SPAK ka lëshuar urdhër arrest për pastrim parash për biznesmenin Ilir Shtufi, pas një operacioni nga i cili u godit një grup i trafikut të drogës që drejtohej nga dy vëllezërit Koçeku nga Kamza. Ilir Shtufi është një biznesmen në fushën e ndërtimit, por jo vetëm, që dyshohet se bashkëpunonte me këtë grup kriminal duke iu pastruar paratë e fituara nga trafiku i drogës.
Shtufi njihet edhe për lidhjet me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai është ndërtues i disa kullave në Tiranë, mes tyre gradaçelës që do të quhet “Mali i Tiranës”, e cila pritet të jetë 65 kate, 58 kate lart e 7 kate nën tokë e 185 m e lartë. Ilir Shtufi ka 91% të aksioneve së kompanisë ndërtuese Nova Construction 2012, ndërsa Kujtim Shtufi me 9%.
Shtufi është një emër i përfolur edhe në dosjen e Balluku, i cili ka qenë objekt kontrollesh nga SPAK në kuadër të hetimeve për ish-zv.kryeministren Balluku. Kompania Nova Construction e Ilir Shtufit, është një nga 3 operatorët që fitoi tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë, edhe kjo procedurë sot në hetim nga SPAK.
Në media më herët kanë qarkulluar lajme se Shkëlzen Berisha jeton në vilën e Ilir Shtufit në Rolling Hills, ndërsa më vonë ishte vetë djali ish-kryeministrit që e pranoi që jeton me qira në vilën e tij.
Kliko këtu për të lexuar ekstraktin historik të Nova Construction
Lajmi kryesor:
Goditen 2 grupet që trafikuan 6.7 tonë kokainë nga Amerika Latine, SPAK lëshon 20 masa sigurie! Ilir Shtufi kapet në Greqi, në pranga edhe Sota, në kërkim Artur Shehu! Sekuestrohen 18 vila e 336 llogari bankare (EMRAT)






