DURRËS- SPAK ka shkatërruar një grup kriminal që vepronte në zonën e Gjirit të Lalëzit në Durrës, e përfshirë në vrasje me pagesë dhe në tjetërsim të pronave përmes falsifikimit të dokumenteve. Sipas dosjes së SPAK që ka goditur këtë grup kriminal, hetimi është i ndarë në dy çështje të ndryshme, ku janë goditur Avdylajt dhe "Rumi i Shijakut" emri i të cilit eshte Aleksandër Laho.

Personazhe të caktuar të grupit, dalin si të përfshirë në të dyja ngjarjet hetimore. Nëntë masa sigurie janë lëshuar nga GJKKO me kërkesë të SPAK, prej të cilave janë ekzekutuar 5, ndërsa 4 persona të tjerë janë në kërkim. Altin Dumani dhe Adnan Xholi janë dy prokurorët e çështjes. 

Të arrestuarit janë Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, Enea Kume, vëllai i deputetit Loer Kume, Vlash Brahja dhe Astrit Avdylaj alias Astrit Balliu, i cili ndodhet në burg në kuadër të operacionit “Revanshi. Ndërsa për Edlira Avdylajn është vendosur ndalim i daljes jashtë vendit, masë që është ekzekutuar.

Ndërsa në kërkim janë 4 persona; Elidon Avdylaj alias Aldo Abdylaj, Aleksandër Laho, Alfred Doka dhe A.B.

Grupi kriminal është akuzuar për dy episode të ndryshme, për një vrasje me pagesë dhe për tjetërsim pronash në Gjirin e Lalzit përmes falsifikimeve. Në kuadër të hetimit, janë sekuestruar 11 pasurive me sipërfaqe totale 254.300 m², në  zonën bregdetare të fshatit Shetaj, Durrës.

MASAT E SIGURISË QË JANË ZBATUAR
Vullnet Muça, vëllai i Rrumit, Aleksandër Lahos (arrest në burg)
Enea Kume, vëllai i deputetit Loer Kume (arrest në burg)
Vlash Brahja (arrest në burg)
Astrit Avdylaj alias Astrit Balliu (në burg për operacionin “Revanshi”) (arrest në burg)
Edlira Avdylaj (ndalim i daljes jashtë shtetit)
NË KËRKIM
Elidon Avdylaj alias Aldo Abdylaj
Aleksandër Laho
Alfred Doka

(EPISODI 1 - AVDYLAJT) VRASJA E EDMIR BREGUT ALIAS ILIR KUÇI (MALOKU) MË 24 JANAR 2021 NË DURRËS

Përmes përgjimeve në Sky ECC, SPAK ka zbardhur vrasjen e Edmir Bregut, ngjarje për të cilën Prokuroria e Posaçme thotë se është ekzekutuar për hakmarrje. Sipas SPAK, si drejtues i grupit të strukturuar kriminal dhe si porositës i vrasjes për hakmarrje dyshohet të jetë Astrit Avdylaj në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij, Aldo Avdylaj.  

SPAK thotë se si drejtues dhe koordinator i grupit të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë Aldo Avdylaj, si ndihmës dyshohet të jetë Enea Kume(vëllai i deputetit të PS), ndërsa si ekzekutor dyshohet të jenë shtetasit  Alfred Doka dhe E.D. Doka është në kërkim, ndërsa E.D. rezulton të ketë vdekur. SPAK po heton gjithashtu që në këtë vrasje mund të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë. 

Kush ishte viktima Edmir Bregu dhe si ndodhi vrasja?

Edmir Bregu alias Ilir Kuçi 32 vjeç ishte me origjinë nga Kukësi dhe jetonte në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Pasditen e 23 janarit 2023, ai po qarkullonte me makinën e tij tip “Porsche Cayene” në lagjen nr.16 të Durrësit. 32-vjeçari u ekzekutua me dy plumba, një në kokë dhe një në gjoks sapo zbriti nga makina e tij.

(EPISODI 2 - RUMI I SHIJAKUT) TJETËRSIMET E PRONAVE NË DURRËS

SPAK ka zbardhur edhe falsifikimet për tjetërsimet e pronave në bregdet. Disa dokumente të gjetura në automjetin e ish-prokurorit Arjan Ndoja, tashmë deputet i PD, ditën kur iu bën atentat nëntorin e vitit 2019 nën shoqërinë e Aleksandër Lahos, ndihmuan SPAK të zbardhte skemën e mirëfilltë të përvetësimit të pronave shtet në bregdetin e Durrësit.

Në krye të këtij grupi të përfshirë në tjetërsimin e pronave, Prokuroria e Posaçme akuzon Aleksandër Lahon (ose Rumi i Shijakut), i cili është në kërkim. Si pjesë të këtij grupi, SPAK thotë se janë edhe Vullnet Muça (vëllai i Aleksandër Lahor), i cili është i arrestuar; Astrit Avdylaj alias Astrit Balliu (i cili ndodhet në qeli) dhe Vlash Brahja, i cili është arrestuar.

Gjithashtu, pjesë e grupit, dyshohet të jenë edhe persona të tjerë të cilët nuk janë të identifikuar, pro që hetimet e SPAK vijojnë në këtë drejtim.

Anëtarët e grupit kanë falsifikuar dokumente të ndarjes së tokës në fshatrat Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj të rrethit Durrës si dhe të ish Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës.

Mekanizmi i përdorur nga anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal përfshin falsifikimin e plotë të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), falsifikimin e pjesshëm të AMTP-ve origjinale, përmes shtimit të numrit të parcelave, prodhimin e dokumenteve të falsifikuar dhe futjen ilegalisht të tyre në arkivën e ish-ZVRPP Durrës, duke i paraqitur si vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Këshillit të Qarkut Durrës.

Pasuritë e regjistruara në kundërshtim me ligjin, thotë SPAK, regjistroheshin në emrin e fshatarëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive.

Të gjitha këto veprime janë kryer me qëllimin për përfitim të paligjshëm përmes shitjes së këtyre pasurive te persona apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj (Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit).

Kush është "Rrumi i Shijakut"?

Rrumi i Shijakut është një personazh i njohur i botës së krimit, por jo vetëm. Ai rezulton ende në kërkim nga autoritetet shqiptare, ndërsa më 23 korrik Apeli i GJKKO e dënoi përfundimisht me 3 vite burg lidhur me tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit, fajtor për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Dënimi për Lahon ka zbritur në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar lidhur me tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit. Laho akuzohet se i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit. 

Ai rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit si i dyshuar në pengmarrjen e 2 vëllezërve Beqiraj të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale.

*Raportojnë për Report Tv dhe Shqiptarja.com gazetarët, Keti Banushi, Sokol Dema dhe Aldo Mustafa

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:56
Goditja e grupit kriminal, SPAK: U sekuestrua 25 ha tokë në bregdetin e Durrësit! Rrumi i Shijakut në krye të grupit të tjetërsimit të pronave

1759389755_rrumishijakut.jpg

Rrumi i Shijakut

SPAK njoftoi zbardhjen e vrasjes së Edmir Bregut, ndërsa në kuadër të këtij operacioni është lëshuar urdhërarrest edhe për Aleksandër Lahon allias Rrumi i Shijakut, për tjetërsimin e pronave në fshatin Shetaj të Durrësit përmes falsifikimit. Në kuadër të hetimeve është bërë sekuestrimi i 11 pasurive me sipërfaqe totale 254.300 m² në Shetaj ose rreth 25 hektarë, ndërsa është arrestuar edhe vëllai i tij, Vullnet Muça. Ndërsa pjesë e grupit është edhe një person tjetër, emrin e të cilit Report Tv ende nuk e disponon.

Grupi, falsifikonte dokumente dhe pronat i regjistronin në emër të fshatarëve të cilët nuk kishin dijeni. Të gjitha këto veprime janë kryer me qëllimin e vetëm, realizimi i përfitimit të paligjshëm përmes shitjes së këtyre pasurive te individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj (Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit)

“Gjithashtu nga provat e administruara rezulton se shtetasi, A.L., në rolin e krijuesit, drejtuesit dhe organizatorit, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, me synimin për kryerjen e veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve, ku pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal janë shtetasit; V.M, (alias V.K); A.B, V.B dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar.

Keta shtetas dyshohet se kanë falsifikuar dokumente, lëshimi i të cilave bëhet vetëm nga institucioni i Kadastrës në Këshillin e Qarkut Durrës, komisioneve të ndarjes së tokës në fshatrat, Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj të rrethit Durrës si dhe të ish Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës. Mekanizmi i përdorur nga anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal përfshin falsifikimin e plotë të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), falsifikimin e pjesshëm të AMTP-ve origjinale, përmes shtimit të numrit të parcelave, prodhimin e dokumenteve të falsifikuar dhe futjen ilegalisht të tyre në arkivën e ish ZVRPP Durrës, duke i paraqitur si vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Këshillit të Qarkut Durrës, heqjen e fletëve të regjistrave të kartelave të pasurisë në volum, ku kanë qenë të regjistruara prona të zërit kadastral “Pyll” dhe “Pa frut” dhe zëvendësimin e tyre me fletë të reja të falsifikuara në formë dhe përmbajtje, ku pasqyronin të regjistruara pasuri të zërit kadastral “Arë”, prodhimin e dokumenteve tërësisht të falsifikuar të praktikës së rivlerësimit të pasurisë, me qëllim hapjen e rrugës për të kaluar në fazën tjetër që ishte transferimi i pronësisë përmes aktit të shitjes apo aktit të dhurimit, etj.

Pasuritë e regjistruara në kundërshtim me ligjin, regjistroheshin në emrin e fshatarëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive.

Të gjitha këto veprime janë kryer me qëllimin e vetëm, realizimi i përfitimit të paligjshëm përmes shitjes së këtyre pasurive te individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj (Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit)”, njoftoi SPAK.

Ora 13:53
Aksioni në Gjirin e Lalzit/ SPAK godet grupin kriminal të vrasjes me pagesë: Zbardhet ekzekutimi i Edmir Bregut

1759406176_edmirbregu.jpg

SPAK ka publikuar informacionin zyrtar për aksionin e sotëm në Gjirin e Lalzit. SPAK thotë se ka goditur një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në vrasje me pagesë dhe tjetërsim pronash.

Me këtë operacion, SPAK ka zbardhur vrasjen e Edmir Bregut, mikut të ngushtë të Edmond Çekiçit. Porositës i atentatit, sipas SPAK rezulton të jetë Astrit Avdylaj, i cili e ka porositur vrasjen për hakmarrjen për tentativën e ekzekutimit të nipit të tij. Në total u lëshuan 9 urdhër arreste, ku 5 prej tyre janë ekzekutuar, ndërsa 4 persona janë ende në kërkim. Urdhërarrest ka edhe për Avdylajn, masë e cila i komunikohet në burg, pasi ndodhet në qeli edhe për operacionin “Revanshi”.

Njoftimi i plotë i SPAK:

SPAK godet një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në vrasje me pagesë, përvetësim të pronës shtetërore përmes falsifikimit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procedimit penal nr. 235/1, të regjistruar më datë 30.6.2023, po zhvillon hetime të thelluara në lidhje me disa vepra penale me rrezikshmëri të lartë, të kryera në bashkëpunim të posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Hetimi i kryer në bashkëpunim të ngushtë me Europol, Eurojust, si dhe autoritetet ligjzbatuese të Francës mundësoi zbardhjen e një skeme të organizuar kriminale e përfshirë në:

-Vrasje me paramendim e kryer për hakmarrje, përfshirë dhe mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit; 

-Falsifikimi i dokumenteve dhe korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, kryer më shumë se një herë.

