Luciano Spalletti beson se Juventusi mund të tentojë mrekullinë në Champions League, por thekson se mbështetja e tifozëve do të jetë vendimtare në sfidën e kthimit kundër Galatasarayt.
Bardhezinjtë zbresin në fushë sot në mbrëmje në orën 21:00 me misionin e vështirë për të përmbysur humbjen 2-5 të ndeshjes së parë dhe për të siguruar një vend në raundin e 1/8-ve.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, tekniku italian e cilësoi momentin delikat për skuadrën, duke kërkuar bashkim mes ekipit dhe tifozëve.
“Ka ndeshje që nuk luhen vetëm në fushë, por edhe në atmosferë. Kemi nevojë për 'zemrën' e tifozëve tanë. Me ta pas nesh jemi më të fortë. Është një periudhë e vështirë dhe u kërkojmë të na qëndrojnë pranë. Do të luftojmë deri në fund”, deklaroi Spalletti.
Trajneri theksoi se dita e pushimit ka ndihmuar ekipin të rikuperohet sa më mirë të jetë e mundur, ndërsa vëmendja është e gjitha te përballja me turqit e Galatasarayt.
“Jemi përgatitur maksimalisht për vështirësitë e kësaj ndeshjeje. Për të ardhmen do të mendojmë vetëm pasi të përfundojë kjo sfidë dhe të shohim rezultatin”, u shpreh ai.
Lajmi kryesor:
Champions League zhvillon sot katër ndeshjet e fundit play-off, Juventusit i duhen tre gola kundër Galatasarayt! Në fushë Real Madridi, PSG e Dortmundi







