Një president gjerman pas 27 vitesh në Tiranë, Steinmeier takon Begajn dhe mban fjalim në Kuvend: Zemra juaj rreh dhe jeton me Evropën, vijoni këtë rrugë

TIRANË- Shqipëria të vijojë rrugën e ndjekur drejt familjes së vlerave evropiane, më këmbëngulje dhe durim, dhe me zemrën e madhe pro Evropës ishte mesazhi i kreut të shtetit të Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier,në vizitën e para e një kreu të shtetit gjerman pas 27 vitesh në Tiranë.

‘Duke pasur parasysh historinë tuaj, është emocionuese që Shqipëria e lirë kërkon t’i bashkohet familjes së vlerave të Evropës. Zemra juaj jeton dhe rreh në mënyrë evropiane, dhe kjo do t’ju ndihmojë në kapërcimin e pengesave në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ju lutem vazhdoni në këtë rrugë me këmbëngulje dhe durim të mëtejshëm deri sa ky proces pasi siç thotë një shprehje e bukur ‘kur ke zemër ke edhe krah’”, tha Presidenti gjerman duke mbajtur një fjalë historinë në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga foltorja e parlamentit shqiptar, Presidenti i Republikës Federale Gjermane, Frank-Walter Steinmeier i bëri thirrje opozitës dhe qeverisë të punojnë së bashku përtej llogoreve politike për destinacionin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Europian. Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë e vuri edhe theksin tek reforma në drejtësi, ku tha se duhet të çojmë përpara këtë proces.

“E di që rruga e Shqipërisë në BE do të vijojë të jetë ambicioze. Punoni më tej në luftën ndaj pengesave, smbrapsjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën në drejtësi. Ju dëshironi një të ardhme të mirë për Shqipërinë dhe vendi juaj do të jetë vend i besueshëm”, tha ai.

Presidenti gjerman ka mbërritur mëngjesin e ditës së sotme në Tiranë dhe u prit me ceremoni zyrtare nga Presidenti Begaj. Ceremonia nisi në orën 10:00, ndërsa mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Steinmeier tha se Gjermania do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë dhe do ta mbështesë vendin tonë në rrugëtimin europian.  Ai bëri thirrje sot opozitës dhe qeverisë të bëhen bashkë në luftën kundër korrupsioni, krimit, si rruga më e duhur, drejt destinacionit për anëtarësim në Bashkimin Europian.

 “Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe firmosja e marrëveshjeve para 1 muaji për lëvizshmërinë, krijon premisa për marrëveshje të reja në të ardhmen. Vitin tjetër Samiti i Procesit të Berlinit zhvillohet në Tiranë. Kjo tregon se qeveria shqiptare është e angazhuar në këtë process”, tha Begaj.

 “Kam respektin maksimal të angazhimit si anëtare e Këshillit të Sigurimit, brenda OKB-së, në një periudhë jo të lehtë. Gjermania e ka shoqëruar Shqipërinë prej fillimit në përafrimin me BE-në dhe ka kontribuar brenda mundësive të saj në përforcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e tyre. Shpresoj që shumë shpejt Shqipëria të bëhet edhe pjesë e BE-së edhe në dimensionin formal të tij”, u shpreh Begaj.

I pyetur për dialogun Kosovë-Serbi, Begaj tha se është i mirëpritur propozimi franko-gjerman apo i Brukselit. Steinmeier foli për përshkallëzimin e konflikteve dhe për rolin e mikut të tij Lajcak.

“Çdo kontribut që sjell uljen e përshkallëzimit të konflikteve është i mirëpritur. Respekt për kolegun e mikun tim, Lajçak, që e ka shndërruar në mision të tij normalizimin e dialogut”, tha Presidenti gjerman.

Steinmeier do të qëndrojë dy ditë në Tiranë, deri më datë 2 dhjetor. Sot ai ka zhvilluar një takim edhe me Kryeministrin Rama dhe kryetarin e bashkisë Veliaj, ndërkohë që e veccanta ishte se ai zhvilloi homazhe në nder të të rënëve shqiptarë në luftën e Dytë Botërore. Në Varrezat e Dëshmorëve vendosi një kurorë me lule.  

