Opozita dhe mbështetësit e saj zhvillojnë sot protestën e tyre të 9-të, në serinë e protestave antiqeveritare, të nisura në mesin e shkurtit të kaluar. Protesta e së shtunës është e para që do të zhvillohet në mbrëmje  dhe e treta në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë. Protestat e tjera janë zhvilluar në sheshin para Parlamentit.

Disa nga protestat e opozitës kanë degjeneruar në dhunë, ndërsa ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që të shmangen incidentet në tubimin e radhës që është sonte. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kanë kërkuar opozitës që protesta të mos jetë e dhunshme.

Mbrëmjen e djeshme ambasadori italian në Tiranë Alberto Cutillo në një intervistë për gazetarin Carlo Bollino ka kërkuar që protesta të jetë paqësore, pasi çdo element dhune përbën vijën e kuqe (lexo këtu). Të njëjtën gjë ka theksuar edhe ambasadorja gjermane Susanne Schütz. ”Protesta duhet të jetë paqësore, pasi ҫdo element dhune përbën vijë të kuqe”.

Faktori ndërkombëtar i ka kërkuar opozitës të rikthehet dhe të riangazhohet në procesin politik, duke marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Mesazhi më i freskët, drejtuar opozitës për të lënë sheshet dhe rrugët dhe marrë pjesë në procesin politik erdhi më 10 prill edhe nga SHBA, nga Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit, Metthew Palmer, që vizitoi Tiranën dhe i quajti bojkotin e zgjedhjeve dhe djegien e mandateve parlamentare "instrumenta thellësisht në kundërshtim me praktikat demokratike” dhe nxiti opozitën të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershori.