SPANJË - Një 50-vjeçar humbi jetën pasi kërkoi një gotë me verë të bardhë në një bar në Spanjë. Brenda gotës në të vërtetë kishte detergjent për lavastoviljen (makinën larëse të enëve të kuzhinës). Tragjedia ka ndodhur ne Vinaros të Spanjës.

Sipas gazetës lokale “El Periódico Mediterraneo”, Andres Lorente 50 vjeç kishte ndjerë një djegie të fortë pasi kishte pirë verën në një bar në rajonin e Castellon-ës.
 
Pas ngjarjes së rëndë, ai është dërguar menjëherë në spital, por ndërhyrja e mjekëve ka rezultuar e kotë.
 
Andres Lorente, babai i dy fëmijëve, ndërroi jetë për shkak të djegieve të brendshme në spitalin e Vinaros.  
 
Sipas burimeve lokale, detergjenti vdekjeprurës ishte futur në një shishe vere dhe ishte vënë gabimisht në frigorifer nga një punonjës i lokalit. Sakaq pronari i lokalit është marrë nën hetim nga policia e Spanjës.

(Ulkie Sinani/ Shqiptarja.com)