Prej datës 15 mars dyert e Muzeut Historik në Tiranë do të jenë të mbyllura, si shkak i rivitalizimit të objektit. Projekti i “Restaurimit, rikonstruksionit dhe muzealizimit”, siç bën me dije vetë institucioni do të marrë 4 vjet.

 Ndërhyrjet që bëhen me mbështetje të Bashkimit Evropian, përfshijnë rikonceptim të hapësirave të Muzeut dhe forcim të strukturave ekzistuese, duke krijuar më shumë hapësirë për sektorë shtesë ekspozues.

Sipas projektit të prezantuar më herët në riorganizim është planifikuar edhe bërja funksionale e katit nëntokësor dhe rimodelimi i hapësirave të jashtme.

Sa i përket artit pamor, kujtojmë se në ‘kantier’ është prej më shumë se dy vitesh Galeria Kombëtare e Arteve, fondi i të cilës ruhet po në Muze.