Pas pushimeve për shkak të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, elita e futbollit shqiptar rikthehet sot në fushë me tre takime. Duke nisur nga ora 16:00 në fushë zbresin katër skuadra.

Në Rrogozhinë, kampionët në fuqi të Egnatias do luajnë kundër Bylisit. Ekipi i Mirel Josës do kërkojë surprizën në 'Arena Egnatia', duke kërkuar t'i bëjë dëm vendasve.

Po në këtë orar, në "Niko Dovana" të Durrësit luhet Vora - Teuta. Edhe pse si miq, Teuta luan në shtëpinë e saj pasi vorakët ende nuk e kanë gati stadiumin, duke gjetur një marrëveshje midis klubeve.

Mbrëmja sjell duelin Dinamo - AF Elbasani. Në orën 19:00 në "Air Albania" të dyja skuadrat do kërkojnë tri pikët. AF Elbasani kërkon suksesin e pestë radhazi për t'u gdhirë në krye.

Raundi i 12-të i Superligës mbyllet të dielën me takimet Flamurtari - KF Tirana dhe Partizani - Vllaznia. Janë shkodranët dhe AF Elbasani që me 23 pikë ndajnë kreun e renditjes.

Superliga, raundi 12-të:

E shtunë, 22 nëntor 2025

16:00 Egnatia - Bylis

16:00 Vora - Teuta

19:00 Dinamo - AF Elbasani

E diel, 23 nëntor 2025 - 16:30

Flamurtari - KF Tirana

Partizani - Vllaznia

Renditja:

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:11
Ndeshja kundër Bylisit, Edlir Tetova: Të zgjidhim ngërçin e golit, kemi nëntë rezultate pozitive

Egnatia dhe Bylisi luajnë sot në orën 16:00 në stadiumin e Rrogozhinës. Për mediet foli trajneri i Egnatias, Edlir Tetova. Ai u ndal te vështirësia e ekipit të tij për të shënuar, por tha se kanë punuar gjatë kësaj kohe dhe vijnë nga nëntë ndeshje me rezultat pozitiv.

"Sa ka përfituar skuadra nga ndalesa e kampionatit?

Sigurisht që kjo javë ka sjellë përfitimet e veta, sepse çdo pushim shërben për mirë. Na ka ndikuar pozitivisht për lojtarët e rinj që janë bashkuar me skuadrën, në mënyrë që të bashkohen më shumë me grupin dhe të jenë të përfshirë më mirë në manovër gjatë lojës.

A ka ndonjë presion para kësaj ndeshjeje me Bylisin?

Jo, nuk besoj se ka presion. Fokusi është te Egnatia, te loja jonë. Mendoj se ne duhet të kryejmë detyrat dhe të shkojmë drejt portës kundërshtare me ide të qarta.

Sa të rëndësishme janë pikët në këtë ndeshje për t’u rikthyer në një ritëm pozitiv?

Vijmë pas nëntë rezultateve pozitive dhe vetëm një negative. Normalisht jemi në një rrugë të mirë, por objektivi i vetëm janë tre pikët.

Shumë raste, por pak gola. Sa ju shqetëson ky fakt dhe çfarë do të ndryshoni?

Kemi punuar para portës dhe thuajse çdo ushtrim e kemi lidhur me finalizimin. Shqetësim është kur ekipi nuk shkon drejt portës, por edhe ky është një ngërç që do ta zgjidhim.

Ku kërkoni ende përmirësime?

Mendoj se duhet të rrisim manovrën dhe shpejtësinë e reagimit në pasime.

Mendoni se afrimet e reja kanë ende nevojë për kohë?

Ka lojtarë që janë ende pak mbrapa në këtë aspekt. Kemi punuar dhe po shohim gjëra të mira nga dita në ditë dhe shpresoj që të arrijnë sa më shpejt ritmin me grupin.

A është ekipi në parametrat e duhur fizikë për të përballuar ndeshjet e ngjeshura?

Sigurisht që po. Kemi një grupim lojtarësh që mund të përballojnë shumë mirë rotacionin dhe ndeshjet e shpeshta. Po bëj rotacion në çdo ndeshje, sepse në janar ndeshjet do të ngjeshen edhe më shumë dhe mendoj se jemi gati për këtë situatë", tha Edlir Tetova.