Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se Partia Demokratike nuk është e qartë në aksionin e saj politik.

Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, ku komentoi debatet e sotme brenda Grupit Parlamentar të PD-së, lidhur me pjesëmarrjen ose në të përfaqësuesve të kësaj force politike në Komisionin për Reformën Territoriale.

Spahiu tha se PD njëherë bën thirrje për bojkot, pastaj thotë se nuk do të bojkotojë dhe do të bashkëpunojë me PS-në për Reformën Territoriale. Nëse bashkëpunimi do të ndodhë, sipas Spahiut është shenjë e mirë, pavarësisht se ai shtoi se PD nuk ka një platformë konkrete sesi e do Reformën Territoriale.

Po ashtu sipas Spahiut, PD kërkon ta përdorë bojkotin në Komisionin për Reformën Territoriale si alibi për humbjen në zgjedhje. Spahiu shtoi se me këto veprime të paqëndrueshme të opozitës, kryeministri Edi Rama po bëhet gjithmonë e më i fortë.

“PD në përgjithësi i ka të gjitha lëvizjet njësoj. Në fillim bën thirrje për bojkot, pastaj nuk bojkoton. Dhe pjesëmarrja në Komisionin e Reformës është pozitiv, por negative është që opozita hyn e papërgatitur.

Sot mund të marrësh në intervistë 1000 demokratë dhe asnjë prej tyre nuk të thotë se kush është alternativa opozitare për reformën territoriale që e çon opozitën drejt fitores. Rama vazhdon të jetë 10 hapa para, ndërsa këta as me pozicionin të marrin pjesë apo jo nuk janë të sigurtë. Thonë në fillim do bojkotojmë, pastaj thonë ditën e fundit se do të marrin pjesë.

PD sot e kësaj dite nuk e ka të qartë a i interesojnë komunat, apo i interesojnë bashkitë. A i interesojnë 60 bashki, 100 apo më tepër. PD bojkotin e mendon si një zgjidhje që po nuk mori pjesë kur të humbi mund të thotë që socialistët e bënë reformën në mënyrë të njëanshme. Rama rrezikon të fitojë përsëri zgjedhjet e pushtetit lokal në tavolinë, siç i ka votuar herët e tjera”, tha mes të tjerash Spahiu.

Spahiu ka thënë gjithashtu se nëse kryeministri Rama shpall zgjedhje të parakohshme, PD do të jetë kundër, pasi sipas tij opozita nuk është fituese.

Ai vijoi më tej teksa diskutonte me kreun e 'Shqipëria Bëhet', Adriatik Lapajn, duke thënë se partitë e vogla nuk duhet të bashkohen me Berishën. Kjo pasi sipas Spahiut do të çonte në humbje votash për forcat e reja politike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:26
Spahiu kërkesë Adriatik Lapajt: Mos u bashko me PD-në, sepse të pakësohen votat dhe ikin njerëzit

Juristi Kreshnik Spahiu i ka kërkuar kreut të ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj, që të mos bashkohet me PD-në dhe të ndjekë ‘lojën’ e Sali Berishës, pasi sipas tij, do t’i ikin mbështetësit dhe votat në zgjedhje do t’i pakësohen.

Komentet Spahiu i bëri në studion e emisionit ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, ku tha se partitë e vogla do të jenë më të suksesshme nëse nuk do të bashkohen me PD-në, pasi sipas tij, ato janë votuar si një alternativë ndryshe.

Spahiu shtoi se nga ana tjetër, Berishës i leverdis që t’i marrë partitë e vogla ‘nën sqetull’, në mënyrë që PD të marrë më shumë mandate në zgjedhje, në kurriz të këtyre faktorëve të vegjël politikë.

“Bashkimi i partive të reja, me PD-në e vjetë, e forcon opozitën dhe e forcon PD-në? Apo i dobëson partitë e reja, dobëson edhe PD-në. Apo përfiton vetëm njëra prej tyre. Që PD ka interes, padyshim që ka. Sepse ato 200 mijë vota në shumicën e tyre nuk i ka marrë PS, por i kanë marrë partitë e reja, që u prezantuan si parti opozitare. Pra populli opozitar pa si një alternativë shumë të mirë në 11 maj, edhe partitë e reja. Tani çështja shtrohet, këto parti të reja të cilat morën, njëra 63 mijë vota, tjetra 40 mijë vota, tjetra 20 mijë vota, duke u bashkuar me PD-në, a dyfishohen? Qëndrojnë aq sa janë? Apo pjesëtohen për dy, zvogëlohen? Në datën 10 shkurt, sepse këta edhe datat i kanë njësoj, përkon fiks 9 vite me ngritjen e çadrës së Lulzim Bashës. Se këta kanë të njëjtën skemë, nuk ndryshojnë dot.

Partitë e reja duhet të kenë të qartë një gjë, nuk mund të bashkohen me koalicionin anti-SPAK. Nuk kanë asnjë lidhje me subjekte të SPAK që shkojnë një herë në javë te gardhi i Altin Dumanit. Sepse në fund të fundit, këto parti të reja kanë shkuar kanë duartrokitur në obor pro Altin Dumanit dhe nuk mund të shkojnë tani të duartrokasin pro subjekteve që heton Altin Dumani. E dyta, koalicionet në të gjithë planetin janë ose në Parlament, ose parazgjedhore. Fatmirësisht këto partitë e reja kanë përfaqësues në Parlament dhe kanë mundësinë që përfaqësimin e tyre, votën e tyre, ta bashkojnë me vota me PD-në në ato kauza që vërtet duhen bashkuar.

Unë jam nga ata që besoj se nëse partitë e reja bashkohen me PD-në në zgjedhje, marrin një rezultat më të dobët se në 11 maj. Qofsha i gabuar, por kjo është analiza ime. Është shumë gabim nëse i kryqëzojmë dhe u themi ‘pse nuk u bashkuat me PD-në para zgjedhjeve’. Ata mund të ishin bashkuar me njëri-tjetrin dhe të krijonin një grup me 15 deputetë”, tha mes të tjerash Spahiu.

Ora 22:33
Spahiu: Nëse Rama shpall zgjedhje të parakohshme, PD është kundër sepse humbet sërish

 

Juristi Kreshnik Spahiu teksa komentoi protestat e opozitës, u shpreh se nëse kryeministri Edi Rama do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme, PD është kundër sepse sipas tij, do të humbasë sërish.

Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, ku tha se në rast zgjedhjesh të parakohshme, Rama do të fitojë më thellë, pasi sipas tij, PD është e papërgatitur.

Spahiu tha gjithashtu se Berisha njëherë bën thirrje për revolucion dhe njëherë bashkon votat me kryeministrin Edi Rama, ç’ka sipas tij tregon paqartësinë politike të PD-së.

Ai shtoi se historikisht në Shqipëri, partitë politike opozitare pas humbjes së zgjedhjeve, përdorin si pretekst kodin elektoral dhe kërkojnë ndryshimin e tij.

“Është mirë që në këtë moment të kemi një diskurs të qartë, sepse duhet ta bëjmë të qartë për publikun se e keqja e Shqipërisë nuk është opozita. E keqja e Shqipërisë në këto momente, të gjitha dëmet i vijnë nga qeverisja. Dhe i gjithë debati që zhvillohet është që projekti i opozitës, projekti afatshkurtër dhe afatgjatë, e bën të mundur rrëzimin e kësaj qeverie?

Sigurisht që kemi qenë pjesë e debateve të Reformën Zgjedhore këtu e 30 vite. Shqipëria gjithmonë pas zgjedhjeve hap të njëjtin debat, për Reformën Zgjedhore. Problemi kryesor që unë kam hasur te opozita e djeshme apo e sotme është se kurrë nuk ka pasur të qartë një vizion për ndarjen elektorale, mekanizmin elektoral, sistemin elektoral dhe kodin elektoral që e çon në fitore. Më gjeni një demokrat sot, në çdo ekran që të artikulojë variantin dhe alternativën e ndarjes territoriale që e çon opozitën drejt fitores. Sepse nuk mundesh të bësh thirrje për revolucion të shtunën dhe të premten të bashkosh votat me Edi Ramën. Sepse kjo është një tradhti edhe me kauzën dhe është paqartësi.

E zëmë se protestat janë të suksesshme. Por çfarë ndodh. E zëmë se bllokohet 2 javë. Nëse Edi Rama thotë ‘Shqipëria në zgjedhje’. Pra me këtë mekanizëm strukturë, infrastrukturë, logjistikë, a jemi të gatshëm që Edi Rama të rrëzohet nga pushteti, apo fiton më thellë Edi Rama? Unë mendoj se nuk është Rama që nuk kërkon zgjedhje, por mendoj se PD është e papërgatitur për zgjedhje. Ne nuk kemi një PD fituese sot. Po përmend PD-në sepse është partia e parë opozitare me numra në Kuvend”, tha mes të tjerash Spahiu.

Kujtojmë se prej disa javësh Partia Demokratike dhe Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ po zhvillojnë protesta të njëpasnjëshje përpara Kryeministrisë, ku kërkojnë rrëzimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti dhe krijimin e një qeverie teknike që sipas tyre do të përgatiste vendin për zgjedhje të parakohshme.