'Open Balkan' në Beograd! Rama-Vuçiç-Dimitrov: Kjo nismë që njerëzit tanë të jetojnë më mirë, në dhjetor në Tiranë deklarojmë fitoret e deritanishme! Pas një viti e gjysmë asnjë pengesë në kufi

Pas një viti e gjysmë Serbia-Shqipëria-Maqedonia e Veriut nuk do të kenë më asnjë pengesë në kufi për njerëzit e tyre dhe se do të kalojnë lirisht në këto tre vende. Ky premtim është konfirmuar edhe një herë nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç nga Beogradi në takimin e radhës në kuadër të 'Open Balkan'.  Në konferencën e përbashkët për shtyp të Vuçiç, Ramës dhe zv. kryeministrit maqedonas. Për 3 drejtuesit e 3 vendeve "Open Balkan" është një lëvizje që ka vetëm një qëllim, përmirësimin e jetës për qytetarët.  

Samiti i radhës që do të mbahet në Tiranë do të jetë i rëndësishëm pasi do të bëhen bilancet e arritjeve të deritanishme dhe do të nënshkruhet edhe memorandumi i lejeve të punës.  Teksa i bënë thirrje vendeve të tjera të rajonit t’i bashkohen kësaj nisme, që në thelb është ekonomike dhe jo politike, Rama e Vuçiç u ndalën edhe te refuzimi i Kosovës për t'ju bashkuar Ballkanit të Hapur, duke nënvizuar se dyert janë të hapura.

Për shkak të situatës së brendshme politike, kryeministri maqedonas nuk mori pjesë në takimin e Beogradit, por zëvendësi i tij Nikolla Dimitrov, garantoi se dorëheqja e Zoran Zaev nuk rrezikon tërheqjen nga Open Balkan.

Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Dimitrov mbërritën mbrëmjen e djeshme në Beograd, ku u pritën për darkë nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Kësaj darke iu bashkua edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, që po përfundon vizitën zyrtare në Serbi, por nuk do të jetë pjesë e takimit të sotëm të 'Open Balkan'.

Në kuadër të projektit ambicioz për të gjithë rajonin, që Ballkani më në fund të lërë prapa krahëve shekujt ndasi, 'Open Balkan', Kryeministri  Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, më 29 korrikun e kaluar, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. Nisma për bashkëpunim rajonal u përkrahën edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE dhe Gjermania e cila doli në një deklaratë ku kërkoi me urgjencë që të nënshkruhet marrëveshja për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor. Megjithatë kësaj nisme s’po i bashkohet Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, mendon se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin.

 

 

 

 

 

VIDEO+FOTO nga takimi

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:50
Rama thumbon mungesën e Malit të Zi në 'Open Balkan': Pret të futet vitin tjetër në BE, por të shohim nëse do futet apo jo! Ne na sheh më mbrapa

Kryeministri Edi Rama ka thumbuar mungesën e Malit të Zi në nismën e 'Open Balkan' duke thënë se ajo nuk bashkohet se na sheh ne si vene pak më mbrapa dhe shpreson se vitin tjetër do të hyjë në BE. Do ta shohim do hyjë apo jo tha Rama por kur të hyjë atëherë do të përkrahë nismën 'Open Balkan'.

“Mali i Zi pret që të futet vitin tjetër në Bashkimin Europian. Këtë gjë ma ka thënë kryeministri vetë. Unë e mirëkuptoj dhe i kam thënë që vitin tjetër ju prisni që të futeni dhe po u futët ne do u kemi avokat më shumë për Ballkanin e Hapur për ta mbrojtur. Por të shohim nëse do futet apo jo. Unë uroj që vërtetë të futet në BE. Nuk e kemi informacionin që qenka gati kjo punë. Kur ta futi Bashkimi Europian. Jam i bindur që do ta mbështesin Ballkanin e Hapur, se ne na shikon si vende që jemi pak më mbrapa. Nëse nuk futet ne i kemi thënë Bujrum hajde futu këtu tani se BE nuk e detyrojmë ne kur na fut", tha Rama

Ora 13:00
Rama mesazh Kosovës dhe Bosnjes: Mos u çudisni kur kompanitë tuaja të vijnë para qeverive në 'Open Balkan'

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si arsye të mosarsyet mungesën e tyre në 'Open Balkan' duke thënë se nuk duhet të çuditen kur kompanitë etyre t'i afrohen kësaj nisme më shpejt se qeveritë .

 "Arsyet se përse të tjerët janë skeptikë, i kam dëgjuar. I kam dëgjuar arsyet e Malit të Zi, Bosnjës dhe të Kosovës, por i konsideroj arsye të mosarsyes. Ju thatë që duket sikur Ballkani i Hapur janë për interesat ekonomike të këtyre tre vendeve. Patjetër që unë jam këtu për interesat ekonomike të Shqipërisë, për çfarë duhet të jem këtu për interesat ekonomike të Gjermanisë, Kinës? Interesat ekonomike të Shqipërisë drejtpërdrejt fuqizohen nga Ballkani i Hapur. Në dhjetor kur ne të bëjmë takimin në samitin e radhës në Tiranë dhe kur t’i dorëzojmë të gjitha atyre sipërmarrjeve që takuam sot, që kanë ndërveprim me vendet respektive, çfarë kemi konkluduar si zbatim i procesit të Berlinit dhe kur t’i përfshijmë kompanitë që kanë lidhje tregtare mes këtyre vendeve në një kanal jeshil, po ju them mos u habisni që kompanitë nga Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova do kërkojnë të vijnë para qeverive, për të mos pasur probleme kur hyjnë në kufijtë e vendeve tona. Mos u çudisni! Kjo nuk është një tekë, as konspiracion, as iluzion halucinant, kjo është një kërkesë ulëritëse ekonomitë tona, e njerëzve, qytetarëve, sipërmarrësve, studentëve, akademikëve, njerëzve që duan të lëvizin për turizëm. Ne na duhet gjithçka për ekonominë tonë dhe ne do bëjmë gjithçka”, deklaroi Rama.

Ora 12:47
Rama: Kush ngre teori konspirative për Open Balkan, ta dijë se bostani nga Konispoli në Bosnje bëhet 'frutë i thatë' për shkak të pengesave në kufi

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur të gjithë kritikëve apo vendeve skeptike në lidhje me nismën 'Open Balkan' duke thënë se nuk duhet të ngrenë teori konspirative rreth kësaj çështje, por se duhet ta dinë se gjithçka bëhet për lehtësimin e kufijve dhe heqjen  e barrierave duke lehtësuar barrën e fermerëve dhe bizneseve në kufi ku nga qëndrimi i gjatë u prishen produktet.

" Ka intervenim të vazhdueshëm të njerëzve real dhe këto njerëz vuajnë peshën marramendëse të kufijve dhe 4 palë burokracive. A vihet dot në diskutim e drejta e tyre se dikush nga një kolltuk i studios televizive ngre teori konspirative për Ballkanin e Hapur.  A mund dot që të gjithë këto njerëz nga Konispoli  për të çuar produktet tyre në Maqedoni e Bosnje ju duhet të bëjnë rrugën e Mangalenit. Deri kur të nis bostani nga Konispoli, në Bosnje është bërë frutë i thatë", tha Rama.

Rama foli edhe për rastin e mospranimit të Kosovës për shkak atë marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se mosdakordësitë politike i zgjidhnin përmes dialogut që është një rrugë më vetë. Në këtë nismë ajo do të hyjë e barabartë për të përmirësuar jetën njerëzve dhe nxitur ekonominë.

"Është e thënë e rithënë që të 3 vendet pa dallim janë të ftuara të vijnë dhe të punojnë bashkë me ne për njerëzit e tyre. Çështja e mosdakordësisë ka dialogun e vetë dhe rrugën e vetë. Nëse të 6 vende marrin pjesë në nismën e Ballkanit të Hapur , atëherë edhe për Kosovën dhe Bosnjën do të jetë shumë më e mirë atmosfera për të trajtuar çështje të tjera", tha Rama.

Ora 12:32
Problemet me Kosovën? Vuçiç: Ne këtu po bëjmë gjëra shumë të mira për qytetarët tanë


Presidenti serb, Vuçiç ka refuzuar që t'i përgjigjet pyetjes se a ka kuptim 'Open Balkan' kur kihet parasysh një sherr me Kosovën për targat. Ai ka thënë se në këtë nismë po bëhet gjithccka e mirë për qytetarët e të gjithë rajonit.

"Nuk i shoh problemet e shtatorit siç i shihni ju por nuk dua t'i hyj kësaj. Ne i kemi hapur dyert Prishtinës, Sarajevës dhe Podgoricës. Të tre ne së bashku me delegacionet tona kemi hyrë në thelbin e problemeve dhe po përpiqemi t'i zgjidhim këto probleme. Ne po e bëjmë këtë për të mirën e qytetarëve tanë dhe pse duhet të justifikohemi për këtë? Pse duhet t'ia shpjegojmë gjithkujt gjithccka", tha Vuçiç.

Ora 12:31
Del Maqedonia e Veriut nga 'Open Balkan' nëse ka ndërrim pushteti? Dimitrov: Qytetarët tanë duan bashkëpunim rajonal


Për zv. kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, asnjë rrezik nuk ka që vendi i tij të largohet nga 'Open Balkan' edhe nëse ka ndërrim pushteti pasi sipas tij janë qytetarët ata që e duan.

"Unë nuk mendoj se situata në skenën politike maqedonase ka arritur në fazën e konkurrencës në politikë. Do të ishte mirë ta kishim. Shumica e qytetarëve të Maqedonisë duan të ecin përpara, dhe kjo në radhë të parë nënkupton fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal. Një ditë do të ndodhë që të ketë ndryshim të pushtetit por vullneti i qytetarëve është i tillë që gjithkush të vijë në pushtet të ecë përpara. Kështu që nuk shoh ndonjë rrezik për të dalë jashtë vendi im. Është e rëndësishme që të mbetet pjesë e kësaj nisme", tha Dimitrov.

Ora 12:19
Rama: 'Open Balkan' gjithëpërfshirës, s'mund të presim t'u mbushet mendja edhe atyre që bëjnë sikur s'e kuptojnë

Kryeministri Edi Rama tha se nisma Open Balkan nxit zhvillimin ekonomik dhe është gjithëpërfshirës për të gjitha vendet e rajonit, edhe pse aktualisht i janë bashkuar vetëm 3 vende. Ai tha se kjo është njësi e zbatimit të procesit të Berlinit që ecën më shpejt për rajonin dhe nuk lejon vendet e rajonit të kthehen në karikaturë e Këshillit Europian.

"Procesi i Berlinit është një proces që pasi ka vendosur një kornizë kriteresh ka mbetur në rrugë nga një samit në tjetrin çdo vit dhe çdo vit e më qartësisht në pamundësi por të zbatuar ato që thuhen është krijuar kjo nisëm që është vetëm një njësi  e zbatimit të procesit të Berlinit duke përshpejtuar dhe duke monitoruar zbatimin. Ballkani i Hapur është për të 6 vendet dhe ndryshe nga procesi i Berlinit nuk merret dot peng nga asnjë vend. Nuk mund të rrimë si një karikaturë e Këshillit Europian. Kemi ripërcaktuar edhe një herë për të gjithë ato që bëjnë sikur nuk kuptojnë apo nuk duan të kuptojnë se Ballkani i Hapur ta kuptojnë se kjo nisëm është gjithëpërfshirëse dhe është i të gjithëve, por Shqipëria, Serbia e Maqedonia nuk do të presin sa t'u mbushet mendja të tjerëve. Kjo është një mundësi ekonomike për të gjithë dhe nevojë për fermerët, studentët dhe qytetarët tanë", tha Rama.

Ora 12:17
Dimitrov: Në Tiranë do të deklarojmë fitoret e deritanishme, e rëndësishme që nisma të mbetet e hapur

 

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, është shprehur nga Beogradi se në dhjetor në Tiranë do të shpalosen fitoret e deritanishme të nismës.

"Bashkëpunimi rajonal është një zgjedhje e zgjuar, zgjedhja e duhur dhe zgjedhja evropiane. Rëndësia që Maqedonia e Veriut i jep kësaj nisme është pikërisht në këtë drejtim. Kjo nismë synon që të ndërtojë solidaritet duke u zhvilluar, duke ndërtuar një treg të përbashkët rajonal. Gjithçka do të realizohet vetëm me vullnet politik që duhet të përkthehet në zgjidhje legjislative, çka do të thotë marrëveshje ndërkombëtare. Ne kemi hapur bisedime të sinqerta me bizneset. Ata humbasin shumë me procedura burokratike. Në Tiranë do të deklarojmë fitoret e deritanishme. Është shumë e rëndësishme që nisma të mbetet e hapur për të gjitha vendet e rajonit. Besoj se sa më të vendosur të jemi për të ecur përpara aq më të besueshme do të bëjmë nismën edhe për vendet e tjera", tha Dimitrov.

Ora 12:11
Rama: Të lehtësojmë kufijtë që nga janari për fermerët dhe kompanitë! Një treg i përbashkët përthith investime direkte

Kryeminsitri Edi Rama tha se është i lumtur që nga janari 2022 do të nisin përpjekjet për lehtësimin e  kalimit në kufi për produktet e fermerëve dhe kompanive. Ai tha se një treg i përbashkët është shumë më i fuqishëm dhe përthith më shumë investime direkte.

Rama tha se shumë shpejt do të ketë edhe një studim ku do të raportohen të gjitha avantazhet dhe disavantazhes për nismën "Open Balkan' në të gjithë rajonin, jo vetëm mes tre vendeve.

'Secili në mënyrën e vet vuajnë kufijtë dhe pritjet dhe barrën e rëndë të burokracisë së agjencive dhe kontrolleve në kufi. Më vjen mirë që jemi fokusuar aty ku është edhe thelbi i kësaj nisme, si të zgjerojmë ekonomitë tona dhe tregjet tanë që mbeten tregje të vogla , por nëse integrohen me njëra tjetrën kthehen në një treg të rëndësishëm, jo vetëm për aktorët tanë të tregut, por edhe investimet e huaja direkte në këtë zonë. Që të përfitojmë më shumë investime të huaja direkte të ofrojmë një hapësirë më të gjerë. Sot na u dha mundësia të ballafaqohemi me sipërmarrësit nga të tre vendet. Të gjithë njëzëri në mbështetje të Ballkanit të Hapur ata na kërkuan që atë që nënshkruajmë këtu të kthehet në një realitet të prekshëm për ta në kufi, aty ku fillojnë problemet. Kemi takuar edhe Këshillin e Atlantikut në mbështetje jo vetë të nisëm në parim por edhe përpjekjes që të njihemi me rezultatet e përfundimtare të një studimi të përgjithshëm që do të prezantohen në  Tiranë për përfitimet dhe dizavantazhet për këtë nisëm jo vetëm për  3 vendet tona, por për të gjithë rajonin.   Gjatë 8 muajve të fundit fluksi i turistëve në Shqipërisë nga Serbia është rritu 63 % dhe nga Maqedoni 20 %, janë shifra që flasin jo vetëm për rritjen e energjisë pozitive në rajon të Ballkanit të Hapur.

Ora 11:58
Vuçiç: Në Tiranë nënshkruajmë memorandumin e lejeve të punës! Bizneset 100% dakord me këtë nismë

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në konferencën e përbashkët me Ramën dhe Dimitrov, dha pikatat kryesore të bisedimeve të deritanishme. Vuçiç tha se gjithçka bëhet që njerëzit të jetojnë më mirë.

"Do të flas me terma konkrete të cilat i biseduam me bashkëbiseduesit e mi. Do të them diçka në lidhje me takimet që kemi zhvilluar dhe me çfarë do të arrijmë në periudhën që vjen. Patëm takim me biznesin dhe pamë që të gjithë përfaqësuesit e biznesit janë pro kësaj nisme dhe shikojnë benefite. Ne besojmë fort që Ballkani i hapur do të bëjë ndryshime të mëdha. Kjo nismë u hap për njerëzit që jetojnë në çdo qytet dhe fshat tonin. Ne vendosëm sot për krijimin e Këshillit të Zbatimit të Marrëveshjeve. Ne jemi mirënjohës edhe aleatëve tanë për mbështetjen. Puna jonë periudhën që pason është të shohim se ku kemi pasur gjëra që nuk kanë ndodhur në terren. Njerëzit tanë për një vit,  1 vit e gjysmë të mos kenë asnjë pengesë kufitare. Askush të mos ndalojë askënd në kufi. kjo do të forcojë ekonomitë tona. Askush nuk po ndërhyn në çështje politike, por thjesht që njerëzit tanë të jetojnë. Takimi ynë i radhës do të jetë pas Krishtlindjeve katolike në Shqipëri. Data do të përcaktojë. Do ta nënshkruajmë atje edhe memorandumin e lejeve të punës, njerëzit tanë do të punojnë lirisht", tha Vuçiç.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hajri: 04/11/2021 17:17

    Pale kur te fluturoje sateliti Air-Albania ne hapesire caso bejn keta duke i puthur kembet Rames.Mjere shqiperia ku eshte katandisur.

    Përgjigju
  • Qytetari h: 04/11/2021 14:15

    Lereni deklaratat para mediave, publikoni marreveshjet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Era e fortë në Lezhë, mbesin pa energji elektrike disa zona! Mjeteve të vogla të peshkimit iu kërkohet të mos dalin në breg

Era e fortë në Lezhë, mbesin pa energji elektrike disa zona! Mjeteve të vogla të peshkimit iu kërkohet të mos dalin në breg