Kosova zhvilloi dje zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit kryesoi bindshëm.
Juristi Kreshnik Spahiu në një lidhje skype për emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’, në Report Tv, teksa komentoi procesin zgjedhor, tha se procesi është për t’u përgëzuar.
Spahiu theksoi se Kosova mund të hyjë në një fazë ku Kurti do të qëndrojë në pushtet më gjatë edhe se kryeministri Edi Rama. Sipas Spahiut, një situatë e tillë rrezikon të krijojë një demokraci të brishtë në Kosovë.
‘Procesi zgjedhor është për tu përgëzuar. Albin Kurti me ideologjinë e tij mundi ta shndrroi partinë e tij tërësisht populiste duke shkërmoqur partitë e tjera. Aspekti negativ është se Kosova mund të futet në një proces, që Albin Kurti do të shkojë më gjatë se Edi Rama në pushtet. Unë e shikoj Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen edhe pas 8 viteve në pushtet nëse nuk do të ketë ngjarje të jashtëzakonshme.
Do të kemi një demokraci të brishtë se ai pluralizmi politik, edhe atje po prishet. Pozitive është e ardhmja dhe stabiliteti i Kosovës me një mazhorancë që nuk do të jetë më e brishtë për t’u rrëzuar për 4 vite’, tha ai.
Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se kryetarët e LDK-së dhe PDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Bedri Hamza, duhet të japin dorëheqjen, pasi sipas tij, gabimet e tyre kanë çuar në dobësimin e partive përkatëse.
Spahiu thekson se, partitë opozitare nuk kanë arritur që të tregonin se ishin më të besueshme se Kurti tek ndërkombëtarët.
'Abdixhiku dhe Hamza duhet japin dorëheqje, sepse ata me gabimet e tyre kanë fundosur LDK dhe PDK. Ndërkohë, pavarsisht përplasjeve të Kurtit me SHBA dhe me BE që i kanë sjellë dëm Kosovës në integrim opozita nuk ka arritur që ti jepte garanci ndërkombëtarëve që do të krijonin stabilitet dhe do të ishin më të besueshëm se Albin Kurti. SHBA-të kanë treguar në çdo cep të planetit se ata bëhen me atë shtet që është i fortë dhe që krijon stabilitet dhe me fituesin. Këta patën 10 muaj kohë dhe ishin të paaftë për të krijuar qeverinë dhe kur nuk tregon forçë për shtet formim si do ti japësh besueshmëri SHBA’, tha ai.
Komente












