kam dërguar shkresë në kryeministri për të ditur listën e subjekteve të referuar para SPAK për të bërë me dije nëse ka selektivitet, a ka ndërhyrje politike, ka persona të favorizuar, a ka 2 standarde në zbatimin e aktit normativ, sa prej rasteve të referuar janë kthyer nga GJKKO për plotësim dokumentacioni. A janë arritur të realizohen qëllimet e OFL si bllokimi i pasurisë se po e shohim në këto hatatë që po dëgjojmë nga një prej kriminelëve se si prej personat që kryejnë vrasje me pagesë janë përfshirë në trafik drogë, në struktura të krimit të organizuar përmes familjarëve, kanë marrë para publike dhe tendera me miliona euro.

A e kanë depozituar të gjithë subjketet deklarimin e tyre para OFL që duhej depozitohej para 48 orësh? A kanë burime të ligjshme të sigurimit të pasurive dhe a ka deputetë/ish deputetë apo ish ministra që janë subjekt klasik i këtij ligji dhe i keni favorizuar duke mos i çuar në strukturën e posaçme antikorrupsion”, tha Salianji.

Ora 10:31
Balla i përgjigjet Berishës: Rezolutat nuk do përdoren nga askush për nevojat e momentit

 

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Taulant Balla i ka kthyer përgjigje Sali Berishës lidhur me rezolutën për Srebrenicë.

"Në asnjë rast Kuvendi i Shqipërisë, përmes rezolutave nuk mund të përdoret nga askush për nevojat e momenti dhe kontekstit politik, si kurse ndodhi në rastin e këtij dokumenti serioz, të mirëpunuar kështu duhet të ndodh dhe në rastet të tjera se Kuvendi është i shqiptarëve, jo i politikave personale, këta individë nuk mund të  rehabilitohen përmes rezolutave", tha Balla. 

Ora 10:29
Balla: Më 7 korrik Kuvendi do të shprehë me rezolutë dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë

 

Në datën 7 korrik, Kuvendi I Shqipërisë do të mbajë një seancë në nder të viktimave të masakrës së Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovinë, ku do të shprehet me rezolute për të dënuar gjenocidin serb në Srebrenicë. Kështu deklaroi kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla dhe dakordësinë e mori edhe nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj.

Balla: Kam kërkuar një datë për miratimin e një rezolte. Kam kërkuar 7 korrikun, ku natyrshëm me solemnitetin e domosdoshëm, të mbajnë fjalët e rastit dhe natyrshëm dokumenti të jetë një dokument serioz, ku Kuvendi të shprehë qartë përmes kësaj rezolute dënimin dhe vijimin e qëndrimeve konsguente të qeverisë shqiptare lidhur me pandëshkueshmërinë në rastit e këtij genocidi dhe të ftojmë edhe përfaqësues të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Besoj dhe Alibeaj e shprehu në datë 7 korriku Kuvendi I Shqipërisë të ketë një moment të posaçëm për kujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Alibeaj: Për këtë çështje do ta keni gjithmonë mbështetjen tonë në këtë pikë.

Ora 10:11
VIDEOLAJM/ Deputeti Dash Sula shkon me produktet e shportës në Kuvend: I blejnë vetëm deputetët, se njerëzit s'kanë lekë

 

Deputeti demokrat, Dash Sula ka mbërritur në kuvend me një shportë me vete, në të cilën janë produktet bazë. Ai tha se këtë e ka bërë në shenjë sensibilizimi me ata qytetarë që nuk kanë mundësi që të paguajnë produktet e shportës, teksa i bëri thirrje qeverisë të indeksohen produktet e shportës.

"Kjo është një shenjë solidarizimi për të gjithë qytetarët shqiptar. Unë kam vajtur dhe po ju them më çmimet dysheme më të ulëta, pasi kam kontrolluar supermarketet, kushton 30 mijë lekë të vjetra. Duhen 500-600 mijë lekë vetëm për të ushqyer barku, s'bëhet fjalë për mish e për fruta. Kam ardhur në shenjë proteste, çmimet i përballojnë, deputetë, ministra, po familjet shqiptare 80% të buxhetit të tyre e shpenzojnë për ushqime. Të indeksohen dhe t'u japë familjeve në nevojë. Unë jam i bindur që përgjegjësinë kryesore të madhe e ka qeveria. Po jetojmë në një shoqëri ku qeveria i ka të gjitha pushtet", tha Sula.