Egnatia dhe Bylisi luajnë sot në orën 16:00 në stadiumin e Rrogozhinës. Për mediet foli trajneri i Egnatias, Edlir Tetova. Ai u ndal te vështirësia e ekipit të tij për të shënuar, por tha se kanë punuar gjatë kësaj kohe dhe vijnë nga nëntë ndeshje me rezultat pozitiv.

"Sa ka përfituar skuadra nga ndalesa e kampionatit?

Sigurisht që kjo javë ka sjellë përfitimet e veta, sepse çdo pushim shërben për mirë. Na ka ndikuar pozitivisht për lojtarët e rinj që janë bashkuar me skuadrën, në mënyrë që të bashkohen më shumë me grupin dhe të jenë të përfshirë më mirë në manovër gjatë lojës.

A ka ndonjë presion para kësaj ndeshjeje me Bylisin?

Jo, nuk besoj se ka presion. Fokusi është te Egnatia, te loja jonë. Mendoj se ne duhet të kryejmë detyrat dhe të shkojmë drejt portës kundërshtare me ide të qarta.

Sa të rëndësishme janë pikët në këtë ndeshje për t’u rikthyer në një ritëm pozitiv?

Vijmë pas nëntë rezultateve pozitive dhe vetëm një negative. Normalisht jemi në një rrugë të mirë, por objektivi i vetëm janë tre pikët.

Shumë raste, por pak gola. Sa ju shqetëson ky fakt dhe çfarë do të ndryshoni?

Kemi punuar para portës dhe thuajse çdo ushtrim e kemi lidhur me finalizimin. Shqetësim është kur ekipi nuk shkon drejt portës, por edhe ky është një ngërç që do ta zgjidhim.

Ku kërkoni ende përmirësime?

Mendoj se duhet të rrisim manovrën dhe shpejtësinë e reagimit në pasime.

Mendoni se afrimet e reja kanë ende nevojë për kohë?

Ka lojtarë që janë ende pak mbrapa në këtë aspekt. Kemi punuar dhe po shohim gjëra të mira nga dita në ditë dhe shpresoj që të arrijnë sa më shpejt ritmin me grupin.

A është ekipi në parametrat e duhur fizikë për të përballuar ndeshjet e ngjeshura?

Sigurisht që po. Kemi një grupim lojtarësh që mund të përballojnë shumë mirë rotacionin dhe ndeshjet e shpeshta. Po bëj rotacion në çdo ndeshje, sepse në janar ndeshjet do të ngjeshen edhe më shumë dhe mendoj se jemi gati për këtë situatë", tha Edlir Tetova.


Lajmi kryesor:

Sot tre ndeshje të Superligës, AF Elbasani kërkon rekordin në kryeqytet! Kampionët presin Bylisin