“Vazhdoni të punoni në luftën kundër pengesave, në sprapsjen e korrupsionit, vijoni reformën në drejtësi të inicuar dhe punoni përtej llogoreve mes opozitë dhe qeverisë, punoni së bashku. Destiancioni i përbashkët më anëtarësimin në BE ja vlen në këtë përpjekje, ju mund të keni besim në mbështetjen e mëtejshme të Gjermanisë në këtë rrugë”, tha Steinmeier.

Steinmeier do të qëndrojë dy ditë në Tiranë, deri më datë 2 dhjetor. Vizita e Steinmeier vjen në kuadër të turit që ai po zhvillon në Ballkanin Perëndimor, ndërsa dy ditë më parë ishte edhe në Maqedoninë e Veriut.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:41
15 vjetori i laboratorit gjerman, Veliaj dhe Presidenti gjerman Steinmeier vizitë në gjimnazin 'Sami Frashëri'


Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizituan pasditen e sotme ambientet e gjimnazit "Sami Frashëri", me rastin e 15 vjetorit të laboratorit të gjuhës gjermane.

Drejtoresha e shkollës "Sami Frashëri" i dhuroi Presidentit gjerman një certifikatë mirënjohjeje për bashkëpunimin në projektin gjerman që gjimnazi ofron. 

Gjithashtu kryebashkiaku Veliaj dhe Presidenti gjerman panë nga afër ekspozitën e realizuar nga nxënësit "Shkolla në kohën e Komunizmit". Gjatë vizitës së tij Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier shoqërohej edhe nga përfaqësues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (Ryco) si dhe përfaqësues të GIZ Albania.

Ora 17:50
Rama: Mbështetja e Gjermanisë, thelbësore! Steinmeier: Shqipëria, përparësi në procesin e integrimit! (Batutat për pikturat në zyrën e Kryeministrit)

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ka qenë pasditen e sotme në Kryeministri, ku është takuar me Edi Ramën. Sapo ka hyrë në zyrën e kreut të qeverisë, i kanë tërhequr vëmendje piktura, ku Rama e ka kaluar me batutë.

“Të gjitha vizatimet e tua”, ju drejtua Steinmeier kryeministrit shqiptar, duke hedhur vështrimin rreth e rrotull zyrës. “Shumë vite në zyrë”, shtoi ai

Gjatë takimit Rama tha se është mirënjohës ndaj mbështetjes së Gjermanisë për vendin tonë.

“Faleminderit edhe njëherë zoti president! Është kënaqësi e madhe që t’u kemi këtu në Shqipëri, së bashku me delegacionin. Jemi shumë mirënjohës ndaj Gjermanisë për çdo gjë që qeveritë e njëpasnjëshme gjermane kanë bërë për këtë marrëdhënie që është në nivelin e saj më të mirë mendoj. Sigurisht, duam të bëjmë më shumë, por do të thoja që deri më tani, mbështetja e Gjermanisë në të gjitha frontet ka qenë thelbësore për ne. E mendojmë që është shumë mirë të kemi një ministër të jashtëm si President në Gjermani sepse është shumë e dobishme, duke njohur terrenin, duke njohur njerëzit, duke njohur dinamikën në terren për të gjitha vendet, sidomos në këtë rajon, ku siç e dini kemi dhe Procesin e Berlinit që po vazhdon, që në një farë mënyre është riorganizuar, është ripërtërirë, ku falë këtij procesi kanë ndodhur shumë gjëra të mira për rajonin. ” – u shpreh Kryeministri Rama gjatë takimit.

Ndërsa presidenti nga ana e tij përgëzoi Shqipërinë për hapjen e negociatave me BE-në.

