TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur zyrtarisht hetimet për dosjen Meta-Kryemadhi dhe po bëhet gati ta depozitojë në GJKKO. Këtë të hënë Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, prokurorët e dosjes e cila përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror, kanë nisur t’i komunikojnë të pandehurve dhe avokatëve te tyre mbrojtës mbylljen e hetimeve, ndërsa zbulohet se mes të akuzuarve zyrtarisht është edhe nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi.

Ish-vjehrra e Ilir Metës është marrë disa here në pyetje gjatë fazës së hetimeve, për shkak se SPAK thotë se ka ndihmuar ish çiftin të pastrojë paratë. Megjithatë ende është e paqartë se cilat janë akuzat zyrtare që rëndojnë ndaj Fatime Kryemadhit.

Ish-vjehrra e Ilir Metës, u paraqit këtë të hënë në SPAK për t’u njohur me akuzën, por u largua pasi oficeret e Byrosë Kombëtare të Hetimit i kanë kërkuar që të gjejë një tjetër avokat, jo njëjtin me të cilin mbrohet e hetuara tjetër Ema Çokut.

Kjo e fundit u mor e pandehur për akuzën e pastrimit të parave  në bashkëpunim, ndërsa ish-kreut të AKEP, Piro Xhixho, babai i deputetes Erisa Xhixho iu komunikua e njëjta akuzë që kishte gjatë hetimit “korrupsionit pasiv”.

Për tu njohur me përfundimin e hetimeve Monika Kryemadhi është thirrur për tu paraqitur të martën në orën 13.00, së bashku me avokatin mbrojtës.

Ndërkohë që vetë Meta, të cilit statusi i të pandehurit iu komunikua që më 29 maj, do të paraqitet në ditët në vijim për të marrë dosjen e përfunduar të hetimeve. Atyre iu komunikuan akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Meta që prej 21 tetorit të kaluar ndodhet në arrest me burg, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje, të dy të akuzuar për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Kryemadhi-Meta, tashmë ligjërisht të divorcuar, akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët.

TË PANDEHUR
Ilir Meta; korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie
Monika Kryemadhi; korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie
Pirro Xhixho; korrupsion pasiv
Ema Çokupastrim parash
Fatime Kryemadhi