Në orën 19:00 Partizani kampion i Shqipërisë do të luajë sot ndeshjen e kthimit për turin e parë eliminator të Champions League në transfertë kundër Karabag. Tek të kuqtë shpresat për kaulifikim janë të mëdha pasi në këtë 90 minutësh do t’u mjaftonte edhe një barazim me gola pasi ndeshja e parë është mbyllur me porta të paprekura.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes trajneri Lerda e ka bërë të qartë se Partizani nuk vjen si turist për këtë sfidë dhe se do të synojë kualifikimin pavarësisht se skuadrat kanë diferenca të frikshme në buxhet. Ndërkohë nga ana tjetër trajneri i Karabag ka përsëritur edhe një herë shqetësimin se i druhet kundërsulmit të shpejtë të skuadrës shqiptare.
Sa i përket formacionit pritet që Partizani t’i besojë 11-shes së ndeshjes së parë, të paktën në 45 minutat e para të sfidës. Trashi me shumë mundësi do ta nisë edhe njëherë nga stoli, ndërsa në majë të sulmit nuk do të ketë një sulmues të mirëfilltë pasi si Braun dhe Solomon nuk janë në kondicionin e duhur fizik.