LIVE- Debate dhe akuza në seancën maratonë në Kuvend, 16 pika në rendin e ditës! 'Sherr' për faljen e gjobave! Bardhi: Po shkelni Kushtetutën!

Tiranë- Në Kuvend ka nisur senaca maratonë, e cila në rendin e ditës ka pikën e saj më të rëndësishme, projektligjin e propozuar nga deputeti socialist Erjon Braçe, për faljen e gjobave në disa kategori (anulim-shfuqizimin), aq shumë i debatuar dhe kundërshtuar nga opozita.

Nuk mungojnë debatet, tensionet dhe akuzat nga opozita drejt mazhorancës, sidomos për nismën e faljes së gjobave në disa kategori, por edhe cenimi i zonave të mbrojtura. Deputeti Agron Shehaj akuzoi ministren Belinda Balluku që shmang një interpelancë prej 6 muajsh për skandalin e Thumanë-Kashar, kostoja e të cilës në koncesion sipas tij, shkon në 3 mld euro nga xhepat e shqiptarëve. Ai akuzoi se Balluku ka kohë për të hedhur valle dhe para për të shpenzuar në festat e PS, por jo për interpelancën dhe pensionet e ndihmat ekonomike të familjeve.

Kurse deputeti demokrat Gazment Bardhi akuzoi kryeparlamentaren Elisa Spiropali se po shkelte Kushtetutën duke e futur në rend dite projektligjin për faljen e gjobave, duke mos respektuar afatet.

Ai tha se edhe PD ka propozime dhe duhej diskutuar një herë sipas afatit, para se të kalonte për miratim. Deputetja Ina Zhupa 'shigjetoi' ministren Mirela Kumbaro, duke thënë se 'ka ngritur qofterinë e parë në Butrint', duke dhënë zonat e mbrojtura te investitorët strategjikë që janë klientelistë të pushtetit dhe afër tij.

Çfarë parashikon rendi i ditës dhe 16 pikat që diskutohen

Seanca ka në rend ditë 16 pika të saj, duke nisur me miratimin e procesverbalit të vendimeve të seancës së kaluar, njoftimet. Pika për faljen e gjobave është e 11-ta në rend. Opozita ka bërë gati amendamente për shtimin e disa pikave të tjera, që janë falja edhe e gjobave apo kamatave për faturat e energjisë elektrike.

Një pikë e nxehtë mbetet edhe interpelanca e ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e kërkuar nga deputetja Ina Zhupa. Akti normativ për tatimin mbi të ardhurat, ratifikimi i marrëveshjes me Bankën Europiane për Zhvillim për laboratorët inteligjentë, projektligji për të dhënat personale, ratifikimi i disa konventave për vendime gjyqësore të huaja. Gjithashtu miratimi i projektligjit për Forcën Rezerviste, audituesit ligjorë, trajtimi i të dënuarve dhe të paraburgosurve, shtesat dhe ndryshimet për organikën dhe pagat e KPA-së së Vetingut, reforma e paktit për fëmijët dhe diskutime të tjera jashtë rendit të ditës.

Mazhoranca pritet të miratojë me votë në Parlament këtë projektligj që më pas do të hyjë në fuqi dhe do zbatohet, teksa përfshin gjobat që nga 1 Janari 2015 dhe më pas. Por ky ligj duhet të hyjë në fuqi para datës 11 Janar, për shkak se pas kësaj date është e pamundur për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit dhe konsiderohet si një nismë për proces elektoral.

Fillimisht diskutimet u bënë në Komisionin e Ligjeve, ku deputeti Braçe shpjegoi arsyet e nismës dhe kategoritë, kurse më pas mori miratim në Komisionin e Ekonomisë. Edhe qeveria, me anë të ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, e mbështeti këtë projektligj.

Sipas miratimit në Komision, parashikohet të falen (anulim-shfuqizim) gjobat; për ndërtimet në zonat rurale e qytet, me qëllim strehimin individual (nuk përfshihen gjobat e marra për shtesa pallatesh, etj.). Gjobat e ndërtimit për qëllime bujqësore e blegtorale vetëm në fshat, gjobat e AKU vetëm për njësitë agro-përpunuese në zona rurale, si dhe shkeljet e rregullave gjatë pandemisë.  

Por gjithashtu do falen gjobat e këtyre kategorive, qoftë të vendosura nga IKMT, inspektoratet vendore, Policia e Shtetit apo Policitë bashkiake.

(Kliko këtu për të lexuar rendin e ditës)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:50
Kuvend/ Falja e gjobave, Bardhi akuzon Spiropalin dhe PS: Jeni në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, ka efekte financiare, duhen diskutime sipas afatit

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën qeverisëse se po fut me një procedurë antikushtetuese të përshpejtuar dhe pa konsultime dhe diskutime një projektligj për faljen e gjobave në disa kategori, që është pika më e rëndësishme e rendit të ditës në Parlament ditën e sotme.

Deputeti i PD nga foltorja e Kuvendit drejtoi gishtin nga kolegët e PS se kanë qëllime elektorale dhe se kryeparlamentarja Elisa Spiropali po kryente një shkelje të rëndë.

“Shqyrtimi i projektligjeve nuk mund të kalojë të paktën 2 javë nga momenti i propozimit, përveç rasteve të veçanta ku parashikon rregullorja. Pra duhet data 19 apo 20 ditë për të nisur shqyrtimi. Përveçse në procedura të përshpejtuara. Afatet janë dhënë që diskutimet të jenë sa më reale, deputetët të japin idetë e veta. Të kemi mundësi të thërrasim grupet e interesit, për ta bërë ligjin siç duhet. Je në shkelje të kushtetutës, është ligj me efekte financiare, është vendim i Këshillit të Ministrave, pa pasur vendim me firmë të Këshilllit të Ministrave, është shkelje e procedurës dhe e bën antikushtetues këtë projektligj. Së paku sa i takon procedurës parlamentare të procesimit të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Propozime që janë në dobi të qytetarëve që do e prezantojmë kur të vijë momenti”, tha ai.

Më tej ai apeloi që t’i qëndrohej rregullores dhe Kushtetutës.

“Detyra e Kuvendit është t’i qëndrojë strikt Kushtetutës dhe procedurës parlamentare. Keni shkelur çdo procedurë parlamentare me ligjin e faljes se gjobave. Nuk ka asnjë vendim të seancës plenare për të shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar këtë ligj. Ju e keni fut në shkelje të rregullores. Afatet nuk janë vendosur kot, afatet janë vendosur që diskutimi të jetë real. Jeni në shkelje të Kushtetutës, është ligj me efekte financiare  dhe do duhej të kishte mendim nga ana e Këshillit të Ministrave. Sa i takon thelbit të ligjit ne kemi bërë propozime reale”, tha ligjvënësi.

Ora 10:49
Basha: Rama kërkon të pengojë punën e SPAK me çdo kusht, qeveria më e korruptuar në Ballkan

1734601833_basha.jpg

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat në oborrin e Kuvendit, është shprehur se qeveria e Edi Ramës më e korruptuara në Ballkan, ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të penguar punën e SPAK. Basha theksoi se retorika mbështetëse për SPAK është vetëm për shoë, pasi veprimet e qeverisë, përfshirë ato të kryeministrit, zëvendëskryeministres, dhe ministrave, janë të fokusuar në pengimin e strukturave të drejtësisë.

Një prej tyre, sipas tij është edhe bllokimi i propozimeve të Demokratëve Euroatlantikë që do të ndihmonin në forcimin e SPAK. Ai gjithashtu theksoi mbështetjen masive të qytetarëve për SPAK, të cilët kërkojnë një fund të korrupsionit dhe të pandëshkueshmërisë.

“E kësaj qeverie e cila ndodhet nën ankthin e aferave të shumta korruptive, se fjalët i merr era. Se pas fjalëve gjoja mbështetje ndaj SPAK, fshihet veprimtaria e qëlllimtë e ditë për ditshme, e natë përnatshme e kryeministrit të vendit, e zëvendëskryeministres së vendit, e kryetarit të bashkisë së  Tiranës, e ministrave dhe ish-ministrave të Edi Ramës, për të penguar me çdo kusht dhe me çdo çmim punën e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion. Tashmë është e qartë si nga Brukseli dhe nga Uashingtoni, qeveria e Shqipërisë është qeveria më e korruptuar në Balllkan. Tashmë që çdo raport tregon me gisht Edi Ramën si arkitektin e një sistemi ku korrupsioni është kthyer në bitkoinin kryesor të marrëdhënieve mes politikës, oligarkisë dhe krimit të organizuar, është e qartë që SPAK me gjithë përkushtimin e tij në luftë kundër korrupsionit, përbën kërcënim jetik jo thjesht për pushtetin por edhe për përballjen e Edi Ramës me drejtësinë. Por kjo nuk mund të jetë kurrsesi një realitet në një vend ku shumica dërrmuese e shqiptarëve, siç tregohet studim pas studimi, mbështesin SPAK sepse duan t’i japin fund jo thjesht aferave korruptive që i kanë marrë frymën ekonomisë, që kanë shkatërruar familjet shqiptare, që kanë vënë në rrezik të ardhmen e fëmijëve shqiptarë, por edhe pse duan pas 34 vitesh tranzicioni në dukje të pafund, t’i japin fund korrupsionit dhe t’i japin fund aferave të pushtetarëve dhe një pseudodrejtësie që të mbronte në vend që të godiste të korruptuarit shqiptarë duke krijuar kulturën e pandëshkueshmërisë. Prandaj dua ta them edhe njëherë fare qartë se teatri me mbështetje me fjalë bëhet për të mbuluar të vërtetën dhe e vërteta është siç e tregon edhe bllokimi një vjeçar edhe i propozimeve tona në ndihmë të SPAK, se Edi Rama dhe qeveria e tij janë në një kurs përplasjesh dhe konflikti interesi me SPAK. Nuk ka asnjë arsye tjetër se pse këto amendamente, në kundërshtim total me çdo praktikë parlamentare nuk futen në rendin e ditës, nuk çohen në komisionin e ligjeve, nuk diskutohen. Sepse diskutimi i tyre do t’i nxirrte zbuluar” – u shpreh Basha.

Ora 10:42
Interpelanca me Kumbaron, Zhupa: Po betonizoni zonat e mbrojtura, qofteri në Butrint. Ministrja më duargjatë, keni dhënë 5,8 mln m2 tokë

Po mbahet interpelanca me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e kërkuar nga deputetja e PD, Ina Zhupa. Ligjvënësja akuzoi qeverinë dhe ministren se po betonizon me ligje zonat e mbrojtura duke ia dhënë investitorëve strategjikë klientelistë dhe gaztorëve të pushtetit.

Madje ajo hodhi dyshime se Kumbaro u bë ministre për qëllimin e vetëm për t’i prishur zonat e mbrojtura, duke e quajtur “ministren më duargjatë”.

Ina Zhupa:
“Ligj klientelist ai i zonave të mbrojtura. Kumbaro ministrja më jetëgjatë, sepse është edhe më duargjata. I hapi rrugë shkatërrimit të Teatrit Kombëtar. Ishte ajo që hapi qofterinë e parë në Butrint dhe bëri marrëveshjen me ADF për Butrintin dhe bëri betonizimin. Bëri heqjen e pikave të mbrojtjes së zonave dhe hapi rrugën për betonime. Po shtyni për të pestën herë afatin e ligjit për investimet strategjike. E bëri se me ligjin e përkohshëm të vitit 2018, që e keni shtyrë 4 herë dhe po e bëni për të pestën herë, keni dhënë 5,8 mln metër katrorë tokë në gjithë vendin investitorëve strategjike.

Ju jeni terroristë mjedisorë. Pasi e keni mbaruar gjithë tokën publike që mund t’i jepni investitorëve strategjikë, tani po planifikoni hyrjen në zonat e mbrojtura, ku i përfshirë është edhe Edi Rama. Jo vetëm po shtyni afatin, por propozoni që ti jepen investitorëve edhe brigjet e lumenjve liqeneve etj,. Për stacione plazhi, oburra merrini dhe shkatërrojeni këtë vend. Kush ishin investitorët e huaj që thithën investimet strategjikë? Klientët e pushtetit, familjarë të Xhaçkës, gaztorët e oborrit! Këta ishin investitorët strategjikë? Për këta e bëtë? I hapët rrugë investimeve në Manastir, Plazhin e Pasqyrave, të Marinës etj., të gjitha zona të mbrojtura para se të vinte si ministre Kumbaro. Por edhe në Vjosë, Nartë, Velipojë, Divjakë, Karavasta dhe Kune. Keni futur zona të thella malore si të mbrojtura dhe keni hequr ato bregdetare për t’i hapur rrugë investimeve. Si ka mundësi që keni 9 vendime të pakonsultuara me asnjë ekspert? Si ka mundësi nuk ke bërë një ligj në mbrojtje të zonave të mbrojtura dhe jo betonizimit”.

Ora 10:25
Debate në Kuvend/ Shehaj akuzon Ballukun: Ka 6 muaj shmang interpelancën, 3 mld euro Thumanë-Kashar, skandal! S’ka lekë për pensione, por hedh valle në festat e PS

Ka nisur me debate dhe akuza të forta seanca plenare në Parlament, ku janë në rend ditë 16 pika, mes tyre edhe ai i faljes së gjobave.

Opozita akuzon mazhorancën se ka shkelur procedurat. Por ishte deputeti Agron Shehaj që nxori në pah një tjetër detaj, neglizhencën e një interpelance të kërkuar prej tij për rrugën Thumanë-Kashar, me ministren e Infrastrukturës, njëkohësisht zv/kryeministren Belinda Balluku.

Ai akuzoi Ballukun për harxhime parash për festat e PS duke hedhur valle dhe thënë se s’kishte kohë për interpelancën, si dhe skandalin e 20 km rrugë me një kontratë koncesionare me vlerë 3 mld euro në xhepat e qytetarëve.

“Kanë kaluar të paktën 6 muaj në lidhje me interpelancën që kam kërkuar me Ballukun dhe përsëri nuk po ndodh. Kanë ndodhur interpelanca të tjera, por nuk ka ndodhur kjo, sepse nuk keni vendosur dot datën. Vendoseni vetë datën, ministrja tha isha unë po s’ishe ti. Por duhet të vendosni ju, kam 6 muaj që e kam bërë.

Rekord me rrugën Thumanë-Kashar, 20 km nga 10 vite kontratë në 35 vjeçare, janë 3 mld euro nga paratë e shqiptarëve, nuk mund të fshiheni. Kishte reaguar me një çarçaf sharjesh e ofendimesh dhe me thelbin nuk ishte marrë, që keni vjedhur, duhet të jepni llogari. 
Më çoi mesazh se ishte e zënë këtë javë, por ku shoh një postim, e shoh se hidhte valle me militantët e PS për festa. Ky është skandal! S’ka lekë për pensionet, arsimin, etj., thoni s’ka para, por ka për festat e PS-së! Kur vjen puna për vjedhjet skandaloze të një rruge 20 km ju fshiheni. Keni vjedhur paratë e qytetarëve. Mund të na thoni kur do bëhet, apo është e paprekshme ministrja Balluku”, tha Shehaj. 

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali reagoi duke thënë se Balluku ndodhej jashtë vendit dhe se do vendosej në kalendar interpelanca.

“Ministrja është jashtë shtetit, do caktohet në kalendar sipas procedurës dhe do njoftoheni”, tha ajo.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Kupa e Ligës, Liverpool e Arsenal në gjysmëfinale! Atalanta dhe Roma goleadë në Itali (VIDEO)

Kupa e Ligës, Liverpool e Arsenal në gjysmëfinale! Atalanta dhe Roma goleadë në Itali (VIDEO)