Ish-ministri i mjedisit Lefter Koka kërkoi pafajësi në lidhje me akuzat e ngritura nga prokuroria për inceneratorin e Elbasanit, të cilat i cilësoi si të motivuara politikisht. Në një seancë maratonë prej orës 09.00 të së enjtes, ish-zyrtari i lartë u paraqit me një pamje të re, ndryshe nga ajo e dhjetorit të vitit 2021 kur u arrestua. Koka bëri përgjegjës Ish-presidentin Ilir Meta për akuzat ndaj tij, të cilit iu referua me epitetet fuks dhe ish-sigurims ndërsa nuk kurseu as epitetet ndaj Monika Kremadhit.

“Prokuroria u bazua tek kallëzimi LSI dhe për 2 vite nuk më mori në pyetje asnjëherë. Unë si ministër, Sekretari përgjithshëm dhe Komisioni kemi zbatuar me përpikëri ligjin. Intriga e këtij procesi dashakeq do të dalë dhe uroj të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Kjo është situatë e krijuar nga Presidenti me fallxhoren e tij, i cili duke ndenjur mejhaneve thoshte do ta fus ne burg Lefter Kokën. Është kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, unë nuk kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time!”- thotë Koka.

Ish-zyrtari i lartë, nuk i kurseu akuzat edhe ndaj prokurorisë së posaçme.

“Akuza e prokurorisë është idiote! Kam hyrë në politikë si biznesmen dhe nuk më bëri politika biznesmen. Ky proces është i manipuluar fund e krye, por besoj se e vërteta do të triumfojë. Nuk ekziston asnjë kontakt ose njohje me pronarët e inceneratorëve, ato nuk i solla unë por erdhën si propozim nga bota e biznesit.  Prokurori devijoi hetimet dhe copëzoi dosjen për të mos zbuluar të vërtetën. Drejtësia më herët sesa vonë do të dalë.”- thotë ai.

Avokatët e Kokës, thanë se incineratori i Elbasanit ishte ngritur pasi ishte kërkuar mendim nga katër ministri, Financave, Ekonomisë dhe Energjitikës dhe Drejtësisë.

"Gjatë kohës që janë bërë negociata me kompanitë e inceneratorit klienti im ka qenë jashtë vendit. Sa i përket procedurës së bërë me negocim pa shpallje, është bërë në kuadër të emergjencës mjedisore të shpallur nga Bashkia e Elbasanit. Në komisionet e ngritura, nuk ishte e përfshirë vetëm Ministria e Mjedisit, por kishte përfaqësues edhe nga ministritë e tjera. – tha avokati i tij.

Edhe ish deputeti socialist ka dëshmuar, ku ka ripërsëritur se është i pafajshëm.

Në lidhje me kantinën e pijeve në Durrës, të sekuestruar nga SPAK, avokatët theksojnë se prona është themeluar në vitin 1927 dhe është privatizuar në 2000, shumë kohë para nisjes së procedimit për çështjen e incineratorëve. Më 18 maj prokuroria kërkoi 10 vjet burg për Lefter Kokën, i cili me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6 vjet e 8 muaj nëse shpallet fajtor nga gjykata. Pafajësi në seancë kërkoi edhe Alqi Bllako, i cili tha se si sekretar i përgjithshëm i ministrisë, nuk ka pasur rol në zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve por vetëm si përcjellës i dokumentacionit.

Më 18 maj, Prokuroria e Posaçme paraqiti në gjykatë pretencën ndaj të akuzuarve për incineratorin e Elbasanit. Organi i akuzës ka kërkuar nga dhjetë vjet burg për Lefter Kokën, Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton si dhe 4 vjet heqje lirie për ish deputetin Alqi Bllako.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit në përfundim të procesit gjyqësor, duke u dënuar përkatësisht me 6.8 vjet heqje lirie për Kokën, Mërtirin e Zoton dhe 2.8 vjet burg për Alqi Bllakon.

Dënime me nga 4 vjet u kërkuan edhe për ish-zyrtarët e tjerë të akuzuar si ish anëtarë të komisioneve të tenderit të incineratorit. Në pretencën e prokurorisë u kërkua edhe konfiskimi i dy kompanive 'AlbTech' dhe 'Integrated Technology SHPK' si dhe i 8 apartamenteve. SPAK kërkoi që ish ministrit Lefter Koka ti konfiskohen 3 pasuri përfshirë kantinën në Durrës ndërsa avokatët do të flasin më 1 qershor.

Pretenca e SPAK për të akuzuarit
Lefter Koka 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Alqi Bllako 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Mirel Mërtiri 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Stela Gugallaj 7 vite burg (4 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Klodjan Zoto 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Pëllumb Abeshi 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Jonida Zeqo 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

Raportoi për Report Tv dhe Shqiptarja.com gazetarja Keti Banushi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:10
Alqi Bllako dëshmon në sallën e gjyqit: Jam i pafajshëm, kryeja vetëm shkresa përcjellëse mes institucioneve

1688652619_alqibllako.jpg

Deputeti socialist, Alqi Bllako ka dëshmuar në sallën e gjyqit dhe ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij.

“Jam i pafajshëm. Ne cilësinë e sekretarit te përgjithshëm te ministrisë nuk i kam patur rol ne zgjedhjen e anëtareve te komisionit te vlerësimit te ofertave. Kam patur rolin e zyrtarit qe kryente vetëm shkresa përcjellëse mes institucioneve.”- thotë Bllako.

Ora 15:16
Afera me inceneratorin e Elbasanit, Lefter Koka dëshmon në sallën e gjyqit: Procesi i manipuluar fund e krye, e vërteta do triumfojë

 

Ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka dhënë dëshminë e tij të parë në sallën e gjyqit. Ish ministri shprehet se procesi dhe gjyqi ndaj tij është i manipuluar ndërsa shpesh në deklaratën e tij, të cilën e ka siguruar gazetarja e Report Tv, shprehet se e vërteta dhe pafajësia e tij do të triumfojë.

Koka, akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion për aferën me inceneratorët.

"Një e vërtetë e thënë përgjysmë është e pavërtetë. Prokuroria u bazua tek kallëzimi LSI dhe për 2 vite nuk më mori në pyetje asnjëherë. Unë si ministër, Sekretari përgjithshëm dhe Komisioni kemi zbatuar me përpikmëri ligjin. Bëmë punën më të mirë dhe shërbyem me devotshmëri. Eshtë kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, unë si kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time!

Akuza e prokurorisë është idiote! Kam hyrë në politikë si biznesmen dhe s`më bëri politika biznesmen. Po kthehemi 45 vite para në proceset e stisura të sistemit komunist. Është një alarm jo vetëm për mua por për të gjithë shoqërinë. Ky proces është i manipuluar fund e krye ,  besoj se e vërteta do të triumfoj. Nuk ekziston asnjë kontakt ose njohje me pronarët e inceneratorëve, ato nuk i solla unë por erdhën si propozim nga bota e biznesit. Prokurori devijoi hetimet dhe fraksionojë dosjen për të mos zbuluar të vërtetën. Drejtësia më herët sesa vonë do të dalë. Intriga e këtij procesi dashakeqës do të dalë dhe uroj të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Prokurori fshehu 40 fashikuj hetimor ku gjenden provat për pafajësinë time. Më janë vënë në dispozicion nga gjykata 1 javë më parë. Akuza pësoi mutacione për ti qëndruar besnike kallëzimit të LSI. Kurrë nuk i kam futur dorën në xhep dikujt."- thotë Koka.