Seanca paraprake në GJKKO për dosjen e Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe tre të tjerëve është shtyrë për në datën 27 nëntor, ora 12:30. Shkak u bë mungesa e avokatit Kujtim Cakrani pasi ndodhej në një proces gjyqësor në Lezhë.
Edhe më 11 nëntor seanca u shty për shkak të kërkesës së avokatit të Metës, Kujtim Cakrani për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja. Avokati, i cili braktisi seancën, tha se së pari gjykata duhet të shprehet për këtë kërkesë të bërë më herët prej tyre.
Sipas tij, gjyqtarja Gjoka është në konflikt interesi pasi po hetohet nga SPAK për akuzat e ngritura më herët nga Sali Berisha se ka fshehur një dënim për falsifikim dokumentesh në Greqi. Mbrojtësi i Metës kërkoi gjithashtu që dosja të kthehet për hetim në SPAK, duke argumentuar se Prokuroria e Posaçme ka shkelur procedurën duke dërguar një provë të re që lidhet me pagesat për lobimin e LSI-së në SHBA, ndërkohë që hetimet i ka mbyllur që më 28 korrik dhe e ka çuar dosjen për gjykim.
Një kërkesë të tillë e bëri me dije edhe Monika Kryemadhi pas daljes nga gjykata duke pretenduar se nuk ka prova të reja të ardhura nga SHBA, por se bëhet fjalë thjesht për kthimin e përgjigjes lidhur me letërporosinë që u bë një vit më parë nga SPAK.
Provat e reja të ardhura nga SHBA u paraqitën nga SPAK në seancën e kaluar të seancës paraprake. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Meta ndodhet në burg që prej tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje.
Komente