“I dashur Edi! Përgëzime së pari, për nisjen e një viti intensiv në detyrë si kryeministër. Nuk me kujtohet se sa herë jemi ulur dhe diskutuar për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Europës, por vërtetë përgëzime që keni arritur një gur të rëndësishëm themeli për nisjen e negociatave për anëtarësim dhe kjo është diçka mendoj, për të cilën, ju keni punuar i mbështetur nga shumë prej anëtarëve tuaj të parlamentit dhe pjesa më e madhe e elitës politike këtu në Shqipëri dhe besoj kjo do të inkurajojë marrjen e hapave të mëtejshme që janë të nevojshme në rrugëtimin drejt Europës. Kemi folur për reformat, kemi folur për reformën në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, kështu që mendoj se progresi është i nevojshëm, progresi është i mundur. Jam tërësisht i bindur edhe pse kam qenë skeptik në të shkuarën se na duhet të konsiderojmë që Europa, jo vetëm duhet të tregojë bashkim dhe vendosmëri, por po kështu duhet të jetë e hapur për zgjerimin e nevojshëm drejt Ballkanit Perëndimor.  Për rrjedhojë jam mjaft optimist, e di që ka një lloj pengese për shkak të pritjes, deri sa anëtarësimi do të formalizohet. Përshtypja ime pra, është që edhe qeveritë skeptike janë ndërkohë të bindura që ne duhet ta përshpejtojmë procesin dhe kjo është gjë e mirë.” – u shpreh ndër të tjera Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier

Ora 17:02
VIDEOLAJM/ Presidenti gjerman në Varrezat e Dëshmorëve, nderon të rënët shqiptarë në luftë

 

Presidenti i Republikës Federale së Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka nderuar gjatë vizitës së tij sot në Tiranë të gjithë ata që kanë dhënë jetën për Shqipërinë. Ai ka vendosur kurore me lule në memorialin e Dëshmorëve të Kombit “Nënë Shqipëri”.

Ora 14:20
Delegacioni gjerman që shoqëron presidentin Steinmeier në Bashkinë e Tiranës, Veliaj: Mundësi të reja bashkëpunimi, sidomos për energjinë e rinovueshme

 

Delegacioni që shoqëron Presidentin e Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, i cili nisi sot një vizitë zyrtare dyditore në Tiranë, u prit edhe nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Në bisedën me ta, Veliaj tha se veç projekteve të suksesshme që Shqipëria dhe Tirana ka me GIZ-in dhe KFW-në, po shihet mundësia për bashkëpunime në fusha të reja, me impakt në ekonomi, e sidomos ato në energjinë e rinovueshme. 

“Më vjen mirë që, këto dy ditë, kemi një mundësi fantastike për të punuar me biznesin gjerman dhe për të parë mundësi për shtimin e bashkëpunimit. Ne punojmë fort me GIZ-in, me KFW-në, me disa nga agjencitë gjermane në Tiranë, dhe mezi pres që projektet tona, sidomos ato për mobilitetin, të ecin më shpejt. Jam shumë entuziast edhe për faktin se kemi disa ide për projekte me energjinë, sidomos me energjinë e rinovueshme, në një kohë kur lufta, më shumë se sa të na mpijë, duhet të na zhdërvjelltësojë, për të parë mundësi të reja si të përdorim energjinë diellore, ose energjinë me erë, pra të kemi mundësi të fitojmë atë që quhet pavarësia energjetike. Shqipëria është shumë afër sepse prodhon pjesën më të madhe me hidro, por edhe ne këtu në Tiranë duam që të bëjmë pjesën tonë, për shembull me përdorimin e Bovillës si një hapësirë për panele diellore,” u shpreh ai. 

Përfaqësuesit e delegacionit gjerman, po ashtu, e vunë theksin te projektet energjetike: “Është hera ime e dytë që vizitoj Tiranën. Kam qenë këtu edhe para 5 vitesh dhe tani jemi me delegacionin e presidentit Steinmeier. Jam i lumtur që po shohim qytetin tuaj, i cili ka ndryshuar shumë në vitet e fundit. Ne kemi ardhur këtu me ekspertë të çështjeve kulturore, ekonomike, mjedisore dhe do na pëlqente të kishim një dialog të qëndrueshëm dhe gjithashtu, të shohim mundësinë e të pasurit të projekteve të përbashkëta, si në rastin e energjisë së rinovueshme, në efiçencën energjitike, si edhe në tema të tjera për të ardhmen tonë të përbashkët,” deklaroi drejtuesi i delegacionit.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shoqëroi sot Presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier në vendosjen e një kurore me lule në memorialin e Dëshmorëve të Kombit “Nënë Shqipëri”.

