SPAK, imuniteti parlamentar dhe rasti i ish-kryeministrit Berisha

SPAK, imuniteti parlamentar dhe rasti i ish-kryeministrit Berisha

Sali Berisha

Këto ditë ka shpërthyer një debat i ashpër mbi akuzat që prokuroria speciale SPAK ka ngritur ndaj ish-kryeministrit Berisha dhe mbi masën e marrë ndaj tij të bllokimit të pasaportës. Ish-kryeministri Berisha dhe mjaft të tjerë në lëvizjen e tij politike po thonë se kjo është një luftë politike dhe se prokuroria shkeli kushtetutën kur vendosi për bllokimin e pasaportës duke i penguar lëvizjen e lirë, ose lirinë ish-kryeministrit. Sipas tyre imuniteti parlamentar i deputetit nuk e lejon prokurorinë ta bëjë këtë gjë. Për të kuptuar më qartë këtë situatë po hyjmë në një rravgim pak më të gjerë mbi natyrën e imunitetit parlamentar dhe mbi arsyet e ekzistencës për të parë nëse kemi të bëjmë me thyerje të parimeve dhe arsyeve të ekzistencës së imunitetit parlamentar.

Imuniteti parlamentar ofron mbrojtje në dy drejtime për deputetët: njëra është mbrojtje nga hetimi, dënimi apo ndjekja penale për ato që ai thotë në diskutimet në parlament dhe tjetra është mbrojtja nga ndjekja, hetimi dhe arrestimi për një krim që ai ka kryer. Imuniteti parlamentar ndonëse njihet që në Romën e vjetër ku senatorët kishin një mbrojtje të posaçme rrënjët e tij I ka në traditën anglosaksone. Në shekullin 14-të në Angli anëtarët e parlamentit ishin të lirë të flisnin dhe diskutonin në debatet parlamentare si të donin dhe ata nuk mund të merreshin në pyetje apo të niste një procedurë shkarkimi në një vend tjetër veç parlamentit. Në vitin 1689 kjo normë u përfshi në “Kartën e të Drejtave” në Angli. Ndërkohë Anglia ka një traditë të njohur edhe në mbrojtjen e deputetëve për një krim që ata mund ta kenë kryer e cila thotë se se deputetët “mbrohen nga arrestimi” në disa raste të veçanta. 

Njëqind vjet pas Kartës së të Drejtave në Angli kjo traditë mori formë të shkruar në Kushtetutën e SHBA e cila thotë se “anëtarët e Kongresit janë të mbrojtur nga arrestimi – përveç rasteve të tradhtisë, krimeve serioze, dhe prishjes së paqes,- gjatë pjesëmarrjes në sesion në secilën nga dhomat (e përfaqësuesve apo senat) dhe gjatë në kongres apo kthimit për në shtëpi nga kongresi…” Pra anëtarët e kongresit mund të arrestohen pa leje të kongresit për akuzën e tradhtisë, atë të krimeve serioze (që përfshin vrasjet, vjedhjet me dhunë, përdhunimin etj) dhe thyerjen e paqes që mund të jetë nxitje për dhunë, prishje e rendit publik, demonstrata të paligjshme etj. Për akuza apo krime të tjera duhet leja nga kongresi. 

Më e rëndësishme se sa renditja e krimeve për të cilat kryhet arrestimi pa leje apo me leje të kongresit është arsyeja doktrinare e këtij neni në kushtetutën e SHBA-së. Laurence Tribe, një konstitucionalit i njohur amerikan thotë se ky lloj imuniteti nuk I takon anëtarit të kongresit por institucionit. Në traditën anglosaksone, që në shekullin e 14-të, për të mos lejuar mbretin të pengojë mbledhjen e parlamentit duke urdhëruar gjykatat të arrestojnë deputetë, u pengua arrestimi i deputetëve kur ata janë nisur nga shtëpia e tyre për në parlament dhe në kthim për në shtëpi. Pra tradita anglosaksone mbron parlamentin nga mbreti, mbron mbledhjen e tij në seancë, mbron kuorumin e parlamentit nga prishja e këtij nga kuorumi nga mbreti me anë të arrestimit të deputetëve. 

Për këtë shkak edhe kushtetuta e SHBA-së thotë tekstualisht se “ndalohet arrestimi i kongresmenëve gjatë pjesëmarrjes në sesion dhe gjatë rrugës për në kongres apo kthimit në shtëpi, përveç rasteve të tradhëtiësë, krimeve serioze dhe thyerjes së paqes…” Kjo pasi mund të ndodhë që gjykata apo mbreti (qeveria, presidenti, guvernatori) arreston një, disa apo shumë deputetë sa për të prishur balancën parlamentare që aty të merret vendimi që ai do. Të nesërmen deputeti mund të lirohet por vendimi në parlament u mor. Pikërisht për këtë shkak tradita anglosaksone I ka lënë parlamentit të drejtën që të japë leje për arrestim.

Veç traditës anglosaksone ka edhe një traditë tjetër të imuniteteve parlamentare. Është tradita e që buron nga Asambleja Kombëtare e Francës në vendimin e saj të 23 qershorit të vitit 1789 I cili thotë se “ personi anëtar I asamblesë nuk mund të preket nga asgjë.” Bëhet fjalë për asamblenë që lindi në revolucionin e frikshëm dhe të poshtër jakobin, e cila me anë të këtij akti për imunitetin synonte të tregonte superioritetin e saj mbi organet e tjera të cilat nuk ishin ende revolucionare. Gjithashtu akti kërkonte ti jepte mbrojtje të plotë anëtarëve të asamblesë në një kohë trazirash dhe dhune ekstreme. Europa dhe pas viteve 1990 Europa lindore dhe ajo qendrore kanë zgjedhur për arsye kulturore dhe historike modelin francez. Sigurisht që imuniteti sot në Europë nuk është ai i kohës së revolucionit jakobin por gjithsesi imuniteti ose mendësia e përdorimit të imunitetit është shumë më e fortë se sa në traditën anglosaksone.

Për të kuptuar se sa shumë ka ndryshuar koncepti mbi imunitetin në Europë po themi që parlamenti europian i hoqi imunitetin kryetares së partisë Fronti Kombëtar Marinë Le Pen pak vite pas një kërkese të prokurorisë franceze. Prokuroria franceze nuk paraqiti prova në parlamentin europian por vetëm një kërkesë ku tha se Le Pen ka publikuar krime të mynxyrshme të ISIS në llogarinë e saj në Instagram dhe kjo u pa si nxitje e dhunës dhe ekstremizmit. Po ashtu parlamenti i Saksonisë në Gjermani I hoqi imunitetin drejtueses së partisë AFD Frauke Petry sespe ajo akuzohej se i kishte kërkuar një anëtari të partisë që të financojë partinë ndryshe nuk do të kandidonte. Edhe në këtë rast prokuroria nuk shkoi në parlament dhe të debatonte me deputetët për provat por paraqiti kërkesën.

Shqipëria e cila mori një nismë për të hequr imunitetin e deputetëve disa vite më parë zgjodhi variantin anglosakson duke i dhënë parlamentit vetëm të drejtën për të dhënë leje për arrestim, për kontroll personal dhe për kontroll banese. Pra sot Shqipëria nuk lejon arrestimin e një deputeti (veç rasteve flagrante) duke e menduar këtë mbrojtje si mbrojtjen ndaj institucionit.

Ligji jonë thotë, me fjalë të tjera, se parlamenti nuk lejon arrestimin e deputetit kur kërcënohet mbledhja e tij në seancë, kur kërcënohet mbarëvajtja e tij, kur kërcënohet kuorumi. Pra parlamenti nuk duhet ta lejojë prokurorinë dhe gjykatën të prishë balancën parlamentare apo vendimmarrjen e parlamentit. Nuk ka mbrojtje për deputetin. Në rastin tonë, në Shqipëri, masa e marrë nga SPAK apo nga GjKKO nuk prek fare funksionimin e parlamentit, të mbledhjeve të tij, të kuorumit të tij. Pra parë në një kënd të djathtë, në një kënd konservator në rastin tonë nuk kemi asnjë lloj shkelje të parimeve themelore të të drejtës. Parë në një kënd tjetër, në një kënd të vlerave të revolucionit francez kemi të bëjmë me shkelje të parimeve themelore të të drejtës.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës