S'deklaroi dënimin në Greqi, GJKKO dënon me 9 muaj burg kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari! I konvertohet në 150 orë punë në komunitet
Kryebashkiaku i Kuçovës Kreshnik Hajdari është dënuar me 9 muaj burg për fshehjen e një dënimi në Greqi, në vitin 1999. Dënimi, i ulur në 6 muaj prej gjykimit të shkurtuar, iu konvertua në 150 orë punë në komunitet, ndërsa avokati i tij tha se dënimi i sotëm nuk ndikon në detyrën e tij në krye të bashkisë. Por nëse apeli, lë në fuqi vendimin, Hajdari rrezikon humbjen e mandatit.
Mos-deklarimi në Formularin e Dekriminalizimit i një dënimi me vetëm qortim në Greqi për kalim të paligjshëm të kufirit, i kushtoi kryebashkiakut të Kuçovës Kreshnik Hajdari një dënim me 9 muaj burg, për falsifikim dokumentesh.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e konvertoi dënimin në 150 orë punë në Komunitet.
Vetë Hajdari, preferoi të mos komentonte, ndërsa avokati i tij theksoi se vendimi i shkallës së parë, nuk pengon punën në krye të Bashkisë.
“Gjykata dha përfundimisht një vendim dënimi, duke e dënuar me 150 orë në komunitet. Ne dhamë argumentet tona por si duket gjykata nuk u bind. Duhet të merret vendimi i formës së prerë. Se ne do të apelojmë. Sipas nenit 63 nuk figuron i dënuar personi që dënohet me pune në komunitet”, tha avokati.
Por nëse edhe Gjykata e Apelit, do të lërë në fuqi masën, atëherë kryebashkiaku i Kuçovës do e humbë mandatin.
Lidhur me mandatin e Hajdarit, edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është pezull vendimi, pasi disa javë më parë, KAS i kërkoi Ilirjan Celibashit të rivendosë nëse duhet t’i heqë mandatin apo jo, për shkak se në Formularin e Dekriminalizimit nuk deklaroi dënimin.
Denoncimi për fshehjen e dënimit në Greqi, për Hajdarin është bërë nga Partia e Lirisë. Ky i fundit ishte dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Janinës për hyrje në territorin grek pa leje, i konvertuar në masë riedukuese të “qortimit” për shkak të moshës, vetëm 17 vjeç.
Nuk deklaroi dënimin në Greqi, Gjykata e Posaçme dënon me 150 orë punë komunitare kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari
Kryebashkiaku i Kuçovës Kreshnik Hajdari i akuzuar për ‘falsifikim dokumentesh’, është dënuar nga GJKKO me 150 orë punë komunitare.
Dënimi i dhënë ndaj tij ishte 9 muaj burg por në fund gjykata vendosi konvertimin me 150 orë punë komunitare. Avokati i kryebashkiakut, Theodhori Sollaku tha se ky vendim nuk ndikon në ushtrimin e detyrës së Hajdarit.