TIRANË- Opozita e kërkoi në sallë ministren e Brendshme Albana Koçiu për të dhënë llogari sipas saj mbi protestuesit e arrestuar dhe gazin lotsjellës mbi turmën që hidhte molotovë në drejtim të gardhit policor në protestën e së shtunës. Për Koçiun policia nuk dhunoi, por u përball vetë me akte dhune ndaj reagoi sapo jeta e efektivëve u rrezikua nga molotovët.

Policia e kryer detyrën me përpikëri. Policia nuk ushtroi dhunë  ndaj protestuesve, ajo që ndodhi ishte që policët u përballën me dhunë, gjatë tubimit të thirru nga opozita, policët u sulmuan me moltotov dhe si pasojë e këtyre pati edhe lëndim”, tha ajo. 

Ministrja shpjegoi edhe shoqërimin e 14-vjeçarit, duke thënë se u konstatua duke qëlluar me gurë ndaj efektivëve dhe se u lirua pasi në komisariat mbërriti përfaqësuesi ligjor.

“Bëhej fjalë për një shtetas 14 vjeçar, i mituri nuk është trajtuar në mënyrë të paligjshme, nuk është mbajtur në ambiente të përbashkëta me persona të rritur apo të ndaluar, por ka qëndruar në ambient të posaçëm dhe të përshtatshëm”, tha Koçiu.

“Është më shumë se irrituese për çdo deputet të ndershëm pro e mirëkuptueshme për regjime kriminale si Shqipëria që të konsiderosh krim të drejtën për të protestuar, dhe të konsiderosh arritje vjedhjen e qeverisë. Si çdo regjim në fund, i vetmi mjet që i mbet në dorë është dhuna. Zonja që foli këtu mendon se i tremb qytetarët të kërkojnë drejtësi duke kriminalizuar policinë", tha Bardhi. 

Koçiu nuk dha sqarime mbi hedhjen e gazit lotsjellës të skaduar, por opozita nuk e kaloi pa ia risjellë në kujtesë.

Duhet ta dini që kur shteti shqiptar përdor gaz lotsjellës të skaduar rrezikon shëndetin publik dhe është kundër konventave ndërkombëtare”, tha Zhupa.

Në momentin që opozita i replikonte, ministrja la sallën. Në mungesë të saj, përgjigjen ia dha kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

“Të paktën në janar mos përdorni dhunë e protestë, se na vjen ndërmend protesta e 8 janarit 2022 kur luftonit kundër njëri-tjetrit”, tha Balla.

Balla nuk e përfundoi fjalë e tij për shkak të përplasjeve me homologun demokrat Gazment Bardhin. Në fund, qetësinë sallë u përpoq ta kthente Arjan Ndoja, ndërsa mazhoranca kërkoi ndërprerjen e saj për 5 minuta.

Në seancë plenare mungojnë kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Izrael, si edhe Sali Berisha që ndodhet në Strasburg. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:23
Akuzat për dhunë në protestë/ Balla rikthen pamjet nga sulmi i Berishës në selinë e PD: Hodhën gaz lotsjellës kundër kolegëve, sot sulmojnë policinë!

Përveç deklaratave në parlament, Taulant Balla ka vendosur t’i përgjigjet Sali Berishës edhe me video, e jo vetëm me fjalë. Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka publikuar sot në Facebook një video nga 8 janari 2022, duke rikthyer në vëmendje sulmin e dhunshëm ndaj selisë së Partisë Demokratike nga foltorja e Sali Berishës.

Mesazhi tij është i drejtpërdrejtë: ata që sot akuzojnë Policinë e Shtetit për përdorimin e gazit lotsjellës në protestën e dhunshme të PD-së, janë të njëjtët që katër vite më parë përdorën dhunë të hapur kundër kolegëve të tyre.

“Hipokrizia më e madhe është të dëgjosh ata që morën varretë, levat, trapanot e çekiçët dhe hodhën gaz lotsjellës kundër kolegëve të vet më 8 janar 2022, e sot sulmojnë Policinë e Shtetit pse zbaton ligjin. Meqë sot bëjnë sikur e kanë harruar, u duhet rikujtuar,” shkruan Balla në reagimin e tij.

Publikimi i videos nga Balla vjen pas protestës së opozitës më 24 janar, ku PD akuzoi Policinë e Shtetit për përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar. Akuza u përforcua edhe nga vetë Berisha, i cili foli për përdorimin e “gazit lotsjellës të Lul Pengut”, duke e zhvendosur vëmendjen nga dhuna e protestës te lufta e brendshme politike.

 

Ora 14:59
FOTOT/ Në mungesë të Berishës, Bardhi drejton me dorë ‘të hekurt’ grupin e PD me akuza, replika e kritika ndaj qeverisë

Në seancën në Kuvend, sot mungonte Sali Berisha, i cili ndodhet në Strasburg. Megjithatë, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ‘u kujdes’ që mos të ndihej mungesa e udhëheqësit të Partisë.

Ai mori fjalën disa herë duke kritikuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshin për kërkesën e Ballës që të hiqeshin 4 projektligje nga rendi i ditës. Pas kësaj, hodhi akuza ndaj Kuvendit dhe mazhorancës se po mbrojnë zv/kryeministren Belinda Balluku akuzoi Koçiun për kriminalizim të policisë dhe u përplas me homologun e tij të kampit kundërshtar, Taulant Ballën.

Veç Bardhit, nga Partia Demokratike fjalën për procedurë e morën Luçiano Boçi dhe Jorida Tabaku.

Ora 14:52
Balla replikon me Gjekmarkajn: Fjalën lapangjoz nuk e përdora për anëtarët e PD-së, por për ‘grupin e zjarrit’ në protestën e opozitës

 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka sqaruar në Kuvend përdorimin e termit “lapangjoz”, duke theksuar se ai nuk ishte drejtuar ndaj anëtarëve apo simpatizantëve të Partisë Demokratike, por ndaj një grupi të veçantë personash të përfshirë në akte dhune gjatë protestës.

Komentet e Ballës erdhën pas kritikave të Gjekmarkajt, për gjuhën e përdorur në Kuvendin e Shqipërisë. Balla u shpreh se e ka dëgjuar me vëmendje nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkaj dhe se e vlerëson distancimin e tij nga gjuha jo parlamentare, ndërsa sqaroi se termi i përdorur prej tij ka një kuptim të qartë në gjuhën shqipe.

“Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, lapangjoz është njeriu i pavlerë që vepron pa u menduar”, theksoi Balla, duke shtuar se nëse ka pasur keqkuptime, ai e përsërit se fjala nuk kishte për qëllim të etiketonte protestuesit e zakonshëm.

Sipas Ballës, nuk bëhej fjalë për qindra protestues, anëtarë apo militantë të Partisë Demokratike që kishin dalë në protestë, por për një “grup zjarri”, i cili, sipas tij, kishte ardhur me një agjendë të qartë dhe ishte pozicionuar në mënyrë të koordinuar.

Ai theksoi se mediat kishin evidentuar pozicionimin e këtij grupi që përpara nisjes së protestës dhe se personat në fjalë, të cilët ai deklaroi se nuk i njeh, kishin fytyrat të mbuluara. Sipas Ballës, ata fillimisht mbanin tabela, por më pas hapën palltot dhe nxorën një arsenal mjetesh që ai i cilësoi si armë.

Balla shtoi se këto mjete duhet të konsiderohen armë dhe se përdorimi i tyre duhet të sanksionohet dhe rregullohet me ligj, duke e bërë të papranueshëm përdorimin e tyre në mjedise publike ku ndodhen shumë qytetarë.

Replika e plotë e Ballës:

E dëgjova me vëmendje nënkryetarin dhe më vjen mirë që nënkryetari u distancua nga një gjuhë jo parlamentare sa i përket kolegut direkt, nënkryetarit tjetër apo nënkryetares tjetër të kuvendit dhe nuk po komentoj. Sa i përket fjalës lapangjoz.

Në gjuhën shqipe lapangjoz është njeriu i pavlerë, i cili vepron pa u menduar këtë, thotë fjalori i gjuhës shqipe.

Dhe.

Nëse.

Nuk e ke kuptuar, po ta ripërsëris.

Nuk bëhej fjalë për disa qindra protestues, anëtarë, simpatizantë, militantë të Partisë Demokratike që ishin në protestë, po bëhej fjalë për një grup zjarri.

I cili dihej fare mirë me çfarë agjende kishte ardhur, ku ishte pozicionuar mediat.

Mediat ua kanë treguar para fillimit të protestës se ku ishin, bëhet fjalë për disa njerëz që unë nuk i njoh.

Zoti Gjekmarkaj, se e kishin fytyrën të mbuluar.

