Viti që po mbyllet u shënjua edhe nga një numër i madh hetimesh dhe arrestimesh apo dënimësh nga drejtësia e re.
Arrestimet e SPAK më 2024, arrestimi i ish-presidentit, por edhe zyrtarëve të tjerë, si i sheh juristi Kreshnik Spahiu këto zhvillime, në intervistën e dhënë sot (29 Dhjetor) për Report TV?
“Përsa i përket SPAK-ut mund të themi për pjesën që ka arrestuar dhe hetuar një numër të madh zyrtarësh, kryetarësh bashkish, ministrash, deputetësh, sot bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit si Sajmir Tahiri, Ilir Beqaj, Arben Ahmetaj, deri te zoti Veliaj janë nën rrjetën e SPAK-ut. Dhe duke kaluar pastaj te shumë deputetë dhe 7-8 kryetarë bashkish. Më parë ka qenë e paimagjinueshme. Askush nuk mund të përgjigjet sot se kush do të kishte qenë reagimi i Berishës nëse do të ishte kryeministër, siç është Rama sot. Nëse Berishës do i arrestoheshin 6 ministra, 7-8 deputetë, 10 kryetarë bashkish, a do kish qenë i hapur me SPAK, a do thoshte se po bën arrestime të ligjshme, apo do e konsideronte grusht shteti dhe pu dhe puç politik? Apo do i konsideronte të sponsorizuara nga Soros, apo do i konsideronte të korruptuar, do mblidhte Parlamentin ta shpërndante SPAK-un, apo do mblidhte Parlamentin dhe ta shkarkonte Altin Dumanin me ceremoni dhe çfarë do ndodhte pas kësaj, kush do ta ndalte? Do e ndalte ambasada Amerikane që s’ka ambasador dhe nuk ka asnjë reagim këto muajt e fundit? Pra askush nuk jep përgjigjen se çfarë do ndodhte nëse do kishim një situatë tjetër politike”, tha Spahiu.
Më tej shton se Prokuroria e Posaçme pati sukses.
“Them se është sukses i SPAK që ka ndërmarrë një sërë masash për të goditur pushtetin, sepse ka qenë e paimagjinueshme deri dje. E dyta, është sukses që nuk ka më përplasje me qeverinë, pra të dukshme, se sigurisht se ka pasur të nivelit që Rama ishte kundër emërimit të Dumanit, kjo qe shkak edhe i përplasjes me ish-ambasadoren Yuri Kim, por kjo duhet parë si vlerë, si aspekt negativ apo pozitiv. Po ta marrësh në të gjithë kontekstin e vetë, është më shumë fenomen pozitiv sesa negativ”, u shpreh ai.
I pyetur se Kryeministri tha në një intervistë se SPAK është meritë e imja, pra e mazhorancës, PS-së, juristi ndan një mendim se kjo është normale për një parti në pushtet.
“Çdo kryeministër kërkon që të marri meritë. Nga ana tjetër ai i çon edhe një mesazh SPAK, për t’i thënë që ju ekzistoni fal PS-së dhe tolerancës, anës liberale që kam unë si kryeministër. Unë do bëja një pyetje hipotetike. Vitin që vjen, siç ka dalë publikisht, pritet që SHBA-të dhe trupa diplomatike të kërkojë një zgjatje të afatit dhe të mandateve të SPAK. Dhe do të kërkohet edhe zgjatja e mandatit të Altin Dumanit. Në këto kushte unë kam një pyetje për publikun. Nëse mandati i SPAK varet nga PS, nëse votohet zgjatja, a kanë meritë politike këta që e votojnë apo nuk kanë? Dikush do thotë do e votojnë nga presioni. Por fakti se kërkohet vota për një institucion do të thotë që pa vullnetin politik ky institucion nuk ekziston. A bëhet me hir apo me pahir? Marrim dhe pjesën tjetër, që bëhet me pahir, ama kemi dhe disa që e pranojnë një vullnet të imponuar. Se mund të kemi dhe rastin tjetër që nuk e votojnë. Unë jam nga ata që mendoj se gjatë 2025 nuk do e zgjasin mandatin e SPAK. Pra Rama dhe Berisha kanë një lloj pakti për t’i dhënë një lloj mesazhi qoftë ndërkombëtarëve, qoftë dhe Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës, që këta duhet të kenë një limit. A do funksionojë kjo logjikë? Mbetet për t’u parë”, shpjegon ai.
Por çfarë ndodh pas zgjedhjeve, sipas numrave të deputetëve, a do zgjatet apo jo mandati?
“Nëse Rama fiton 90 mandate në zgjedhje, do e ketë e vështirë të bëjë lojëra me amerikanët sepse amerikanët do i thonë se e ke ti në dorë për ta votuar dhe do vihet në vështirësi, nuk bën dot lojëra me amerikanët. Por nëse Rama merr 75 a më pak, 65 le të themi dhe i duhen votat e opozitës, sepse nuk e ka mazhorancën, atëherë Rama do justifikohet që nuk i bëj dot votat me Sali Berishën, sepse qëndrimi i Berishës dihet, që nuk e pranon as SPAK-un dhe as drejtuesin, sepse i konsideron me pretendimet e tij si bandë kriminale”, argumenton Spahiu.
Mbi të gjitha ai vë në pah blofin me rastin Veliaj dhe Soros, i trumbetuar nga opozita dhe faktori kundërshtar ndër vite.
“Por unë do thoja diçka tjetër, do bëja një pyetje për publikun. Psh. çështja e Erjon Veliaj, ka nxjerrë blof të gjithë ata politikanë, analistë, gazetarë, militantë, mitingashë, të cilët thonin se SPAK-un e komandon Aleks Soros. Pse Soros i tha SPAK që hetoni Erjon Velinë? Kjo është e pamundur, sepse ai është bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Soros. Dhe nuk ka sesi Soros të urdhëroj SPAK të hetojë Veliajn. Dalim në konkluzionin tjetër, se është një luftë e brendshme? Atëherë Soros qenka më i dobët se PS-ja?! Pra Aleksi merrka urdhra nga PS dhe kjo e Rama nuk pyesin për Aleks Sorosin. Nuk shkojnë të dyja këto. Nuk konceptohet që Soros bën ç’i thotë Rama! Kjo rri ngushtë, sepse ai është një njeri që vetëm në 2024 ka hyrë 102 herë në Shtëpinë e Bardhë. Duhet të jemi korrekt në analizat që bëjmë dhe argumentet për të akuzuar një institucion. Ama di të them një gjë, se ra një alibi, për të cilën kishin 7 vjet na lodhën kokën”, shprehet opinionisti për Report TV.
Teksa më tej thellon mendimin e tij:
“Që gjykatat, prokuroria, drejtësia komandohen nga Aleks Soros? Po mirë, Soros ia dha vulën Sali Berishës? Ai e urdhëroi gjykatën që të lirohet Berisha nga tarraca dhe të jetë në gjendje të lirë e të hyjë prapë në parlament? Soros po e heton Velinë? Unë jam nga personat që kam marrëdhënie jo të ngrira, por tërësisht kundërshtare me fondacionin Soros. Kurrë në karrierën time s’kam pas asnjë lidhje me këtë fondacion, që dihet publikisht. Dhe ideologjikisht e politikisht jam kundër rrymës së Sorosit, unë jam me bindje të djathta. Por është e papranueshme për përralla që janë ndërtuar në dekada për të krijuar këtë iluzion”, mbyll ai mendimin për këtë temë.
Lajmi kryesor: