Holandë –Meksikë është një tjetër duel interesant i fazës së një të tetave të Kupës së Botës. Tulipanët do të kenë të gatshëm edhe kapitenin Van Persi në ndeshjen që luhet në orën 18:00 në stadiumin “Arena Kastelao” por trajneri Van Gal kritikon sërish FIFA-n duke qenë tepër i shqetësuar për temperaturat e larta dhe lagështirën.
 
“Të luhet një ndeshje në të tilla kushte nuk më duket normale. Meksikanet janë më të mësuar se ne, por unë kam besim se do bëjmë një ndeshje tëe madhe dhe do kualifikohemi. Një gjë është e sigurt që duhet të ketë ‘time out’”, përpunon Van Gal.
 
Në kampin e meksikanëve trajneri Migel Herrera në konferencë sqaron: “Në këtë fazë ose fiton ose shkon në shtëpi. Ne jemi përgatitur të bëjmë atë që kemi bërë deri tani, të respektojmë kundërshtarët, por edhe t’i sulmojmë ata, në këtë mënyrë ne do luajmë për ta fituar takimin”.
 
Në mbrëmje luhet edhe sfida e surprizave Kosta Rika-Greqi. Trajneri i Kosta Rikës, Pinto vlerëson kundërshtarin, por mendon pozitivisht. Në kampin grek, trajneri Fernando Santos nuk dëshiron një krahasim me titullin europian të fituar në vitin 2004, por premton kalimin e turit. Ai vlerëson maksimalisht kundërshtarët. Kosta Rika-Greqi luhet në orën 22:00 në arena “Pernambuko” në Recife.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)