Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se organizatorët e protestave që po zhvillohen në Tiranë, por edhe mediat, duhet të bëjnë publik çdo ditë numrin e pjesëmarrësve në tubime.
Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se do të ishte në të mirë të interesin publik, nëse numri i pjesëmarrësve në protestë do të bëhej publik çdo ditë.
“Tani duket se edhe palët janë duke humbur durimin. Po ta vëmë re, edhe në deklaratat e disave që merr fund qëndrimi paqësor, po ta shohim është disi më agresive protesta. Ajo çfarë do dëshiroja nga të gjithë palët, qoftë nga ata që janë pro, apo kundër protestës, qoftë nga gazetarët, do ishte në dinjitetin dhe transparencën prej publikut, që çdo ditë të deklarohej një shifër e përafërt e pjesëmarrësve në protestë. Pra vetë organizatorët e protestës duhet të komunikojnë e të thonë që ‘sot në shesh ishin 10 persona’. Duhet ta bëjë edhe media. Pra duhet ta bëjnë ata që janë pro dhe kundër”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu shtoi se ka dy palë, që pretendojnë numra të ndyshëm pjesëmarrësish në protestë. Sipas Spahiut, ka nga ata që për interesa të caktuara duan ta ulin numrin e pjesëmarrësve, por ka edhe nga ata që duan të tregojnë sikur në shesh ndodhet e gjithë Shqipëria.
Më tej Spahiu shtoi se numri i protestuesve duhet të jetë publik, pasi sipas tij, të marrësh përsipër zëvendësimin e institucioneve dhe krijimin e një shteti paralel, nuk mjaftojnë as 100 mijë vetë në shesh.
Kjo pasi sipas Spahiut, kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha kanë marrë në total 1.5 milionë vota.
“Mendoj që është një detyrim, sepse si pasojë e kësaj, në radhë të parë eliminohen të dy kahët e manipulimit të kësaj proteste. Ka një krah që do ta minimizojë numrin real, nëpërmjet një momenti ku nuk janë mbledhur të gjithë, por ka një tendencë që do ta bëjë sikur aty është mbledhur e gjithë Shqipëria. Gjë që nuk është e vërtetë. Pra të dyja nuk janë të vërteta dhe ka një manipulim ku 99% e shqiptarëve e ndjekin nga media. Këtu duhet të kemi një transparecë për t’u dhënë atyre 99% të publikur për të treguar sa njerëz janë në shesh. Sepse të marrësh përsipër dhe të thuash që ne do zëvendësojmë institucionet dhe do ngremë një shtet paralel, këtë nuk mund ta bësh as me 100 mijë vetë. Rama dhe Berisha janë sistem, kanë sëbashku 1.5 milionë votues”, shtoi Spahiu.
Komente







