Homazhet për ‘Mjeshtrin e Madh’/ Artistët të gjithë bashkë për Mirush Kabashin, e bija rrëfen aktorin: E deshi shumë jetën dhe publikun

Ai jeton në shikimet e përlotura, në fjalët e ngrohta, në kujtimet e bardha, në personazhet e tij të pavdekshëm. Lamtumira që iu dha Mirush Kabashit këtë të mërkurë (6 dhjetor 2023) në Muzeun Historik është vetëm fizike.

Me dorë në zemër, vdekjen e parakoshme të njeriut të shtrenjtë në moshën 75-vjeçare, dy vajzat Mendi dhe Eni, bashkëshortja Lola e të tjerë familjarë, presin ngushëllimet. Tri breza artistësh, Kabashi i mblodhi sërish rreth vetes. Prezent janë edhe personalitete të fushave të tjera, edhe të Kosovës, por edhe dashamirës  të thjeshtë.

Përfaqësues të politikës nuk munguan, kurorat i shtohen apologjisë së tyre për njeriun e pakompromis, zërin intelektual, të shqetësuar për artin, që diti të ish kritik. Nga Durrësi ku ai u rrit dhe punoi për mbi një çerek shekulli në teatrin Aleksandër Moisiu, kanë ardhur kolegët e tij.

100 role në teatër, 20 në kinematografi, interpretime të papërsëritshme të poezive, Kabashi largohet si mjeshtër i skenës. Me Saimir Kumbaron nisi karierën filmike në rolin e toger Shazivarit te Koncert në vitin 1936. Regjisori e deshi më pas edhe në 4 filma të tjerë të tij.

Në bllokun e shënimeve miqtë zgjedhin ti thonë mirupafshim. E dinë që do ta rigjejnë në artin e tij, si Brahushi tek “Dora e Ngrohtë”, si Babain e Almës te “Edhe ashtu edhe kështu”, në komedi, në poezi, me interpretime që nuk shuhen.

Përcjellja e fundit, në çastin e mbramë drejt banesës së fundit për në Sharrë bëhet me duartrokitje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:31
Pengesat e Diktaturës për Mirush Kabashin, Saimir Kumbaro e zgjodhi në 4 filma: S'donin që të luante për 'Koncert në vitin 1936' , ja si i binda


Me Saimir Kumbaron aktori i ndjerë Mirush Kabashi nis karrierën e tij në film (pas teatrit e telefilmit). Roli i toger Shazivarit në filmin "Koncert në vitin 1936" do të konfirmonte aftësitë e tij në sheshxhirim,  përkushtimin e madh në studimin dhe jetësimin e personazhit (që përpos të tjerash ishte gagaç). Por, siç tregon Kumbaro, rruga në kinematografi e Kabashit nuk ishte e lehtë. Ndonëse e ndihmonte talenti i pamohueshëm, pengesat sistemi komunist i nxirrte me justifikimin e problemeve në biografi. Në lamtumirën e fundit që iu dha sot (6 dhjetor) "Artistit të popullit", regjisori Kumbaro, që e ka përzgjedhur në tre filmat të tjerë të suksesshëm si "Ne dhe Lenini", "Nxënësit e klasës sime"  dhe "Gëzhoja e vjetër", tregon për Report tv bashkëpunimin me të si dhe rolet që aktori kishte më përzemër.

‘Roli që kishte më shumë përzemër ishte Koncert në Vitin 1936, Shazivari dhe tek filmi i fundit ‘ne dhe Lenini’ Mirushi të gjitha rolet i merrte shumë seriozisht. Serioziteti që kishte në punë. Ishte elastik i zhdërvjellët. E merrte roli e studionte dhe të sugjeronte. Unë futem tek ato lloj regjisorësh që i dëgjoj shumë të tjerët. Rëndësi ka të dali filmi mirë. Kjo është kryesorja.

Ajo histori më vete si e mora. Pasi Mirushin nuk ma jepte drejtori i Teatrit. Kam shkuar tek sekretari i partisë, i thash nuk e dua për rol pozitiv, por për rol negativ. Dhe çfarë janë për role negative duhet të merrnim aktorë që kishin probleme me biografinë. Me Mirushin kam bërë 4 filma, gjithmonë kam gjetur një rrugë bashkëpunues. Me Mirushin kemi shkuar shumë mirë. Ai i merrte shumë seriozisht personazhet, sugjeronte shtesa heqje. Ishte aktor që nuk me krijonte bezdi.’-tha Kumbaro.

