Protesta e fermerëve të Lushnjës kundër paketës fiskale 2022, mbërriti sot në Kuvend, aty ku po shqyrtoheshin këto ndryshime. Teksa protestonin, përpara Kuvendit ka mbërritur kryeministri Edi Rama, i cili është ndalur të ti takojë, dhe ftoi një përfaqësi brenda ambienteve të parlamentit, për të diskutuar. Ndryshimi thelbësor i paketës është heqja e kompensimit të TVSH-së 6% për fermerët. Skemë kjo që u pranua edhe nga fermerët që nuk ka funksionuar pasi nuk është shpërndarë nga grumbulluesit.
'Kemi të njëjtin hall që 6% nuk shkon tek ju plus grumbulluesit nuk ua kanë dhënë juve'- tha kryeministri.
Qeveria thotë se këto para që shpenzoheshin përmes kompensimit do të shkojnë përsëri në duart e fermerëve, nëpërmjet një tjetër skeme. Por në këtë pikë, femerët i kërkuan kryeministrit që rimbursimi i TVSH-së të merret nëpërmjet faturës.
'9 mln dollar nuk do ju jepet ashtu, por s’do iki madje e kemi dyfishuar, si dhe do diskutohet propozimi i fermerëve për ta marrë në faturë'- tha Rama.
Këtë propozim të fermerëve, Rama u shpreh i gatshëm për ta diskutuar. Teksa qeveria diskutonte me fermerët, nga foltorja e Kuvendit, kreu i PD, Lulzim Basha ka lëshuar një sërë akuzash në drejtim të qeverisë. Jashtë Kuvendit, nuk munguan as fjalimet ironike nga deputeti i opozitës Korreshi. Korreshi tha se fermerët ndodhen në vështirësi të mëdha financiare dhe se Rama flet për satelitë, ndërkohë që fermerëve s'u ndizet motori.
KËRKESAT E FERMERËVE
- 1. subvencionim direkt i fermerit me 10 lekë për kg
- 2. Barazim i TVSH në shitje dhe blerje
- 3. Pezullim i TVSH për plehrat kimike, inputet bujqësore
- 3. subvencionim 3 lekë për eksportuesit
- 5. Laboratorë analizash për tokat dhe perimet
- 6. Garanci për paget e faturave nga grumbulluesit
Kryeministri Edi Rama ka zbardhur takimin me fermerët të cilët protestuan sot para parlamentit kundër paketës fiskale. Gjatë diskutimeve u ra dakord dhe pati edhe ndasi me qëndrimet e tyre qeverisëse, por thekson se do të takohemi së shpejti për të dëgjuar njeri-tjetrin.
'Debati në Kuvend me një grup fermerësh nga protesta dhe drejtuesin e tyre, kandidat për deputet i PD-së, ishte shumë më konstruktiv e i dobishëm se sa debatet në sallën e parlamentit, ku debatet sundohen nga akuzat, shpifjet e sharjet me natyrë personale. Ramë dakord që ndryshimi i qasjes së financimit nga qeveria është i duhuri. Por kemi dallime për mënyrën e re të adresimit dhe për këtë do të takohemi së shpejti me mendje të hapur për të dëgjuar njëri-tjetrin. Përgjithësisht duhet ta dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin dhe ky i sotmi është një shembull pozitiv për të gjithë ata që duan t'i zgjidhin problemet, e jo të bëjnë politikë të ulët me problemet.'- shkruan Rama.
Rama tha se qeveria synon që pikat e grumbullimit të kenë një financim të përbashkët, ndërsa shton se shifrat e eksporteve sot vetëm rriten. Kreu i qeverisë nënvizon se qëllimi është ta formalizojmë sektorin, që javën tjetër të ulemi e të diskutojmë.
Rama: Të dy palët paskemi të njëjtin hall, ai 6% nuk shkon te këta. Tani çfarë ka ndodhur, ne e kemi bërë deri tani dhe do e ndryshojmë sepse e para bujqit s’kishin pika grumbullimi, dalin në rrugë me karrocë me kalë, ose do shkonit në treg vet dhe pastaj dhe ju bënte të mos kishit asnjë lloj hapësire për të ruajtur. Je për të mbijetuar sje për të bërë biznes. Ata që hedhin gurin dhe fshehin dorën ka marrë mbështetje nga kjo qeveri në vite për ato investime që kanë bërë atje, që të bëjnë pikat e grumbullimit me një financim të përbashkët dhe ndërkohë rolin e agjentit të qeverisë për të çuar diferencën te ju nuk e kanë luajtur.
