Mblidhen 2 qeveritë! Pas Prishtinës, 'Port të thatë' edhe në Strugë! Rama: Kemi shumë për të bërë bashkë! Kovaçeski e Grubi: Tregues i marrëdhënieve vëllazërore (VIDEO)

SHKUP- Pas Prishtinës, Shqipëria i ka “shtrirë dorën” edhe Maqedonisë së Veriut për ndërtimin e një Porti të Thatë në Strugë, që do të lidhet me Portin e Durrësit. Një propozim i tillë ka qenë nismë e kryeministrit Edi Rama, teksa për Kryeministrin Dimitar Kovaçeski dhe zv.kryeministrin e parë në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, kjo është tregues i marrëdhënieve vëllazërore.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë shqiptare tha se vendet e Ballkanit janë shumë të vegjël për “t’i qëndruar me kurriz njëra-tjetrës”, për këtë arsye, theksoi se bashkë mund të bëjnë shumë gjëra për të mirën e të gjitha vendeve.

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk kanë qenë më të mira se sot. Jemi shembull si dy fqinjë mund të bashkëpunojnë dhe të tejkalojnë sfidat”, tha Kovaçevski.

 “Dua të falenderoj kryeministrin Rama që na mundësoi qasjen e një vendi pa det në Portin e Durrësit”, tha Grubi.

“Jemi shumë të vegjël për të qëndruar me kurriz nga njëri-tjetri dhe kemi shumë për të bërë me njëri-tjetrin”, tha Rama.

Kjo mbledhje e përbashkët mes 2 vendeve u mbyll me firmosjen e 21 marrëveshjeve dhe memorandumeve mes 2 vendeve. Këto marrëveshje kanë të bëjnë me bashkëpunim në fushën e sigurisë, turizmit, tregtisë, si edhe bashkëpunim ne fushën e energjisë elektrike. 

Nga Shkupi, kryeministri Edi Rama adresoi sfidat e përbashkëta mes vendeve, ndërsa kërkoi një mbështetje më të madhe nga BE.

“Së bashku të gjitha vendet tona duhet të kërkojmë nga Bashkimi Europian që të na përfshijë gjithnjë e më shumë në të gjithë përpjekjen e organizuar për t’i rezistuar, qoftë goditjes së madhe të çmimit të energjisë elektrike, qoftë dhe inflacionit të luftës. Nga ana tjetër, duhet ndërtuar një plan i përbashkët, një plan i cili të na japë mundësinë të shohim përtej kësaj faze të vështirë, të zymtë, por njëkohësisht jo të pambarimtë. Nuk kemi nevojë të presim fundin e luftës për të projektuar të ardhmen përtej saj”, tha Rama.

Kjo është mbledhja e dytë e përbashkët mes 2 vendeve. E para u mbajt në vitin 2017 për Pogradec.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:21
Përfundon mbledhja e dy qeverive në Shkup, kabinetet qeveritare bëjnë foto familjare (VIDEO)

 

Në përfundim të mbledhjes së përbashkët, kabineti qeveritar i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë realizuar së bashku një foto familjare.

Ora 12:29
Mbledhja e dy qeverive, nënshkruhen në Shkup 21 marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut (VIDEO)

 

Marrëveshjet dhe memorandumet mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë nënshkruar në Shkup. Në total mes dy qeverive janë nënshkruar 21 marrëveshje dhe memorandum që kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve. Marrëveshjet përfshijnë bashkëpunim në fushën e sigurisë, turizmit, tregtisë, si edhe bashkëpunim ne fushën e energjisë elektrike.

Ora 11:00
Port të thatë edhe në Maqedoni, Grubi: Nismë e Ramës, do lidhet me Durrësin! Tregues e marrëdhënieve vëllazërore

 

Zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi foli për 3 marrëveshjet e propozuara mes 2 shteteve, ku veçoi ndërtimin e një Porti të Thatë në Strugë që do të lidhet me Portin e Durrësit. Kjo sipas Grubit, është tregues i marrëdhënies vllazërore mes shteteve.

"Propozoj disa pika shtesë për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar, formimin e komisionit të përbashkët të ekspertëve që do të përcaktojë vendndodhjen e rrugëve, çështjet ligjore dhe ato me interes të përbashkët. Kjo ka të bëjë me lidhjen e autostradave tona me korridorin tetë. Kemi miratuar ligjin në kuvend dhe jemi në pritje të firmosjes së kontratës në mes të dhjetorit me shpresë se do të bëhet një vendkalim tjetër që do të ulë koston me dhjetëra miliona euro të ndërtimit të autostradës.

Ky komision do të marrë vendime për qeveritë e dy vendeve. E dyta ka të bëjë me lidhjen hekurudhore Shkup Durrës që dy qeveritë tona të angazhohen për përfundimin e saj. E treta që është një ide e kryeministrit Rama. Bëhet fjalë për Portin e thatë në Strugë, qeveritë e dy vendeve të kryejnë studimin për ndërtimin e një zone në formën e një porti të Thatë për ngarkesat që vijnë nga Porti i Durrësit. Dua të falenderoj kryeministrin Rama që na mundësoi qasjen e një vendi pa det në Portin e Durrësit”, deklaroi ai.

Ora 10:54
Kriza energjetike, Rama nga Shkupi: Duhet të jemi më kërkues nga BE, fondet e alokuara janë pjesë e IPA, nuk mund të gëzohemi më këtë ‘hap gjysmak’

 

Kryeministri Edi Rama ka vënë fokusin e fjalës së tij tek kriza energjetike në mbledhjen e përbashkët që po mbahet me qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Rama tha se duhet të jenë më kërkes kundrejt Bashkimit Europian sa i takon mbështetjes për krizën energjetike. Kryeministri theksoi se fondet e alokuara nga BE për Ballkanin janë pjesë e fondit të përvitshëm të IPA, prandaj sipas Ramës nuk mudn të gëzohen me kaq.

“Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej të djeshmes, për të kuptuar si mund ta kapërcejmë të sotmen dhe njëkohësisht për të projektuar një të ardhme e cila të rrisë në maksimum aftësitë e vendeve tona që të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e madhe se hapësira jonë e përveçme gjeografike. Kemi parë rezultate të mira të marrëveshjeve të bëra në kuadër të Ballkanit të Hapur ashtu sikundër kemi vazhduar të jemi dhe do të vazhdojmë të jemi mbështetës të palëkundur edhe të Procesit të Berlinit, duke pasur aftësinë t’i shikojmë të dyja bashkë këto nisma si pjesë të njëra-tjetrës dhe në asnjë mënyrë si përjashtuese të njëra-tjetrës.

Nuk dua të zgjatem me marrëveshjet për të cilat foli kryeministri dhe për të cilat do të kemi gjithë kohën të diskutojmë më tutje dhe pastaj t’i bëjmë me dije për publikun kur t’i firmosim, por dua të theksoj edhe njëherë tjetër se është koha që të projektohemi me shumë më tepër forcë dhe me shumë më tepër ambicie në të ardhmen e përtej luftës dhe ndërkohë të marrim maksimumin sot nga këmbëngulja dhe aftësia për të krijuar një sinergji më të plotë me Bashkimin Europian.

Pa diskutim që mbështetja e marrë së fundmi nga Bashkimi Europian për buxhetet tona në aspektin e përballimit të krizës së çmimit të energjisë është një lajm i mirë, por nga ana tjetër nëse mbajmë parasysh se ato fonde janë një rialokim i fondeve IPA të vendeve tona, atëherë duhet të jemi shumë më ambiciozë dhe shumë më kërkues ndaj Bashkimit Europian dhe nuk mund të mjaftohemi dhe aq më pak gëzohemi me këtë hap i cili është një hap i madh, po të krahasohemi me momentet tragjike të pandemisë kur u lamë krejtësisht vetëm, të izoluar në mes të Europës nga mundësia për të marrë vaksinat në fazën e parë. Nga ana tjetër është një hap gjysmak, po të shikojmë se çfarë kemi nevojë dhe jo vetëm se çfarë mund të marrim por se çfarë mund të japim për gjithë këtë komunitet dhe këtë bashkësi vendesh dhe shtetesh të Europës”, tha Rama.

Ora 10:47
Rama: BE duhet të na përfshijë më shumë në ‘luftën’ kundër rritjes së çmimit dhe inflacionit

 

Kryeministri Edi Rama tha se Bashkimi Europian duhet të përfshijë më shumë vendet e Ballkanit në “luftën” kundër rritjes së çmimeve apo edhe inflacionit.

