Luiza Gega është shpallur fituese e Maratonës së Tiranës në kategorinë e femrave, në garën e plotë prej 42 kilometrash. Atletja shqiptare e përfundoi garën për 2 orë, 35 minuta e 35 sekonda, duke siguruar çmimin e madh prej 5 mijë eurosh.

Në kategorinë e meshkujve, vendin e parë e zuri Fatjon Konomi, i cili gjithashtu u shpërblye me 5 mijë euro.

Edicioni i 10 i Maratonës së Tiranës bëri bashkë rreth 5 mijë e 800 garues nga 40 vende të ndryshme të botës, të cilët konkurruan në 5 kategori: maratonën e plotë prej 42 kilometrash, gjysmëmaratonën 21 kilometra, garën 10 kilometra, kategorinë e re 5 kilometra dhe atë 3 kilometra, të quajtur “We Too”.

Kjo e fundit iu dedikua personave me aftësi të kufizuara, duke përcjellë mesazhin se sporti është për të gjithë.

Për organizimin e këtij aktiviteti janë angazhuar rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:43
Maratona e Tiranës, shpallen fituesit e garave 10 dhe 21 kilometra! Ja kush u rendit në tre vendet e para për meshkuj dhe femra

Janë shpallur fituesit e garave 10 dhe 21 kilometra në Maratonën e Tiranës, si për meshkuj, ashtu edhe për femra. Dmytro Didovodiuk dhe Elizabeta Marku zunë vendet e para në garën 10 kilometra, ndërsa Bledar Mesi dhe Redia Dauti triumfuan në distancën 21 kilometra.

Në garën 10 kilometra për meshkuj, vendin e parë e zuri Dmytro Didovodiuk, i ndjekur nga Aiden Jakubic në vendin e dytë dhe Andi Dibra në të tretin.

Te femrat, fituese e garës 10 kilometra u shpall Elizabeta Marku, ndërsa Evis Dhana u rendit e dyta dhe Vjola Nuro e treta.

Në gjysmëmaratonën 21 kilometra për meshkuj, vendin e parë e fitoi Bledar Mesi, i ndjekur nga Tirron Mamusha në vendin e dytë dhe Malvin Nikolla në të tretin.

Ndërkohë, në garën 21 kilometra për femra, në vendin e parë u rendit Redia Dauti, e ndjekur nga Kristina Pura në vendin e dytë dhe Stefania Grasselli në vendin e tretë.

Ora 12:38
Maratona e Tiranës, në garë edhe personat me aftësi të kufizuara! Vlerësohen me çmime, Bisha: Sporti është për të gjithë

Maratona e Tiranës nuk ishte vetëm një garë për vendin e parë. Mes pjesëmarrësve që iu bashkuan këtij edicioni ishin edhe personat me aftësi të kufizuara të grupit “Wee To”, të cilët u bënë pjesë e aktivitetit dhe u vlerësuan me çmime, duke përcjellë mesazhin se sporti është për të gjithë.

Çmimet për pjesëmarrësit e këtij grupi u ndanë nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Etleva Bisha, e cila vlerësoi pjesëmarrjen e tyre dhe theksoi se aftësia e kufizuar nuk duhet të jetë pengesë për t'u bërë pjesë e jetës sportive dhe komunitare.

“Ata sot kanë dhënë një mesazh shumë të madh për gjithë banorët e Tiranës, por pse jo edhe të gjithë Shqipërisë: edhe aty ku dikush mund të duket se ka një aftësi të kufizuar, në vetvete është person si gjithë të tjerët dhe ka aftësitë dhe mundësinë për të dhënë e për të kontribuar për jetën e qytetit dhe të komunitetit”, u shpreh Bisha.

Ajo theksoi gjithashtu angazhimin e Bashkisë së Tiranës për të hequr barrierat fizike dhe për të krijuar më shumë mundësi që personat me aftësi të kufizuara të marrin pjesë në sport dhe në aktivitetet e komunitetit.

Ora 12:20
Maratona e Tiranës/ Fatjon Konomi zë vendin e parë në garën 42 kilometra për meshkuj (VIDEO)

 

Fatjon Konomi është shpallur fitues i Maratonës së Tiranës në kategorinë e meshkujve, duke zënë vendin e parë në garën prej 42 kilometrash.

