Sot në Miloçer të Budvës, Mali i Zi do të mbahet samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit. Në këtë takim do të marrë pjesë kryeminitri Edi Rama, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, kancelari austriak Christian Stocker, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Të pranishëm do të jenë gjithashtu ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, ministri francez për Europën Benjamin Haddad dhe komisionarja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Kjo e fundit do të zhvillojë takime me presidentin malazez Jakov Milatoviç dhe kryetarin e Kuvendit, Andrija Mandiç. Në fokus të takimeve do të jenë rruga e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian dhe reformat që lidhen me procesin e integrimit.

Në samit do të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Sipas axhendës, mbërritja zyrtare e liderëve dhe deklaratat për mediat janë planifikuar të fillojnë në orën 09:30, ndërsa samiti pritet të fillojë në orën 10:20.

Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimin e afrimit të tyre me Bashkimin Evropian.

Axhenda
09:30–10:15 - Mbërritja e krerëve të delegacioneve dhe deklaratat për media
10:20–10:30 - Seanca hapëse
13:00–13:20 - Konferencë për shtyp
13:30 - Fotografia familjare

lajm ne perditesim...