Seanca vendimtare për presidentin e Kosovës nisi me një orë vonesë dhe opozita bojkotoi sërish. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se nevojitet të jenë të pranishëm 2/3 e deputetëve dhe i la kohë opozitës deri në orën 14:00 që të marrë pjesë në rinisjen e seancës. Në rast se palët nuk dakordësohen për presidentin e ri, Kuvendi do të shpërndahet dhe brenda 45 ditësh Kosova do të zhvillojë zgjedhje të reja parlamentare.

Lëvizja Demokratike e Kosovës ka pranuar propozimin e kryeministrit Albin Kurti për të propozuar kandidatë. Kjo parti opozitare me në krye Lumir Abdixhikun, propozon Vjosa Osmanin, për të cilën kanë mbledhur dhe 15 firma mbështetëse nga grupi i tyre parlamentar.

Që emri i Vjosa Osmanit, apo kujtdo tjetër, të hidhet si alternativë, duhet që 30 deputetë të parlamentit të firmosin për zyrtarizimin e saj si kandidate.

Seanca e djeshme u zhvillua pa u plotësuar kuorumi pasi në sallë ishin vetëm 64 deputetë nga 80 që duhet për të legjitimuar seancën pasi opozita braktisi sallën. Pavarësisht kësaj, dje u bë dhe votimi për dy kandidaturat e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, ku Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë. Një votë u shpall e pavlefshme.

Opozita e cilësoi seancën si një “spektakël politik” dhe “puç kushtetues”, ndërsa kryeministri Albin Kurti ua faturon atyre fajin e dështimit duke thënë se opzita nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë konkrete për zgjedhjen e presidentit të ri.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:12
PDK-ja i kërkon kandidates Feride Rushiti të tërhiqet nga gara për presidentin e Kosovës

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, i bëri thirrje kandidates së propozuar për postin e presidentit, Feride Rushitit, të tërhiqet nga gara, duke e cilësuar atë si pjesë të një “loje politike antikushtetuese” që është e dëmshme për shtetin dhe për vetë atë.

Çitaku tha se PDK-ja e vlerëson angazhimin e Rushitit në shoqërinë civile, por shtoi se “në këtë moment, nderi më i madh për vendin që mund të bëjë ajo do të ishte të largohej nga kjo garë”.

Ajo paralajmëroi se PDK-ja do të angazhohet për të parandaluar veprimet që i cilësoi të rrezikshme nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duke lënë të kuptohet se mund të organizohen protesta nëse shkohet tutje me votimin për president pa prezencën e opozitës në sallë.

“Kur një kryeministër zgjedh me vetëdije të plotë të shkelë Kushtetutën për pushtet të përkohshëm, ai bëhet rrezik për themelin e shtetit. Këtë nuk do ta lejojmë dhe këtë së bashku me qytetarët e Kosovës do ta parandalojmë”, tha ajo.

Ora 11:53
Veteranët e UÇK-së reagojnë për situatën në Kuvend: Respektoni Kushtetutën, mos rrezikoni stabilitetin

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është alarmuar lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar respektim strikt të Kushtetutës dhe ruajtje të stabilitetit institucional.

Në një reagim publik, OVL e UÇK-së thekson se çdo veprim i institucioneve duhet të jetë në përputhje të plotë me ligjin, duke paralajmëruar se lëvizjet që cenojnë kompetencat apo prishin frymën e bashkëpunimit mund të dëmtojnë seriozisht demokracinë.

“Proceset që dalin jashtë kornizës kushtetuese rrezikojnë stabilitetin dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në reagimin e tyre

Organizata u bën thirrje deputetëve të shumicës që të tregojnë maturi dhe përgjegjësi në vendimmarrje, duke garantuar procese të rregullta dhe gjithëpërfshirëse në Kuvend.

Veteranët theksojnë se do të mbeten të angazhuar në mbrojtje të rendit kushtetues, shtetit ligjor dhe institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tyre. janë ndërtuar mbi sakrificën e luftës çlirimtare.

Ora 11:49
Haradinaj thirrje deputetëve të Vetëvendosjes: Mos u bëni pjesë e turpit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, deklaroi se situata e krijuar në Kuvend rreth seancës për zgjedhjen e presidentit është e paprecedentë dhe e rrezikshme. Ai e cilësoi zhvillimin si shkelje kushtetuese, duke paralajmëruar se kushdo që merr pjesë në këtë seancë mund të përballet me pasoja të rënda.

“Është situatë ndryshe nga të gjitha zhvillimet që kam pa në Kosovë pas pavarësisë. Ata që ushtrojnë funksionet shtetërore dje kanë bë shkelje kushtetuese. Është një drejtim i rrezikshëm dhe u bëjë thirrje të ndalen, të mos vazhdojnë në këtë drejtim. Ruajtja e pushtetit, mbajtja, ardhja në pushtet është e mundshme duke respektuar Kushtetutën, demokracinë. Nëse shkojmë në këtë rrugë të rëndësishme po na pamundësojnë funksionet në bazë të Kushtetutës dhe nuk mendojnë rrugë tjetër pos t’i kthehemi popullit. I thërras vetëdijes së të gjithëve të mos bëhen pjesë e shkeljes kushtetuese, këtij turpi.Nëse bëhen pjesë e dhunimit të Kushtetutës, kësaj sjellje të rrezikshme, pasojat do të jenë të përjetshme për të gjithë ata që bëhen pjesë”, tha ai.

Ora 11:08
Opozita refuzon pjesëmarrjen, seanca për presidentin e Kosovës rinis në orën 14:00

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se opozita nuk ka asnjë motiv për të munguar në seancën e jashtëzakonshme për presidentin. Duke iu kërkuar sërish të marrin pjesë, ajo e shtyu seancën për në orën 14:00.

“E ftoj opozitën sërish që të vijë në seancën për zgjedhjen e presidentit dhe për t’u dhënë mundësinë që të jenë të pranishëm në këtë seancë, do ta vazhdojmë këtë seancë në orën 14:00”, tha Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit tha se duhet të jenë të pranishëm 2/3 e deputetëve, përveç atyre që kanë kërkuar leje, ku për këtë pjesë lexoi vetëm një kërkesë. Ajo tha se 120 deputetët “duhet të ndiejnë obligimin kushtetues.”

Ora 10:30
Kosovë, seanca e parë për Presidentin pa kuorum! Deputeti i Kurtit në mesazh: Po e zgjedhim ‘karate’ (VIDEO)

Në Kosovë pritet të nisë seanca e dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri, pasi tentativa e parë e së hënës nu kia arriti qëllimit. Por, zhvillimi I seancës së të hënës, ka ndezur debatet tek deputetët në Prishtinë pasi ajo nisi pa praninë e një kuorumi sipas përcaktimeve kushtetuese që udhëzojnë që seanca për zgjedhjen e Presidentit në Kosovë nis me praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë.

Krahas kësaj, një video e filmuar nga mediat në sallën e parlamentit të hënën në Prishtinë, tregon një nga deputetët e LVV, Naim Bardiqi, i cili komunikon në një pltformë mesazhesh më dikë për legjitimitetin e seancës.

Po e zgjedhim karate. Pastaj të shohim se çfarë thotë kushtetuesja”, shihet të shkruajë deputeti Bardiqi në këtë video.     

Bardiqi lë të kuptohet nëpërmjet metaforës së shkruar në mesazh, se seanca po zhvillohet me kokëfortësi dhe me vetëdijen se çështja mund të përfundojë më pas në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

 

 

 

Ora 10:27
Zgjedhja e presidentit, Kurti: Po përpiqemi maksimalisht, presim opozitën të marrë pjesë në votim

1777309103_albinkurti.jpg

Jashtë sallës së Kuvendit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur se do të bëjnë përpjekje maksimale për të zgjedhur presidentin.

Ai ka thënë se tani pritet të shihet nëse do të vijë opozita, ndërsa nuk është përgjigjur nëse do ta përkrahin propozimin e LDK për Vjosa Osmanin.

“Ne i bëjmë përpjekjet maksimale, tani ta shohim a do të vijnë deputetët e opozitës që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin, të marrin pjesë në votim”, është shprehur shkurt Kurti.

LDK ka refuzuar të jetë pjesë e kësaj seance. Megjithatë, sipas REL, Lumir Abdixhiku është parë të hyjë në godinën e Kuvendit.

Ora 08:11
Kosovë/ LDK propozon Vjosa Osmanin për presidente, i garanton 15 vota në Kuvend (VIDEO)

Lëvizja Demokratike e Kosovës ka mbledhur 15 firma të deputetëve për të treguar mbështetjen e tyre për Vjosa Osmanin si presidente e re e Kosovës.

LDK ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve në Kuvendi i Kosovës gjatë seancës për zgjedhjen e Presidentit, duke akuzuar Lëvizja Vetëvendosje për shkelje të rëndë kushtetuese. Në një dalje për media, kreu i LDK Lumir Abdixhiku ka deklaruar se nisja e votimit pa kuorum përbën përmbysje të rendit kushtetues dhe cenim të drejtpërdrejtë të shtetit.

“Sonte, në seancën e thirrur për Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje inicoi përmbysjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Sipas LDK-së, procedimi i votimit pa numrin e nevojshëm të deputetëve është sabotim i Kushtetutës.

“Nisja e procesit të votimit pa kuorum kushtetues përbën sabotim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe vetë shtetit” tha ai.