TIRANË – Shtyhet sërish në GJKKO seanca paraprake për dosjen “Meta”, me të pandehur Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe tre të tjerë. Shkak i shtyrjes së seancës  së sotme, ku i pranishëm ishte edhe vetë Meta, është bërë kërkesa e avokatit tjetër të tij, Gylsen Zhllima, për t’u njohur me aktet e dosjes.

Po ashtu, edhe vetë kreu i PL-së ka kërkuar që të njihet me një pjesë të akteve, pasi pretendoi se i është vënë në dispozicion vetëm kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq. Gjykata e ka pranuar kërkesën e tij, ndërkohë që pritet të shihet mënyra se si do t’i vihen në dispozicion këto akte.

Pas seancës, avokati Kujtim Cakrani theksoi se Meta do të jetë i pranishëm në çdo seancë gjyqësore. Ai foli edhe për kërkesën e Metës për të dëshmuar për krimin shtetëror të 21 janarit, teksa tha se krahas dëshmisë, ai do të japë edhe dokumente që kanë qenë sekrete deri më tani.

“Zoti Meta do të jetë në çdo seancë, do të përballet me çëshjen. Ai nuk është njeri që fshihet, por përballet. Këtë e ka treguar. Do të jetë për të dëgjuar çdo pretendim dhe do të bëjë çdo parashtrim për akuzat e ngritura.

Jemi në pritje të një përgjigje nëse zoti Alfred Shehu. Ai do të jetë në dispozicion të japë shpjegimet e tij, jo vetëm me fjalë por që do t’i pasqyrojë me prova, akte dhe dokumente që deri sot nuk janë bërë publike për shkak të konfidencialitetit të tyre. Janë edhe sekret shtetëror, që aksesin e ka vetëm organi i procedurës”, u shpreh Cakrani.

Po ashtu, edhe Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën ish-presidentit për masën e 'arrestit në burg’, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO. 

Më herët, seancat janë shtyrë për shkak të kërkesave të avokatëve për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja me argumentin se është në konflikt interesi pasi po hetohet nga SPAK për akuzat e ngritura më herët nga Sali Berisha se ka fshehur një dënim për falsifikim dokumentesh në Greqi. Avokati i Metës po ashtu pretendon se SPAK ka shkelur procedurën me paraqitjen e provave të reja lidhur me lobimin e LSI në SHBA, në një kohë kur hetimet për dosjen i ka mbyllur që në korrik.

Kreu i PL i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, me pretendimin se vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit që kanë lënë në fuqi masën e arrestit janë antikushtetuese dhe cenojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Meta, në paraburgim që prej tetorit 2024, këmbëngul me kërkesën e tij se po mbahet në qeli pa akuzë.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash e mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Meta ndodhet në burg që nga tetori 2024, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje.