Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se protesta që po zhvillohet prej ditësh në Tiranë, i ka bërë nder Shqipërisë, pasi sipas tij, ka larguar kryedemokratin Sali Berisha prej rreth 3 muajsh nga sheshi.

Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu, ku tha se protesta që po zhvillohet prej javësh në Tiranë, ka dëmtuar më shumë PD-në sesa qeverinë.

“PD është një parti e konferencave të shtypit. Ndryshe nga PS, PD nuk ka strukturë. Struktura e PD-së është 1/10 e socialistëve. Është shumë më e vogël në raport me PS. Kjo dihet. Më thoni herën e fundit që lideri i PD-së ka qenë në një qytet apo fshat. Ekzistenca e PD-së është jetike me mediat. Berisha nuk heq dorë nga protagonizmi i tij i theksuar. PD ka një problem shumë më të madh se PS. Flamingot i kanë hequr Shqipërisë dhe shqiptarëve Berishën pas 3 muajsh nga bulevardi. Nëse ishim mësuar që ta shikonim Berishën qoftë me 100 mijë njerëz, qoftë me 100 persona, dalje e flamengove i dha fund kësaj situate”, tha mes të tjerash Spahiu.

Më tej juristi Spahiu theksoi se për të rikuperuar dëmin e shkaktuar nga protestat, Berisha po përpiqet çdo ditë të krijojë një lajm politik.

Por sipas Spahiut, këto tentativa janë thjeshtë për mbijetesë politike dhe nuk arrijnë që të konvertohen në votë.

“Berisha mundohet çdo ditë të krijojë një lajm politik. Në njëfarë mënyre këto janë provim për të mbijetuar politikisht, por nuk krijojnë asgjë në lidhje me atë që konvertohet në votë. Kur votat të numërohen, ato rrjedhin nga struktura e partive. Në fund politika është rezultat. Mendoj që PD ka një ngërç të pakalueshëm, që nuk e di si do e kapërcejë. PD përpiqet ta shesë që ajo po e mbush sheshin. Por dihet qartazi se nëse do e bënte vetëm PD atë protestë, do dilte vetë Berisha në krye. PD s’ka bërë dot një protestë 80 ditë pa ndalim. Por bënte një protestë njëherë në 80 ditë. PD nxjerr njerëz, tenton ta kapë protestën, tenton të heqë sloganin ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’”, përfundoi Spahiu.


Lajmi kryesor:

Spahiu: Kosova dhe Shqipëria të arrestojnë politikanët që financohen nga spiunazhi anti-shqiptar