SPAK arreston Kreshnik Farrukun, zbardh rolin në grupin që mbushi Italinë me kokainë nga Amerika e Jugut! Ishte lënë në arrest shtëpie

TIRANE-  Kreshnik Farruku, i njohur si kreu i  klanit “Farruku” u arrestua të shtunën (11 nëntorit 2025) në Durrës me urdhër të Prokurorisë së Posaçme pasi SPAK e akuzon si anëtari i një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut drejt porteve detare italiane kryesisht atij të Livornos. Në 6 muaj organizata kishte arritur të trafikonte kokainë në vlerën 5 mln euro

Në njoftimin e sotëm SPAK zbuloi se nga hetimet e kryera vetë kishte arritur të identifikonte Kreshnik Farrukun, (Kreshnik Budlla) si organizatori i pritjes dhe magazinimin e drogës në Itali dhe më pas shpërndarjen në tregun italian

“Nga veprimtaria hetimore e kryer në Shqipëri, është bërë identifikimi i shtetasit, Kreshnik Budlla anëtar i grupit të strtruktuar kriminal, i paidentifikuar nga autoritetet italiane, i cili merrej me organizimin e pritjes, magazinimin e drogës në Itali dhe më pas shpërndarjen në tregun italian" informoi sot SPAK. 

SPAK e lidh Farrukun dhe me dy episode të trafikut të drogës në Itali, njërin në 2021 dhe tjetri në janar 2024. Hetimet ndaj rrjetit kriminal shqiptar u iniciuan nga Prokuroria e Firences në Itali, në vitin 2021.

Operacioni është vijim i operacionit të ndërmarrë në nëntor 2024 ku në total u arrestuan 23 persona në Itali (Toskanë, Kalabri, Lazio, Puglia, Campania, Lombardi, Veneto, Liguria) dhe 2 persona në Shqipëri. Të arrestuarit në Shqipëri ishin Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku. 

"Konkretisht, ai është organizatori i furnizimit të lëndës narkotike, e sekuestruar më 27 janar 2021 në Autostradën Guardamiglio (LO), Itali, ku janë arrestuar shtetasit shqiptare;E.K. dhe M.K., të cilëve iu gjet një sasi e lëndës narkotike të llojit kokainë, me një peshë totale bruto prej 10.522 kg, e paketuar në 9 pako plastmasi të fshehura në një hapësirë të një mjeti, Ford Fiesta. Përveç këtij sekuestrimi, ekzistojnë elementë të shumtë të komunikimeve të të arrestuarit K.B, me pjesëtarët e grupit të strukturuar kriminal, (tashmë të arrestuar në Itali), duke provuar rolin e tij brenda grupit të strukturuar kriminal.

Gjithashtu, në datë 12.01.2024, është ekzekutuar dhe vendimi për caktimin e masës së sigurimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për shtetasit; Juljan Kollçaku dhe Maksim Ndoci, të arrestuar më parë, pas urdhrit të kërkimit i nxjerrë nga autoritetet gjyqësore italiane, por për të po kryheshin hetime nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal nr.296 të vitit 2021"  thuhet në njoftim.

4 dite arrest shtepie
Zgjati vetëm 4 dite “arresti në shtëpi” që fitoi nga Gjykata e Durrësit për 51 vjecarin Kreshnik Farruku, i njohur si kreu i klanit "Farruku'. Ai u prangos mbrëmjen e 11 janarit me urdhër të SPAK në bashkëpunim me prokurorinë e Firenzes me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Për riarrestimin e Farrukut në Manzë ku qëndronte “arrest shtëpie” ndërhyri reparti special RENEA.

U zbuluan nga SkyECC
Hetimet ndaj rrjetit kriminal shqiptar u iniciuan nga Prokuroria e Firences në Itali, në vitin 2021 kur u krijua ekipi i parë i përbashkët hetimor (JIT) mes autoriteteve italiane dhe shqiptare. Hetimet u mbështetën nga përgjimet e shkëmbimeve të informacionit mes organizatave kriminale, të cilat përdornin mjetin e komunikimit të koduar, SkyECC.

Nga hetimet e kryera në kuadër të planit operacional “BOCA DEH RIO”, dyshohet se këta shtetas, të organizuar si grup, gjatë periudhës 2018-2024, trafikuan sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike Kokainë nga Amerika Latine dhe më pas e kanë shitur në qytetet Pisa, Firence, Livorno, Venecia dhe Romë.