"Ne takohemi në këtë mbledhje të radhës të dy qeverive edhe në një kontekst tjetër në aspektin e përpjekjeve tona të përbashkëta për tu bërë pjesë e familjes së bashkuar europiane, pasi më në fund e kemi kapërcyer hendekun e madh dhe torturues mes të qenurit gati për t’i hapur bisedimet për anëtarësim dhe refuzimit të vazhdueshëm nga ana e Bashkimit Europian. Sot, të dyja vendet tona kanë çelur procesin e negociatave dhe faktikisht kanë hedhur një hap shumë të madh përpara.

Në 6 dhjetor, në Tiranë, do të mbahet Samiti i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor dhe ne do të jemi aty së bashku, me të gjitha dëshirat, problemet dhe sfidat tona, të cilat janë gjithmonë e më të njëjta me ato të vendeve të tjera të Bashkimit Europian dhe është koha, besoj unë, për të projektuar të ardhmen përtej luftës, duke kërkuar nga njëra anë, së bashku të gjitha vendet tona nga Bashkimi Europian që të na përfshijë gjithnjë e më shumë në të gjithë përpjekjen e organizuar për t’i rezistuar, qoftë goditjes së madhe të çmimit të energjisë elektrike, qoftë dhe inflacionit të luftës. Nga ana tjetër, për të ndërtuar një plan të përbashkët, një plan i cili të na japë mundësinë të shohim përtej kësaj faze të vështirë, të zymtë, por njëkohësisht jo të pambarimtë. Nuk kemi nevojë të presim fundin e luftës për të projektuar të ardhmen përtej saj.

Në këtë aspekt, do thoja se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë njëfarë përgatitje, duke u përpjekur të projektohen në të ardhmen jo thjesht në mënyrë individuale, si shtete më vete, por edhe në mënyrë kolektive si vende të të njëjtës zonë gjeografike dhe gjeopolitike, qoftë në aspektin e Ballkanit Perëndimor si rajoni ynë, qoftë në aspektin e Bashkimit Europian si destinacioni ynë", tha Rama.

Ora 10:42
Mbledhja e 2 qeverive/ Rama: Jemi shumë të vegjël për të qëndruar me kurriz me njëri-tjetrin! Kemi shumë për të bërë bashkë

 

Në mbledhjen e përbashkët mes 2 qeverive, kryeministri Edi Rama tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë sfida, prandaj është më e mira që kjo të kalohet së bashku me njëri-tjetrin e jo vetëm.

"Sot ne rikthehemi këtu për një tjetër takim të rëndësishëm, një mbledhje e dy qeverive, por në një kontekst krejtësisht tjetër përsa i takon situatës në Europë në rajonin tonë, në vendet tona. Lufta e Vladimir Putinit në Ukrainë godet, shkatërron, hap plagë dhe dëbon njerëz nga vendi i tyre në atë zonë, por nga ana tjetër, është e provokuar pikërisht për të gjunjëzuar Perëndimin, për të gjunjëzuar bashkësinë euro-atlantike, për të gjunjëzuar të gjitha vendet në perëndim të Rusisë, pjesë të cilëve jemi dhe ne, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Lufta në vendet tona nuk ka ardhur me bomba, as me shkatërrime fizike, as me dëbime njerëzish nga shtëpitë e tyre por me çmime stratosferike të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare si edhe me inflacionin e saj, inflacionin e luftës, i cili ka vënë në vështirësi të gjitha vendet, që nga më të pasurat e deri tek ato më pak të pasura, siç jemi dhe ne, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në këtë kontekst, është gjithnjë e më e qartë që nuk ka asnjë rrugë tjetër përballimi me sfidat e kësaj kohe dhe me vështirësitë e tejskajshme që kjo kohë ka sjellë për botën, që nga ndryshimet klimatike e deri tek luftërat konvencionale, përveç bashkëpunimit, krijimit të sa më shumë sinergjive të reja dhe adoptimit me një situatë ku ne të gjithë këtu në rajon jemi shumë të vegjël për të qëndruar me kurriz nga njëri-tjetri dhe kemi shumë për të bërë me njëri-tjetrin.

