E PLOTË/ Fjalimi në Kuvend i kryeministrit Rama për shkarkimin e Metës si President

E PLOTË/ Fjalimi në Kuvend i kryeministrit Rama për shkarkimin e Metës si President

Fjala e Kryeministrit Edi Rama përpara Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës si President i Republikës

“Kurrë mos e ndalo kundërshtarin që po gabon”, - thotë Napoleon Bonaparti.

Por sot, ne nuk jemi mbledhur këtu të ndalojmë një kundërshtarin tonë. Si kundërshtar i kësaj shumice qeverisëse, Ilir Meta nuk duhet ndaluar në qorrmarshimin e tij vetëshkatërrues, sa unikal, aq edhe vërtetë të trishtueshëm në historinë politike të këtij vendi.

Politikisht, ai na e bën shumë më të lehtë pozicionin tonë në sytë e popullit, sepse njerëzia e shohin tanimë, krejt lakuriq, të vërtetën e armiqësisë së egër të Ilir Metës ndaj shumicës sonë qeverisëse. Është një armiqësi e ushqyer nga dëshpërimin prej disfatës së turpshme të planit antikombëtar të hedhjes në erë të zgjedhjeve, që synonte si pasojë imediate pengmarrjen e drejtësisë dhe pengimin, mundësisht në pafundësi, të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian, por për këtë do flas pak më pas.

I kam ndjekur ndërkohë me një ndjenjë mëshire budallallëqet e fallxhores Monikë dhe akrobacitë e artistit Lul, sëbashku me mufkat e haxhiut Ilir, që nga shfajësimet e hatashme për disfatën e tyre, deri tek fajësimet e dëshpëruara në adresën tonë, lidhur me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje dhe me raportin paraprak të misionit të ODIHR-it.

Fatmirësisht e kam thënë disa herë gjatë fushatës se lufta e tyre për të prishur zgjedhjet me dhunë do rezultonte një vrimë në ujë, por kjo nuk do t’i pengonte ata të shpallnin fitoren e radhës. E kam ditur se do t’i numërojnë si mbështetës të revolucionit imagjinar shqiptarët jashtë shtetit, shqiptarët në shtëpi, shqiptarët në plazh. E vetmja gjë që nuk kam menduar është se do t’i numëronin gabim. Estradë hesapi, 7 herë 7 = 42.

Nuk ka më keq për humbësit, sesa të sillen si fitimtarë dhe nuk ka më mirë për fituesit, sesa humbësit që nuk duan ta kuptojnë pse kanë humbur. Premisë e sigurt që fituesit të vazhdojnë të fitojnë dhe humbësit të vazhdojnë të humbasin.

“85% e popullit refuzoi Ramën”, - thonë të shkretët. Janë po këta që thonë se të tërë shqiptarët kanë ikur nga Shqipëria, por kjo nuk i pengon t’i llogarisin të tërë, që nga të ikurit e ambasadave në korrikun e ’90-ës, si prezent në Shqipëri në 30 qershorin e fundit.

Janë po këta që e kundërshtojnë denbabaden përfshirjen e votës së emigrantëve në Kodin Zgjedhor, por me këtë rast përfitoj për të ritheksuar bindjen tonë se emigrantët duhet ta kenë të drejtën e votës, duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme dhe duan apo nuk duan udhëheqësit e opozitës rrugore, ne do ta përfshijmë votën e emigrantëve në Kodin Zgjedhor. Uroj edhe me dakordësinë e opozitës parlamentare.

Sidoqoftë, e vërteta e thjeshtë është se pjesëmarrja e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën në atmosferën mizerabël që u zhvilluan këto zgjedhje. Ne kemi marrë një përqindje më të lartë votash, sesa kishte koalicioni fitues që qeverisi Shqipërinë në vitin 2015, me vetëm 19.7%. Kemi marrë po ashtu një numër shumë më të madh votash për kandidatët, sesa pritshmëria jonë më optimiste nga një garë ku gjysma e tyre nuk kishin kundërshtar. Krahasuar me 4 vjet më parë kur ishim me kandidatë të përbashkët me LSI-në, ky numër është vetëm 4% më pak. Po të kishte qenë një garë normale, me kundërshtarë në çdo bashki dhe pa presionin e lartë, kriminal, me muaj të tërë e deri natën e fundit mbi zgjedhësit, pa diskutim, kjo përqindje do të ishte dukshëm më e lartë sesa ajo e vitit 2015.

Ta lexosh si refuzim popullor ndaj meje, ndaj nesh, përqindjen krejt normale të pjesëmarrjes në këto zgjedhje, të bombarduara me kërcënime e ta shohësh rezultatin tonë të këtyre zgjedhjeve si tkurrje elektorale e shumicës qeverisëse, do të thotë jo thjesht të mos dish çfarë flet, por të mos kuptosh se çfarë vjen më mbrapa.

Në fakt, qoftë zhvillimi i zgjedhjeve, qoftë rezultati ynë, por qoftë dhe analfabetizmi politik dhe verbëria kronike e udhëheqjes opozitare e tregojnë që sot, se pse ajo opozitë nuk ka asnjë shans rikthimi tek fitorja, zero, në zgjedhjet e viti 2021.

E pangushëllueshme është gjendja e përçartjes së tyre edhe kur thonë se raporti paraprak i misionit të ODIHR-it paskej konfirmuar opinionet e opozitës bojkotuese dhe të Presidentit protestues për këto zgjedhje. Në fakt, raporti paraprak ka pasqyruar me korrektesë një proces zgjedhor krejt anormal, ku duhet theksuar anormaliteti i sjelljes dhe shkelja e rëndë e Kushtetutës nga ana e Presidentit ka ndikuar në dreqosjen si s’ka më keq të procesit, i cili ishte për të ardhur keq, edhe pa salton mortale të Ilir Metës.

Mungesa e gjerë e besimit të publikut në procesin elektoral, e nënvizuar në raportin paraprak, është një fakt i pakontestueshëm, por është krejt e qartë se ka ardhur si pasojë e agresionit politik dhe kërcënimit të vazhdueshëm të dhunës mbi krejt procesin, si dhe padyshim për shkak të ndërhyrjes së dhunshme të Ilir Metës në proces me anti-dekretin e tij skandaloz.

Si mund të mos cenohej gjerësisht besimi tek zgjedhjet nën shantazhin e përmuajshëm dhe të përditshëm e të përnatshëm për mosmbajtjen e tyre. Ai shantazh dekurajoi dhe mpiu për një kohë të gjatë edhe vetë strukturat tona elektorale në territor, lëre pastaj simpatizantin politik, apo qytetarin e pavendosur.

Si mund të ruhej i patronditur thellësisht, besimi tek ky proces, pas rrëmujave logjike dhe fizike që provokoi Ilir Meta me zhdukjen e befasishme të datës së zgjedhjeve, apo me rishfaqjen e saj si një provim antikushtetues vjeshte?

Dizekuilibri politik i administratës zgjedhore dhe nevoja për depolitizim të komisionit të votimit janë gjithashtu, fakte të pakontestueshme të raportit. Dizekuilibri politik ishte reflektimi i drejtpërdrejtë i absurditetit të këtyre zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita kryesore, ndërsa politizimi i komisioneve është një fakt i njohur botërisht dhe i nënvizuar edhe në raportet e mëparshme të ODIHR-it.

Dua të jem shumë i qartë edhe në këtë pikë, sot. Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike. Do të duan, apo nuk do të duan bojkotuesit e këtyre zgjedhjeve që ikën, ne do ta depolitizojmë administratën zgjedhore, besoj edhe me mbështetjen e opozitës parlamentare. Misioni i ODIHR-it ka vërejtur se ka pasur probleme me cilësinë e procesit të verifikimit të të dhënave të adresave. Edhe ky aspekt kërkon vëmendjen e komisionit të Reformës Zgjedhorë për çdo përmirësim të mundshëm të këtij procesi, por sidoqoftë, vetë raporti e shpreh qartë se, në masë të madhe, kjo është shkaktuar nga fakti se listat e zgjedhësve që u afishuan fillimisht pranë KZAZ-ve dhe QV-ve u hoqën nga bashkitë e opozitës në mes të procesit zgjedhor. Ju kujtohet besoj se si në inercinë e revolucionit imagjinar, kryebashkiakët revolucionarë u lëshuan kundër listave dhe shkollave në mbrojtje të imagjinatës revolucionare të zotit President.  Si rrjedhojë, qorrat e çartur të revolucionit e kufizuan mundësinë e zgjedhësve për të verifikuar të dhënat e tyre.

Ah, po. Ka dhe një pikë tjetër, ku janë kapur si i mbyturi pas fijes së barit, edhe pas një shprehjeje të raportit, ku thuhet se KQZ-ja e interpretoi ligjin zgjedhor në mënyrë kreative. E vërtetë është edhe kjo. Por, po aq e vërtetë sa dhe fakti që përballë dëshpërimit kreativ të frontit të së keqes së këtyre zgjedhjeve, KQZ-së nuk i mbeti rrugë tjetër, veçse të rezistojë, duke mbrojtur frymën e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, për të shpëtuar zgjedhjet nga shkatërrimi i paralajmëruar, në kushtet kur, tanimë, 30 qershori i ka mbijetuar agresionit më të egër dhe më të turpshëm antidemokratik që politika e 30 viteve të fundit ka ndërmarrë ndonjëherë kundër interesit publik, lirisë së zgjedhjeve dhe të drejtës së zgjedhjeve, si dhe objektivit kombëtar të integrimit të Shqipërisë në familjen europiane, Ilir Meta, siç e thashë që në fillim, do ishte politikisht, për ne, një kundërshtar që s’duhet ndaluar të gabojë më tutje.

Ashtu i dizekuilibruar prej frikës nga drejtësia, i çoroditur prej disfatës së operacionit antikombëtar, që bashkëudhëhoqi me 3 kalorësit e tjerë të apokalipsit imagjinar, hakërrues dhe qesharak njëkohësisht, në pafuqinë e tij, ai është sot, faktikisht, një aset i vyer politik i kësaj shumice qeverisëse. Me atë lloj figurine kërcënuese në Presidencë, edhe më të pakënaqurit ndaj nesh do të trembeshin ta çonin votën gjetkë pas dy vitesh. Ndërsa ne do të ishim shumë më të tolerueshëm me gabimet tona, pasi krahasuar me atë shëmbëlltyrë kuptimplotë të destruktivitetit opozitar në Presidencë do dukeshim lule në sytë e gjykuesit popull.  

Mirëpo ne jemi të ndaluar ta përdorim kryetarin e shtetit si një gogozhel për të trembur zgjedhësit e pakënaqur ndaj nesh dhe jemi të detyruar ta ndalojmë Ilir Metën të gabojë më tej, sepse për ne, dinjitet i këtij shteti është më i rëndësishëm sesa çdo interes partiak, apo kalkulim elektoral.

Ilir Meta duhet hetuar dhe ndëshkuar deri në fund nga ky Kuvend dhe reagimi ynë ndaj tij, si deputetë të këtij Kuvendi, duhet të jetë frontal, përtej dallimeve tona politike dhe në emër të Kushtetutës, demokracisë parlamentare dhe vetë dinjitetit të shtetit shqiptar. Në këtë pikë, graviteti i parimeve themelore të Kuvendit, që na mbledh si përfaqësues të popullit, është një emërues që duhet të na bashkojë natyrshëm në vendim dhe në veprim, pavarësisht çdo interesi politik që natyrshëm na ndan.

Ilir Meta nuk është më thjesht kundërshtari i njohur i qeverisë.  Ai sot është armiku i hapur i vetë Kushtetutës së Shqipërisë.

Nuk është më thjesht frymëzuesi i ofensivës destruktive kundër zgjedhjeve dhe drejtësisë. Ai sot është armiku i deklaruar i vetë Parlamentit të Shqipërisë.

Nuk është më thjesht politikani i frikësuar deri në palcë nga reforma në drejtësi. Ai sot është vetë shëmbëlltyra e tërbimit të të tremburve nga drejtësia, i cili edhe me shtrirjen e rrezes së agresionit të tij mbi miqtë dhe partnerët amerikanë dhe europiane na turpëron të gjithëve, ne këtu si deputetë, edhe ty si qytetar, si popull, si shtet.

Si mund të ketë Shqipëria e sotme, Shqipëria në NATO, Shqipëria kandidate për në Bashkimin Europian, një kryetar shteti që duket si një aktor komik që imiton Presidentin e Republikës; Një kryetar shteti që, kur flet seriozisht, të bën për të qeshur dhe kur flet me të qeshur, të bën për të qarë; Një kryetar shteti që e parafytyron veten si një Vojo Kush me kravatë mbi çatinë e ambasadës së Bashkimit Europian dhe që e imagjinon ambasadën amerikane si topin ku vendos gjoksin e tij prej Mic Sokoli me kostum banjoje?!

Si mund të ketë Shqipëria e sotme, një kryetar shteti që arrin thotë në konferencë për shtyp se është gati të përballet me testin e shëndetit mendor, çka në fakt nuk ia ka kërkuar askush, edhe pse askush nuk ka mbetur pa pyetur veten se mos vallë ky njeri është realisht i ikur nga mendja e kokës. Po kjo pyetje nuk çon askund, madje mund të çojë në drejtim krejt të gabuar.  Sëmundja  e vërtetë e këtij kreu shteti, të futur në qorrsokakun e inatit pa krena, është ajo e atij personazhit të Dostojevskit, i cili gënjen veten, për të gënjyer të tjerët.

Si i tillë, ai nuk është gënjeshtar, por është i sëmurë.

Sfida më e madhe morale në jetë - thotë Dostojevski - nuk është të mos gënjesh të tjerët, por të mos vetëgënjehesh, sepse duke u vetëgënjyer, njeriu vjen në një pikë,  - ja kështu si Ilir Meta, - që nuk e kupton më, ku mbaron përjetimi i botës brenda kokës së vet dhe ku fillon bota reale jashtë rradakes së tij, çka shkakton një çoroditje ekstreme të marrëdhënieve mes individit të vetëgënjyer dhe gjithë dynjallëkut rreth e rrotull.

Por, nëse Ilir Meta mund t’ia lejojë vetes të ngatërrojë gjithë dynjanë me përçartjen e tij mes imagjinatës të harbuar nga frika e njeriut që shkon për në Tropojë dhe i duket sikur kalon nga burgu i Spaçit dhe realitetit politik e shoqëror, që i përplas në sy fakte dhe ndodhi, ndaj të cilave ai reagon me akte antikushtetuese dhe me shfaqe komike poshtërimi të institucionit të Presidentit të Republikës, ky Parlament s’mund t’ia lejojë vetes mbylljen e syve përballë këtij burimi destabiliteti politik, institucional, rrezikshmërie shoqërore dhe komedie ndërkombëtare.

Ilir Meta, ç’ është e vërteta, e ka shkelur Kushtetutën më shumë sesa një herë.

Më shumë sesa një herë, ai ka tentuar destabilizimin e qeverisë, duke penguar arbitrarisht, apo refuzuar harbutërisht, dekretimin e ministrave.

Më shumë sesa një herë, ai ka cenuar autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke komentuar politikisht, apo kthyer mbrapsht papërgjegjshmërisht ligjet e miratuara nga ky Parlament, pa llogaritur herët kur e ka fyer këtë Parlament, duke e quajtur ilegjitim, apo kur e ka kërcënuar, duke lënë të kuptohet se edhe mund ta shpërndajë fare.

Më shumë sesa një here, ai e ka prishur ekuilibrin e figurës së Presidentit të Republikës dhe ka dalë nga roli kushtetues i tij, duke luajtur role dhe lojëra që kurrë një president nuk ia ka lejuar vetes, jo vetëm këtu në Shqipëri, por në tërë historinë e demokracive parlamentare.

Aq larg ka shkuar në vandalizmat e tij kundër arsyes shtetërore, ky farë Presidenti, sa edhe vete paraardhësi i tij, një rreshter partiak me mendje të vobektë, duket sot si Jefferson, krahasuar me Ilir Metën.

Por këtë herë, Ilir meta ka tejkaluar edhe vetveten, bashkë me cakun e fundit të mundësisë sonë për ta duruar, pa reaguar institucionalisht, tejkalimin e tij. Këtë herë, ai ka luajtur deri në fund me zjarrin dhe ka bërë deri në fund gjithçka që plani i shëmtuar, i egër, i paturpshëm dhe i pafalshëm i zjarrvënies së Shqipërisë të mos dështonte.

Ilir Meta ndërhyri brutalisht në mes të fushatës zgjedhore me një antidekret çmendurak, një molotov zemërimi politik dhe lajthitjeje institucionale, për të ushqyer zjarrin në fikje të protestave të dëshpërimit të verbër opozitar. Me antidekretin e tij, ai nxiti përhapjen e dhunës në territoret e bashkive të drejtuara nga opozita dhe frymëzoi aktet e vandalizmit ndaj infrastrukturës zgjedhore, që nga djegiet kriminale të shkollave, deri tek kryengritja groteske e bravave.

Ai u kthye nga presidenti problematik i Shqipërisë, në tribunin patetik të lëvizjes haxhi qamiliste  kundër zgjedhjeve, duke fyer edhe miqtë e Shqipërisë me reagimet e tij dumbabdiste ndaj përfaqësive diplomatike në Shqipëri dhe me letrat e tij qesharake, drejtuar autoriteteve të larta ndërkombëtare, si të ishte qytetari dixhital që i ankohet doktorit për vjedhjen e mbathjeve të detit nga narkopolumbarët e gjirit të Lalzit.