Maratona e Tiranës ka bërë bashkë këtë vit rreth 5,800 vrapues nga të paktën 40 shtete të ndryshme, të cilët kanë garuar në pesë kategori.

Pjesëmarrësit kanë konkurruar në maratonën e plotë prej 42 kilometrash, gjysmëmaratonën 21 kilometra, garën 10 kilometra, kategorinë e re 5 kilometra dhe garën 3 kilometra “We Too”.

Ora 12:08
Maratona e Tiranës, Luiza Gega fiton garën prej 42 kilometrash

Kampionia Luiza Gega është fituesja e 42 kilometrave të Maratonës së Tiranës. Mes thirrjeve e brohorimave, ajo ka mbërritur e para në vijën e finishit. Gega e përfundoi garën për 2 orë, 35 minuta e 35 sekonda.

Çmimi i madh që atletja mori është një shumë prej 5 mijë eurosh.

 

Ora 10:18
Përshkoi 10 kilometra në Maratonën e Tiranës, 18-vjeçari: Hera e parë që garoj, doja të provoja veten! Synoj medalje në të ardhmen (VIDEO)

 

Një 18-vjeçar ka përfunduar garën prej 10 kilometrash në Maratonën e Tiranës. Xhildjo Gega nuk ka arritur të fitojë një medalje në këtë garë të parë për të, por synimi ishte të vendoste veten në provë. Ai tregon për Report Tv mbi përgatitjen për Maratonën dhe qëllimin për të vijuar me pjesëmarrjen në edicionet e ardhshme.

-Si vendose të merrje pjesë?

Xhildjo Gega: Kisha shumë dëshirë ta provoja veten.

-Kjo është hera e parë?

Xhildjo Gega: Hera e parë.

-Si kanë qenë përgatitjet e tua?

Xhildjo Gega: Merrem me palestër, kam qenë futbollist. Me atletikë.

-Do të vazhdosh të marrësh pjesë?

Xhildjo Gega: Besoj se po, kam dëshirë.

-Ishte i vështirë itinerari për ty?

Xhildjo Gega: Nëse je i stërvitur, jo, nuk është e vështirë.

-Këtë vit nuk more çmim, si do të jenë qëllimet e tua për të ardhmen?

Xhildjo Gega: Me shumë stërvitje dhe qëllim e arrin. Dua të përshëndes familjarët e mi që janë mbështetja ime më e madhe dhe mamin tim, e dua shumë.

Ora 09:51
Nis Maratona e Tiranës, 5,800 vrapues nga 40 shtete pushtojnë rrugët e kryeqytetit! Çmimi i madh 5 mijë euro (VIDEO)

 

Ka nisur gara në të gjitha kategoritë e Maratonës së Tiranës, ku këtë vit marrin pjesë rreth 5,800 vrapues nga të paktën 40 shtete të ndryshme.

Pjesëmarrësit garojnë në pesë kategori: maratona e plotë prej 42 kilometrash, gjysmëmaratona prej 21 kilometrash, Tirana 10K-gara 10 kilometra, si dhe kategoria 5 kilometra, e cila vjen si risi këtë vit.

Pjesë e aktivitetit është edhe gara 3 kilometra "We Too". Edhe këtë vit, fituesit do të shpërblehen me çmime që variojnë nga 200 deri në 5,000 euro. Çmimi më i madh, prej 5,000 eurosh, i takon fituesit të vendit të parë në maratonën e plotë, 42 kilometra.

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
5.0 / 5 (2 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Arta: 15/11/2026 13:08

    Me ne fund dicka te bukur ne Tirane se vetem protesta qe na shpifen megjes dreke darke te gjithe tv vetem per to flitet e kan zene gjithe programet kto analiste qe i bejne jehone dhunes sales e editi

    Përgjigju
  • Tironci: 15/11/2026 12:12

    Ej po kjo Luiza Gega aq e dëshpëruar qenka sa merr pjesë në Maratonë ku shumica janë amatatorë, sportdashës, atletë jo profesionistë...që duan të vrapojnë për qejf e pse jo dhe të fitojë dikush që sështë i trajnuar si Gega? Po je bërë si politikane moj zonjë, që nuk shkuleni as nga iniciativa si këto ku mund të shkëlqejnë talente të reja. Turp!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 14 Nëntor, 14:59

    Rama shkarkon Veliaj nga drejtimi i PS-së së Tiranës, si e vlerësoni?