Hetimet u përqëndruan tek disa shtetas shqiptarë, të përfshirë në organizimin dhe realizimin e vrasjes në territorin e Republikës së Shqipërisë për qëllime hakmarrjeje. Personat e përfshirë duke bashkëpunuar me njëri tjetrin kanë arritur të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme me:  Automjete me qira, armë zjarri, banesa si dhe të kryejnë mbikeqyrje të vazhdueshme me qëllim realizimin e vrasjes.

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm është dokumentuar aktiviteti kriminal si dhe identifikimi i disa prej autorëve të dyshuar të veprës penale të vrasjes, me paramendim me qëllim hakmarrjen, në formë e grupit të strukturuar kriminal si dhe autorëve që kanë kryer falsifikimin e dokumenteve të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

·         Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për hakmarrje të shtetasit, E.B më datë 21.1.2021, në qytetin e Durrësit.
Veprimet e kundraligjshme të vrasjes me paramendim për hakmarrje, mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Si drejtues i grupit të strukturuar kriminal dhe si porositës i vrasjes për hakmarrje dyshohet të jetë shtetasi A.B. (alias A.A), në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij, E.A. (alias A.A).
Gjithashtu si drejtues dhe koordinator i grupit të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë shtetasi, E.A. (alias A.A), si ndihmës dyshohet të jetë shtetasi E.K., ndërsa si ekzekutor dyshohet të jenë shtetasit, E.D dhe A.D. Në lidhje me këtë fakt po hetohet për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale. 

·         Gjithashtu nga provat e administruara rezulton se shtetasi, A.L., në rolin e krijuesit, drejtuesit dhe organizatorit, ka krijuar një grup të strukturual kriminal, me synimin për kryerjen e veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve, ku pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal janë shtetasit; V.M, (alias V.K); A.B, V.B dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar.
Keta shtetas dyshohet se kanë falsifikuar dokumente, lëshimi i të cilave bëhet vetëm nga institucioni i Kadastrës në Këshillin e Qarkut Durrës, komisioneve të ndarjes së tokës në fshatrat, Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj të rrethit Durrës si dhe të ish Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës. Mekanizmi i përdorur nga anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal përfshin falsifikimin e plotë të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), falsifikimin e pjesshëm të AMTP-ve origjinale, përmes shtimit të numrit të parcelave, prodhimin e dokumenteve të falsifikuar dhe futjen ilegalisht të tyre në arkivën e ish ZVRPP Durrës, duke i paraqitur si vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Këshillit të Qarkut Durrës, heqjen e fletëve të regjistrave të kartelave të pasurisë në volum, ku kanë qenë të regjistruara prona të zërit kadastral “Pyll” dhe “Pa frut” dhe zëvendësimin e tyre me fletë të reja të falsifikuara në formë dhe përmbajtje, ku pasqyronin të regjistruara pasuri të zërit kadastral “Arë”, prodhimin e dokumenteve tërësisht të falsifikuar të praktikës së rivlerësimit të pasurisë, me qëllim hapjen e rrugës për të kaluar në fazën tjetër që ishte transferimi i pronësisë përmes aktit të shitjes apo aktit të dhurimit, etj.
Pasuritë e regjistruara në kundërshtim me ligjin, regjistroheshin në emrin e fshatarëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive.
Të gjitha këto veprime janë kryer me qëllimin e vetëm, realizimi i përfitimit të paligjshëm përmes shitjes së këtyre pasurive te individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj (Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit).

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me anë të vendimit nr.97, më datë 1.10.2025, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale ndaj shtetasve shqiptarë: 

1.      A.L, i dyshuar për veprat penale:
a. “Falsifikimi i dokumenteve”, me shume se nje here, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 186/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

2. V.M, i dyshuar për veprat penale:
a. “Falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 186/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
c. “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsion aktiv i dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit”, dhe i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244 dhe 312 të Kodit Penal.

3. A.B, i dyshuar për veprat penale:
a. “Falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 186/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

4. V.B, i dyshuar për veprat penale:
a. “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 186/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.

5. E.A, i dyshuar për veprat penale:
a. “Vrasje me paramendim”, kryer per hakmarrje, në dëm të shtetasit E.B alias I. K në datën 24.01.2021 në qytetin e Durresit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4 dhe 334 paragrafi i parë të Kodit Penal.
c. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal

6. A.B, alias A.A dhe A.S, i dyshuar për veprat penale:
a. “Vrasje me paramendim”, kryer për hakmarrje, në dëm të shtetasit Edmir Bregu alias Ilir Kuçi (Maloku)  në datën 24.01.2021 në qytetin e Durrësit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

7. A.D, i dyshuar për veprat penale:
a. “Vrasje me paramendim”, kryer për hakmarrje, në dëm të shtetasit Edmir Bregu alias Ilir Kuçi (Maloku)  në datën 24.01.2021 në qytetin e Durrësit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
c. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4 dhe 334, paragrafi i parë të Kodit Penal.

8. E.K, i dyshuar për veprat penale:
a. “Vrasje me paramendim”, kryer per hakmarrje, në dëm të shtetasit Edmir Bregu alias Ilir Kuçi (Maloku)  në datën 24.01.2021 në qytetin e Durrësit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
c. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4 dhe 334, paragrafi i parë të Kodit Penal.

si dhe masën e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për shtetasen E.A, e dyshuar për veprën penale:

a. “Fallsifikim i dokumenteve”, kryer nga personi që ka pë detyrë të lëshojë dokumentin, parashikuar nga neni 186 paragrafi i tretë i Kodit Penal.

Prokurorët e Posaçëm kanë nxjerrë urdhërat e ekzekutimit të masave të sigurimit më datë 1.10.2025.

Zbatimi i masave të sigurimit ndaj shtetasve V.M, E.K, V.B, A.B dhe E.A, është bërë i mundur nga hetuesit e BKH-së dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për të dyshuarit A.L, E.A, A.B dhe A.D.

Në zbatim të vendimit nr. 614 datë 1.10.2025, u bë sekuestrimi preventiv i 11 (njëmbëdhjetë) pasurive me sipërfaqe totale 254.300 m², në  zonën bregdetare të fshatit Shetaj, Durrës.

Falenderojmë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe BKH-në për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë në fazën e ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.

Falenderojmë veçanërisht Europol, Eurojust, autoritetet gjyqësore të Republikës së Francës dhe autoritetet ligjzbatuese të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e tyre, gjatë hetimeve të këtij procedimi penal si dhe në zbatimin e masave të sigurimit personal.

 

Ora 11:51
SPAK lëshoi urdhërarrest, kush është Astrit Avdylaj, kreu i bandës së Shijakut! Planet me grupin e Martinajt për të eliminuar Durim Bamin

1759398769_astritavdylaj.JPG

SPAK ka lëshuar urdhërarrest për Astrit Avdylajn, kreun e bandës së Shijakut, i cili aktualisht ndodhet në burg në kuadër të operacionit Revanshi. Avdylaj u arrestua më 29 qershor 2024, me urdhër të SPAK, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin “Sky ECC”. Avdylaj u arrestua 1 muaj pas operacionit Revanshi dhe u kap në vilën e tij në Shijak me pistoletën e mbushur. Ndaj tij rëndojnë 3  akuza për këtë çështje, "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje"", Grup i strukturuar kriminal" dhe "Pjesëmarrje në grup të strukturuar."

Nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, Avdyli bashkëpunonte dhe thurte plane me grupin e ish-deputetit socialist Arben Noka dhe grupin e Ervis Martinaj për të ekzekutuar Durim Bamin. Arben Ndoka dyshonte se Durim Bami kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka ndërsa Martinaj dyshonte se ai bashkëpunonte me kundërshtarët e tij, Indrit Dokle e Leonard Duka. Për kokën e Durim Bamit në ndihmë të Ervis Martinaj e Arben Ndokës shkoi dhe Emiljano Shullazi  dhe Astrit Avdyli të cilët ndodheshin atëkohë në qeli. 

Avdylajt në Shijak u bënë me emër që në vitet 90′. Në 1996-ën është vrarë me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit. Ky i fundit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali mori hak në 1997 duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin.

Ai i kishte vendosur një gjobë biznesmenit Tefik Hyka, pronari i fabrikës së tullave në Vlorë. Dritan Avdyli u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut” për të marrë gjobën që kishte vënë, por në momentin që bashkë me shokun arrin në lokal goditet me breshëri plumbash.  Hakmarrja nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin, i njohur si vrasës me pagesë. Pas Astritit, në role të tjera, janë edhe familjarët Jasmin, Flamur , Altin.

Astrit Avdyli u lirua 3 vite para se të mbaronte dënimin pasi u ekzaminua me “depresion dhe tentativa vetëvrasëse”. I dënuar me 16 vjet burg për vrasje, Avdyli për 10 vjet rresht kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016. Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”. Jo shumë më vonë, Avdyli do të hetohej për trafikun e drogërave të forta. Me origjinë çame, Astriti, në rrethin e zonës, njihet si I ‘Urti”, pasi punët I zgjidhte me bisedime.

Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, dhe në 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat. Astrit Avdylaj është liruar nga qelia e paraburgimit dy vite pas arrestimit të bujshëm, në korrik 2021 dhe përfundoi në ‘arrest në shtëpi’. Media gjermane “Bild” publikoi biseda të tij dhe me ish-kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako ku flitej për sigurimin e votave në zgjedhjet e 2017. Por, ai ra sërish në pranga në 2024 për operacionin Revanshi.

Ora 10:37
Operacioni i SPAK për tjetërsimin e pronave te Gjiri i Lalzit, masë sigurie edhe për Rrumin e Shijakut dhe Astrit Avdylajn, kreu i bandës së Shijakut (EMRAT)

1759394596_astritavdylirrumiishijakutaleksanderlaho.jpg

Astrit Avdyli dhe Rrumi i Shijakut

Report Tv ka siguruar emrat e 6 personave ndaj të cilëve është lëshuar masë sigurie pas operacionit të SPAK për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Masë sigurie është lëshuar edhe për Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si Rrumi i Shijakut, i cili është në kërkim edhe për ngjarje të tjera nga SPAK. Masë sigurie është lëshuar edhe për Astrit Avdylajn, kreu i bandës së Shijakut. Ai aktualisht ndodhet në burg, i arrestuar për operacionin “Revanshi”.

Në pranga
1-Vullnet Muça (vëllai i Rrumit, Aleksandr Lahos)
2-Enea Kume, ( vëllai i deputetit Loer Kume )
Masa sigurie edhe për:
4-Aleksandër Lahon (në kërkim)
5- Astrit Avdylaj (në burg)
6- Aldo Avdylaj (në kërkim)
Ora 10:31
I akuzuar për tjetërsim pronash në Gjirin e Lalzit, del FOTO e Enea Kumes, vëllai i deputetit të PS-së

1759393722_eneakume.jpg

Enea Kume

Report Tv ka siguruar foton e Enea Kumes, vëllai i deputetit socialist Loer Kume, i arrestuar mbrëmjen e djeshme me urdhër të SPAK.

Enea Kume akuzohet për tjetërsim të pronave në zonën e Gjirit të Lalzit.

Nga ky operacion i SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë lëshuar në total 9 masa sigurie, 3 prej të cilave janë ekzekutuar.

