Kadastra e Vlorës qëndroi e mbyllur paraditen e kësaj të premte. Oficerët e  Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë ushtruar kontroll në këtë institucion duke sekuestruar disa dosje, që lidhen me pronat në bregdet, të konsideruara problematike.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se oficerët e SPAK kanë kryer verifikime edhe për prokurorin e Sarandës Sali Hasa, i arrestuar për korrupsion, me dyshimet se mund të ketë prona të regjistruara në këtë hipotekë. Akuzat për korrupsion në këtë Kadastër janë të forta, ndërsa në ditët në vijim pritet të mësohet nëse do të ketë arrestime nga SPAK.

Ndërkohë që ditën e sotme u njoftuan edhe ndryshime në krye të Kadastrës së Vlorës. Në vend të Klodian Trocit, është emëruar Reinard Meta. Drejtorët e Kadastrës se Vlorës në vitet e fundit janë ndërruar vazhdimisht. 14 drejtorë kanë ndërruar në vetëm dy vitet e fundit, qysh prej shtatorit të 2019. Klodian Troci ka qëndruar në detyre gati 9 muaj, ndërkohë që ka pasur prej tyre edhe drejtorë që kanë ndenjur vetëm 3 ditë në detyrë.

Ish-prokurori i Sarandës, u prangos për korrupsion, pasi nga hetimet e SPAK rezulton se ka pushuar një procedim penal kundrejt marrjes së parave për një kriminel. Bashkë me të janë vënë në pranga janë vënë edhe 5 persona të tjerë me akuzën e korrupsionit: oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë - Napolon Hodaj; Arbitri i ndeshjeve të futbollit - Qerim Ruçi; një zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti” -Bledar Hajredini, si dhe dy persona të tjerë Julian Zera, Emiljano Mirani, të dy të akuzuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:08
Jep dorëheqjen pas 4 muajsh në detyrë kreu i kadastrës në Sarandë, kush e zëvendëson (EMRI)

1632496091_aidademiandribima.jpg

Andri Dhima dhe Aida Demi

Pas 4 muajsh në detyrë, Andri Dhima ka dhënë dorëheqjen si kreu i Kadastrës në Sarandë, i cili e kishte marrë këtë detyrë në maj të 2021.

Dhima është zëvendësuar nga Aida Demi, e cila është emëruar drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Kadastrës në Sarandë. Demi prej 3 vjetësh ka mbajtur detyrën e drejtoreshë në Zyrën Juridike të Sarandës.

Kreu i Kadastrës së Sarandës është ndërruar 3 herë brenda 2021, ku Demi është drejtuesja e tretë e këtij institucioni për këtë vit, ku paratë Andri Dhimës, drejtuesja e kadastrës së Sarandës ishte Kozeta Statha.

Gjatë ditës së sotme ka pasur ndryshime edhe në krye të Kadastrës së Vlorës, ku drejtori Klodian Troci është larguar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar Reinard Meta.

SPAK ka zbarkuar mëngjesin e sotëm në zyrat e Kadastrës së Vlorës, ku kanë bërë verifikime për prokurorin e Sarandës Sali Hasa, i arrestuar për korrupsion, me dyshimet se mund të ketë prona të regjistruara në këtë hipotekë, por edhe kanë marrë të dhëna lidhur me dosje të tjera që ende nuk janë bërë publike.

Ora 11:27
Qytetarët hipën majë kangjellave dhe tenton të futet në Kadastrën e Vlorës: S’kemi lekë t’i korruptojmë, vetëm lëkura na ka mbetur

Qytetarët jashtë ambienteve të zyrës së Kadastrës së Vlorës, thonë se nuk gjejnë dot zgjidhje për problemet që ato kanë e prej kohësh orvaten dyerve të hipotekës për pronat e tyre.

I gjetur pa një përgjigje për problemin e tij, një qytetar ka hipur mbi kangjellat rrethuese të murit të zyrës së Kadastrës, dhe ka tentuar të futet brenda, por nuk është lejuar. Ai thotë, teksa ulëret se ka muaj që e sorollasin pasi sipas tij duan lekë.

‘Janë të poshtër, çfarë duan pse na sorollasin. Kam 6 muaj me këtë punë, që të marr një dokument të vogël! Nuk kemi lekë t’i korruptojmë! Vetëm lëkura na ka mbetur.’- tha qytetari.

Ndërkohë që një tjetër tregon se ka 3 vite që kërkon certifikatën e banesës dhe nuk po e merr.

‘Kam 3 vite që kërkoj certifikatën e shtëpisë. Nuk do Besa Xhaferri, po si pagove nuk ta bëjnë. Kam tre vite që kërkoj certifikatën e shtëpisë time në fshatin Tragjas në Vlorë. Fjala e fundit nuk dua! Është i 14 që ndërroj këtu. Hajdeni me mua e dëgjojeni, nuk dua me thonë. Në thamë shpëtuam nga burokracia, por na kanë zënë frymën.’- tha një qytetar.

‘Janë të korruptuar edhe murët e hipotekës dhe muret edhe pllakat.’- dëgjohet një zonjë duke ulëritur.