Fermeri: Situata është që ne kemi 2 vjet, këtë radhe janë bashkuar pikat e grumbullimit, 30 % e fermerëve nuk kanë porositur fidanë për të mbjelle këtë sezon, sepse krizat e tregut janë të paorientuara.
Rama: Po të ishte se gjendja do të ishte njësoj për të gjithë do kishe të drejtë por s’është. Sot ka shifra eksportesh që vetëm rriten. Nga 1 janari deri në 8 tetor janë më shumë se 1 janar i 2019 dhe 2020. Këtu është çështje organizimi dhe çuarje e parasë në drejtimin e duhur dhe jo në drejtimin që paraja ka devijuar. Janë 9 mln dollarë në një sektor që ka 3.5 mld në sektorin e bujqësisë. Unë po të them çfarë ka ndodhur me formulën e re. 9 mln të cilat ne nuk do ti japim në atë formë, sepse na devijonin nga grumbullimi dhe nuk i shkonin këtij. Për çfarë po protestohet këtu për këtë 9 mln dollarëshin?
Fermeri: Jo!
Rama: Më lër ta mbaroj. Ato lekë nuk do jepen në atë formë por nuk do të ikin nga bujqësia, do të shkojnë drejt për drejt te fermeri. Jo tek e tek do të shkojë te modelet që ndihmojnë këta mos dalin nën kosto dhe të bëjnë nga këto aventurat personale.
Rama: Unë them se jemi dakord që kjo skemë nuk i ka çuar lekët dëm, por nuk bërë atë efekt. Tani unë jam gati të ulemi prap, ne sot kalojmë masën e buxhetit që kemi në dispozicion dhe më pas, të ulemi prap e ta diskutojmë sërish. Ne kemi një qëllim të përbashkët, PD, PS janë gjë tjetër.
Fermeri: Unë di të punoj, nuk e di çfarë fidani po mbjell. Mund të kem harxhuar 2 milionë lekë me spërkatje. Për shifra nuk marr vesh si fermer.
Rama: Merr vesh që çke me atë punë. Qëllimi është që ne të ulemi. Ishte e rastësishme kush u gjend aty. Merr kë të duash, flasim me argument, mesa kuptoj synimi është i njëjtë. As ju nuk jeni për të hedhur lekët në ajër. Hajde të ulemi, nëse na jepni një ide më të mirë se ajo që keni, nuk kemi asnjë shqetësim për këtë punë. Unë do të jem në dispozicion për ta bërë më të mirën me mundësitë që kemi. Siç ishte nuk qëndron. Pra, të mbarojmë sot këtë punë, ulemi dhe flasim për pjesën tjetër. Do të takohemi tek zyra ime në kryeministri se me shifra duhet të matesh, të përgatitesh mirë.
Ka përfunduar mbledhja e kryeministrit Edi Rama me fermerët, të cilët u shprehen se kanë rënë dakord që të ulen dhe të diskutojnë.
'Do marrim një vendim, por duam që të kemi zgjidhje shpresojmë nga kryeministri që të kemi zgjidhje. Kryeministri na ka premtuar se do të takohemi në vazhdim. Nëse ulen me ne mendojmë se do të arrijmë diçka. Ndamë dhe shumë këndvështrime të tjera. Mendojmë se qeveria nuk e njeh gjendjen reale të fermerëve. 30% e fermerëve nuk kanë porositur për të mbjellë, sepse kanë 3 sezone që dështojnë. Ramë dakord që cilësia e imputeve bujqësore është e pa garantuar. Në rast se ekspertët e qeverisë ulen me ne dhe marrin në konsideratë problemet tona, mund të zgjedhim diçka. Ne kemi një traditë se na thërrasin për të dëgjuar dhe thonë si punohet. Kur thërret për të dëgjuar duhet të dëgjosh. Megjithatë kryeministri pranoi këndvështrimin tonë. Ramë dakord që të ulemi dhe të diskutojmë.'- tha kreu i sindikatës.
