Transmetimi live i seancave gjyqësore dhe nxjerrja nga kafazi i qelqtë në sallën e gjykatës janë dy prej kërkesave kryesore të ish-presidentit Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim prej 28 tetorit të vitit 2024 dhe po gjykohet për një sërë akuzash për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontratën lobuese të LSI-së në Shtetet e Bashkuara, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie.

I ftuar në “Repolitix”, juristi Kreshnik Spahiu tha se jo vetëm që mbajtja në kabinën e qelqtë, por edhe paraburgimi i tejzgjatur është një problem me dëme të parikuperueshme, nëse Meta fiton pafajësinë.

Spahiu ngriti shqetësimin edhe për kushtet mizerabël që, sipas tij, kanë ambientet e paraburgimit në Shqipëri, të cilat shkaktojnë bjerrjen fizike të të paraburgosurve, si në rastin e Metës.

“Ajo që më bën përshtypje është që media është fokusuar 100% te kafazi; kafazi është 1% e asjbergut të të drejtave dhe lirive themelore që u në respektuan të paraburgosurve. Unë mendoj dhe u bëj thirrje të gjitha mediave që, përtej kafazit, duhet të shikojnë kafazët që janë në paraburgim. Do të ftoja të gjitha mediat te Drejtoria e Burgjeve për të filmuar kushtet në paraburgim. U tronditën për një fazë që është një rreth prej xhami, po kur të shohin në çfarë kushte mizerabël mbahen të paraburgosurit me vite të tëra derisa të dalin në gjykim. Unë 35 vite kam bërë protesta kundër Ilir Metës, por sot dua t’i kujtoj opinionit publik çfarë ndodh me Ilirin nëse pas 3 vitesh merr pafajësinë, kush ia kthen shenjat, votët e kafazit Ilir Metës, po jo Ilir Metës Ilir, po presidentit dhe kryeministrit që qeverisin Shqipërinë. Shqiptarët duhet të mësojnë se Ilir Meta nuk është duke vuajtur dënimin, është duke pritur për t’u gjykuar. Ilir Meta dhe shumë të tjerë janë në pritje dhe kjo pritje është e padrejtë nëse nuk ka një gjykim dhe hetim eficient dhe të shpejtë. Nëse merr pafajësinë, kush i kthen votët ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të vendit? Ilir Meta nuk është normal në gjendjen e tij, as fizike as psikike. Asnjë si i sëmurë mendor nuk e pranon sëmundjen e tij. A po merr ky njeri terapi dhe a po kurohet për gjendjen e tij?”, – thotë Spahiu.