Madje kishin marrë dhe tabelat, ishin vënë dhe pastaj hapën palltot dhe nxorën arsenalin e atyre armëve.

Të cilët janë armë, një lloj, një lloj arme e cila duhet sanksionuar dhe duhet rregulluar me ligj të jetë e papranueshme në mjedise publike ku ka shumë qytetarë.

Ora 14:28
“Policia e mbushur me patronazhistë”- Gjekmarkaj: U ushtrua dhunë ndaj protestuesve, tentuat të mposhtnit me gaz vullnetin qytetar dhe të shpërndanit dinjitetin me ujë

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, hodhi akuza të rënda ndaj qeverisë, duke thënë se po përpiqet të shtypë protestat qytetare me dhunë.

Komentet Gjekmarkaj i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku tha se në protestën e 24 janarit, qytetarët që ishin në shesh nuk morën një ofertë demokratike nga qeveria, por gaz lotsjellës dhe dhunë nga policia.

Gjekmarkaj vijoi më tej duke thënë se shteti shqiptar sot sulmon të dobëtit dhe mbron të fortët e të pushtetshmit.

“Unë mendova sot se ministrja e Bredshme do kërkonte falje. Do kërkonte falje sesi deputetët te Komisariati nr.1 nuk u pranuan për orë të tëra, për një bisedë informative nga shefi i Komisariatit. Do kërkonte falje për gazin e skaduar, për dhunën disproporcionale ndaj opozitës, por nuk e bëri. Pranoi të heshtte dhe të akuzonte.

Ky thotë është një shtet që e ka humbur busullën morale, i fortë me të dobëtit dhe i dobët me të fortit. Dhe kur një shtet fillon të trembë fëmijë dhe të mbrojë të pushtetshmit, ai shtet nuk prodhon më rend, por revoltë qytetare. Në 24 janar qytetarëve nuk iu përgjigjën me ofertë demokratike, por me gaz helmues të skaduar, me një polici të mbushur me patronazhistë ideologjikë me një zell klasor. Keni kthyer orët pas në epoka të cilat mendonim se i kishim harruar. Ilir Proda, zari i Suel Çelës është fytyra juaj.

Populli po ju rrethon, sepse nuk e mposhtët vullnetin e asaj mase të madhe qytetarësh. Vullneti qytetar nuk mposhtet me gaz, dinjiteti nuk shpërndahet me ujë. E vërteta nuk arrestohet e as mbulohet me mjegullën e gazit të skaduar. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, na sjellin një kod penal që parashikon burg për parkimin dysh. A thua se ky është shqetësimi më i madh i qytetarëve”, tha mes të tjerash Gjekmarkaj.

Ora 13:59
Vangjel Dule ‘sulmon’ Qeverinë: Jeni kapur me dashin e kopesë në kurriz! E keni kthyer korrupsionin në instrument të politikës së jashtme

 

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka kritikuar mazhorancën në Kuvend, ku tha se gjatë protestës së opozitës u ushtrua dhunë ndaj qytetarëve pjesëmarrës.

Dule shtoi se kundër protestuesve, me urdhër të qeverisë, u përdor gaz lotsjellës, që sipas tij ishte i skaduar dhe që përbën një krim.

Teksa e akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për vjedhjen e parave të qytetarëve, Dule kritikoi aktin normativ që po diskutohej në Kuvend, duke thënë se ligjet për buxhetin nuk ndryshohen kaq shpesh.

“Në këtë seancë, pas fjalës së ministres së Brendshme, dëshiroj që të shprehem ndryshe. Megjithë respektin zonja ministre ishit e papranueshme. Nuk mund të vini dhe të justifikoni dhunën brutale të ushtruar nga Policia. Dhe më vjen keq që detyrohem ta përmend, një nga viktimat e asaj dhune është edhe folës në këtë Kuvend. Nuk kishte me vete as një çakmak. Duhet të jepni llogari se jeni kapur me dashin e kopesë në kurriz duke vjedhur.

Keni hedhur ndaj protestuesve gaz lotsjellës të skaduar, është krim. Ne i mbanim si dëshmi nëpër xhepa bombolat e gazit lotsjellës që hodhën forcat tuaja. Në vend që të kërkonit një ndjesë dhe të vinit para përgjegjësisë zinxhirin komandues që dha këto urdhëra të papajtueshme me ligjin dhe kushtetutën, ju vini për të bërë kryetarin e Grupit tuaj Parlamentar të nënqeshë nga moskuptimësia e situatës së krijuar nga sjellje të tilla. Individë dhe segmentë të forcave të sigurisë kanë devijuar nga detyrat e tyre kushtetuese. Kur një fëmijë 14-vjeçar që nuk mund të manipulohet nga askush, del e thotë se është përdorur dhunë, juve na thoni se është shoqëruar në bazë të të gjitha rregullave.

Kudo në Europë rishikohen buxhetet, por jo aq herë sa e rishikoni ju brenda një viti. Shkoni dhe vizitoni dhe reklamoni në rrjete sociale dhembshurinë tuaj për familjet në nevojë. Çfarë keni bërë për ta? Vetëm hajdutëri. Juve vidhni me çdo ligj e projekt. Juve e keni kthyer korrupsionin edhe në instrument të politikës së jashtme. Prandaj do të ishte e ndershme nëse realisht ka mbetur qoftë edhe një fije ndërgjegjeje që ju shkëput nga militantizmi partiak. Mos bini pre e atyre që keni në krye, sepse jeta parlamentare është e shkurtër, jeta njerëzore është e gjatë”, tha mes të tjerash Dule.

Ora 13:47
Debatet në Kuvend për protestën, Ndoja kritikon kolegët: Keni dalë jashtë rendit të ditës

 

Deputeti i PD Arjan Ndoj tha se diskutimet në Kuvend nuk i përkasin rendit të ditës duke shtuar se gjuha e përdorur në parlament është e papërshtatshme. Gjithashtu ai komentoi dhe aktin normativ të propozuar nga qeveria për rishpërndarjen e buxhetit 2025 duke thënë se fokusi duhet të ishte tek ky akt normativ.

“Po dalim jashtë objektit të diskutimit. Gjuha është fyese nga të gjithë kolegët që po flasin. A mundet që me një akt normativ qeveria të ndryshojë një ligj që është bërë buxhetin e shtetit që e kemi miratuar siç kemi miratuar për këtë vit? E kemi thënë dhe në komision dhe kanë pohuar që qenka shpik një praktikë parlamentare në kundërshtim me atë kushtetues.

Ne nuk i diskutojmë fare.  Themi kemi ca lekë që nuk janë shpërndarë sipas buxhetit të shteti, një prej arsyeve është se institucionet kanë frikë të tenderojnë se është SPAK në lojë që PS thotë se është një ndër fitoret e saj. Ne bëjmë akt normativ dhe ndërhyjmë me akt normativ që është rast i jashtëzakonshëm, në mënyrë antikushtetuese për të ndryshuar një ligj që është miratuar në Kuvend, qeveria ndërhyn tek legjislativi. Ne i kalojmë se nuk duam të djegim ato fonde që nuk kanë qenë”, tha Ndoj.

Ora 13:41
“Lapangjoz, lëri dënglat”, përplasen Balla e Bardhi: Bën si qesharak, ke firmosur kallëzim penal për nënkryetarin e grupit (VIDEO)

Gjatë fjalës së Taulant Ballës në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi pati një përplasje verbale me të. Balla tha se partia kundërshtare duhet të distancohet nga dhuna kundër institucioneve dhe të respektojë Policinë e Shtetit. Sa për Bardhin, tha se ai ka firmosur kallëzimin penal për nënkryetarin e grupit të vet.

Taulant Balla: Sa i përket Policisë së Shtetit, Policia e Shtetit meriton respekt. Për detyrën që ka bërë për të mbrojtur institucionet. Thirrja ime për ju deputetët e Partisë Demokratike është të mbështesni punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit, ata që që kryejnë detyrën me ndershmëri. Këta lapangjozët...

Gazment Bardhi: Lapangjoz je ti!

Taulant Balla: Duhet të përballen me drejtësinë. Nuk ka as parti politike që i merr në mbrojtje sepse zotrote dhe kushdo tjetër që i ushqen me para për të goditur institucionet, duhet të mbash përgjegjësi. Kjo parti politike duhet të distancohet nga dhuna kundër institucioneve bashkë me një matuf, i cili duhet të mbajë përgjegjësi për këtë lloj inspirimi. Lëri këto dëngla ti se bën si qesharak këtu, ti ke bërë kallëzimin për këta 18 që përmenda unë sikurse ke bërë kallëzimin për Belind Këlliçin, Edmond Spahon për kongresin madhështor të dhjetorit 2021. Unë jam ai që jam dhe e kam për nder, kurse ti duhet të mbash përgjegjësi sepse njerëzit mbajnë përgjegjësi për fytyrën e vet dhe gjithçka firmosin. Kryetar grupi që ka firmosur kallëzim penal për nënkryetarin.

