Juristi Kreshnik Spahiu deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është në një udhëkryq, pasi vendi jonë u bë pjesë e ‘Bordit të Paqes’ për Gazën, një iniciativë kjo e Presidentit amerikan Donald Trump.

Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Spahiu tha se BE ka të drejtë të plotë të jetë skeptike për Shqipërinë, në momentin që vendi ynë del jashtë linjës së Unionit dhe i vihet në ‘shërbim’ Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Këtu po luhet fati i BE-së. BE është në udhëkryq. Rrezikon shpërbërja e NATO-s. Si ne mund ta injorojmë këtë fakt, ku del një Shqipëri apo një Kosovë dhe e injoron krejt vullnetin e BE-së për këtë çështje (referuar pjesëmarrjes së Shqipërisë dhe Kosovës në Bordin e Paqes). BE ka të gjithë të drejtën e vet që të tregojë skepticizëm për një mënyrë të cilën ata mund ta konceptojnë sesi përdoret Shqipëria në momente të caktuara”, tha mes të tjerash Spahiu.

Më tej Spahiu argumentoi se ka disa shtete brenda Bashkimit Europian që do të bënin çmos për të penguar anëtarësimin e Shqipërisë në BE, mes të cilave sipas juristit, edhe Greqia e Bullgaria.

“Dhe e dyta BE është një bashkim kombesh dhe aty ku ka bashkim kombesh, ka edhe bashkim interesash. Greqia do i bëjë zbor Shqipërisë për t’i dhënë votën e vet. Po ashtu edhe Bullgaria do bëhet pengesë. Ajo çfarë BE shikon te Shqipëria janë një sërë problemesh, për të cilat vendet dhe shtetet anëtare hezitojnë në qëndrimin e tyre diplomatik, politik dhe ekonomik. Shqipëria duhet të japë garanci, edhe sikur të mos i ketë. Duhet të japë garanci në vizionin e vet”, përfundoi Spahiu.


Lajmi kryesor:

Spahiu: Shqipëria s’do pranohet në BE nëse nacionalistët marrin pushtetin në Francë dhe Gjermani