Në njoftimin e nëntorit 2024 SPAK informoi se ishin sekuestruar  mbi 2 ton kokainë, 45 kg hashash, 20 kg marijuanë – nga e cila, grupi kriminal do të kishte përfituar rreth 70 milionë euro. Gjithashtu zbuloi dhe skemën si ngarkesat e mëdha të drogës nga Amerika e Jugut përfundonin në portet italiane

“Grupi i strukturuar kriminal ishte aktiv si furnizues me shumicë i drogës në tregjet italiane. Dërgesat e drogës dërgoheshin nga Amerika e Jugut në kontejnerë, përmes porteve italiane (Livorno, Genova dhe Savona) dhe në vende të tjera evropiane. Kontejnerët ruheshin në portet e mbërritjes, ku ekipet e posaçme kujdeseshin për rikuperimin e lëndës narkotike dhe nxjerrjen e dërgesave nga zonat portuale, për t’i vënë më pas në dispozicion të grupeve kriminale. Për të lehtësuar operacionet e identifikimit dhe gjetjes së kokainës, grupi i strukturuar kriminal përdorte pajisje radiolokalizimi, ndërsa lënda fshihej brenda kontejnerëve të ngarkuar me mbulesë frutash ekzotike ose në hapësirat e posaçme të krijuara për këtë qëllim” thuhet në njoftimin e SPAK.

SPAK sqaron se procedimi penal është ende në fazën e hetimeve paraprake.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:22
RENEA arreston Kreshnik Farrukun me urdhër të SPAK! Prangosja me kërkesë të prokurorisë së Firences! Gjykata e Durrësit e kishte lënë në arrest shtëpie

1736670395_kreshnikfarruku.jpg

TIRANE-  Kreshnik Farruku, i njohur si kreu i klanit "Farruku'  është arrestuar mbrëmjen e 11 janarit 2025 me urdhër të SPAK. Shqiptarja.com mëson se ai është arrestuar në Manzë të Durrësit me kërkesë të SPAK në bashkëpunim me prokurorinë e Firenzes me qëllime ekstradimi drejt Italisë. 

Për riarrestimin e Farrkut në Manzë ku qëndronte arrest shtëpie ndërhyri reparti special RENEA.  Ai do të qëndrojë i izoluar në ambientet e Policisë së Tiranës, për të dalë të hënën para Gjykatës së Posaçme.

GJKKO ka firmosur masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, teksa ditë më parë ai u vetëdorëzua dhe gjendej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, dhënë nga Gjykata e Durrësit. Në seancën e 7 janarit 2025 gjyjkata e Durrësit kishte marrë në shqyrtim kërkesën për arrestimin e përkohshëm ndaj Kreshnik Farrukut dhe Erneo Farruku, vëllai i tij pasi Gjykata e Brescia, Itali me vendimin Nr. 12042/2020 RGNR-5352/2021 RI GIP, datë 29.08.2024, ka caktuar ndaj tij në masën e sigurimit “Arrest në burg”, si të dyshuar për veprat “Organizat kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike” parashikuar nga legjislacioni penal Italian.

Ndaj 51 vjeçarit njihet edhe si Kreshnik Budlla rëndojnë akuzat ‘Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Klani Farruku

Kreshnik Farruku njihet si kreu i klanit dhe përdorte 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë. Ndërkohë në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme i konfiskoi 27 pasuri të regjistruara në emër të Kreshnik Farrukut dhe vëllait Erneo Farrukut, përfshirë toka bujqësore, apartamente, dyqane dhe automjete.

Ndër pasuritë e konfiskuara numërohen disa prona në Tiranë dhe Durrës, apartamente në ndërtesa luksoze, automjete të markave “Mercedes Benz” dhe “Smart”, si dhe bizneset “Eco Energy System” dhe “Rrotull-Beton”.

Dy vëllezërit akuzohen se drejtonin klanin Farruku, grup që u godit në Spanjë në vitin 2023 pas një megaoperacion kundër trafikut të kokainës ku u sekuestrua 2 ton kokainë . Dyshohej se kokaina ishte porositur nga klani Farruku në Ekuador dhe do futej në Spanjë.

Kreshnik Farruku është shqiptari që kishte përdorur 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë.  Në maj 2010, Farruku u arrestua së bashku me 7 anëtarë të tjerë të bandës në Barcelonë. Në vitin 2014, Kreshnik Farruku, ose Kreshnik Buddlla, u arratis nga burgu dhe u arrestua në vitin 2019 teksa kërkohej në Spanjë e Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave.

Në 2015 Kreshnik Farrukut i është bë një atentat në Shqipëri në zonën e Don Boskos. Sipas medieve spanjolle Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në 2010, për shkak të pazareve të drogës, por më pas rezultoi se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi, që u vra në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë.

Emri i Farrukut doli së fundmi edhe në komunikimet e SkyECC në dosjen e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Nga bisedat e transkriptuara, ish-deputeti i jepte informacione sekrete që të kontrollonte ambientin përreth banesës së tij, pasi kishte informacion se mund të ishte në vëzhgim nga punonjësit e SHISH. 

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Kryebashkiaku Beci: Vetëm Kir-Shosh e bllokuar për shkak të borës e dherave, shoferët të lëvizin vetëm me zinxhirë e goma dimërore në zonat malore

Kryebashkiaku Beci: Vetëm Kir-Shosh e bllokuar për shkak të borës e dherave, shoferët të lëvizin vetëm me zinxhirë e goma dimërore në zonat malore