TIRANË- Pas seancës së parë të gjyqit në themel të dosjes Meta, dhe shfaqjes së tij për herë të parë në publik, me transformim më se të dukshëm fizik, Ilir Meta, ka bërë kërkesën e radhës për të zëvendësuar masën e sigurisë arrest në burg, në një masë më të butë alternative. Kërkesa e tij do të shqyrtohet nga Apeli i GJKKO-së, sot në orën 12:00. Kjo kërkesë e Metës u rrëzua nga GJKKO më 24 mars, ditën kur ai festonte ditëlindjen e 57-të, kur ai kishte ofruar edhe garanci pasurore prej 50 mijë eurosh për lirinë e tij. Mbi këtë kërkesë të rrëzuar nga GJKKO pritet të shprehet sot Apeli i Posaçëm.
Ndërkohë, vetëm 5 ditë më parë, Gjykata e Lartë nuk ka lënë në fuqi një tjetër vendim të Apelit për Metën dhe ka rikthyer për rishqyrtim kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së sigurie, me të njëjtën trupë gjykuese. Por, ende nuk është caktuar data se kur do të mbahet seanca.
Ilir Meta mbahet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontratën lobuese të LSI-së në Shtetet e Bashkuara, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie. Gjyqi në themel ndaj tij, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe 3 të tjerëve nisi një ditë më parë, ndërsa presidenti i PL-së e quajti proces të montuar politikisht.
Komente