Nga ana tjetër, ne takohemi në këtë mbledhje të radhës të dy qeverive edhe në një kontekst tjetër në aspektin e përpjekjeve tona të përbashkëta për tu bërë pjesë e familjes së bashkuar europiane, pasi më në fund e kemi kapërcyer hendekun e madh dhe torturues mes të qenurit gati për t’i hapur bisedimet për anëtarësim dhe refuzimit të vazhdueshëm nga ana e Bashkimit Europian. Sot, të dyja vendet tona kanë çelur procesin e negociatave dhe faktikisht kanë hedhur një hap shumë të madh përpara", tha Rama. 

Ora 10:39
Mbledhja e dy qeverive, Kovaçevski: Avancojmë bashkëpunimin në kohë krize, jemi shembull sesi fqinjët mund t'i kalojnë sfidat së bashku

 

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski në mbledhjen e dy qeverive në Shkup tha se marrëveshjet dhe memorandumet që do të nënshkruhen sot do të rrisin bashkëpunimin mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në këtë kohë krize. Ai tha se marrëveshjet do jenë në fushën e sigurisë, arsimit, shëndetësisë.

“Bashkërisht mund të bëjmë më tepër prandaj për disa vite arritëm shumë më tepër se mund të mendonin. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk kanë qenë më të mira se sot. Jemi shembull si dy fqinjë mund të bashkëpunojnë dhe të tejkalojnë sfidat.

Bashkëpunojmë si partner të barabartë. Më 19 Korrik të dy në emër të qytetarëve të vendit tonë kishim nderin të nisim negociatat për integrimin në Bashkimin Europian. Ju kolegë të respektuar nga Shqipëria treguat miqësi të vërtetë drejt anëtarësimit në NATO. Ne kemi qëllime të njëjta për anëtarësim në BE”, deklaroi ai.

Tani i përmbushim të gjitha premtimet dhe kështu do të nisë edhe hapja e negociatave. Për ne identiteti dhe gjuha maqedonase dhe njohja e saj nga Europa do të ishte shumë e rëndësishme. Duam që ta ngremë gjuhën maqedonase në nivel me gjuhët e tjera europiane. Tani presim që deputetët të tregojnë përgjegjësi. Si i filluam bashkërisht negociatat i kanë mundësi të shkojnë deri në fund bashkë. Me anëtarësimin në BE do sigurojnë jetë cilësore. Sot RMV dallohet si model i suksesshëm për të ndërtuat ura me fqinjët, Europën dhe botën.

Me anëtarësimin në BE do sigurojmë jetë cilësore, të rinjtë të jetojnë këtu, jo në Europë por ne vendin lindjes. Ndërtojmë urat me fqinjët Evropën dhe botën. Si sy shtete fqinjë mund të ndihmojnë njëri tjetrin në zhvillimin ekonomik. Takimi i dytë në Shkup, avancojnë bashkëpunimi mes nesh në kohën e krizës globale, krizës ekonomike.

Sot do të firmosen memorandume në shumë fusha, atë që dua ta nënvizoj është një dëshmi për bashkëpunim tonë të mirë, për kthimin e ikonave të nxjerra në mënyrë të paligjshme nga vendi ynë”, tha Kovaçeski.

Ora 09:57
Sot mbledhja e dy qeverive, Rama pritet në Shkup me ceremoni zyrtare nga Kovaçeski

 

Kryeministri Edi Rama është pritur në Shkup me ceremoni zyrtare nga kryeministri Dimitar Kovaçeski. Rama ndodhet në Shkup në kuadër të mbledhjes që do të zvillohet ditën e sotme mes dy qeverive. 

Ora 09:42
Sot mbledhja e dy qeverive, Report Tv zbardh 21 marrëveshjet që do nënshkruhen mes qeverisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Ditën e sotme mbahet në Shkup mbledhja mes qeverisë së dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Gazetari i Report Tv, Ermal Qori ka zbardhur marrëveshjet dhe memorandumet që do të nënshkruhen sot mes dy qeverive.

Marrëveshjet do të nënshkruhen për lehtësime mes dy vendve në fushën e arsimit, shëndetësisë, turizmit, tregtisë dhe sigurisë, ku parashikohet edhe ndërtimi i një task force të përbashkët në fushën e sigurisë.