Ora 16:53
Homazhet për Mirush Kabashin/ ‘Bëni andej’, Berisha afrohet me 'nxitim' drejt kamerave, vë në siklet aktorin e madh Ndriçim Xhepa (Video)

Artistë nga Durrësi, Tirana deri dhe Kosova, por edhe përfaqësues të politikës nderuan aktorin e ndjerë Mirush Kabashi në Muzeun Historik ku ju dha lamtumira e fundit. Shumë kolegë kanë kujtuar dhe vlerësuar figurën e Kabashit, por një moment jo fort i këndshëm për t’u parë ka ndodhur teksa mediat po i merrnin një intervistë aktorit Ndriçim Xhepa, që ka qenë në nga bashkëpunëtorët e miqtë më të ngushtë të ‘Sokratin’ shqiptar. Mbyllja e prononcimit të Xhepës duket se u nxitua pasi pas tij ndodhej edhe Berisha që mezi po priste për të folur para kamerave.

Berisha afrohet drejt kamerave duke folur por nuk kuptohet qartë se çfarë thotë dhe se kujt i drejtohet. Ajo që vihet re është sikleti i aktorit të madh Ndriçim Xhepa. “Bëni andej”, dëgjohet të thotë Berisha por nuk kuptohet qartë se me kë e ka.

“Erdha për të shprehur mirënjohjen tonë dhe admirimin e pakufishëm, gjeniun e skenës, filmit dhe teatrit, Mirush Kabashi. Për Mirushin, ka gjithnjë celebrim të asaj trashëgimie që ky lë për ne dhe brezat që vijnë", tha Berisha më pas gjatë fjalës së tij para kamerave, ndërsa Ndriçim Xhepa u largua.

Ora 16:38
Homazhet për Mirush Kabashin, Ndriçim Xhepa: Ishte aktor i veçantë me talentin e tij dhe shumë punëtor

 

Aktorit të njohur Mirush Kabashi iu dha lamtumira e fundit këtë të mërkurë në Muzeun Historik. Artistë nga Durrësi, Tirana deri dhe Kosova, por edhe përfaqësues të politikës nderuan aktorin. Një prej tyre ishte Ndriçim Xhepa.

“Mirushi ishte në disa plane. Një aktor vërtet i talentuar i veçante me talentin e tij me të dhënat psiko fizike që kishte por këtë gjë e plusonte fort me punën e tij ishte aktor shumë punëtor”, u shpreh  Xhepa.

“Kinemaja në bazë ka njeriun edhe mesazhet që përcillen edhe ngjarjet që përcillen përcillen përmes qenies së aktorit. Aktori e materializon e mbush me jetë me gjak ngjarjet e filmit”, shtoi ai.

Ora 11:40
Homazhet për ‘Sokratin’ shqiptar, aktori Luftar Paja: Mirush Kabashi rrezatonte në art, kulturë e familje! Do i mungojë kombit

 

Figura të artit, kulturës dhe politikës kanë marrë pjesë sot në  homazhet për mjeshtrin e madh Mirush Kabashin. Në hollin e Muzeut Historik Kombëtar u vendosën buqeta me lule në nderim të aktorit të madh të njohur si “Sokrati” shqiptar.

Aktori Luftar Paja për Report Tv shprehu vlerësimin e tij për figurën e Mirush Kabashit, duke e cilësuar si një figurë që do i mungojë kombit shqiptar.

“Sot përcjellim një figurë shumëdimensionale që do t’i mungojë kombit. Rrezatonte gjithë jetën mirësi. Ashtu si kishte emrin Mirush ashtu rrezatonte në art, në kulturë në shoqëri në familje.  Kur ka qenë pedagog, ka pasur student djalin tim dhe kam mbresat më të mira për figurën e Mirush Kabashit”- tha Luftar Paja.

B.V/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ngushellime: 06/12/2023 14:26

    Ngushellime , nje nder top 10 artistet me te medhenj te kohes se tij , njeriu i madh ! U preft ne paqe !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja