Sfumohet në më pak se 24 orë operacioni i SPAK lidhur me krimet zgjedhore përgjatë zgjedhjeve të 2017 dhe dosjen 339. Dy nga 21 komisionerët për të cilët SPAK kërkoi në gjykatë masa sigurie arrest në burg dhe arrest në shtëpi rezultojnë se kanë humbur jetën disa muaj përpara se SPAK të finalizonte operacionin. Komisionerët që kanë ndërruar jetë janë Kasem Lala komisioner i PS në Rubjek pranë qendrës së votimit 1335 dhe Basir Bregu kryetar komisioni nga PD në Rubjek pranë qendrës 1336.

ReportTv është interesuar pranë SPAK për këtë situatë, ku sipas prokurorisë së posaçme vdekja e dy komisionerëve nuk e zhbën hetimin dhe krimin zgjedhor të ndodhur në 2017.  Për dy të ndjerët SPAK deklaroi se do të pushojë hetimet, ndërsa gjithcka ka ndodhur për shkak se pas vdekjes ata nuk janë çregjistruar në gjendjen civile dhe në certifikatat e regjistrit për prokurorët kanë rezultuar në jetë.

Sipas SPAK hetimet janë zhvilluar në mungesë dhe sekret cka ka sjell dhe situatën e mosdijeninë për ndërrimin e jetës për komisionerët Lala e Bregu. Një ditë më parë SPAK njoftoi se kish ekzekutuar urdhër ndalimet për komisionerët të cilët në hetim u vunë pas përgjimeve të dosjes 339 në vitin 2016 për trafik droge. Këto hetime ndiqen aktualisht nga dy prokurorët Vladimir Mara e Dritan Prenci ndërsa mesditën e të enjtes të ndaluarit do të dalin para gjykatës për tu njohur me akuzën dhe të merren në pyetje.

Për operacionin ndaj komisionerëve një ditë më parë nuk munguan dhe mbështetja e ndërkombëtarëve për SPAK si dhe reagimet e partive politike mes tyre të majtë e të djathtë, ndërsa të përfshirë në këtë vepër penale rezultojnë komisionerët e katër forcave politike PS, PD, LSI dhe PR.