N/kryetari i Kuvendit, Spaho dhe Sekretarja e Përgjithshme Shtylla në punimet e Unionit Parlamentar të OBI-së në Turqi
TIRANE, 22 Janar/ATSH/- Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Edmond Spaho dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla, morën pjesë në punimet e Unionit Parlamentar të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), i cili u zhvillua më datat 20-22 janar në Stamboll të Turqisë.
Nënkryetari i Kuvendit, Spaho mbajti një fjalim në këtë aktivitet, ku trajtoi çështje të aktualitetit, debatit të organizatës si dhe prioritetet tona.
Duke folur për ngjarjet tragjike të ndodhura në Paris në fillim të muajit janar, Spaho theksoi se bota ka nevojë për tolerancë e paqe dhe në këtë kontekst edhe një herë përmendi shembullin e mirë të bashkëjetesës fetare në Shqipëri.
"Shqiptarët janë të trishtuar dhe të revoltuar për atë që ndodhi më 7 janar në Paris, në zemër të civilizimit evropian, të lirisë dhe të drejtave të njeriut. Kjo botë e trazuar ka nevojë për tolerancë dhe paqe. U jemi mirënjohës përfaqësuesve të klerit shqiptar, që së bashku morën pjesë në 'Marshimin e Paqes' që u mbajt në Paris më 11 janar dhe shpërndanë në gjithë globin mesazhin e tolerancës dhe solidaritetit të botës demokratike, kundër atyre akteve që kërkojnë të na tërheqin në detin e zi të urrejtjes dhe mosmarrëveshjeve ndërfetare dhe ndëretnike. Shembulli ynë i pashoq i bashkëjetesës fetare provon se bashkëjetesa paqësore dhe frutdhënëse midis individëve dhe komuniteteve të besimeve të ndryshme fetare, nuk është thjesht një dëshirë, por është e mundur dhe një realitet i prekshëm", tha Spaho.
Në lidhje me zhvillimet në Lindjen e Mesme, Nënkryetari i Kuvendit u shpreh se Shqipëria mbështet pa asnjë hezitim çdo përpjekje për të vepruar me vendosmëri dhe me guxim në drejtim të një zgjidhjeje paqësore. "Shqipëria mbështet të gjitha iniciativat dhe përpjekjet e ndërmarra nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik për një zgjidhje paqësore dhe përfundimtare të konflikteve, të udhëhequra nga parimet e lirisë, barazisë dhe zbatimit të ligjit, në përputhje me rezolutat e OKB-së dhe këshillit të Sigurisë", shtoi z. Spaho.
Ndërkaq, Nënkryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria i bashkohet thirrjes së vendeve anëtare të OKB-së për t'i dhënë fund dhunës dhe konfliktit në Siri, duke u bazuar në ligjet dhe standardet ndërkombëtare. "Shqipëria po luan në rol aktiv si pjesë e koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër ISIS. Ndihemi krenarë që jemi ndër vendet e para që iu përgjigjëm sfidës dhe është angazhuar në luftën kundër ISIS me kontribute konkrete. Shqipëria ka marrë masa të posaçme legjislative dhe administrative, përfshirë miratimin e ligjeve të veçanta që kriminalizojnë pjesëmarrjen dhe inkurajimit të pjesëmarrjes në konflikte të armatosura në vende të tjera, ashtu si edhe përkrahjen, organizimin dhe financimin e luftëtarëve të huaj", vijoi fjalën e tij Spaho.
Në përfundim të fjalës së tij, Spaho u ndal edhe në çështjen e Kosovës, duke vënë në dukje faktin se tani shteti më i ri është kthyer në një faktor paqeje dhe stabilitetit në rajonin e Evropës Juglindore brenda një kohe të shkurtër.
"Përfitoj nga kjo mundësi për të falënderuar të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe do të doja të përsërisja thirrjen tonë për të gjithë ata vende mike që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, ta marrin në konsideratë njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës si një kontribut madhor për paqen stabilitetin dhe sigurinë në rajon", u shpreh ai./a.gjonaj/ /a.g/