Marrëveshjet që do të nënshkruhen

1. Memorandumi bashkëpunimi  ndërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e digjitalizimit të shërbimeve konsullore.

2. Memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e trajnimeve diplomatike

3. Memorandum bashkëpunimi për çështjen e integrimit në BE ndërmjet Sekretariatit për Çështje Evropiane të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Ministrit të Shtetit, Kryenegociatorit të Republikës Së Shqipërisë

4. Protokoll ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë – Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë – Administratës Doganore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të operatorëve ekonomik të autorizuar – autorizimet për sigurinë dhe mbrojtjen (OEAS), ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut

5.  Memorandum Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në fushën e Financave Publike dhe Procesit të Aderimit në Bashkimin Evropian ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Maqedonisë

6. Protokolli zbatues ndërmjet Ministrisë së Financave-Drejtoria e Doganës e RMV dhe Ministria për Financave dhe Ekonomisë- Drejtoria Përgjithshme e Doganave të RSH për zbatimin e marrëveshjes në mes Qeverisë së RMV dhe Këshillit të ministrave të RSH për vendosjen e vendkalimit të përbashkët kufitar në mes RSH dhe RMV, i nënshkruar më 10.06.2021 në Tiranë për vendkalimin ndërkombëtar Qafë-Thanë(RMV-Qafë- Thanë RSH)

7. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për krijimin e task forcave të përbashkëta në fushën e sigurisë

8. Protokoll ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Qafë-thanë/Kjafasan.

9. Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.

10. Marrëveshje  bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për rikthimin e ikonave të trafikuara ne vendin e tyre të origjinës.

11.  Programi për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në fushën e arsimit dhe shkencës për periudhën 2022-2025.

12.  Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës  të Republikës lidhur me lekturën /redaktimin gjuhësor të gjuhës shqipe.

13.  Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive të Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me zbatimin e gjuhës së shenjave të gjuhës shqipe.

14.  Memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në fushën e transformimit digjital

15.  Memorandum bashkëpunimi në sektorin e energjisë ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut

16.  Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për delegimin e trafikut ajror në një pjesë të hapsirës ajrore mbi liqenin e Ohrit.

17.   Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut  për vendosjen e transportit ndërshtetëror ndërmjet Liqenit të Ohrit.

18.  Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për zhvillimin e lidhjes rrugore ndërmjet dy vendeve.

19.  Memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e politikave sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve.

20.  Marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut

21.  Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë.

SI.E./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 15/11/2022 00:09

    Me pelqyen idete per hekurudhen Durres-Shkup dhe per transportin nder-shteteror nepermjet liqenit te Ohrit.

    Përgjigju
  • GOLI: 14/11/2022 14:34

    DUKE SHFRYTEZUAR SHERBETORET ARMIKU PERPIQET QE TE ARIJE QELLIMET E VETA ARMIQESORE....MEMA SHQIPERI TE QENDROJE LARG OPEN BALLKAN DHE SHERBETORVE TE MAQEDONSIT

    Përgjigju
  • Reni: 14/11/2022 13:35

    Shqiperia ska Port...ku do behet kjo? Apo ke porti qe seshte Port ne Porto Romano

    Përgjigju
  • Bravo: 14/11/2022 12:59

    Urime një arritje tjeter e madhe për shqiperine europiane

    Përgjigju
  • ilir: 14/11/2022 12:17

    Sa mire qe behen te tilla takime per te qene te bashkuar ne kte krize qe ka pushtuar gjithe boten

    Përgjigju
  • gani: 14/11/2022 12:16

    Mbledhje vertete shume produktive per te miren e te dyjave vendeve ne kete periudhe te veshtire luftrash

    Përgjigju
  • orion: 14/11/2022 12:14

    Te gjitha keto jane ne te miren e te dyja shtetve

    Përgjigju
  • titi: 14/11/2022 10:41

    sa me shume suksese pacmi e meritojm sepse kemi ecur shume perara

    Përgjigju
  • Miri: 14/11/2022 09:26

    Ka lezet kur zhvillohen takime te tilla midis vendeve

    Përgjigju
  • Dea: 14/11/2022 09:24

    Shpresojm qe fal ketyre marveshjeve vendi yne te zhvillohet akoma me shume

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja