Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Europian do të dyfishojë emigracionin nga vendi jonë në drejtim të shteteve të BE-së.
Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se një fluks i madh largimesh nga vendi ndodhi edhe në Kroaci, pasi ky shtet u bë pjesë e BE-së.
“Jam nga të paktët persona në Shqipëri që shpreh edhe rezerva për BE-në. Shqipëria është kampion dhe kjo tregon edhe dëshirën e madhe të popullit shqiptar për të qenë pjesë e BE-së. Jam i sigurt që pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare, vlerëson anëtarësimin në BE vetëm si avantazh. Kroacia përshembull, po aq sa ka përfituar, edhe ka humbur nga BE. Futja në BE e Shqipërisë do rrezikojë vendin drejt një asimilimi total. Do të kemi një dyfishim të emigracionit me futjen në BE. Kur po rrezikohet Kroacia që është një parajsë në mes të Europës krahasuar me Shqipërinë, të jeni të bindur se Shqipëria do të ketë dyndje, sepse pasaporta europiane do i japë mundësi çdo shqiptari të punojë në vendet e BE-së”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu deklaroi se nëse vendi ynë do të hyjë në BE, shqiptarët duhet të përgatiten për një rritje ‘të fortë’ të çmimeve dhe rrënim të prodhimit vendas.
“Shqiptarët duhet të përgatiten se ditën që hyjmë në BE dhe në zonën ‘Euro’, çmimet dyfishohen. Shqiptarët duhet të përgatiten që prodhimi vendas do të fundoset nga konkurrenca. Do bëhemi kampionë, do kalojmë edhe Britaninë”, vijoi më tej Spahiu.
Megjithatë, sipas Spahiut, pavarësisht këtyre paralajmërimeve, Shqipëria po ecën me ritme të shpejta në procesin e integrimit në Unionin Europian.
Komente











