SPAK mbyll hetimet për grupin e Laert Haxhiut, dërgohen për gjykim 9 të akuzuarit! Nga vrasje, vënie eksplozivi te vjedhje, zbulohen akuzat! Ngjarjet u zbardhën nga rrëfimi i Tafanit

TIRANË - SPAK ka mbyllur hetimet për grupin e Laert Haxhiut dhe ka dërguar dosjen për gjykim në GJKKO për 9 të pandehur: Lulzim Spahija (Arapi); Artan (Marjus) Tafani; Ligor Romacka; Bledar Berberi; Erisiano Abedini; Bujar Abedini; Mariglen Topuzi; Idriz Manej; Enriko Xhahysa

Prokuroria e Posaçme ka arritur të dokumentojë veprimtarinë kriminale të grupit të Laert Haxhiut mes prillit të vitit 2021 deri në maj të 2023, moment në të cilën në Greqi u arrestua kapo i bandës Laert Haxhiu.

'Është dokumentuar se aktiviteti kriminal i këtij grupimi të strukturuar është i shtrirë nga muaji prill i vitit 2021 deri në muajin maj të vitit 2023, kur dhe arrestohet në Greqi, drejtuesi dhe organizatori i këtij grupimi kriminal, Laert Haxhiu – personi ndaj të cilit vijojnë hetimet, pas ekstradimit të tij nga Greqia. Laert Haxhiu, organizatori dhe drejtuesi i këtij grupimi kriminal,  ku bënin pjesë edhe të akuzuarit; Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Ligor Romaçka, Bledar Berberi dhe Erisiano Abedini, e filloi ndërmarrjen e akteve kriminale ndaj jetës, shëndetit dhe pronës së viktimave të krimeve, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kushëririt të tij (djalit të xhaxhait) Klodian Haxhiut, të ndodhur vite më parë dhe pas arrestimit lidhjeve të tij të ngushta shoqërore, shtetasve Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.

I drejtuar dhe e organizuar nga Laert Haxhiu, grupimi i tij kriminal ndërmori akte konkrete kriminale për vrasjen e personave, të cilët i mendonte si pjesëtarë të grupimit kriminal të Aldo Bares, për të cilët besonte se kishin qenë të përfshirë në vrasjen e kushëririt të tij. Aktet kriminale të këtij grupimi të strukturuar nuk synuan vetëm jetën dhe shëndetin e kundërshtarëve të supozuar, por dhe shkatërrimin e pronës së tyre si dhe akte vjedhjeje të pronës me përdorim të armëve. Përveç vrasjeve të Çajup Selimit e Albi (Dijonist) Bashaliut, të gjitha krimet e tjera të lartpërmendura janë organizuar, shtyrë dhe ekzekutuar në shenjë hakmarrjeje dhe për të njëjtat motive.', thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.

Ky grup kriminal ndërmori disa vrasje ndaj personave të cilët i mendonte si pjesëtar të grupit të Aldo Bares në Lushnjë, rivali i Laert Haxhiu. Përveç vrasjeve grupi organizoi edhe shaktërrimin e pronës së personave të grupit kundërshtar si dhe vjedhje të pronës me armë.

Grupi i Laert Haxhiut dhe 5 bashkëpunëtor akuzohen për këto vepra kriminale:

'1.“Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasit Arian Aliço, ngjarje e ndodhur më datë 05.04.2021 në  Lushnjë;
2.“shkatërrimi i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasve, Besnik Çoku dhe Erion Çoku, ngjarje e ndodhur më datë 29.05.2021, ora 02:15, lagjia “Gafurr Muço”, pallati Nr.4, Lushnjë;
3.“vrasje me paramendim”, e kryer për interes, me viktimë Çajup Selimi, ngjarje e ndodhur më datë 01.06.2021, ora 21.15, në Tepelenë;
4.“vrasje me paramendim” e ndodhur më datë 02.06.2021, me viktimë Fridman Xhaferraj, trupi i të cilit u gjet i pajetë më datë 13.06.2021, tek rezervuari i Gjançit, në Korçë; 
5.“vrasje me paramendim”, e kryer për interes, me viktimë Alban Semaku (Elton Mermali), ngjarje e ndodhur në lagjen Çezme, Peqin, më datë 17.10.2021;
6.“vrasje për gjakmarrje” me viktimë Albi (Dijonist) Bashaliu, ngjarje e ndodhur në Gjoçaj, Peqin, më datë 27.12.2021;
7.“vjedhje me armë” e automjetit të Gëzim Çepele, më datë 27.01.2022, në autostradën Tiranë-Elbasan, pranë karburant-bar-restorant Palmanova,Tiranë; 
8.“vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, në dëm të Kujtim Meta, e kryer për interes, e ndodhur më datë 20.04.2022, në Lushnje;
9.“shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bashkim Rajku e Rigels Rajku (Noizy),  ngjarje e ndodhur më datë 08.06.2022, në Durrës;
10.“shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bujar Turku, ngjarje e ndodhur më datë 01.11.2022, në  Lushnje;
11.“shkatërrim i pronës me eksploziv” sërish në dëm të Bujar Turku/Resmije Turku, ngjarje e ndodhur më datë 31.12.2022, në  Lushnje;
12.“vjedhje me armë” e automjetit në pronësi të Marjus Zejneli, e ndodhur më datë 22.02.2023, në Sallmone, Shijak (Durrës);
13.“sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” të Genci Hidës në Lushnjë, në periudhën prill-maj 2023;
14.“mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në mjedise të hapura për publikun;
15.“mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’’në sasi të mëdha;', njofton SPAK.

Krahas grupit kriminal të përshkuar më sipër, hetimi i SPAK ka provuar edhe përfshirjen në kryerjen e krimeve edhe të pandehurve si më poshtë:

'i pandehuri Bujar Abedini, akuzohet për veprën penale “përkrahja e autorit të krimit”, e ndodhur më datë 01.06.2021, rreth orës 21:15, në lagjen “15 Shtatori”, Tepelenë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri Çajup Selimi;
I pandehuri Mariglen Topuzi, akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e kryer në dëm të Fridman Xhaferraj, më datë 02.06.2021, trupi i të cilit u gjet më pas (datë 13.06.2021) tek rezervuari i Gjançit;
I pandehuri Idriz Manej akuzohet për veprën penale “moskallëzimi i krimit’’, i vrasjes së Fridman Xhaferaj, ndodhur më datë 02.06.2021 në Korçë, trupi i të cilit u nxorr pas disa ditësh nga rezervuari i Gjançit;
I pandehuri Enriko Xhahysa, akuzohet si bashkëpunëtor me Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Laert Haxhiu etj persona të paidentifikuar, në vrasjen për gjakmarrje në dëm të Albi (Dijonist) Bashaliu, ngjarje e ndodhur në Gjoçaj, Peqin, më datë 27.12.2021;
I pandehuri Bledar Berberi akuzohet dhe për “mbajtje pa leje e ofrim për shitje të armëve e municionit’’, para ngjarjes së datë 27.12.2021, në Gjocaj, Peqin, ku u vra Albi (Dijonist) Bashaliu;  
I pandehuri Artan (Marjus) Tafani akuzohet për kryerjen i vetëm të veprave penale “vjedhje me armë” e pikës së këmbimit valutor, në pronësi të Shezai Çobo, në rrugën Tom Plezha, Astir, Tiranë, më datë 24.06.2023 dhe “mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, në mjedise të hapura për publikun, në rastin arrestimit të Artan (Marjus) Tafani, më datë 24.09.2023, tek Hotel “Rio”, në autostradën Lushnje-Fier, lagjia Saver.', thotë SPAK.

Ndërkohë vijon hetimi i veçantë për Laert Haxhiu nga ana e SPAK.

Laert Haxhiu u fundos përfundimisht pas dëshmisë së të penduarit Artan Tafani, i cili rrëfeu përfshirjen e të dyve, por edhe një grupi të madh personash në 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 4 vrasje në Shqipëri dhe 2 të tjera në Greqi. Mes rrëfimit ishte dhe planifikimi i Haxhiut për të vrarë persona të drejtësisë, përfshirë prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe atë të Lushnjës, Merita Selimi, për të cilat me urgjencë të madhe u mor vendimi për mbrojtjen e tyre.

Lufta mes bandave të Lushnjës ka nisur herët, pasi njerëz të Aldo Bares i dogjën shtëpinë xhaxhait të Laert Haxhiut, duke pasuar një seri vrasjesh.

G.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Artyyy: 11/11/2024 18:02

    Ky dhjaksi ka vrare bije ne ash kot, suksese me sapunin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore