Seanca paraprake në GJKKO ndaj ish-ministrit të Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetajt, i cili ndodhet në arrati, në lidhje me privatizimin e fabrikës 'Buka', është shtyrë. Shkak për këtë është bërë mungesa e prokurorit, ndërsa seanca e radhës është caktuar më datë 16 shkurt.

Në dosjen e siguruar ekskluzivisht nga Report Tv, SPAK rendit një sërë shkeljesh që janë bërë me dashje nga Ahmetaj, për privatizimin e Buka e cila sot njihet si qendra tregtare “Emerald”, që i solli një dëm prej 7 miliardë lekësh shtetit dhe pronarëve legjitimë, familjes Myderizi. 

Edhe pse trashëgimtari legjitim i pronës prej 7680 m2 në tokën gjithsej prej 30 mijë metrave katrorë në rrugën 5 Maji në Tiranë, ku ndodhej edhe fabrika Buka me 6370 m2  e saj, ia kujtonte vazhdimisht me shkresa vendimet e gjykatave Ahmetaj asnjëherë nuk e ndali procesin e ankandit kur në fundore përfitoi biznesmeni Lirim Fezollari, me të cilin sipas SPAK kishte njohje të gjatë.

Më 7 dhjetor SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi në GJKKO dosjen në ngarkim të ish-zëvendës kryeministrit. 

Ish-zv.kryeministri, ndodhet në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dy procedimeve të mëparshme të bashkuar në një të vetëm, për “Fshehje të pasurisë",  “Korrupsion pasiv" dhe “Pastrim parash”. Atij i janë sekuestruar disa pasuri dhe prona dhe një pjesë e tyre dyshohet të jenë vënë falë marrëdhënies me pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri që ndodhen po ashtu në kërkim.