Ora 10:13
I vëllai në pranga me urdhër të SPAK, deputeti i PS: Secili mban përgjegjësi për jetën e vet

Deputeti i Partisë Socialiste Loer Kume ka qenë sot live në një intervistë televizive kur në media u bë publik lajmi për arrestimin e vëllait të tij, Enea Kume i akuzuar për tjetërsim pronash tek Gjiri i Lalzit.

Loer Kume ka bërë të ditur se i vëllai është arrestuar mbrëmjen e djeshme dhe se për sa kohë nuk ka një vendim fajësie, ai do të konsiderohet i pafajshëm.

Ndër të tjera, deputeti i PS-së tha se në fund secili mban vetë përgjegjësi për jetën e vet dhe vendimet që merr. Loer Kume tregon se i vëllai merrej me drejtimin e një agjencie turistike së bashku me familjarë të tjerë.

“U vura mbrëmë në dijeni, është arrestuar dhe është i dyshuar dhe për sa kohë nuk ka një vendim fajësie do ta konsideroj të pafajshëm deri në momentin që drejtësia të flasë. Por gjithkush është përgjegjës për jetën dhe vendimet që merr në jetën e tij, por të mos flasim para kohe.

Im vëlla ka drejtuar një biznes familjtar, një agjenci turistike së bashku me familjarë të tjerë”, u shpreh deputeti Loer Kume.

Ora 09:49
SPAK ‘zbarkon’ në Durrës, arrestohet vëllai i ‘Rrumit të Shijakut’! Disa ditë më parë përfundoi në polici pasi kërcënoi drejtorin e spitalit

SPAK dhe Policia e Shtetit kanë zhvilluar sot një aksion në qytetin e Durrësit ku janë lëshuar 9 masa sigurie. Deri më tani të arrestuar janë Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume si dhe vëllai i ‘Rrumit të Shijakut’ alias Aleksandër Laho, Vullnet Muça.

Vullnet Muça është shoqëruar në komisariat më datë 20 shtator pasi kërcënoi drejtorin e Spitalit të Durrësit, Renis Mullaj.

Muça kishte shkruar në zurën e drejtorit të spitalit për t’i kërkuar që t’i punësonte mbesën. Ky i fundit ka refuzuar dhe ka telefonuar policinë. Pas telefonatës policia ka shoqëruar Muçën dhe e ka akuzuar për kanosje për shkak të detyrës.

Ora 09:40
SPAK operacion për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit, kontrolle edhe të shtëpia e Rrumit të Shijakut

1759389755_rrumishijakut.jpg

Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut)

Me urdhër të SPAK po zhvillohet një operacion për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se në kuadër të këtij operacioni janë ushtruar kontrolle edhe në shtëpinë e Aleksandër Lahos, i njohur si Rrumi i Shijakut. Ai nuk është gjetur në banesë, ndërsa autoritetet kanë pasur indicie se është kthyer nga Gjermania.

Kush është Aleksandër Laho?

Aleksandër Laho alias Pëllumbi Muharremi ose i njohur si 'Rrumi i Shijakut' është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit si i dyshuar në pengmarrjen e 2 vëllezërve Beqiraj të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale.

Ndërkohë, Aleksandër Lahon është dënuar dhe më 23 korrik nga Apeli i GJKKO-së me 3 vite burg lidhur me tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit, fajtor për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Dënimi për Lahon ka zbritur në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Laho akuzohet se i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit. 

Ora 09:33
Operacioni i SPAK në Durrës, në pranga vëllai i deputetit të Partisë Socialiste (EMRI)

1759390486_loerkume.jpg

Deputeti i PS-së Loer Kume

Nga operacioni i SPAK dhe i Policisë së Shtetit i zhvilluar mëngjesin e sotëm në Durrës, ka rënë në pranga dhe Enea Kume, i cili është vëllai i deputetit të Partisë Socialite Loer Kume.

Ky i fundit është betuar në Kuvendin e Shqipërisë si deputet më 18 shtator pas marrjes së mandatit në qytetin e Durrësit. Enea Kume akuzohet për tjetërsim pronash në zonën e Gjirit të Lalzit.