Kroaci-Spanjë është një sfidë tjetër nga 1/8 e Euro 2020 që premton spektakël. Duke nisur nga ora 18:00 në Kopenhagen Spanja pasi i shënoi 5 gola Sllovakisë është në provim me nënkampionët e Botës.Trajneri Luis Enrique thotë se ka besim tek të gjithë futbollistët dhe mund të hedhë në fushë këdo nga ata që ka në dispozicion me objektivin për të kaluar në çerekfinale. Eric Garcia dhe Azpilicueta priten sërish titullar ndërsa dilema ka të bëjë më Moratën. Spanja u kualifikua si e dyta e grupit E.
Kroacia e pret me vetëbesim sfidën ndaj iberikëve megjithëse trajneri Dalic nuk do ketë në dispozicion dy lojtarë formacioni si Perisic e Lovren. Sërish loja e ballkanasve do përqëndrohet tek mesfusha cilësore e mbi të gjitha tek Luka Modric.
Një Francë e re hyn sot në skenë në Euro 2020. Me futbollistë të dëmtuar dhe në pritje të shkëlqimit të Mbappe kampionët e Botës përballen me Zvicrën në Bukuresht duke nisur nga ora 21:00. Trajneri Deschamps e ka pranuar se mund të ndryshojë skemë duke luajtur me tre qëndërmbrojtësa. Tekniku sqaron se për Zvicrën gëzon respekt të veçantë dhe paralajmëron se nuk do të jetë e lehtë.Mbrojtësi Lenglet pritet titullar së bashku me Varane dhe Kimpembe ndërsa Rabiot do luajë si mbrojtës i majtë. Treshja e sulmit nuk ndryshon me Benzema , Griezmann e Mbappe që deri tani ka qënë në hije.Asnjë gol apo asist për yllin francez. “Gjelat” e mbyllën grupin F në vend të parë.
Franca nuk ka humbur asnjë nga 6 ndeshjet zyrtare ndaj Zvicrës por në kampin e helvetëve nuk e shohin veten inferior. Trajneri Petkovic thotë se ndaj Francës duhet të jesh në 100% të formës ndërsa kapiteni Granit Xhaka kërkon që ekipi i tij të shkruajë historinë. Sa i përket formacionit priten titullar ata që mposhtën Turqinë me Xhakën e Shaqirin që nga minuta e parë./Pergatiti Andi Kapxhiu