Para Kuvendit ku po protestojnë kundër paketës së re fiskale, fermerët janë takuar edhe me deputetë të Partisë Demokratike, Sajmir Korreshin, Dashnor Sulën dhe Luan Baçin. Fermerët kërkuan që deputetët të ngrenë zërin e tyre në Kuvend për problematikat e tyre, ndërkohë që ato u shprehën se duan që ministrja e Bujqësisë të shkojë atje dhe të shohë koston reale që ato kanë për produktetet e tyre.
'Gjeje t'i rrugën, atje se je deputet. Pikat kanë hallin e vet. Të diskutohet tamam në parlamentin e këtij vendi. Shikoji duart tona a duan punëtorë ky shtet?! O Sajmir ne duam pa llafe të vijë ministrja e Bujqësisë dhe të vij ta shikojë, nga mbjellja çfarë marrim se çfarë përdorim të bëhen analizat e imputeve. të vijë dhe të shohin nga mbledhja dhe të bëjnë llogarinë se sa na del. Sa e blejmë farën, plehun. Të vijnë dhe ta shohin. Ndryshe ne do ta lëmë serën e të vijë malli nga tu dojë qejfi e të shohin se sa do e blejë mallin. Ndryshe do të bashkohemi më Sali Berishën, ne jemi të majtë, por ka shkuar aty ku nuk mban më. Të vijnë e të na qajnë hallin. Në kërkojmë të bashkohemi me rajonin. Serbia e sjellë gjithë qumështin këtu. Është një subvencionim jo real për bujqësinë nga qeveria. Ndryshe në do të ikim nga ky vend. Do bllokojmë edhe rrugën, punëtor jemi nuk jemi mafioza...'- tha fermerët.
Nga ana tjetër deputeti i partisë Demokratike Sajmir Korreshi u shpreh se është i njohur me problemet e tyre, por askush nuk i dëgjon, ai kërkoi që të bëhet një plan që fermerët të dinë se ku janë. Korreshi tha se Rama flet për satelitë, ndërkohë që fermerëve nuk u ndizet motori.
'Fermeri do lekë në dorë, do të prekë realisht problemin, fermerët po i shesin produktet e tyre. Të marrim një nga pikat të kontrollohen bursat. Kjo do të rregullonte edhe informalitetin. I njoh të gjithë dhe e di problemin e tyre. Jetojmë me to çdo ditë dhe di hallin e tyre. Po lënë serat po ikin në Gjermani për të larë borxhet që kanë marrë për të ndërtuar serat. Të bëhet një plan se ku janë. Nëse ju ngrini kartonin sot, jeni vërtetë non grata dhe mirë bëjnë. Ky flet për satelitë, ne jemi tek traktorët që nuk po ndizen. Të gjithëve ju kalb shalqiri, nuk ka çuar një grup qeveria që të rimbursojë.'- tha Korreshi.
Nga ana tjetër deputeti Luan Baçi tha se këto janë mashtrime që bën qeveria, pasi e kanë vetë në dorë.
Kryeministri Edi Rama është hasur me protestën e fermerëve të Lushnjës para Kuvendit mëngjesin e sotëm, të cilët kundërshtojnë votimin e paketës së re fiskale. Kreu i qeverisë ka vendosur që të marrë një pjesë të tyre brenda në Kuvend dhe të zhvilloi një takim.
'Kush është përfaqësuesi i juaj se nuk flas dot me të gjithë, hajdeni zgjidheni vetë. Edhe ai që ngriti 2 gishtat lart, hajde.'- tha Rama.
Fermerët e Lushnjës po protestojnë ditën e sotme para Kuvendit, kundër paketës fiskale, e cila pritet që të miratohet ditën e sotme në buxhetin e vitit 2022. 'Me këtë paketë të re fiskale do të hani produkte 3D', 'Po na përzënë nga toka jonë, fali zot se s'dinë çfarë bëjnë', janë këto disa nga parullat me të cilat po protestojnë fermerët para Kuvendit.
'Kemi ardhur para Kuvendit për t'i përcjellë një mesazh për të mos votuar paketën fiskale, pasi i rrit taksat fermerëve. Nuk kemi pasur asnjë komunikim, po u kemi bërë një letër kryeministrit, ministrit të Bujqësisë. Jemi për t'ju dhënë një mesazh që mos ta votojnë këtë paketë pa u konsultuar me ne.'- u shpreh Eduart Sharka kryetar i Sindikatës së Fermerëve në Lushnje.