TIRANE-Pas tensionit dhe përplasjes në hyrje të Gjykatës së Tiranës mes deputetëve të opozitës dhe policisë, gjyqtarja Alma Ahmeti ka vendosur që t’i lejojë që të futen në sallën e gjyqit për të ndjekur seancën për 23 protestuesit e ndaluar në Rrugën e Kombit.

Fillimisht, deputetët e PD dhe LSI tentuan që të futen me forcë në gjykatë duke thyer edhe derën, por nuk u lejuan. “Mos më prek me dorë, hiqni duart” dëgjohen deputetët e PD, Noka, Vokshi, Spaho dhe Tabaku teksa debatojnë me policët në derën e gjykatës, të cilën e thyen gjatë përplasjes.

Pas incidentit, kryetari i grupit të PD, Edmond Spaho me njolla gjaku në duar e faqe dhe me një zë të dridhur, akuzoi se policia ka ushtruar dhunë, ndërsa e paralajmëroi Ramën se nuk do ta ketë aspak të lehtë sikur e ka nisur, pasi do të përballet me popullin.

“Policët nuk na lejuan që të futemi brenda, ushtruan dhunë. Kanë rrethuar gjysmën e Tiranës për gjyqin, por nuk do ia dalë dot, nuk do ta lejojmë. Shikoni në cfarë gjendje jemi, shtetin diktatorial të Edi Ramës, por nuk ia del dot me dhunë, do përplaset me ne dhe qytetarët” deklaroi ai.

Deklarata e Edmond Spahos pas incidentit ne gjyaktë

Por në fund gjykata vendosi që t’i lejojë të ndjekin seancën. Deputetët e opozitës që u lejuan që të ndjekin seancën janë; Spaho, Strazimiri, Çupi, Noka, Bumçi, Vokshi dhe Tabaku nga PD dhe nga LSI, Nora Malaj, Shezai Rrokaj, Klajda Gjosha, Floida Kerpaci, Silva Caka dhe Kejdi Mehmetaj. Ndërsa media nuk u lejua nga gjyqtarja që të ishte e pranishme në seancën për masën e sigurisë së 23 të ndaluarve, që ndodhen në gjykatë për t’u njohur me masë.
 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:50
Dhuna, Spaho: Protestuesit u morën zvarrë dhe zbathur natën

Gjatë zhvillimit të seancës në gjykatë, kryetari i grupit të PD, Spaho ka dalë për të komunikuar me mediat duke akuzuar sërish se 23 protestuesit janë arrestuar natën dhe janë mbajtur në kushte skandaloze.

Të arrestuarit janë marrë zvarrë, zbathur me dhunë natën, janë goditur, dhunuar, janë mbajtur në kushte skandaloze. Të gjithë janë të papunë, vetëm një ka rezultuar shofer furgoni. Njerëz që deklarojnë se erdhën në protestë pas thirrjes së Këshillit Bashkiak të Kukësit. U dhunuan, njerëzit dhe deputetët për t’u mbajtur me dhunë me kthetra pas karriges së pushtetit. Ora dhe fundi i këtyre ka ardhur. Ata janë të gjithë qytetarë të pafajshëm, qindarka u gjetën në xhepa, nuk sigurojnë dot bukën e gojës.

Deklarata e Edmond Spahos

Ora 11:07
‘Hape derën, mos e prek se është deputet’/ Flamur Noka kap për fyti dhe godet policët/ VIDEO

Dalin pamje të reja nga përplasja e deputetëve të opozitës me policinë në hyrje të gjykatës, pasi efektivët nuk i lejuan duke i bllokuar fillimisht. Në video dëgjohen zërat e Tabakut, Nokës, Spahos dhe Strazimirit që u drejtohen policëve ‘Mos e prek se është deputet’, ‘Do të procedohesh’, ‘ Çfarë do të bëjmë ne, pse nuk na lejoni që të futemi brenda’. Ndërkohë që deputeti i PD, Flamur Noka gjatë përplasjes me policët te dera e gjykatës i ka shtyrë, kapur për fyti dhe goditur. Report Tv publikon pamjet e incidentit mes policisë dhe deputetëve të opozitës.

Ora 10:00
Deputetët shtyjnë qytetarin mbi policët për të thyer rrethimin/ VIDEO

Gjatë momentit të tensionimit të situatës dhe përplasjes në hyrje të Gjykatës së Tiranës deputetët e PD, por edhe personat e tjerë tentuan të futen me forcë për të ndjekur seancën, por policia fillimisht nuk i lejoi duke i ndaluar, pavarësisht thyerjes së derës. Kamera e Report Tv ka kapur edhe një moment, kur njëri nga qytetarët tenton që të futet me forcë mbi policët, ndërsa deputetët e opozitës e shtyjnë, por nuk ia ka dalë.

Ora 09:38
Spaho telefonon Xhafajn: Kjo s’ka ndodhur as në kohën e Enverit

Pas përplasjes në gjykatën e Tiranës, kryetari i grupit të PD, Edmond Spaho ka telefonuar Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj duke e akuzuar se janë penguar me urdhër që të mos futen në seancë. Spaho i kërkon që të tregojë se kush e ka urdhëruar që t’i pengojë që të futen në gjykatë, ndërsa e paralajmëron.

“Forcat e tua më pengojnë që të hyjë në gjykatë, kush të ka dhënë urdhër ty se nuk vendos ti. Gjykata vendos kur zhvillohet seanca me dyer të mbyllura, por qe me dyer të hapura nuk ka vendim. Ti më ke penguar, më kanë penguar forcat e tua dhe këtë do ta shikosh?

Gjyqtarja deri tani nuk ka dhënë vendim. Kemi ardhur në kohën që nuk ishte marrë vendim. Na thanë do hyni dhe nuk na lejuan të hyjmë. Në nuk kemi ardhur këtu për të ushtruar dhunë, në kemi ardhur të ndjekim gjyqin, ju nuk na lejoni. Kjo nuk ka bërë vaki as në kohën e Enverit, që të rrihen deputetët”

Telefonata e Spahos me Xhafen pas perplasjes ne gjykate