TIRANË- Katër orët e protestës së Sali Berishës në Tiranë degjeneruan në një sulm të dhunshëm me breshëri molotovësh e fishekzjarrësh ndaj vilës së diktatorit Enver Hoxha. Kreu i PD dhe kupola drejtuese ishin kujdesur ta mbanin sekret skenarin e protestës, përmes së cilës synonin largimin e Ramës, por duket se surpriza e vetme ishte pikërisht sulmi ndaj kësaj vile që dikur ishte simbol i diktaturës, por sot është kthyer në një qendër kulture që strehon artistë të huaj, nën kujdesin e një fondacioni të njohur ndërkombëtar ArtExplora.

Report Tv mësoi se 7 artistë ishin brenda në momentin e sulmit, si edhe 3 persona të tjerë pjesë e stafit, të cilëve iu rrezikua seriozisht jeta, pasi vila shihet e rrethuar nga flakët. Sali Berisha nuk u distancua nga sulmi me molotovë që rrezikoi jetën e artistëve dhe pyetjes së Report Tv iu përgjigj duke u hequr sikur nuk kishte dijeni që aty kishte aty ndodheshin artistë të huaj, ndonëse vila është kthyer në qendër kulture prej gati një viti.

“Ç’punë kanë të huajt aty? Kush tha, me asgjë në botë Rama nuk retushon dot figurën e Hitlerit shqiptar", tha Berisha. 

Momenti i sulmit me molotovë ndaj vilës së Enver Hoxhës gjeti të papërgatitur edhe vetë Policinë e Shtetit, pasi aty pranë nuk kishte masa dhe as efektivë. Breshëria e molotovëve jo vetëm që shkaktoi dëme brenda vilës, siç shihet edhe në pamjet ekskluzive të Report Tv, por terrorizoi edhe artistët që ishin brenda. Situata kaotike u normalizua me ndërhyrjen e policisë, e cila ndihmoi artistët që të dalin jashtë ambienteve të vilës dhe fatmirësisht nga sulmi i dhunshëm nuk u lëndua asnjëri prej tyre.  

Artistët alternohen çdo tre muaj. Në këtë periudhë janë të paktën 8 të tillë,  nga 6 vende të ndryshme të botës, që banojnë e punojnë në këtë rezidencë. Zona aty pranë u kthye brenda pak minutash në një fushë beteje mes policisë dhe manifestuesve që hidhnin seri bombash molotov.

Gazmend Bardhi deklaroi se “Shtëpia e Enverit shërben si një vilë ku Rama mbyll pazaret me krimin".

Ndërsa pak më vonë nga Selia e PD Berisha ofroi një skenar tjetër, sipas të cilit edhe këtu kishte gisht policia.

“Qytetarë dhe qytetare, në marshim e sipër agjentë të infiltruar të policisë kriminale mashtruan kryengritësit se në shtëpinë e ish-diktatorit banon Edi Rama. Dhe kjo ngjalli një revoltë të pakufishme dhe bëri ata që ata t’i përvishen asaj banese. E gjithë beteja ishte shpërthim urrejtje ndaj Edi Ramës dhe jo ndaj ndërtesave. Por, Edi Rama nuk banonte aty miq. Edi Rama banonte tek vila e Mehmet Shehut”, tha Berisha.

Sulmi ndaj rezidencës së artistëve ishte epilogu i sorollatjeve prej tre orësh të opozitës në kryeqytet. Ata u mblodhën përpara selisë së kryeministrit Edi Rama në orën 6.30, dhe pas një qëndrimi të shkurtër u nisën drejt zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të policisë. Një marshim nën shpërthimet e herëpashershme të molotovëve në koshat e mbeturinave.

Por një gardh i dendur i policisë ndërpreu udhëtimin në unazë pak metra larg Drejtorisë së Policisë. Përpjekjet për të carë barrikadën e uniformave blu, u sprapsën nga ndërhyrja me ujë hedhës dhe gazlotsjellës.

Nga ky moment, protestuesit që vetëm vinin duke u rralluar përgjatë ecjes, gjithë e shoqëruar nga hedhje molotovësh, bën pas dhe përshkuan unazën e vogël të qytetit, për të kaluar pranë elisë së partisë socialiste te drejtoria e policisë së Tiranës, drejt bllokut me përpjekjen e dështuar për t’u ndalur sërish para kryeministrisë

Nga selia e partisë së tij sërish Berisha do të fliste për një protesta madhështore, shoqëruar me kërcënimin se njerëzit e tij mund t’I drejtohen dhe banesës së Ramës. Sipas tij, marshimi i dha Tiranës dinjitet, por në të vërtetë të vetmet gjurmë janë ato të koshave të mbeturinave të nxira nga flakët e molotovëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:02
Berisha nuk distancohet nga sulmi me molotovë ndaj vilës së ish-diktatorit Hoxha, me artistë: Ç’punë kanë të huajt aty?

Sali Berisha nuk u distancua nga sulmi i dhunshëm me molotovë ndaj vilës së ish-diktatorit hoxha, ku iu rrezikua jeta 7 artistëve dhe 3 personave që shërbejnë si personel, në qendrën e kthyer rezidencë arti.

A kishit dijeni që kishte artistë brenda?

Berisha: Tani të them të vërtetën, për trashëgiminë e Hoxhës, kam zero, zero respekt. Pyeta çfarë ndodhi dhe më thanë ca njerëz me kostume të murrme, me uniforma të agjentëve të policisë kriminale, u thonë protestuesve se këtu banon Edi Rama dhe ata iu kthyen. Ata fishekzjarrë që u hodhën aty ishin kundër Ramës, urrejtje për Ramën, në fakt Rama nuk banonte aty, banonte te vila te Mehmet Shehut.

A keni ndjesë për artistë e huaj që ishin aty?

Berisha: Ç’punë kanë të huajt aty? Kush tha, me asgjë në botë Rama nuk retushon dot figurën e Hitlerit shqiptar.

Ora 22:01
Berisha i ankohet gazetarëve: Një i panjohur montoi një pajisje përgjuese në selinë e PD, është shumë e kushtueshme

 

Kryetari i Partisë Demokratike është shprehur se një pajisje e çuditshme, e dyshuar si pajisje përgjuese po montohej fshehurazi brenda selisë blu nga një person i panjohur.

Gjatë fjalës së tij në mbyllje të protestës, Berisha tha se pajisja ishte shumë e kushtueshme, por shtoi se do të merren ekspertët për të vërtetuar funksionalitetin e saj.

“A është e vërtetë se keni gjetur pajisje përgjimi brenda ambienteve të PD-së?”- e pyeti gazetarja-Berishën.

“Po, është e vërtetë. Ajo pajisje po studiohet. Punonjësit kanë kapur një person që ka ardhur këtu për të vendosur një pajisje. Çfarë është pajisja nuk mund të flas, sepse duhen teknikë të fushës. Por më thanë që është pajisje shumë e kushtueshme. Ai nuk largohet, kërkon mbrapsht pajisjen. Por pajisje nuk merr më ai, pa sjellë identitetin. E ka dërguar Ilir Proda dhe Vlora Agasi”, tha mes të tjerash Berisha.

Ora 21:46
Sulmi ndaj vilës së Enver Hoxhës me artistë, Berisha: Protestuesit kishin informacione se aty jetonte Edi Rama! Por kryeministri fshihet në vilën e Mehmet Shehut

 

Sali Berisha ka justifikuar sulmin e militantëve të tij në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, me argumentin se sipas tij protestuesit kishin informacion se aty qëndronte kryeministri Edi Rama.

“Një marshim triumfi si marshi juaj sot. Kjo datë, 28 shkurti, do të shkruhet në historinë e kryengritjes paqësore të shqiptarëve kundër narkoshtetit. Për 3 orë, marshi i juaj, ishte marshi i fitores, marshi i shqiptarëve, i dinjitetit, i guximit. Ishte mesazhi më i shkëlqyer që ju i dërguat çdo shqiptari, ishte mesazhi më i madh që i dërguar miqve tanë në Europë dhe botë. Ishte tmerri që i kalli datën Edi Ramës.

Në marshim e sipër, agjentë të infiltruar të Policisë Kriminale mashtruan kryengritësit se në shtëpinë e ish-diktatorit banon Edi Rama. Kjo ngjalli një revoltë të pakufishme dhe bëri që ata t’i përvisheshin asaj banese. Por Rama nuk banonte aty, banonte te vila e Mehmet Shehut. Edi Rama të dimë ku je, në Surrel ose te Vila e Mehmet Shehut”, tha mes të tjerash Berisha.

Ora 21:12
Molotovë e fishekzjarrë në mes të bllokut, militantët e PD sulmojnë edhe efektivët (VIDEO)

 

Përleshja mes militantëve te Partisë Demokratike dhe efektivëve po vijon në zonën e bllokut. Militantët kanë hedhur molotovë e fishekzjarrë ne mes të një prej zonave më të frekuentuara në Tiranë. Molotvë kishte edhe në drejtim të efektivëve, ndërsa policia po tenton t’i shpërndajë me ujë.

Ora 21:10
Brenda kishte shtetas të huaj, Bardhi: Normale që u sulmua vila e Enver Hoxhës, po përsëritet regjimi pas 35 vitesh

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi e quajti normale aktin vandal të protestuesve që sulmuan me breshëri molotovësh dhe fishekzjarrë vilën e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha.

“Edhe sot është përsëritur identike dhuna e paprecedentë e policë ndaj protestuesve paqësorë të opozitës. Ka qenë marshim paqësor. Jemi penguar në lirinë ton për të protestuar. Në drejtorinë e policisë na është bllokuar rruga he jemi sulmuar pa asnjë shkak me gaz lotsjellës. E njëjta ka ndodhur në policinë e Tiranës dhe kryesinë e Kuvendit. Ajo shërben si një vilë ku Rama mbyll pazaret te tij të krimit dhe korruptive. Është një simbol i diktaturës. Revolta qytetare kur shikojnë nuanca të atij regjimi të përsëriten pas 35 vitesh, është normale që të ketë revoltë. Nuk kam të dhëna se nuk jam administrator i godinës. Nuk ka asnjë të lënduar dhe të vetmit të lënduar janë protestuesit që janë sulmuar nga policia me gaz dhe ujë hedhëse. Derisa ishte në ministrinë e Brendshme ishte ministre e adresave dhe zare e Ramës tani është bërë zare e Belinda Ballukut dhe i uroj njëjtin fat. Protesutsit do të vazhdojnë marshimin deri në përfundimin e saj në selinë e PD”, tha Bardhi.

Ora 20:59
Pas marshimit me militantët në Tiranë, Berisha i hipën ‘Benzit’ luksoz dhe largohet nga protesta

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është larguar me ‘Benzin’ e tij luksoz nga protesta e PD-së, duke braktisur kështu militantët e tij, pas zjarrëvënies në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha dhe disa objekte të tjera në Tiranë.

Ora 20:59
Shkëlzen Berisha në protestë mes militantëve

 

Protestës së PD i është bashkuar edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit. Ai është filmuar mes militantëve, gjatë protestës.

Ora 20:49
Protesta e PD/ Breshëri molotovësh dhe fishekzjarrësh drejt vilës së Enver Hoxhës, brenda ndodhen artistë nga e gjithë bota (VIDEO)

Masivë molotovësh dhe mjetesh piroteknike janë hedhur drejt vilës së Enver Hoxhës në zonën e ish-Bllokut. Molotovë janë hedhur në ballkonet e vilës ndërsa brenda ndodheshin edhe të huaj, ndërtesë e cila tashmë është kthyer në qendër të artistëve. Report Tv mëson se brenda ndodhen mbi 10 persona, turistë të huaj nga e gjithë bota, përfshirë këtu Gjermania dhe Kina dhe personel i ndërtesës.

Ora 20:44
Flamur Noka flet me truprojën e Berishës, kreu i PD i përhumbur gjatë protestës (VIDEO)

Sali Berisha marshoi bashkë me militantët dhe deputetët e PD nëpër rrugët e Tiranës. Por, kreu i PD duket i përhumbur gjatë protestës, siç shihet edhe në këtë video që sjell Report Tv. Gjatë këtij momenti Flamur Noka bisedon me një prej truprojave të Berishës, por ky i fundit duket totalisht i përhumbur dhe nuk bën asnjë reagim.

Ora 20:32
Efektivët ngrenë barrikadën tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, protestuesit hedhin molotovë gjatë marshimit (PAMJE ME DRON)

 

Efektivët kanë ngritur një barrikadë në rrugën që të çon tek Drejtoria e Policisë së Tiranës për të bllokuar kalimin e protestuesve të udhëhequr nga Sali Berisha dhe nga deputetë të PD. Gjatë marshimit janë hedhur molotovë në koshat e mbeturinave.

Fillimisht ata shkuan tek Drejtoria e Policisë së Shtetit ku u shpërndanë me ujë e gaz lotsjellës. Ndërkohë numri i protestuesve nuk është më ai i fillimit. Nuk janë pak ata militantë që kanë braktisur ‘turin’ që do zhvillohet në kryeqytet.   

Ora 20:07
VIDEOLAJM/ Bardhi e Noka koordinojnë protestën me celular

Militantët e Sali Berishës marshuan nëpër rrugët e Tiranës, duke bllokuar qarkullimin e duke hedhur molotovë në koshat e plehrave.

Gjatë marshimit u shoqëruan edhe nga kupola drejtuese e PD dhe ndryshe nga herët e tjera kur skenari ishte i caktuar, me fjalim e molotovë drejt Kryeministrisë dhe Kuvendit, kësaj radhe koordinimi bëhej me celular përmes Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës.

Në një moment, Bardhi shihet teksa shkruan në celular, ndërsa u bën shenja militantëve që të kthehen djathtas. Më pas dallohet edhe Flamur Noka që flet në celular. 

Ora 20:02
Protesta e PD bllokon qarkullimin e automjeteve në Rrugën e Elbasanit, makinat e Berishës shkojnë pas turmës

 

Nga lëvizja e militantëve të Berishës, është krijuar trafik në rrugën e Elbasanit. Ndërkohë automjetet e Sali Berishës lëvizin pas turmës.

Ora 19:36
Protesta e PD/ I shtrirë dhe pa ndjenja, militanti dëmtohet pas hedhjes së gazit lotsjellës (VIDEO)

 

Një nga militantët e PD është dëmtuar dhe ka humbur ndjenjat pas hedhjes së gazit lotjesjllës nga efektivët e policisë.

Ora 19:35
Marshimi drejt Drejtorisë së Policisë së Shtetit/ Çahet kordoni i efektivëve, hidhet ujë e gaz lotsjellës drejt militantëve të PD (PAMJE ME DRON)

 

Militantët e PD-së kanë arritur që të çajnë kordonin e efektivëve, të cilët i bënë pritë protestuesve pak përpara drejtorisë së policisë. Për të ndaluar marshimin e tyre, është hedhur ujë e gaz lotsjellës duke bërë të mundur zhvendosjen disa metra pas.

Ora 19:35
‘Urdhrat i jep Suel Çela dhe Agasi’- Bardhi: Policia na doli në mes të rrugës, nuk lejon protestuesit të vazhdojnë marshimin

 

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se punonjës të Policisë u kanë dalë para protestuesve dhe nuk po i lejojnë që të vijojnë marshimin.

Bardhi tha gjithashtu se urdhërat punonjësit e Policisë i marrin nga Suel Çela dhe Ergys Agasi, të cilët sipas kreut të Grupit të PD-së, fshihen pas drejtorit të Policisë, Ilir Prodës.

“Urdhërat punonjësve të policisë u’a jep Suel Çela dhe Ergys Agasi. Po provohet në një protestë paqësore, Policia ka dalë në rrugë dhe nuk lejon protestuesit, deputetët e Kuvendit të vazhdojnë marshim protestën. Është e paprecedentë, tërësisht në shkelje të ligjit. Asnjë drejtues nuk vjen të komunikojë me deputetët, sepse urdhri nuk është ligjor. Suel Çela dhe Agasi janë në fytyrën e Ilir Prodës dhe i japin urdhëra Policisë”, tha mes të tjerash Bardhi.

Ora 19:27
Militantët e PD mbërrijnë tek Drejtoria e Policisë së Shtetit, shtyjnë dhe tentojnë të çajnë kordonin e krijuar nga efektivët

 

 

Militantët e PD dhe deputetët kanë mbërritur në pranë godinës së Drejtorisë së Policisë së Shtetit.

Kanë filluar konfrontimet e para të militantëve me efektivët.

 

Ora 19:26
Berisha dhe militantët drejt Drejtorisë së Policisë së Shtetit, efektivët u bëjnë pritë në mes të rrugës (VIDEO)

 

Një kordon policie është vendosur pak përpara godinës së drejtorisë së Policisë së Shtetit për t’i bllokuar rrugën militantëve të PD të kryesuar nga Sali Berisha dhe deputetët e tij marshojnë drejt këtij institucioni. Në momentin që deputetët e PD kanë parë kordonin e policisë, janë bërë mburojë e Berishës duke e kaluar pas vetes.

Gjatë rrugës, militantët kanë hedhur molotovë. Ky është një skenar ndryshe nga herët e tjera. Në protestat e mëparshme protesta është zhvilluar vetëm përpara kryeministrisë dhe godinës së Parlamentit ndërsa kësaj radhe në shënjestër është vendosur Drejtoria e Policisë së Shtetit.

Ora 19:20
Molotovë teksa kreu i PD fliste, Berisha e pranon që hidhen nga militantët e tij: Shpërthime të revoltës (VIDEO)

 

Militantët e Berishës kanë hedhur në mënyrë të vazhdueshme molotovë, teksa janë drejtuar nga godina e Kryeministrisë për te godina e Drejtorisë Qëndrore të Policisë së Shtetit.

Madje molotovë u hodhën edhe gjatë momentit kur kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte duke folur për mediat.

Berisha gjatë fjalës së tij e pranoi që militantët e tij hidhnin molotovë, por shtoi se ato ishin elementë diversiteti dhe shprehje e revoltës.

“Protesta sot ka formën e një marshimi revoltë për të shprehur zemërimin popullor ndaj qeverisë shqiptare dhe anëtarëve të saj. Pra për t’i thënë Ramës, jo një lubi, por edhe 30 lubi po të largosh, do jesh ti dhe vetëm ti objekti kryesor i revoltës popullore. Kazus i betejës sonë deri në largimin e tij është Edi Rama, gjeneratori i gjithë të këqijave të lidhura me regjimin e tij. Ndaj edhe largimi i njërit apo tjetrit përbëjnë vetëm përpjekjet e dëshpëruara të tij për të ruajtur lëkurën e tij.

Këto molotovë janë elementë diversiteti. Këto janë shpërthime të revoltës si mund ta shihni. Aty është një nga kryebanditët e narkoshtetit që quhet Ilir Proda. Ndaj edhe revolta shkon aty për t’i thënë atij se aq sa e ka të ardhmen Edi Rama, aq e ke edhe ti. Në zyrën e tij është edhe Ergys Agasi. Kjo nuk është revoltë ndaj policëve të thjeshtë, por ndaj këtij banditi që është një nga njerëzit më të rrezikshëm të narkoshtetit”, tha mes të tjerash Berisha.

Ora 19:12
VIDEO/ Akte vandale, momenti kur militantët e Berishës hedhin molotovë në koshat e mbeturinave dhe në derën e një biznesi (VIDEO)

Militantët e Berishës kanë hedhur molotovët e parë në këtë protestë në disa kosha mbeturinash afër urës së Lanës në Rrugën e Elbasanit si dhe në derën e një biznesi privat.

Protestuesit të drejtuar nga Berisha dhe deputetë të opozitës po marshojnë drejt Drejtorisë së Policisë së Shtetit.

Ora 19:02
Protesta e PD/ Nuk hedhin asnjë molotov, militantët e kupola e PD largohen nga Kryeministria, nisen drejt Drejtorisë së Policisë së Shtetit (PAMJE ME DRON)

 

Sali Berisha dhe funksionarët e PD janë larguar nga Kryeministria. Ata po largohen nga godina qeveritare pa hedhur asnjë molotov dhe po drejtohen drejt Policisë së Shtetit.

Ora 18:53
Protesta-marshim e PD, skenari ndryshe i opozitës! Xhiro nga kryeministria drejt institucioneve

1772301269_marshimi.jpg

Skenari i deklaruar nga demokratët këtë protestë është marshimi drejt institucioneve, ndryshe sipas PD, në pikat më të korruptuara të qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Marshimi do të nisë që nga kryeministria. PD kërkon rrëzimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore.

 

Ora 18:49
PAMJET ME DRON/ Berisha protestë para Kryeministrisë, tkurret numri i militantëve

Report Tv sjell pamjet me dron para Kryeministrisë, ku Sali Berisha po zhvillon protestën e radhës. Ndryshe nga herët e tjera, në protestë nuk ka fjalime, ndërsa pamjet me dron tregojnë një pjesëmarrje të ulët. Kreut të PD i janë bashkuar në protestë vetëm militantët besnikë, ndonëse numri i tyre duket se është në rënie

Ora 18:47
‘Grupi i zjarrit’ pas Berishës, të rinj me maska e kapuçë kryesohen nga Balliu, Këlliçi dhe Gjin Gjoni (VIDEO)

Edhe këtë herë ‘grupi i zjarrit’ shoqëron nga pas Sali Berishën nga selia blu drejt kryeministrisë. Të rinj me maska e kapuçë dhe me çana në krah lëvizin me turmën që kryesohet nga Klevis Balliu, Belind Këlliçi dhe Gjin Gjoni. Këta persona kujdesen që fytyra e tyre të jetë e fshehur që mos të identifikohen në rastet kur kryejnë akte dhune. 

Ora 18:32
‘Nuk do t’i gjeni asnjë gjurmë’, pas kërcënimeve të Berishës, selia e PS rrethohet nga oficerë të policisë

 

Selia e Partisë Socialiste është rrethuar nga forca të policisë. Marrja e masave vjen pas kërcënimeve të vazhdueshme të Sali Berishës, i cili drejtuar PS dhe Edi Ramës, ka thënë se do t’i zhdukë selitë e PS që nga protesta e fundit e zhvilluar më datë 20 shkurt.

Berisha pretendoi se selia e PD është sulmuar brutalisht me urdhër të Ramës dhe për këtë ai ka paralajmëruar ‘hakmarrje’.

Ora 18:31
Berisha del nga selia i shoqëruar nga militantët, marshojnë drejt Kryeministrisë

 

Kreu i PD, Sali Berisha ka dalë nga selia blu i shoqëruar nga militantët dhe po marshojnë në drejtim të Kryeministrisë. Krah Berishës, shfaqen edhe Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj.

Ora 18:07
Protesta e PD-së/ Mbërrijnë përpara kryeministrisë militantët e parë, të tjerë po presin daljen e Berishës nga selia

 

Kanë mbërritur përpara kryeministrisë militantët e parë, pjesëmarrës në protestën e radhës të Partisë Demokratike. Pjesa tjetër e protestuesve ndodhen në ambientet e jashtme të selisë blu në pritje të daljes të Sali Berishës, një formë kjo për të treguar dhe nisjen zyrtare të tubimit.

Ora 18:00
Pritet të nisë protesta e PD, Berisha mbërrin në seli, pritet nga militantët

 

Në pritje të nisjes së protestës, Sali Berisha ka mbërritur në selinë e PD ku është pritur nga militantët.

Ora 17:33
Protesta e PD/ Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ i boshatisur, policia në gatishmëri mbrapa kryeministrisë

 

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është i boshatisur. Ndryshe nga herët e tjera në protestat e organizuara nga PD, kësaj radhe nuk ka një podium.

Ndërkohë në pjesën e pasme të kryeministrisë janë në gatishmëri forcat policore e autobotë uji, masa të marra në raste të akteve të dhunës që tashmë janë bërë të zakonshme nga militantët e Sali Berishës.

Ora 17:17
Protesta e Partisë Demokratike/ Militanti i Berishës shkon me pranga në duar në selinë blu (VIDEO)

Militantët kanë mbërritur tashmë në selinë blu në pritje të Sali Berishës. Një prej protestuesve kësaj radhe, përveç veshjes me shkrime kundër qeverisë aktuale, ka vendosur dhe pranga në duar.