Të dielën, duke nisur nga ora 08:00 deri në 16:00, do të ketë bllokime të qarkullimit në disa nga rrugët kryesore në Tiranë. Këtë fundjavë, zhvillohet Maratona e Tiranës 2025, aktiviteti që mbledh me qindra sportistë nga vende të ndryshme të botës, kthyer tashmë në traditë në kryeqytet.
Policia e Tiranës ka ndërmarrë masa për të garantuar lirimin e hapësirave ku do të ushtrohet aktiviteti. Bllokim të lëvizjes së makinave do të ketë në itinerarin e plotë të maratonës, duke nisur nga sheshi “Nënë Tereza”, për të vijuar me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në kthesë pranë Pallatit të Kongreseve, sheshi “Papa Gjon Pali II”, për të vijuar drejt rrugën pranë RTSH-së, deri në unazë të mesme.
Më tej bllokimi do të vijojë te ura e Rrugës së Elbasanit, me vijim para godinës së Parlamentit, në sheshin “Skënderbej” ku është edhe pika e nisjes dhe përfundimit të maratonës, e më pas deri në bulevardin Zogu i Parë dhe ai i Ri.
Në kthim të garuesve, do të ketë bllokim të unazës së vogël pranë Muzeut Historik, për të vijuar te Rruga e Durrësit, më pas në Rrugën e Kavajës, te Myslym Shyri dhe në bulevardin Zhan D’Ark, nga ura e Gjykatës Civile deri te ajo e ish-Bllokut, të dyja krahët.
Bllokimi do të vijojë mes përmes ish-Bllokut në rrugën “Ibrahim Rugova” dhe në fund rruga “Lek Dukagjini” që bashkohet me sheshin “Nënë Tereza”.
Prej maratonës preket edhe lëvizja e transportit urban, itinerari i të cilave do të pezullohet përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Nënë Tereza”, si dhe në të gjitha segmentet rrugore që do të përdoren për maratonën. Bllokim nuk do të ketë për emergjencat.
Këtë vit, maratona sjell katër kategori. Maratonën e plotë me 42 km, Gjysmë-maratona me 21 km dhe 10 km, si dhe garat popullore “Fun Run & Ëe Too”, e menduar për amatorë, familjarë dhe persona me aftësi ndryshe.
Komente