Shkarkimi nga detyra ë lartë e kreut të shtetit e këtij personazhi, i cili risolli në skenën e historisë sonë si president Haxhi Qamilin, me vulën e tij proverbiale të kompanisë së eksport-importit të kafesë, është një lëvizje me detyrim-përcaktim i këtij Kuvendi dhe është një detyrim i çdo deputeti që nuk e ka harruar betimin përpara Kuvendit.

Ilir Meta nuk e ka mbushur kupën, por e ka derdhur dhe vazhdon ta derdhe atë përditë, duke na dhënë çdo ditë një arsye për t’u ndjerë të keqardhur për të si njeri, të neveritur me të si politikan dhe të alarmuar prej tij si mbajtësi i vulës së lartë që ka humbur të drejtën të jetë.

Por, natyrisht, ndryshe nga Ilir Meta që i ka kërcyer shtetit përsipër si të ishte një tank armik dhe që e përdor firmën si bombë për ta hedhur atë në erë, ne nuk mund ta përdorim fuqinë absolute të Kuvendit të Shqipërisë mbi Presidentin e republikës, si topin e Mato Grudës mbi sarajet e  Mere Fizit.

Me zakon, Ilir Meta duhej shkarkuar që ditën që u hodh si raketë antiamerikane nga tave e koranit të Faros në Pogradec, drejt avionëve imagjinarë të juntës ushtarake amerikano-shqiptare mbi pallatin presidencial në Tiranë. Por me ligj, ai mund të shkarkohet vetëm pasi komisioni hetimor parlamentar, që votojmë sot, të kryeje detyrimin kushtetues të hetimit të fakteve, të dëgjimit të dëshmive përkatëse dhe raportimit përpara Kuvendit të përfundimit të hetimeve mbi shkeljen e rëndë të Kushtetutës.

Ndryshe nga Ilir Meta që zgjodhi shembullin e forcës destruktive për interesa politike dhe vetjake, ne kemi zgjedhur forcën e shembullit ligjor dhe demokratik në mbrojtje të interesit kombëtar dhe dinjitetit të shtetit shqiptar. Krenar dhe të  palëkundur në këtë zgjedhje të drejtë dhe të qartë, ne do të respektojmë edhe në këtë rast, deri në fund, Kushtetutën, ligjin, shtetin.

Në mbyllje të kësaj fjalë, duke u bërë apel të gjithë deputeteve ta votojnë ngritjen e komisionit të posaçëm hetimor, pikërisht në emër të interesit kombëtar dhe dinjitetit të këtij Kuvendi, i bëj dhe një thirrje publike Ilir Metës, të reflektojë dhe ta grumbullojë veten e shpërndarë dhe ta mbledhë brenda kornizës së përgjegjësive të kompetencave të tij.

Të ndërpresë çdo sulm kundër përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian në Shqipëri, të ndërpresë çdo sulm ndaj Parlamentit, të cilin nuk ka dyfek presidencial që e cenon në legjitimitetin e vet, siç nuk ka dekret molotov që e shkurton mandatin e tij.

Të ndërpresë aktivitetin e tij të paligjshëm politik kundër qeverisë së Republikës së Shqipërisë, me të cilën duhet të sillet siç e kërkon Kushtetuta, jo siç e urdhërojnë zërat e brendshëm të realitetit imagjinar, ku është transferuar së fundmi.

Mirë do ishte të ndalonte edhe përgojimin e figurave heroike të historisë së këtij vendi, sepse paralelizmat mes tyre dhe figurës së tij keqinformojnë brezin e ri dhe stimulojnë agresivitetin e injorancës ndaj shoqërisë dhe shtetit ligjor. Por kjo mbetet sidoqoftë një vërejtje miqësore.

Duke i uruar punë të mbarë dhe të frytshme komisionit hetimor parlamentar, si dhe duke uruar që në emër të kësaj republike parlamentare, çdo deputet ta votojë ngritjen e tij, për të mos zhytur veten e tij në batakun ku Ilir Meta kërkon ta zhysë me imagjinatën e tij këtë Parlament, unë ju falënderoj të gjithëve për vëmendjen

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Shpërndanin kokainë me makinë dhe tentuan arratinë, arrestohet 24-vjeçari shqiptar, nën hetim shoku! Të dy me disa precedentë penalë

Itali/ Shpërndanin kokainë me makinë dhe tentuan arratinë, arrestohet 24-vjeçari shqiptar, nën hetim shoku! Të dy me disa precedentë penalë