Ora 13:39
‘Paguani ca lapangjozë që të sulmojnë me molotovë’, Balla i kujton PD-së sulmin e 8 janarit: Krahu i Berishës me çekiçë, ai i Bashës me gaz lotsjellës

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ironizoi opozitën lidhur me akuzat për dhunë ndaj protestuesve. Balla iu kujtoi “luftën” brenda PD dhe sulmin e Sali Berishës më 8 janar 2022 ndaj selisë së PD.

“Zotri Dule, i cili u ankua në emër të demokratëve për atë që ka bërë policia e shtetit në protestën e fundit, një gjë duhet të dini mirë ju pak demokratë që keni ngelur në sallë, gjatë muajve janar, mirë është të mos përdorni fjalën protestë dhe dhunë, se çdo shqiptari i vjen në memorie 8 janari i 2022, kur ca prej jush në këtë sallë luftonin kundër ca prej jush në këtë sallë. Dhe kujtoj njoftimin e prokurorisë dhe policisë së shtetit pas 8 janarit, u njoftuan se u arrestuan 34 qytetarë për dhunë, 18 ishin të krahut të Berishës, 16 të krahut të Bashës. Krahu i Berishës akuzohej se kishin përdorur varre, shkallë, leva, çekiç, trapan, për këtë akuzoheshin 18 protestues nga krahu i Berishës. Nga krahu i Bashës është përdorur gazlotsjellës.

Policia e shtetit meriton respekt për detyrën që ka bërë për të mbrojtur institucionet. Thirrja ime për ju është të mbështesni punonjësit e ndershëm të policisë së shtetit. Çdo lloj forme dhune kundër institucioneve, si ato breshëritë, njëri që qëllonte kryeministrinë, një gjë bajate, se bëni edhe sikur kjo është një shprehje e urrejtjes, ndërkohë që nuk kishte as gazetar që nuk e dinte se tek ai grupi aty në mes, ishin ca fytyrë mbuluar, lapanjozë, që kishin marrë urdhrat për të goditur institucionet, këta lapangjozët, duhet të përballen me drejtësinë, këta nuk ka as parti politike që i merr në mbrojtje, sepse kushdo që i ushqen me para për të goditur institucionet duhet të mbash përgjegjësi dhe kjo parti duhet të distancohet nga dhuna kundër institucioneve”, tha Balla.

Ora 13:31
Bardhi akuza Koçiut: Keni kriminalizuar policinë, po mbyllni hipotekën në Vlorë se nuk u garantoni dot punonjësve siguri nga krimi

 

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, akuzoi ministren e Brendshme se ka kriminalizuar policinë për të trembur qytetarët për të mos kërkuar drejtësi nëpërmjet protestave.

“Është më shumë se irrituese për çdo deputet të ndershëm pro e mirëkuptueshme për regjime kriminale si Shqipëria që të konsiderosh krim të drejtën për të protestuar, dhe të konsiderosh arritje vjedhjen e qeverisë. Si çdo regjim në fund, i vetmi mjet që i mbet në dorë është dhuna. Zonja që foli këtu mendon se i tremb qytetarët të kërkojnë drejtësi duke kriminalizuar policinë. Ne e dimë që ajo nuk e drejton policinë, ajo është vënë për zjarrfikësit, postën, policia drejtohet nga një kryekriminel si Ilir Proda.

Ajo duhet të japë llogari sesi policia përdoret për të rrëmbyer biznesmenë e jo më të mitur. E mbyllën hipotekën e Vlorës se policia nuk garanton dot institucionet publike, krimi i organizuar çdo ditë në hipotekë dhe ka detyruar drejtonin e përgjithshëm të zhvendosë stafin nga Vlora në Tiranë. Pse nuk flet që po mbyllet hipoteka në Vlorë? Ka 3 vite që nuk mbyll dot 1 muaj një drejtor atje. Për këto të vijë të flasi jo për mesazhet që i çon nga arratia Ergys Agasi”, tha Gazment Bardhi.

Ora 13:24
“Deklarata të pavërteta”, Zhupa reagon pas fjalëve të Koçiut: Duhet të jeni të shqetësuar kur rrezikoni të helmoni njerëz

 

Deputetja Ina Zhupa reagoi menjëherë pas fjalës së ministres së Brendshme Albana Koçiu duke marrë fjalën në seancën plenare për të folur lidhur me përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar. Zhupa i cilëson “të pavërteta” deklaratat e Koçiut, teksa tha se Policia e Shtetit u soll në disproporcion me protestuesit e opozitës dhe se kjo duhet të përbëjë shqetësim.

“Duhet ta dini që kur shteti shqiptar përdor gaz lotsjellës të skaduar rrezikon shëndetin publik dhe është kundër konventave ndërkombëtare dhe ju e ne si parlamentarë duhet të jeni të shqetësuar në disproporcionin që merr Policia e Shtetit ndaj protestuesve paqësorë të opozitës, duhet të jeni shumë të shqetësuar kur rrezikoni të helmoni njerëz, kur godisni invalidë, kur çoni në qelitë e burgut minorenë sepse këto kanë të bëjnë për standardet që ne flasim për integrimin europian. Duhet t’ju vijë turp kur del këtu sekretari i PS dhe thotë që është arritje e madhe që 2.2 milionë euro shkojnë për një sport që ka qejf z. Klosi, ndërkohë që në këtë vend nuk ka ilaçe në pediatri, nuk marrin pagat infermierët, shkurtohen me akt normativ rast pas rasti buxheti i arsimit, nuk u jepen pagesat e transportit mësuesve që ikin nga një zonë në tjetrën dhe suksesi sipas jush janë 2.2 milionë euro për padelin. Ato mund t’i jepni për qytetarët, për ilaçe te Onkologjiku dhe për të mirën e këtij vendi, por këtu jeni katandisur ku keni humbur lidhjen me realitetin. Edhe mazhoranca sot thotë çfarë problemi ka, t‘ju mbysim me gaz të skaduar, t’ju shkatërrojmë pronat, shëndetësinë, arsimin, t’ju marrim qytetarëve gjithçka që kanë dhe të vijmë këtu e mburremi me arritje imagjinare. Nuk ka procedurë më të rëndësishme për një Kuvend sesa të kujdeset për shëndetin e qytetarëve dhe për një të drejtë kushtetuese siç është protesta. Qytetarët atje kanë goditur një institucion i cili është institucioni më i korruptuar në vend si kryeministria, një institucion që është kriminal dhe i lidhur me krimin, një institucion që përfaqëson narkotrafikun dhe nuk kanë goditur policë atje ku me detyrimin tuaj i përdorët si terroristë kundër qytetarëve”, tha Zhupa.

 

 

Ora 13:19
Blushi: Gazi i përdorur në protestë, me cilësi më të mirë se fjalimi i Koçiut në Kuvend! Burgosja e një minoreni nuk është humanizëm

 

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi replikoi pas fjalimit të ministres së Brendshme Albana Koçiu. Fjalimin e saj, Blushi e cilësoi si të Diellës ndërsa hodhi akuza për shoqërimin në komisariat të 14-vjeçarit në protestën e 24 janarit.

“Ju kërkova që të shpërndani maska kundërgaz se cilësia e fjalimi të Diellës ishte i një cilësie më të dobët se gazi që u përdorur në protestë. Të pretendosh që arrestimi i një minoreni na qenka kujdes, jo një nënë, por asnjë njeri i pashpirt nuk mund ta thotë. Është revoltues të dëgjosh se burgosja e një minoreni na qenka humanizëm. E mori fjalën këtu pasi i doli gjumi Ergys Agasit dhe i dërgoi zëdhënëses mesazh dhe i tha reago tani, se këtu është ai në Tiranë. Të pretendosh për shtet ligjor në një vend që kjo shumicë, jo vetëm rrëmben taksat, me uniformë policie rrëmben drejtues opozite e qytetarë të pafajshëm është kriminale. Kush e rrëmbeu Geron Meçen, kush e rrëmbeu Daniel Shimën. Kush e lejoji të ishte me vrap policisë killeri? Ai minoreni që arrestuat? Po të ishit nënë do të kërkonit falje për lotët e asaj nëne që nuk meritonte ta shihte djalin në komisariat. Kush i rrëmben sot qytetarët dhe biznesmenët e ndershëm të këtij vendi?”, tha Blushi.

Ora 12:57
Protesta e dhunshme e PD, Koçiu: Policia veproi sipas ligjit, u rrezikua jeta e efektivëve! Mos përdorni një fëmijë për të justifikuar dhunën

Ministrja e brendshme Albana Koçiu iu përgjigj akuzave të opozitës për protestën, duke thënë se policia veproi sipas ligjit. Koçiu tha se i mituri është shoqëruar sepse po qëllonte me gurë efektivët dhe është lënë i lirë sapo ka mbërritur përfaqësuesi ligjor.

“Policia e kryer detyrën me përpikëri. Policia nuk ushtroi dhunë  ndaj protestuesve, ajo që ndodhi ishte që policët u përballën me dhunë, gjatë tubimit të thirru nga opozita, policët u sulmuan me moltotov dhe si pasojë e këtyre pati edhe lëndim, 11 punonjës u lënduan dhe u trajtuan pranë spitalit, policia e shtetit ka vepruar në përmbajtje të rregullave, të ligjit, ka bërë thirrja për ndalimin e dhunës, dhe vetëm pasi këto thirrje u shpërfillën, rreziku për jetën e punonjësve të policë u bë evident, u ndërmorën masa për shpërndarjen e trumës. Akuzat se policia ka përdor forcë janë të pavërteta, të pabazuar, çdo veprim është kryer mbi parimin e proporcinalitet siç e kërkon ligji. Dua të theksoj se e drejta për protestë është e drejtë kushtetuese dhe pacenueshme, por dhuna nuk është e drejtë politike, hedhja me molotov dhe sulmi ndaj institucioneve është shkelje e ligjit dhe cenimit të rendit demokratik. Duhet të kemi guximin për të dënuar dhunën dhe mbrojtur rendin dhe jo të mbrohen autorët e dhunës e më keq akoma që të hidhen akuza ndaj punonjësve të policisë së shtetit.

Manipulim politik, me shoqërimin e një të mituri. Gjatë veprimeve të policisë së shtetit, siç e ka bërë të ditur, për parandalimin e shkeljeve të rrezikshme, policia ka konstatuar një të mitur duke gjuajtur me gurë në drejtim të policëve, me qëllim për të mbrojtur jetën e punonjësve dhe të miturit, është marrë për verifikime. Bëhej fjalë për një shtetas 14 vjeçar, i mituri nuk është trajtuar në mënyrë të paligjshme, nuk është mbajtur në ambiente të përbashkëta me persona të rritur apo të ndaluar, por ka qëndruar në ambient të posaçëm dhe të përshtatshëm. Pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor, i mituri është lënë i lirë. Askush nuk është mbi ligjin, mos përdorni fëmijët si mburojë politike për të justifikuar dhunën. Kush nxit dhunë duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe politike, policia ka për detyrë të garantojë rendin dhe të mbrojë jetën e qytetarëve", tha Koçiu. 

Ora 11:19
SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, Bardhi: Kuvendi është kthyer në bunker korrupsioni, pengon drejtësinë me urdhër të Ramës

 

Ndërsa nesër Këshilli i Mandateve do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi hodhi akuza ndaj Kuvendit dhe mazhorancës se po mbrojnë zv.kryeministren. Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Bardhi tha se Niko Peleshi shkeli ligjin duke bllokuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve, duke e akuzuar se i ka shërbyer kryeministrit Rama. Bardhi tha se kuvendi është kthyer në bunker të korrupsionit, sepse këtu bllokohet drejtësia me urdhër të Ramës.

“Ju qytetarët i keni vetëm propagandë, nuk i shërbeni qytetarëve, ka momente kur një kuvend nuk dështon nga fjala, por sepse hesht atëherë kur duhet të flasë. Ku parlament e ka nisur këtë sesion me një heshtje të qëllimshme, të mbrojë pushtet nga drejtësia. Është kuvendi mburojë për korrupsionin dhe kundër drejtësisë. Që prej 19 vjetorit ky Kuvend kishte një detyrim të panegociueshëm, duhej të vendoste për pranimi e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut. Ky kuvend kishte detyrë të mos i fshihej drejtësisë, por kuvendi dështoi  ta përmbushë këtë detyrim. Janë me mijë prova, nuk janë më deklarata të opozitës, nuk janë sajesa të opozitës, janë prova të korrupsionit nga maja deri në themelet e qeverisjes. Kryetari i Kuvendit heshti dhe shkeli ligjin, sepse kryeministri kishte shpallur pengimin e drejtësisë. Përballë provave të korrupsionit, Niko Peleshi zgjidhë të heshtë dhe të shkelë ligjin. Ky kuvend nuk i shërben interesit të qytetarëve. po blen kohë kundër drejtësie. Një kryetar kuvendi ka vetëm një detyrë, ti shërbejë ligjit jo kryeministrit. Ky kuvend është kthyer në bunker të korrupsionit, sepse këtu bllokohet drejtësia me urdhër të Ramës. Ju nuk jeni betuar për të mbrojtur qeverinë nga drejtësia, as për të mbrojtur të korruptuarit nga drejtësia, ju dhe mazhoranca keni zgjedhur të bëni të kundërtën”, tha Bardhi.

Ora 10:52
Debati për agjendën parlamentare/ Bardhi i kërkon llogari Peleshit: Si e hartoni rendin e ditës pa kontrolluar pr.ligjet? Ministrja e Brendshme të japë llogari për arrestimet në protestë

 

Bardhi kritikoi kryetarin e Kuvendit përsa i përket hartimit të rendit të ditës, referuar kërkesës së Ballës për të hequr 4 projektligje nga agjenda sot pasi ka nevojë për konsultim me Komisionin Evropian.

Bardhi kërkoi që të hidhet në votim kërkesa e Blushit që ministrja e Brendshme të japë llogari për arrestimin ne protestën e 24 janarit.

“Tregoni se sa serioz jeni ju kryetar se propozimi që vjen nga PS është të heqim ligjet nga rendi i ditës se duhet t’i konsultojmë me KE. Kjo ishte arsyeja për të hequr 4 projekt ligje nga rendi  i ditës. Ju nuk jeni kujdesur minimalisht që përpara se të hartosh rendin të kontrollosh nëse ka ose jo konsultim. kërkesa e Blushit, është kërkesë që nuk ka nevojë të vijë me shkrim, mjafton ta paraqesë një grup parlamentar dhe mbështetet me ngritjen në këmbë të deputetëve, që ministrja të japë llogari për dhunën policore ndaj qytetarëve të pafajshëm nga policia e drejtuar nga një kryekriminel si Ilir Proda, ushtar u Suel Çelës dhe klanit të Troplinëve. Duhet të japë shpjegim për përdorimin e lëndëve të skaduara. Kjo është një kërkesë që duhet ta hidhni në votim”, tha Bardhi.

Ora 10:40
“Jeni bërë si Gaddafi”- Blushi akuza mazhorancës në Kuvend: Po zhvilloni një paradë të shëmtuar me makina luksoze! Jepni llogari për protestuesit e arrestuar

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kërkuar që seanca e sotme plenare të fokusohet te çështja e arrestimit të protestuesve të opozitës, të cilët sipas tij, ishin të pafajshëm. Gjatë fjalës në Kuvend, Blushi tha se në burg duhet të ishin anëtarët e qeverisë, të cilët sipas tij kanë vjedhur popullin.

Blushi teksa i krahasoi deputetët e Partisë Socialiste me ish-diktatorin e Libisë, Muammar Gaddafin, tha se në oborrin e Kuvendit zhvillohet një paradë e shëmtuar me makina luksoze, e cila sipas tij duhet të marrë fund. Po ashtu Blushi i kërkoi ministres së Brendshme që të jepte llogari për gazin lotsjellës që sipas tij, u hodh në masë jo-proporcionale ndaj protestuesve, në tubimin e zhvilluar nga opozita.

“Sot ministrja e Brendshme duhet të jepte llogari, si ka mundësi që arrestuar një minoren. Si ka mundësi që helmuat protestuesit paqësorë? Kjo sot duhet të jetë çështja kryesore e rendit të ditës. Interesi publik duhet të jetë e vetmja çështje kryesore që duhet diskutuar në këtë sallë.

Prandaj ngrije kokën ministër, ki guximin, dil aty dhe jep sqarime. Pse ke arrestuar dhe po mban sot nëpër burgje qytetarë të pafajshëm që nuk kanë kryer asnjë krim. Nëse trembemi edhe nga një 10-vjeçar, ky nuk është faji jonë.

Sot në burg duhet të ishte Edi Rama, Belinda Balluku dhe Ergys Agasi dhe jo njerëz që protestojnë për bukën e gojës dhe që shohin këtu... Dilni aty në oborrin e Parlamentit dhe i jepni fund kësaj parade të shëmtuar me makina luksoze, përballë një populli që s’ka bukë të hajë dhe ujë të pijshëm. Jeni bërë si Gadafi, me badiguardë e gra na vini këtu”, tha mes të tjerash Blushi.