Ora 12:48
Lufta në Ukrainë, Steinmeier: BE qëndroi e palëkundur, Shqipëria partner i besueshëm në Këshillin e Sigurimit

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier foli në Kuvendin e Shqipërisë edhe për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj. Ai tha se BE ka qëndruar e palëkundur përkundrejt sulmit rus. Steinmeier foli edhe për qëndrimin e Shqipërisë, ku tha se është një partner i besueshëm dhe këtë e tregoi edhe në Këshillin e Sigurimit.

“Sulmi brutal i Rusisë kundër Ukrainës ka zhytur Europën në krizë ekonomike dhe pasojat ndihen në mbarë botën. Shqipërinë e ka goditur rritja e çmimit të energjisë, karburanteve dhe unë e di këtë të nderuar deputetë, është një tjetër goditje që duhet të përballeni pas covidit dhe tërmetit. Bëhet edhe më mbresëlënëse me sa këmbëngulje vendi juaj vazhdon të ndërmarrë përpjekjet për anëtarësimin në be.

Qëndrueshmëria juaj në krah të vlerave tona më emocionojnë dhe ju mund të jeni model për shumë njerëz në Europë edhe në vendin tim. Shqipëria në nivel ndërkombëtar është provuar prej kohësh si demokraci e pjekut, vendi juaj është një aktor i njohur në skenën ndërkombëtare. Si anëtare e NATO dhe OSBE, si anëtare e përkohshme e Këshillit të sigurimit, bashkëpunimi me partnerët tuaj transatlantik.

Ky model europain i bashkëpunimit ku vlen forca e së drejtës çohet në pikëpyetje përmes luftës. Ky sulm që Putin e nisi është një përpjeke për të vendosur një shtet tjetër me shumë në pushtetin e vet. BE ka treguar të jetë i palëkundur përkundrejt sulmit rus. Nuk ka lejuar të përçahet prej këtij sulmi, është e bashkuar si kurrë më parë. Edhe Shqipëria dëshmoi të jetë një partner i besueshëm në Këshillin e Sigurimit. Kjo tregon që ne mund të mbështetemi te ju dhe Shqipëria në BE dhe tek Gjermani”, tha ai.

Ora 12:27
Presidenti gjerman: Vijoni reformën në drejtësi, opozita dhe qeveria të punojnë përtej llogoreve politike  

 

Presidenti gjerman Steinmeier gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë e vuri edhe theksin tek reforma në drejtësi, ku tha se duhet të çojmë përpara këtë proces. Një mesazh e pati edhe për qeverinë e opozitën ku u kërkoi që të punojnë së bashku për anëtarësimin në BE përtej llogoreve politike.

“Vazhdoni të punoni në luftën kundër pengesave, në sprapsjen e korrupsionit, vijoni reformën në drejtësi të inicuar dhe punoni përtej llogoreve mes opozitë dhe qeverisë, punoni së bashku. Destiancioni i përbashkët më anëtarësimin në BE ja vlen në këtë përpjekje, ju mund të keni besim në mbështetjen e mëtejshme të Gjermanisë në këtë rrugë”, tha Steinmeier.

Ora 12:20
Steinmeier përmend edhe Mërgim Mavrajn apo Altin Rrakllin: Talenti i futbollistëve shqiptarë ka pasuruar Bundesligën tonë

 

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier në fjalën e tij në Kuvendin përmendi edhe një tjetër lidhje mes dy kombeve, atë në futboll.

“Ka edhe një fushë tjetër ku gjen shprehje lidhja jonë e ngushtë, miqësia në futboll. Lojtarët shqiptarë e kanë pasuruar gjithmonë Bundesligën tonë me talentin e tyre, si Mërgim Mavraj apo Altin Rraklli apo edhe trajneri gjerman i Vllaznisë. Dhe kjo i çon marrëdhëniet tona para”, Steinmeier.

Ora 12:18
'Shqiptarët e duan BE-në', presidenti gjerman: I bëj thirrje të gjithë atyre skeptikëve në Evropë që të vijnë këtu e të infektohen me ‘shpirtin evropian’

 

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë tha se e përshëndet shpirtin evropian të shqiptarëve. Madje i ka bërë thirrje të gjithëve atyre skeptikëve në Evropë që të vijnë në Shqipëri dhe me batutë tha ‘të infektohen nga ky shpirt evropian’.

“Unë jam këtu disa pas hapjes së negociatave. 19 korriku ishte gur i rëndësishëm kilometrik në rrugëtimin tonë drejt BE.  Së shpejti do të mjaftojë vetëm letërnjoftimi për të kapërcyer kufijtë në Ballkanin Perëndimor, apo edhe do të nihen diplomat profesionale. Tregu i përbashkët do ta përmirësojë jetën e qytetarëve në të gjitha vendet. Më entuziazmon fakti se sa shumë ndihet shpirti evropian në vendin tuaj dhe dëshiroj që t’i bëj thirrje të gjithë njerëzve që kanë dyshime për shpirtin evropian që të vij në këtu dhe të infektohen në një fare mënyrë me shpirtin evropian”, tha ai.

Ora 12:14
Steinmeier flet në Kuvend: Ju kemi mbështetur prej dekadash, 70 mijë shqiptarë jetojnë në Gjermani, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë rritur

 

Presidenti gjerman Steinmeier foli në Kuvendin e Shqipërisë. Ai e vuri theksin tek marrëdhëniet e mira me vendin tonë, ndërsa tha se Gjermania na ka mbështetur prej dekadash.

Kënaqësi të jem pranë jush në Tiranë, këtë qytet rinor, entuziast për të ardhmen, qytet të vërtetë europian. Kryeqyteti europian i rinisë 2022, çfarë do ti shkonte më shumë sesa ky titull që me çeljen e bisedimeve drejt BE-së nis një fazë e re . Vizitën e fundit e kam bërë para 6 vitesh, tani pas më shumë se dy vitesh pandemi dhe kur bota është një tjetër në shumë drejtime mund të

Qëndrimin tuaj të qartë pro euriopian kam mundur ta vëzhgoj gjatë periudhës sime të presidencës. Kam ndjerë gëzim, sa më shumë kur në këtë kohë gjetkë në Europë bëhet një politikë skeptike ndaj BE. Për mua është një nder i madh të flas këtu në këtë parlament.

Gjermania dhe Shqipëria janë të lidhura më njëria tjetrën, prej dekada. E kemi mbështetur vendin tuaj kur u çlirua prej izolimit të diktaturës, dhe iu mbështesim në ndërtimin ekonomik të vendit tuaj. Më shumë se 70 mijë jetojnë në Gjermani, volumi tregtar ka arritur 450 mln euro për 2021, vendi ynë është partneri i katër më i madh për Shqipërinë. Sipërmarrjet gjermane janë aktive. Edhe në dimensionin kulturor bashkëpunojmë.

Ora 12:03
Begaj dhe Steinmeier: E rëndësishme e ulja e tensioneve në Kosovë, dialogu e vetmja zgjidhje

 

Në konferencën e përbashkët për shtyp, presidenti Bajram Begaj dhe homologu i tij gjerman Steinmeier folën edhe për tensionet në Kosovë. Begaj dhe Steinmeier vendosën theksin te dialogu mes dy vendeve.

“Proces integral dhe nëse do jetë gjithëpërfshirës nga të gjithë vendet e rajonit dhe do ketë në fokus lirinë e lëvizjes dhe bashkëpunimin ekonomik është i mirë pranuar”, tha Begaj.

Nuk bëhet fjalë. Çdo kontribut që sjell në uljen e përshkallëzimit të konflikteve është i mirëpritur. Shumë respekt për Lajçak që e ka shndërruar në një mision të tij pasionant”, tha Steinmeier

Ora 11:49
Samiti i 6 dhjetorit, Begaj-Steinmeier: Integrimi është proces meritash, anëtarësimi në BE është rrugëtimi i duhur

 

Për Presidentët Begaj dhe Steinmeier Samiti i 6 dhjetorit në Tiranë është një ditë e rëndësishme për të diskutuar për procesin e integrimit evropian të gjithë rajonit.

Presidenti shqiptar Begaj tha se detyrat dhe rrugëtimi duhet të jenë të qarta për vendet aspirantë drejt Bashkimit Evropian.

“Pas disa ditësh do të mbahet Samiti,. Një ngjarje historikë për Shqipërinë por edhe përgjegjësia shumë e madhe për vendin tonë. Pritshmëria është që të qartësohet rruga që ccdo vend aspirant duhet të ndjekë. Pritshmëritë janë të lartë. Shqiptarët janë populli me përqindjen më të madhe që aspiron të jetë sa më shpejt pjesë e Bashkimit Evropian. Duhet punë, duhen realizuar të gjitha detyrat dhe duhet realizuar në kohë i gjithë procesi i negociatave. Ky është një proces meritash dhe nuk ka proces ‘pro bono’ për askënd. Nuk ka një kohë që mund ta përcaktoj unë, por varet nga puna që çdo vend aspiron të jetë pjesë e BE-së”, tha Begaj.

Ndërsa kreu i shtetit gjerman, Steinmeier, tha se rrugëtimi drejt BE është procesi i duhur për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Nuk do të mund të shtoja diçka ndryshe nga ajo që tha Presidenti. Duhet të marrim në konsideratë që bëhet fjalë për një takim pune mes BE dhe Ballkanit Perëndimor. Nuk do të ketë vendimet por duhet dhënë inkurajimi i duhur për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor.  Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet duhet të shihen në krenari në procesin e integrimit evropian”, tha ai.

Ora 11:46
Procesi i Berlinit, Begaj: Gjermania, partneri ynë kryesor për politikën e jashtme! Steinmeier: Integrimi, përgjegjësia jonë

 

Presidenti Begaj u shpreh se Gjermania me anë të procesit të Berlinit ka ndikuar në politikën e jashtme duke shërbyer si faktor kyç për procesin e integrimit evropian.

“Procesi i negociatave për anëtarësim në BE është i gjatë. Hapja  e negociatave është arritje historike për ne dhe natyrisht për rrugën që kemi përpara na duhet bashkëpunim që ne e kemi pasur.

Gjermania ka qenë një partner sidomos në proceset integruese. Besoj fort që ndihma që do japë Gjermania sidomos me ekspertë të ndryshëm do ishte shumë e mirëpritur dhe shumë e dashuruar.”- tha Begaj.

Edhe homologu i tij gjerman, Steinmeier në vizitën e tij të parë në Tiranë u shpreh se është përgjegjësia e Gjermanisë të përshpejtojë integrimin evropian duke hequr barrierat e mobilitetit nëpërmjet Ballkanit Perëndimor

“Gjermania e ka parë përgjegjësinë e vetë për të mbështetur edhe në reformën elektorale. Është perceptuar qartësisht që ne e shfrytëzojmë procesin e Berlinit për të përshpejtuar integrimin evropian. Duke hequr barrierat e mobilitetit nëpërmjet Ballkanit Perëndimor.

E rëndësishme është që këto marrëveshje të zbatohen nga pikëpamja konkrete dhe mos të jenë thjesht politike.”- tha presidenti gjerman.

Ora 11:40
Steinmeier në Tiranë: Gjermania në krah të Shqipërisë, do iu mbështesim në rrugëtimin europian

1669890822_Screenshot5.png

Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin Bajram Begaj tha se Gjermania do të vazhdojë t’a mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin europian.

Do vazhdojmë t’iu mbështesim. Përgëzimet e mia për këtë dhe unë shpresoj që shumë shpejt që Shqipëria të bëhet pjesë e BE. Mendoj që suksesi në këtë drejtim do ishte në interesin tonë të përbashkët. Shqipëria do ta pasurojë BE edhe në dimensionin kulturor të saj. Shkëmbimi i ardhshëm që do mbështet nga BE do sjellë shumë më tepër qytetarë do kenë mundësi të shijojnë mikpritjen tuaj, bukuritë natyrore.

Kontribuuat që në datën 3 nëntor të nënshkruheshin 3 marrëveshje të rëndësishme mes vendeve të Ballkanit perëndimor. Do ndryshojnë realitetin e njerëzve.

Ratifikimi dhe zbatimi i marrëveshjeve do shkurtojë distancat me tregjet e BE duke e shndërruar rajonin, për ta bërë atë më konkurrues. Vitin e ardhshëm në rajon do zhvillohet samiti i procesit të Berlinit.

Gjermania do vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë.

Ora 11:35
Vizita e Presidentit gjerman në Tiranë, Begaj: Procesi i Berlinit, shembulli më i mirë i angazhimit gjerman në rajon, kanë kontribut për Ballkanin Perëndimor

1669891108_Screenshot6.png

Kreu i shtetit, Barjam Begaj e ka cilësuar Gjermaninë si një ndër shembujt më të mirë të angazhimit për Ballkanin Perëndimor.

Presidenti u shpreh me rastin e ardhjes së Presidenti gjerman në Tiranë, se bashkëpunimi dypalësh i Shqipërisë dhe Gjermanisë, është pozitive dhe e sinqertë.

“Gjermania është ndër investitorët më të mëdhenj të huaj, me 338 kompani gjermane që operojnë në vendin tonë.

Kjo na angazhon ne që të punojmë më shumë për përmirësimin e klimës së biznesit, sepse ne duam të shohim prezencë më të shtuar të biznesit gjerman në Shqipëri.

Jemi shumë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe aktiviteteve të paligjshme. Ndihma dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ka mundësuar kualifikimin e mijëra ushtarakëve tanë, në akademitë ushtarake gjermane, shumë prej të cilëve, janë pjesë e kontributit të vendit tonë në misionet ushtarake të NATO-s.

Falënderojmë për mbështetjen e rëndësishme financiare, për procesin e rindërtimit, përballimin e situatës së pandemisë COVID-19, si dhe mbështetjen pas sulmit kibernetik.

Bashkëpunimi në fushën e arsimit në të gjitha nivelet, ka bërë të mundur rritjen e cilësisë në strukturat tona arsimore, si dhe përafrimin kulturor të përbashkët.

Lufta në Ukrainë ka shtuar sfidat edhe për vendet e rajonit.

Largimi i vëmendjes nga Ballkani Perëndimor mund të bëjë që aktorë të tretë të shfrytëzojnë çdo hapësirë dhe të ndikojnë negativisht në vijimin e proceseve integruese të vendit dhe të rajonit.

Ne e mirëpresim rolin dhe kontributin e Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor.

Procesi i Berlinit është shembulli më i mirë i angazhimit gjerman në rajon. 

Marrja e presidencës së Procesit të Berlinit nga Shqipëria vitin e ardhshëm, dhe mbajtja e Samitit në Tiranë, janë ngjarje historike dhe domethënëse për Shqipërinë dhe rajonin, në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian.

Ju garantoj se fryma e miqësisë dhe përkushtimi që marrëdhëniet tona të njohin vetëm zhvillime pozitive është e madhe dhe e sinqertë.”- tha Begaj.

Ora 10:09
Mbërrin në Presidencë presidenti gjerman Steinmeier, pritet me ceremoni zyrtare nga Begaj

 

Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier është pritur me ceremoni zyrtare nga presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj. Kjo është vizita e parë e një presidenti gjerman pas 27 vitesh.

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Drini: 02/12/2022 00:51

    Respekt per kete burre shteti qe shkon e nderon te renet ne luften e dyte boterore. Ku ishte opozita jone, opozita shqiptare. Cila ka aleate ne bote opozita shqiptare. Djallin ka aleat.Cfare perfaqesojne keta dreqin perfaqesojne O zot , sa turp

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja