Sterilizimi/ Dërgohet për gjykim Beqaj, ish-zv.ministri Rrjepaj, biznesmeni Rrapaj e 6 të tjerë! Ja shkeljet në koncesionin me vlerë 100 mln euro! SPAK: S’u realizuan kushtet e kontratës

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për koncesionin e sterilizimit dhe ka dërguar për gjykim ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe 8 të tjerë. Ish-ministri Beqaj akuzohet për veprën penale shpërdorimi i detyrës, ndërsa do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministri, Klodian Rrjepaj si edhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat.

SPAK ka dërguar për gjykim edhe 6 ish zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit. Saimir Kadiu drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike të cilët janë në arrest shtëpie, dhe mjeku Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini që deri më tani kanë pasur masën 'detyrim me paraqitje'.

Shkeljet e konstatuara nga SPAK

Hetimet për koncesionin e sterilizimit janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, ndërsa SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.

Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën ndërkohë që sipas akuzës Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë. Ndërsa sipas SPAK, kostot e sterilizimit janë rritur në mënyrë fiktive.

Roli i Klodian Rrjepajt

Sipas SPAK, rezulton e provuar se ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncesionit, është personi i cili ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare për sterilizimin, të cilat i ka ndryshuar disa herë me qëllim që të ishin në vlera të pranueshme nga Ministria e Financave, me qëllim miratimin e koncesionit.

“Në veprimet e përllogaritjeve financiare rezulton plotësisht e provuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në këto dokumente, që janë paraqitur  Ministrisë së Financave. Gjithashtu në këta tregues financiar, me qëllim uljen e normës së IRR dhe NPV, i pandehuri Klodian Rjepaj, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncesionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja”, thotë SPAK.

Rrjepaj ka bashkëpunuar ngushtë me biznesmeni Ilir Rrapaj gjatë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncesionit deri në firmosjen e kontratës, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës me 40% është subjekti tregtar “Investital Llc”, i vetë Rrjepajt.

Ndërkohë që një muaj më parë u vendos sekuestro edhe ndaj dy kompanive të Rrapajt disa aksione të tij në një shoqëri tjetër tregtare, llogari bankare me vlerë 295 mijë euro, 13 makina e apartament në Vlorë.

Kostot fiktive

Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë, janë shtuar zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncesionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.

SPAK thotë se janë përdorur kosto të rreme të shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%.

Akuzat e ngritura nga SPAK

Ish ministri Beqaj akuzohet se ka miratuar kontratën koncensionare të sterilizimit në kundërshtim me ligjin, duke u akuzuar kështu për “shpërdorim detyre” bashkë me ish-zvministrin Rrjepaj.

1-Ilir Beqaj, “Shpërdorimi detyre”, (detyrim paraqitjeje)
2-Klodian Rjepaj, i akuzuar për “Mashtrim”, “Falsifikim të dokumentave”, “Shpërdorim detyre” (arrest me burg)
3-Ilir Rrapaj, i akuzuar për “Mashtrim” (arrest me burg)
4-Marsela Serjani, e akuzuar për “Falsifikim të dokumentave”, dhe “Shpërdorim detyre”, (detyrim paraqitjeje)
5-Saimir Kadiu, i akuzuar për “Falsifikim të dokumentave”, dhe “Shpërdorim detyre”, (detyrim paraqitjeje)
6-Petref Mersini, i akuzuar për “Falsifikim të dokumentave”, dhe “Shpërdorim detyre”, (detyrim paraqitjeje)
7- Arben Gjata, i akuzuar për “Falsifikim të dokumentave”, dhe “Shpërdorim detyre”, (detyrim paraqitjeje)
8-Genc Burazeri, i akuzuar për “Falsifikim të dokumentave”, dhe “Shpërdorim detyre”, (detyrim paraqitjeje)
9- Naile Ajazi, e akuzuar për “Falsifikim të dokumentave”, dhe “Shpërdorim detyre”, (detyrim paraqitjeje)

Njoftimi i SPAK

Procedimi penal nr.13, është regjistruar në datën 13.01.2020, për veprat penale  të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” , e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

Pas regjistrimit të procedimit penal, nga ana e organit procedues janë kryer një numër jashtëzakonisht i madh veprimesh hetimore në analizë të të cilave rezulton e provuar se Ish Zëvëndësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, është personi i cili ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare. Ai ka ndryshuar disa herë këto të dhëna financiare, deri në arritjen e atyre të miratuara nga Komisioni i Dhënies së Koncensionit. Këto ndryshime janë kryer me qëllim arritjen e treguesve financiarë IRR dhe NPV, në nivele të pranuara nga Ministria e Financave, në funksion të miratimit të projektit nga Ministria e Financave. Në veprimet e përllogaritjeve financiare rezulton plotësisht e provuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në këto dokumente, që janë paraqitur  Ministrisë së Financave.

Gjithashtu në këta tregues financiar, me qëllim uljen e normës së IRR dhe NPV, i pandehuri Klodian Rjepaj, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncensionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja. Gjithashtu në Krahasuesin e Sektorit Publik, si treguesi kryesor për dhënien e këtij projekti me Koncension/Partneritet Publik Privat, janë përdorur kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%. Gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncensionit deri në firmosjen e kontratës koncensionare, i pandehuri Klodian Rjepaj ka bashkëpunuar ngushtësisht me te pandehurin Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues po të pandehurin Ilir Rrapaj.

Për këto veprime, të pandehurit Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, provohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Mashtrimit”, e kryer në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda, të parashikuara si vepra penale nga nenet 143/2, 3, të K.Penal.

Ish Zëvëndësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, si personi i cili ka bërë pasqyrat financiare dhe studimin e fizibilitetit, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të komisionit Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben Gjata, Saimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi, për të gjitha veprimet ose mosverpimet e sipërcituara, provohet plotësisht se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe dhe 248 – 25  të Kodit Penal, pasi me veprime aktive, kanë ligjësuar këta dokumente me të dhëna të pavërteta. 

Për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për konçesionet, rezulton e provuar plotësisht, se ish Ministri i Shëndetësisë, i pandehuri Ilir Beqaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të  detyrës”, e kryer në bashkëpunim, me Klodjan Rjepajn, të parashikuara nga 248 -25, të Kodit Penal.

Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal është proceduar me caktimin e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive, vendosur me vendimin nr. 46, datë 22.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën takuese prej 40 % të Shoqërisë  “Sani Servicve” Sh.p.k.;  Shoqërinë ‘Globalsher’ Sh.p.k. dhe asetet e saj, me ortak të vetëm të pandehurin Ilir Rapaj. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, është kryer sekuestrimi  i 40% të kuotave të shoqërisë “Sani Service” Sh.p.k.. Konkretisht, kuota që i përket subjektit tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues të pandehurin Ilir Rrapaj, si dhe është kryer sekuestrimi i 100% të kuotave të shoqërisë “Globalsher” sh.p.k., duke u bërë dhe shënimet përkatëse në Ekstraktin Historik të Regjistrit Tregtar, për shoqërinë e mësipërme.

Janë sekuestruar dhe llogaritë bankare të subjektit “Globalsher” sh.p.k., një llogari në shumën prej 285,412,48 Euro dhe një llogari me balancë prej 113,610.93 Lekë (llogari që gjendeshin në një bankë të nivelit të dytë). Janë sekuestruar 13 (trembëdhjetë) automjete të shoqërisë ‘Globalsher’ sh.p.k., nga të cilat 3 të marra me qira dhe 9 në pronësi të kësaj shoqërie, si dhe një pasuri e paluajtshme apartament 2+1, në pronësi të shoqërisë “Globalsher” sh.p.k., në qytetin e Vlorës.

Hetimet vazhdojnë në kuadër të procedimit penal të ndarë nr.13/1, të vitit 2020, lidhur me dyshimet për veprime në kundërshtim me ligjin nga persona subjekte të hetimit të kësaj prokurorie gjatë fazës së ekzekutimit të kontratës konçesionare etj.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Pyetja e Adit

Edison Ypi: Pyetja e Adit